Vitet e reja wilsoniane për shqiptarët

Ndriçim Kulla

1999 dhe 2008-vite wilsoniane: çlirimi i Kosovës, fushata e pestë e ndihmës humanitare, pavarësia e Kosovës, pranimi i Shqipërisë në NATO.

Në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka disa vite që meritojnë të quhen “vite Wilsoniane”, sipas vitit 1920, kur Wilsoni u bë shpëtimtari i shtetit shqiptar. Një vit i tillë Ëilsonian është viti 1999, i çlirimit të Kosovës, ku SHBA kishte rolin kryesor, si dhe viti 2008, që mund të quhet dyfish Ëilsonian, për arsye se në këtë vit me mbështetjen e SHBA u shpall pavarësia e Kosovës, që përsëri me mbështetjen e SHBA u njoh menjëherë nga SHBA dhe shumë vende të botës duke përfshirë pjesën më të madhe të vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Në të njëjtin vit, në Samitin e NATO-s në Bukuresht, Shqipëria mori ftesën për t’ u bërë vend anëtar i NATO-s.

Kosova përbënte shqetësimin kryesor të SHBA në marrëdhëniet amerikano-shqiptare, që kur nisën luftërat në ish-Jugosllavi. Fred C. Abrahams në librin e tij për Shqipërinë postkomuniste thotë për periudhën pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA në 1991:

Çështja kyçe për Uashingtonin dhe ideja kryesore që drejtonte politikat e tij për dhjetë vjetët e ardhshëm nuk ishte Shqipëria si shtet por shqiptarët në Ballkan.

Në fakt Kosova kishte qenë pikënisja e krizës që çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë. Ambasadori amerikan në Jugosllavi, në vitet 1989-1992, Ëarren Zimmerman, domethënë në periudhën para dhe në fillimet e luftës në Jugosllavi, thotë në kujtimet e tij:

Kur erdha në Beograd në fillim të vitit 1989, të gjithë kishin në mendje Kosovën.

Zimmerman kishte në të kaluarën e tij diçka që e bënte të ishte i papëlqyer për serbët. Ishte fjala për kohën kur Zimmerman kishte kryesuar një delegacion amerikan në KSBE (sot OSBE), që kishte punuar fort për të arritur një rezulotë që serbët e shikonin si një mjet për të ndërhyrë në Kosovë. Zimmerman thotë për këtë çështje të së kaluarës së tij:

Vetëm pak muaj më parë mbledhja e radhës e Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian (sot OSBE- N.K.), pas dy vjet negociatash kushtuar të drejtave të njeriut dhe kontrollit të armëve duke përfshirë shtetet e Europës dhe të Amerikës së Veriut, kishte përfunduar me një dokument që riafirmonte se trajtimi i qytetarëve të vet nga një qeveri ishte një subject i ligjshëm për t’ iu nënshtruar shqyrtimit ndërkombëtar.

Sipas kësaj rezolute KSBE mund të ndërhynte edhe në Kosovë, gjë që kuptohet se serbët nuk e donin aspak. Kjo rezolutë e miratuar me nismën dhe mbështetjen amerikane, tregonte se me sa largpamësi e kishin përgatitur amerikanët ndërhyrjen e mëvonshme në Kosovë, për çlirimin e saj nga Serbia. Në sajë të kësaj rezolute u mundësia vajtja në Kosovë në 1998 e misionit verifikues të OSBE, të kryesuar nga ambasadori Ëilliam Ëalker, përfaqësues i SHBA, i cili evidentoi provat e masakrave serbe ndaj shqiptarëve në rastin e Raçakut, që u bë shkak direct për Konferencën e Rambouillet, ku pas refuzimit të serbëve për të nënshkruar dokumentin e saj, NATO mund të niste bombardimin e Serbisë. Dhe tani (1989), Zimmerman, njeriu me emrin e të cilit ishte e lidhur kjo rezolutë, nga pozita e ambasadorit amerikan në Beograd, fliste për Kosovën atje, në bazë të kësaj rezolute:

Vërejtja ime për zyrtarët jugosllavë ishte që, nëse Jugosllavia dëshironte të vijonte marrëdhëniet e saj të ngushta me Shtetet e Bashkuara, ajo duhet t’ u vinte fre shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë. I mbetej Jugosllavisë të vendoste se cfarë do të zgjidhte.

