NAUM PRIFTI: TEATRI NË KOHËN E KRIZËS

Dr. Anxhela Çikopano/

Para se ta filloj këtë kumtesë dua të falënderoj arkivat teatrore që lëvizën gjithë gurët për të më siguruar foto të shfaqjeve, edhe pse diku gjetëm e diku jo: arkivin e teatrit të Korçës, Elbasanit Durrësit, Fierit, Vlorës, Universitetin e Arteve e Teatrin Kombëtar, po edhe Julika Priftin për gatishmërinë dhe ndihmesën me materiale në çdo kohë, se një kumtesë për teatrin nuk ka shije pa foto ilustruese.

Këtë kumtesë, në fakt, ia kam borxh zotit Naum Prifti. Pse? Sepse 2-3 muaj para ndarjes së tij nga jeta, arrita të vihesha në kontakt me të bijën, Rafaelën, të cilës i kërkova t’i bëja një intervistë autorit, meqenëse kam në dorë një monografi mbi teatrin e konsideruar si revizionist dhe dramën e ndaluar, ku padyshim një prej pjesëve që meriton vëmendje është “Rrethimi i bardhë” i zotit Prifti. Rafaela dhe zoti Prifti u treguan të gatshëm, por ndërsa shfletoja për të përgatitur një intervistë të bazuar mirë, zbulova se zoti Prifti kishte botuar një libër, të cilit unë i kam huazuar titullin për këtë kumtesë: “Teatri në kohën e krizës”. Ky libër ma vështirësoi punën, se nuk mund të përgatisja pyetjet pa e tjerrë mirë atë, mirëpo kjo më mori kohë, shtuar edhe një situatë të paparashikuar shëndetësore dhe unë nuk mbërrita ta bëja atë intervistë se zoti Prifti u nda nga jeta.

Në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës në vitin 2012, zoti Prifti shpreh shqetësimin për zhbërjen nga të rinjtë të letërsisë së realizmit socialist, ose siç e quante ndryshe ai, të mungesës së realizmit kritik ose të realizmit afermativ, por nëse ka një autor puna e të cilit nuk mund të zhbëhet, edhe pse cilësohet si i autor i brezit të realizimit socialist, është pikërisht zoti Prifti. Dramaturgjia e tij është e pakohë, me vepra që mund të vihen edhe sot në skenë, gjë që nuk haset shpesh mes veprave të asaj kohe, qoftë edhe të ndaluara.

“Rrethimi i bardhë” qe pjesa e parë dramaturgjike që shkroi dhe me të u çel teatri i Elbasanit, po vetë autori sado entuziast që ishte, kur e pa veprën e tij të parë të mishërohej nga aktorët në provat e tavolinës, na tregon se premiera e saj nuk e kishte ngrohur, pasi tempo-ritmi qe i ulët dhe kërkonte shumë kohë ndërrimi i skenave. Megjithatë, shfaqja qe pëlqyer dhe u zgjodh edhe nga Pirro Mani për t’u vënë me trupën e Korçës. Regjisori Mani në Korçë e kishte krasitur pjesën pa pyetur autorin, për ta ngjeshur aksionin, mirëpo sipas autorit kjo e bënte atë të dukej edhe më e ashpër nga ç’ishte teksti fillestar. Shfaqja e Korçës do të sillte fatin e keq të dramës, pasi drejtuesit e partisë së qytetit do t’ia sugjeronin me entuziazëm Enver Hoxhës që gjendej aty për punë të tjera, i cili nuk e pëlqeu shfaqjen dhe e mori si kritikë për partinë e qeverinë (lexo: për veten e tij), ndaj pas një jave ajo u ndalua. Ndërkohë, regjisori dhe pedagogu Kujtim Spahivogli e kishte zgjedhur si punë diplome me studentët e tij dhe nuk mund të mos shfaqej. Shfaqja u bë me dyer të mbyllura në Teatrin Kombëtar, ku ishte e pranishme dhe Nexhmije Hoxha. Drama u cilësua si “shtrembëruese e realitetit”, po pse?

