QËNDRESË NË KUFIJTË E LEGJENDËS

Kosta Nake

Parathënia e botimit të dytë të këtij libri është shkruar nga Ismail Kadare si një certifikatë letrare për një Ferr Dantesk në prozë dhe si një mirëkuptim mes kolosësh, pasi do të mjaftonte vlerësimi për dy vepra në faqen 660 dhe fjalët që vë në gojën e Kasëm Trebeshinës në faqen 685 që të krijonte një qejfmbetje të madhe e cila është kaq e shpeshtë në realitetin shqiptar.

Libri është një dëshmi autentike e përplasjes së dhunshme të diktaturës së proletariatit me përfaqësuesit shqiptarë të kishës katolike, veçanërisht të kishës françeskane, por edhe sfidë e një kleriku me shkallë të lartë intelekti që bën interpretime vetjake dhe sjell argumenta të shumtë për ngjarje që fillojnë nga Lufta e Dytë Botërore, sidomos te lufta e shtetit komunist për çrrënjosjen e besimit fetar dhe rrënimin e objekteve të kultit. Përpjekjeve të Partisë Komuniste për të shkëputur katolicizmin shqiptar nga Papa i Romës, klerikët shkodranë iu përgjigjën me analogjinë sfiduese: Ashtu si nuk ka komunizëm pa Moskën, ashtu nuk ka edhe kishë katolike pa Vatikanin. (f.255)

At Zef Pllumi rreshtohet në anën e atyre që mendojnë se gjithçka filloi keq që në themelet e Shqipërisë së re të dalë nga lufta. “Pretendentët kryesorë të pushtetit ishin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe Partia Komuniste e mëshefun mbas emnit të Frontit Nacional-çlirimtar… më shumë se kundra gjermanve ato luftojshin ndërmjet vedit për të marrë pushtetin sa të mbaronte lufta.” (f.17)

Qasja patronazhiste e Jugosllavisë titiste ndaj udhëheqjes së Tiranës vjen me një detaj kuptimplotë: Në kumbanoren e Kishën Françeskane të Shkodrës nga ku qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës dhe ku ngrihej flamuri kombëtar, u shtuan dy ganxha të tjera që përkrah tij të ngrihej edhe flamuri jugosllav. (f.22) Detaji i dytë është ai i kovaçit kosovar Qazim Vula që bashkëpunoi për vrasjen e Miladin Popoviçit, priste të dekorohej nga shteti shqiptar, por përfundoi në burg, pasi Miladini ishte miku i Enver Hoxhës.

Vlera të mëdha historike dhe kulturore u fshinë nga faqja e dheut si me ruspë traktori në emër të mohimit të botës së vjetër dhe ndërtimit të botës së re, pjesë e këtij sulmi të verbër u bënë edhe shkrimtarët dhe artistët shqiptarë. I pari shfaqet Kolë Jakova si pjesëtar i një grupi që kryesohej nga Nako Spiru, që gjatë bastisjes së bibliotekës dhe muzeut të kishës kundrejt një pusulle dore mori unazën e At Shtjefën Gjeçovit për të cilën një përfaqësues i Muzeut Britanik kishte ofruar 14 mijë stërlina ari. (f.24) I dyti është Skënder Drini me “Shembjen e Idhujve” dhe “Midis dy kohëve” që autori i quan romane politike servile. (f.61) At Zef Pllumi pati bashkëvuajtës Kasëm Trebeshinën e Kin Dushin (f.607). Autori ka patur rastin të takojë e të njohë figura të njohura të shkencës, artit e letërsisë, si Hasan Ceka, Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Odise Paskali, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Aleksandër Xhuvani, Prof. Eqrem Çabej, Tonin Harapi, Prof. Jup Kastratietj. At Zef Pllumi ka qenë mbledhës dhe arkivues i veprës së Fishtës dhe kjo njohje e çon te deklarimi se “nuk mund të ketë histori të letërsisë shqipe pa Fishtën. (f.479)

Që para viteve ’90 është pranuar rezistenca e malësorëve ndaj shtrirjes së pushtetit komunist në Veri dhe autori përmend Shkrelin, Bajzën, Koplikun, Kelmendin, Postribën, Lekbibajn, Bushatin si dëshmitar okular; ai zbulon paralelizmin me atë që ndodhi në rrugët e Jerusalemit me Jezu Krishtin e Pons Pilatin. (f.61) Vetë autori që në arrestimin e parë u përball me një torturë të padëgjuar: 30 orë i privuar nga mundësia për të urinuar. (f.95)