Rezolutën e mësipërme e kishte inicuar dhe mbështetur Administrata republikane e viteve ’80 në Shtëpinë e Bardhë, por atë e shfrytëzoi me shumë efektivitet Administrata demokrate e Clintonit. Kështu u vërtetua edhe një herë ai fenomen, i vënë re akoma më tepër me fillimin e luftërave në Jugosllavi se kishte një vazhdimësi në qëndrimin për mbrojtjen e Kosovës të administratave republikane dhe demokrate në Shtëpinë e Bardhë. Këtë gjë më mirë e tregon ish-Sekretarja e Departamentit të Shtetit në kohën e luftës së Kosovës, Madeleine Albright, që shkruan në kujtimet e saj:

Administrata e Bush-it të Vjetrit, e cila në përgjithësi kishte qenë pasive në Ballkan, vendosi të bënte një hap të guximshëm teksa po bëhej gati të linte pushtetin. Ditën e Krishtlindjeve të vitit 1992 diplomatët e Shteteve të Bashkuara e njoftuan Millosheviçin se Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjeshin ushtarakisht, nëse serbët do të fillonin një konflikt të armatosur në Kosovë. Tri javë pas ardhjes në pushtet të Presidentit Clinton më 1993, Sekretari i Shtetit Christopher e theksoi sërish “paralajmërimin e Krishtlindjeve”.

Nëqoftëse amerikanët mund të kishin ndonjë dyshim për pretendimet e shqiptarëve se dhuna serbe ndaj tyre kishte si objektiv final gjenocidin total ndaj shqiptarëve të Kosovës, këtë ua hoqi vetë Milosheviçi, i cili në bisedë me Komandantin e NATO-s në Europë, gjeneralin amerikan Ëesley Clark, ia pohoi vetë këtë gjë. Clark e tregon kështu një bisedë me Milosheviçin në Beograd, në 1998:

Milosheviqi solli “Brandy” për vetë, për Milutinoviqin, për Naumannin dhe për mua, dhe për herë të parë, iu bashkova atij. Tash, ai i gjasonte një filozofi, në momentin kur filloi të diskutojë rreth së ardhmes ekonomike të Serbisë. Më pas, sikur të kishte dalë ndonjë tren nga binarët, ai me shpejtësi ndërroi temë.

“Ju e dini general Klark, që ne e dimë se si duhet t’ i qërojmë hesapet me shqiptarët, me këta vrasës, me këta dhunues, me këta vrasës të fëmijëve të tyre. Përpara, ne jemi kujdesur për ta.”

Fytyra e tij u skuq dhe zëri i tij fitoi ashpërsi, në momentin kur i dënonte ata. Ishte ky ndonjë paragraph jashtë ndonjë kumtese publike, mendova unë.

“Në Drenicë më 1946 ne i kemi vrarë ata. I kemi vrarë që të gjithë!” Naumanni dhe unë e shikonim me kureshtje.

Ai, sipas gjasave kishte menduar se ne nuk i kishim besuar, kështu që filloi t’ i kualifikojë të arriturat. “Oh, na janë nevojitur disa vite, por ne, në fund, i vramë që të gjithë!” Ishte i vetkënaqur, i lumtur dhe shikonte sikur të priste aprovimin tonë.

Ne ishim të tronditur nga shfrimi i tij. “Zoti president, ne madje as që ishim duke diskutuar rreth kosovarëve, ne po bisedonim rreth zhvillimit ekonomik të Serbisë!” Po ne e denim, atëherë dhe aty, se gjasat janë tejet të vogla që e gjithë kjo krizë të përfundojë në mënyrë paqësore.

Në një çast sinqeriteti që me sa duket i vinte nga dehja me alkool, Milosheviçi po zbulonte se plani i tij nuk kishte të bënte vetëm me asgjësimin e atyre që i quante terroristë shqiptarë në Kosovë, por me asgjësimin e shqiptarëve të Kosovës si popull. Ishte ai që njihet si Plani “Patkoi” për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Milosheviçi fliste për planin e tij sikur të kërkonte miratimin e amerikanëve, lejen e tyre për ta zbatuar atë. Që nga ky çast amerikanët e kishin të qartë se për çfarë bëhej fjalë në Kosovë. Nëqoftëse Milosheviçi i kishte fshehur gjurmët e tij në Bosnjë-Herzegovinë, duke arritur të luante rolin e faktorit të paqes në Konferencën e Daytonit, në Kosovë po e zbulonte veten si ideatorin dhe urdhëruesin e genocidit. Tanimë amerikanët e dinin Milosheviçi përbënte një sfidë të ngjashme me atë të Hitlerit. Sekretarja e Departamentit të Shtetit Albright, duhet të ketë qenë me siguri e informuar nga Clarku për këto mendime që shfaqi Milosheviçi, kur në një nga mbledhjet ndërkombëtare për Kosovën para fillimit të bombardimeve, ajo mbajti këtë qëndrim që tregon në kujtimet e saj:

Debati u nxeh dhe ndërsa dëgjoja, zhgarravitja e zemëruar në bllokun e shënimeve. Kisha ardhur në mbledhje e përgatitur t’ i parashtroja qartazi pikëpamjet e mia të papërkulura, kështu që isha e vendosur të mos e tradhtoja besimin e atyre që prisnin që Amerika të merrte situatën në dorë. Në një çast Jamie Rubin-i, që zakonisht ishte mjaft luftarak, më tha të bëja kompromis për një propozim të caktuar. Ia ngula sytë gjithë inat dhe i thashë: “Jamie, mos mendon se jemi në Mynih?”