Thelbi i dramës me dy fjalë është: një grup njerëzish në një kantier malor, mbeten të izoluar nga stuhitë e dëborës që fillojnë papritmas. Ata kanë shumë pak rezerva ushqimore dhe makina që po vjen t’u sjellë furnizime, bie në humnerë për shkak të dëborës. Të izoluar dhe të pa konsideruar si në rrezik, sepse autoritetet mendojnë që u kanë nisur ushqime, pa e ditur se furnizimet nuk u kanë mbërritur, në zgrip të urisë e të mbijetesës, dalin në pah natyrat e vërteta të gjithsecilit. Pjesa ka dy probleme madhore: e para është helikopteri që kalon dhe as i sheh e as i shpëton, ashtu siç pritej të mos braktiste asnjë partia; e dyta: personazhi kryesor është shumë njerëzor, madje deri diku “moralisht i korruptuar” pasi ka qenë i fejuari i njërës prej vajzave në kantier. Ai nuk është i vendosur dhe me besim të patundur siç duhet të ishte një kuadro e lartë, i dërguari i besuar i partisë, por një qenie njerëzore me dyshimet e dobësitë e tij, veçanërisht në rrethanat ku përfundojnë ata.

Për më tepër, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik një vit më parë, pjesa mund të merrej lehtësisht si metafora e izolimit të Shqipërisë, në një situatë të pashpresë. Propaganda priste që klasa punëtore të dilte fitimtare falë unitetit të partisë me popullin, por, pasi partia nuk e ndihmoi dot këtë grup njerëzish, atyre nuk u mbeti gjë tjetër, veçse të dërrmuar të ndihmonin njëri-tjetrin, duke vënë në dyshim edhe mbijetesën e personazhit kryesor pas orësh të tëra ecje në dëborë. Kjo nuk i rrinte për shtat njeriut të partisë dhe as heroizmit që shiste Shqipëria si shkëmb graniti. Në vepër ka një lloj romantizmi romanesh, që sillet nga mjekja e re apo romantizëm dashuror nga marrëdhënia mes Merit e Pilos, por ky nuk është romantizmi i duhur. Veprës i mungon romantizmi revolucionar, i mungon tipikja dhe mesazhet politike deklamative. Po ta shohësh hollë-hollë, edhe pse nuk e ka shkruar me atë qëllim, autori duket se ka hedhur në letër atë që e mbante fshehur në të pandërgjegjshmen e tij: që (po citoj autorin) “klasën punëtore nuk e ka shfrytëzuar askush më egërsisht se të vetëquajturit përfaqësues të saj, udhëheqjet e partive komuniste në gjithë vendet ku kishin në dorë pushtetin.” Në të tilla kushte, degdisja e autorit në Divjakë dhe mundimi psikologjik disa vjeçar, duke ia rikujtuar e përmendur vazhdimisht dramën, nuk është asgjë, krahasuar me sa mund të ishte dënuar. Mund të them me bindje se drama është një pjesë psikologjike, që hyn deri në thelb të njeriut e që meriton të ngjitet në skenë edhe sot.

Pjesa e dytë e zotit Prifti është “Dasmë pa nuse”, e shkruar në vitin 1969 dhe mbase është pjesa më e afërt me kërkesat e partisë që ka shkruar autori, edhe pse pas vënies në skenë në Institutin e Arteve me regji të Drita Agollit e Miho Gjinit, autoritetet nuk mbetën të kënaqur, pasi prisnin për goditje më të rënda ndaj zakoneve prapanike. Në fakt, komedia më shumë se një komedi mirëfilli e realizmit socialist është një model tipik komedie manierash, ku, siç e kërkon zhanri sjell kode sjelljesh të një grupi të caktuar shoqëror dhe ku dukja, në këtë rast nderi, kanë më shumë vlerë se realiteti. Kështu, personazhi kryesor ka hall të martojë vajzën sipas zakoneve të vjetra kanunore, edhe pse ajo është dashuruar me një nga djemtë e rinj të kantierit. Kështu që të rinjtë, pasi mësojnë se nëse vajza rri 24 orë nuse në shtëpi të saj dhe nuk vjen askush ta marrë, fejesa quhet e prishur, sajojnë një lojë me datat sipas kalendarit all-turka të babait të saj dhe “ia rrëmbejnë” Shegën. Në ndryshim me satirën ku “imoralët” dënohen, në komedinë e manierave ata konsiderohen mendjemprehtë dhe shpërblehen për rrengjet e tyre. Kështu ndodh edhe te “Dasmë pa nuse” ku “ndëshkohet” babai për zakonet e tij prapanike dhe shpërblehen të rinjtë, që “rrëmbehen” edhe fizikisht, duke u larguar me makinë. Pjesa u vu në skenë në vitin 1970 nga Albert Vërria me trupën e Vlorës dhe pati shumë sukses.