Vepra i ngjan një galerie me figura të shquara klerikësh të përgatitur në univeristetet e njohur të Europës, me grada shkencore ose kulturë sipërane në fushën e tyre, por edhe me njerëz të zakonshëm që mençuria dhe qëndresa i ngriti në piedestalin e heronjve, si Dom Nikollë Gazulli, At Gjon Shllaku, At Mati Prendushi, mësuesi kompozitor Gac Çuni, Drita Kosturi që pati qenë e fejuara e Qemal Stafës, deputeti Kol Preleni, At Donat Kurti, Hafiz Dërguti, At Marin Sirdani që nuk pranoi të takojë Enver Hoxhën, etj.

At Zef Pllumi, avokati Qazim Dani dhe bashkëvuajtësi Mehmet Isufi i përkisnin atij grupi intelektualësh që mendonin se bektashinjtë dhe françeskanët janë më kryesorët që kanë formuar ndërgjegjen kombëtare. (f.140) Ilustrim i kësaj qasje ishte pjesëmarrja e Imzot Nikollë Kaçorrit krahas Ismail Qemalit në ngritjen e flamurit të Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 duke qenë mirënjohës edhe për politikës austriake. (f.151) Si Faik Konica, edhe At Zef Pllumi ka guximin të evidentojë disa tipare dhe sjellje negative të shqiptarëve për të arritur në përfundimin se “asht i mjerë ai popull që nuk ia del me zotnue bijtë e vet të kqij.” (f.437) Në një duel mendimesh me njërin nga hetuesit ai deklaron: “Njerëzit që kanë bâ Shqipninë na nuk kemi të drejtë me i gjykue. Naim Frashëri, Faik Konica, Ismail Qemal beu, Imzot Doçi, At Gjergj Fishta, Lugji Gurakuqi e pak të tjerë si këta e krijuen Shqipninë. Populli ishte aq injorant sa muslimanët nuk kërkojshin shkëputje nga Turkia, ortodoksët kërkojshin nji bashkim me Greqinë, ndërsa vetëm katolikët bâjshin plane për nji Shqipni të pamvarun, tue u mbështetë te Austria dhe Italia.” (f.493)

Urrejtja është e papranueshme për At Zef Pllumin megjithatë dy njerëz mbeten përjetësisht të papranueshëm dhe personalisht përgjegjës për dramën e shqiptarëve dhe të rusve: Stalini dhe Enver Hoxha. Ai ndalet te thënia e Stalinit “njeriu është kapitali më i çmuar” dhe kapet fort pas përcaktimit “kapital”, vegël pune, rrjedhimisht jo njeri. (f.186) Autori bën krahasimin e Musolinit me Stalinin: “Musolini shpallte se don me rindertue Imperon Romane, por në të vërtetë ai ishte nji socjalist që donte me punësue italjanët e me i pasunue. Ndërsa Stalini shpallte drejtësinë shoqnore, luftën e klasave për shoqninë pa klasa, ndërsa në të vërtetë ai i shëndrron të gjithë njerzit në skllav e u hjek çdo pasuri që mund të kishin.” (f.211) Por edhe Stalini duket më i mirë se Enver Hoxha kur vjen fjala për qëndrimin ndaj kulakëve. Modeli rus i kulakut ishte pronari që zotëronte tokat e 10 deri në 20 fshatra, i dërgonte fëmijët në universitetet e Moskës e të Leningradit ku përgatiteshin për ekonomi, financë e jurispridencë. Kurse përshtatja shqiptare ishte karrikaturë. Ndër krerët e lartë të nomekalturës partiake komuniste duket sikur ka një farë simpatie për Tuk Jakovën që paraqitet si autoritet dialogues, ndryshe nga Mehmet Shehu që paraqitet si ushtarak i pamëshirshëm. Autori pati si bashkëvuajtës gjeneralin Gjin Marku dhe Dashnor Mamaqin. Autori arrin në përfundimin se “të gjithë tiranët e historisë njerëzore kanë të njajtat tipare. Ata shofin çdo shërbëtor të tynin nji komplotist që u rrezikon jetën.” (f.505)

Duke folur për kampet e punës dhe punën për tharjen e kënetës së Maliqit autori heq paralele me punën e skllevërve për kanalizimit e fushës së Nilit në kohën e faraonëve. (f.210) Propogandës qeveritare për këtë shfrytëzim kafshëror të të burgosurve, At Zef Pllumi i përgjigjet me largpamësi: “kur t’i thajmë të gjitha kënetat, kanë me na thanë: rrafshoni kodrat e malet e t’i bajmë fusha” (f.225) Dhe kjo ndodhi, madje u kthye në një parrullë të njohur.