Kosova nuk do të lihej në duart e Milosheviçit, si Çekosllovakia në ato të Hitlerit në 1938. Amerikanët ishin të vendosur për këtë gjë por Milosheviçi nuk e besonte këtë gjë. Ai nuk besonte se popull amerikan do ta kuptonte këtë vendim të Clintonit dhe Albrightit dhe se këta, edhe nëqoftëse do ta nisnin bombardimin e Serbisë, do të ishin të detyruar ta ndërprisnin pas pak ditësh për shkak të reagimit të opinionit public. Milosheviçi mendonte se Clintoni dhe Albrighti nuk do të ishin në gjendje që ta shpjegonin në mënyrë bindëse popullit amerikan vendimin e tyre pëe bombardimin e Serbisë, një vendi që kishte qenë aleat i Amerikës në dy luftra botërore. Por Milosheviçi nuk kishte kuptuar natyrën prej misionari të popullit amerikan, që reagoi ndryshe nga ç’ kishte pritur ai. Bill Clinton thotë në kujtimet e tij për ditën kur nisi fushata e bombardimeve e NATO-s kundër Serbisë:

Në 24 mars unë i fola popullit amerikan për atë që ishim duke bërë dhe pse po e bënim këtë. Unë u shpreha që Millosheviçi i kishte zhveshur kosovarët nga autonomia e tyre, duke iu mohuar atyre të drejtat e garantuara nga Kushtetuta për të folur gjuhën e tyre, për të patur shkollën e tyre, dhe qeverisur vetveten. Unë përshkrova krimet serbe: vrasjen e civilëve, djegien e fshatrave, dhe dëbimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre, gjashtëdhjetë mijë në pesë javët e fundit , një çerek milioni gjithsej. (Bill Clinton e ka fjalën deri në 24 mars 1999- N. K.) Përfundimisht unë i vendosa ngjarjet e fundit në kontekstin e luftrave që Millosheviçi kishte bërë kundër Bosnjës dhe Kroacisë dhe pasojat destructive të vrasjeve të tij në të ardhmen e Europës.

Milosheviçi gjithashtu, mendonte se NATO do të përçahej dhe vendet europiane të saj nuk do ta pranonin vullnetin amerikan për të bombarduar kryeqytetin e një vendi europian. Amerikanët, edhe nëqoftëse do t’ i nisnin bombardimet mendonte ai, pas disa ditësh do të mbeteshin të vetëm në këtë luftë, dhe do të detyroheshin të tërhiqeshin me turp. Por Milosheviçi gaboi edhe këtu. Aleanca atlantike e ruajti kompaktësinë deri në fund të fushatës, deri në dorëzimin e Milosheviçit. Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë në atë periudhë Joschka Fischer në kujtimet e tij tregon edhe këtë ngjarje:

Unë u thashë kolegëve të mi se gjatë kohëzgjatjes së luftës, revista amerikane “Time” kishte publikuar një artikull tejet kritik, me titull: “Lufta e Medeleinit”. (fjala është për Sekretaren e Departamentit të Shtetit Meadelein Albright- N. K.) “Mirë, vazhdova unë, nëse kjo ka qenë lufta e Madeleinit, atëherë kjo sot është paqja e Madeleinit.”

Amerika e kishte udhëhequr Europën në të parën luftë humanitare në botë, dhe kjo luftë ishte bërë për Kosovën. Mironjohja e shqiptarëve të Kosovës dhe e shqiptarëve në përgjithësi, për Amerikën ishte e pakufishme. Komandanti i NATO-s në Europë, Gjenerali Ëesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën e NATO-s, thotë për vizitën e tij në Kosovë, pas hyrjes së trupave të NATO-s atje:

Më 24 qershor, Javier Solana dhe unë, shkuam së bashku në Prishtinë. Për dallim nga propaganda e mëhershme serbe, kryeqyteti i Kosovës ishte dëmtuar pak nga fushata ajrore- vetëm disa goditje precise kundër objekteve ushtarake dhe policore serbe. Kishte gëzim nëpër rrugë atë ditë, në momentin kur Solana dhe unë u rrethuam nga turma e ithtarëve të entusiazmuar. Deri në atë moment nuk ia kisha lejuar vetes të ndjeja efektin e asaj që kishte arritur NATO-ja. Por, tash kjo ishte e pamohueshme. Operacioni “Allied Force” ishte një fitore për këta shqiptarë, të cilët ishin keqtrajtuar, ishin sulmuar dhe, së fundi, ishin dëbuar me qindra mija nga shtëpitë e tyre dhe nga vendi i tyre. Thjesht kjo ishte më shumë se vetëm një fitore për NATO-n. Kjo ishte një fitore personale për të gjithë ne, që punuam për të tërhequr vëmendjen për planet e Millosheviçit për Kosovën dhe që luftuam për të ndalë dhe, në fund, për të kthyer mbrapsht spastrimet etnike.