Edhe “Mulliri i Kostë Bardhit” nuk shpëtoi pa u parë vëngër. Vënë në Durrës nga Vangjel Heba, marksisti Jorgji Sota e cilësoi si të gabuar ideologjikisht, por u shpëtua nga Rita Marko. Pjesa flet për një mullis të varfëruar nga lufta që rropatet të mbajë familjen, por pasaniku Shahin Miluka i pret vijën e ujit të mullirit, pasi blen lëndinat mbi mullirin e tij. Qëllimi i Shahinit është t’i marrë edhe mullirin, që ta bëjë central elektrik për fermën moderne që ka në plan, por djali i Kostës që është lidhur me komunistët e partizanët, konverton edhe të atin që të mbështesë këto forca, për të shpëtuar familjen e pronën e saj. Në fakt, po ta shohësh me kujdes, nuk është një pjesë që i bën elozhe komunizmit, se sa një pjesë që denoncon fatin e njeriut nën qeverisje të korruptuara. Lufta mes kapitalizmit të egër e idealeve të majta është tematikë e shumë autorëve ndërkombëtarë të fillim shekullit të shkuar dhe në këtë dramë ajo vjen jo fort ndryshe nga ato. Ajo që të bën përshtypje është që edhe mësuesi, i cili është prurësi i ideve të majta, nuk është personazhi tipik i realizmit socialist. Ai thotë se edhe ai vetë po mëson ende, se nuk e njohin plotësisht atë që po bëjnë. Përpara pamundësisë për të mos mposhtur dot një pasanik që ka në krah një qeveri që i mban ison, edhe kur nuk ka të drejtë dhe alternativës që i ofron kjo lëvizje e re që i vjen me të birin, i cili e ka bindur paraprakisht se rebelohet mbi bazë parimesh atdhetare, Kostë Bardhi zgjedh këtë të dytën dhe kjo e bën pjesën realiste edhe sot, për të kuptuar se si krijohen kushtet për të hipur në pushtet fuqi të dyshimta. Nga kjo pjesë spikat personazhi i Sokratit, një kurbetli që nuk ka bërë prokopi e di të thotë veç fjalë të urta e histori bazuar në përvojat e tij, po që është një sintezë e mençurisë popullore, një personazh si kripa në gjellë, që u vlerësua bashkë me rolin e Kostës edhe në shfaqjen e Durrësit.