Presidenti Bill Clinton fitoi një vend pranë Wilsonit në “Malin Rushmor” shqiptar të mirënjohjes për Amerikën. Paralel me luftën për çlirimin e Kosovës, Amerika në 1999 udhëhoqi edhe një nga fushatat më të mëdha të ndihmës humanitare në histori, atë për strehimin ushqimin dhe kujdesin shëndetësor për popullsinë shqiptare të dëbuar nga Kosova, që kryesisht erdhi në Shqipëri dhe Maqedoni. Më shumë se një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan me dhunë nga vendi i tyre. Solidariteti i popullit dhe shtetit shqiptar, si dhe i vëllezërve të tyre në Maqedoni ishte i madh, por burimet e tyre ishin fare të pamjaftueshme për të përballuar një emergjencë të tillë humanitare. Mediat ndërkombëtare, veçanërisht ato amerikane, sensibilizuan botën për këtë emergjencë humanitare dhe nga të gjitha anët, në radhë të parë nga Amerika erdhën shumë organizata humanitare për të marrë në dorë situatën. Promotorri i angazhimit të organizatave ndërkombëtare të ndihmës humanitare ishin gjithashtu amerikanët. Vetë qeveria amerikane mori pjesë në këtë fushatë humanitare me organizmat e saj të këtij lloji. Kjo ishte fushata e pestë amerikane e ndihmës humanitare që zhvillohej gjatë shekullit XX. Në sajë të kësaj fushate nuk pati vdekje masive te refugjatët shqiptarë të luftës të ikur nga Kosova, siç ndodh në botë me popullsitë e zhvendosura në mënyrë të dhunshme, dhe që pësojnë shumë vdekje nga uria dhe sëmundjet. Amerikanët e prishën edhe llogarinë e Milosheviçit se popullsia shqiptare e zhvendosur nga Kosova do të vdiste masivisht në Shqipëri dhe në Maqedoni.

Përveç Clintonit, një tjetër vend në “Malin Rushmor” të mirënjohjes shqiptare për Amerikën e fitoi Presidenti Bush i Riu, i cili në qershor 2007 u bë i pari president amerikan që vizitoi Shqipërinë dhe që nga Tirana shpalli dy lajme të mira për kombin shqiptar: Se pavarësia e Kosovës nuk mund të vonohej më, dhe se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të ishte një gjë e shpejtë. Nëqoftëse babai i tij, Presidenti Bush i Vjetri hoqi një “vijë të kuqe” në hapësirë, për Kosovën, me paralajmërimin e tij ndaj Serbisë që të mos e zgjeronte luftën në Kosovë, Bush biri në 2008 hoqi një vijë të kuqe në kohë, sa i përket statusit të Kosovës, duke paralamëruar pavarësinë e saj të shpejtë.

Të dy këto gjëra do të ndodhnin në vitin në vazhdim, që do të ishte viti i fundit i Bushit të Ri në pushtet, dhe ndodhën pa u mbushur një vit nga vizita e tij në Tiranë. Në përvjetorin e vizitës së tij në Shqipëri Kosova kishte shpallur pavarësinë dhe ishte njohur nga shumë shtete, dhe Shqipëria kishte marrë ftesën për t’ u anëtarësuar në NATO. Me këtë u bë realitet ëndrra e vjetër e shqiptarëve, që nga koha e Rilindjes Kombëtare, që Shqipëria të ishte nën diellin që lindte nga Perëndimi, sic thoshte Naim Frashëri. 2008 u bë kështu një tjetër vit gurthemeli në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Marrëdhëniet speciale shqiptaro-amerikane u konfirmuan kur në 2012, me rastin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Sekretarja e Departamentit të Shtetit Hillary Clinton nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, iu tha shqiptarëve fjalinë historike: “SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e parë të pavarësisë dhe do të vazhdojmë te jemi me ju edhe në 100 vjetët e ardhshëm!”

Këto fjalë u pritën me duartrokitje të zgjatura nga deputetët e të gjitha krahëve të parlamentit. Pas 100 vjetësh, një tjetër Sekretar i Departamentit të Shtetit do të thotë në Tiranë: “SHBA kanë qëndruar me ju për 200 vjetët e parë të pavarësisë dhe do të vazhdojmë te jemi me ju edhe në 200 vjetët e ardhshëm!”

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com