Tërësisht realizmit socialist i ikën “Plumbat e shkronjave” (fillimisht e titulluar “Me pushkë e penë”), një pjesë për historinë e shkollës së parë shqipe që përsëri u rrëzua për gabime ideore, sidomos pse cubi Nure nuk ishte figura e idealizuar e kaçakut dhe se skena e kaçakëve ishte shumë e gjatë, duke e kufizuar pjesën (në fakt, kjo e fundit një vërejtje kjo nga shefi i sigurimit, Feçorr Shehu, që unë nuk arrij ta kuptoj). Bazuar mbi historinë e vërtetë të rrëmbimit të Gjerasim Qiriazit nga cubi Shahin Matraku, kur shkonte nga Manastiri në Korçë për të hapur shkollën e vajzave, sipas një intrige të kurdisur nga patriarkana greke, me ndihmën e një hanxhiu të paguar, Shahin Matraku mësoi nga patriotët se kush e kishte futur në kurth, e liroi Gjerasimin dhe mori nën mbrojtje shkollën shqipe. Vepra sjell një lakore të mrekullueshme të cubit Nure dhe një galeri personazhesh të shumëllojshëm e të qëndisur. Pas një sërë refuzimesh, pjesa u vu në skenë nga Korça e nga Fieri, po me sa duket Korça u mburr që e njihte mirë ngjarjen se e kishte të zonës së saj dhe do ta vinte më mirë në skenë. Si përfundim, shfaqja e Fierit ishte më e arritur dhe ajo është regjistruar për Teatrin në ekran. Po ju sjell një detaj komik nga premiera e Korçës, ku autori tregon se salla qe mbushur thuajse vetëm me gra, për shkak se luhej gjysmëfinalja e Kampionatit Botëror të Futbollit në Argjentinë dhe ai e quan një premierë të trishtuar, në mos të dështuar. “Plumbat e shkronjave” është një pjesë që padyshim mund ta shohë edhe sot dritën e skenës, pa i prekur as edhe një presje.

Në mbledhjen e Pleniumit XV të KQ të PPSH-së, me temën “Mbi rritjen e rolit të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave”, shoku Enver pati thënë se: “Partia ka për detyrë që ata që çoroditen në veprat e tyre nga ana e pikëpamjeve ideologjike, politike, artistike, në përmbajtje ose në formë, t’i korrigjojmë me durim. […] Po kur qëllon që ndonjërit i pëlqen të prodhojë gjëra që s’i duhen kujt, të gabuara dhe pa kripë, ai s’ka pse të qahet nga partia. Ajo as do t’ia botojë e as do t’ia shesë. Kush të dojë, le të prodhojë për dollapin e tij dhe ne nuk do ta shqetësojmë, derisa nuk është bërë shoqërisht i rrezikshëm.” Po dollap ishte fjala, se Naum Prifti tregon se shumë nga shkrimet e tij “për sirtar” i fuste në shpina kolltukësh apo në oxhakun e një sobe që nuk e përdornin, që të mos ia zinin e t’ia përdornin si provë kundër tij. Paranojë? Aspak! Djali i Fadil Paçramit që u dënua po për gabime ideologjike me teatrin tregon se i ati i ka djegur dorëshkrimet para se ta arrestonin, që të kishin sa më pak prova kundër tij. Po dorëshkrimet e zotit Prifti mbijetuan për fatin e mirë të studiuesve e të lexuesve dhe në vitin 2001 shënimet e tij të fshehta për teatrin u botuan në librin “Teatri në kohën e krizës”. Një libër me dy pjesë, ku në pjesën e parë janë qëndrimet dhe marrëdhëniet personale të autorit me teatrin dhe në të dytin kronika jo-zyrtare të shfaqjeve që shihte si inspektor i ministrisë. Një tingull alternativ, në një kohë ku orkestra kishte vetëm një vegël. Me një stil narrativ plot detaje e të rrjedhshëm, librin duhet ta lexosh disa herë, për të rrokur gjithë informacionin e sjellë nga autori, që është jo vetëm material teknik për teatrin, por edhe copëza nga jeta e nga marrëdhëniet me të, nga prapaskenat ku armiqësore e ku të ngrohta të komunitetit teatror, pa pasur nevojë që ne t’i imagjinojmë, se vijnë me zërin e një njeriu që i ka jetuar në vetën e parë. Sikur të kishim pasur më shumë zëra të tillë, do të kishim panorama më të qarta mbi atë që ndodhte në teatrin e asaj kohe, përtej fasadës e idhujtarisë që ushqehet shpesh. Për mua si studiuese, “Teatri në kohën e krizës” është një libër i rrallë, në mes të një morie narrativash të ngjashme, që i duhet dhënë vlera dhe zëri që i takon.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com