Një nga fatet më tragjike të shqiptarit të indoktrinuar vjen nëpërmjet kosovarit Zyhdi Çitaku, nipit të Ramadan Çitakut, i cili u dërgua nga shteti shqiptar për të ndjekur dhe asgjësuar shqiptarët e arratisur. “Sa je dënue?” – e pyeta. “Katër. “Sa ke bâ?” “Katërmbëdhjetë.” “Sa të mbetën?” “Njzetekatër.” (f.689) Një dialog i ngjashëm gjendet dhe te libri “Rrathët e Ferrit” i Visar Zhitit. Realiteti mjeran nxin edhe te dialogu i nënës me djalin në burgun e Zejmenit: “Të falenderojmë, o djalë, që nuk na korite e nuk u dënove si armik i pushtetit, por vetëm për hajni.” (f.701) Brenda burgut janë xhelatët e verbër që deklarojnë me të madhe: “Ti nuk më njef mue. Unë jam urrejtja klasore.” (f.486) Në gjykata ishte prokurori Aranit Çela “i cili me guxim djaloshar synonte me hi në litën e njerzve të përmendun të drejtsisë komuniste internacionale,” (f.62) kurse brenda burgut shkonte për të shpalosur dhunën Nevzat Hasnedari, korrifeu i terrorizmit enverian. (f.622)

Në rrafshin vetjak At Zef Pllumbi, siç e pohonte vetë, ishte anarkist: “Un due vetëm lirinë e njeriut deri aty ku të mos jetë e damshme për tjerët…Sikur mos t’ishin sundimtarët, nuk do të kish as lufta. Ky asht anarkizmi im: leni njerzit në punë të vet.” (f.224) “Lirinë e kqyrshe sikur t’ishte nji kandil i vogël prej dheut, mbushun me voj ullinit, që mban ndezun nji dritë të vogël mbrenda njaj kasolleje të vorfën, nën çatinë prej kashte të së cilës rritet nji çift pëllumbash të butë që dijnë veç me bâ fëmijë për me vazhdue jetën.” (f.582)

Faqet e tejmbushura me hetuesi e tortura ua lënë vendin aty-këtu disa oazeve me rrëfenja që lidhen me zakone e karaktere të tilla si bashkëjetesa e komitit me ujkun, gjama malësore, hajnia dhe përzgjedhja e goditjes, rrëfenja për elefantin dhe elefanteshën, ilustrimi i shprehjes “ka dhe më keq”, humori për gozhdën, dërrasën dhe çekiçin, udhëtimi 150 km i maçokut Kuqo, dy rivalët që u futën nga mbreti në një fuçi, llupësi Ferit Lopa, mullisi që ndërroi rrobat e veta me të gjeneralit, pula e varur te agjencia e udhëtarëve në Lezhë, etj. Po veçoj, të shtrydhur, një shaka tipike shkodrane, “një barcoletë me xhanxhafil” siç e quante mësuesi i edukimit fizik Shyqyri Gruda (f.559): Shkoi dikush të blinte një çark për minj. E pyeti shitësin se si përdorej. “Në majë të këtij teli vendos një copë mish të thatë.” “Po t’kishem mish, e ha un e nuk ia qes minit.” “Veri pak djathë të fortë.” “As të fortë as të butë nuk e ka pa në shtëpi teme.” “Nji koje buke t’lyeme me voj.” “Shka po thue? Un i vetmi jam në punë, grueja pa punë, kam tre fëmijë, kam nanën, kam gjithë me nga 400 gr bukë. Mandej voj! Ku gjendet ky? Në Vlonë ose në Berat, se këndej më kallxo ku e ka pa ti.” “Jo, jo, as unë nuk kam pa kund. Por puna asht këtu: në kjoftë se ti mish nuk ke, djathë jo, bukë e voj jo, atëherë shka ka me hangër mini te ti?”

Një libër me 713 faqe në një format të madh është një objekt i frikshëm për ta parë dhe një lumë i rrëmbyer për ta kapërcyer, por, kur zbulon se brenda tyre ndrydhen rreth 10 mijë ditë burgu, atëherë shfleton edhe faqen e fundit të tij dhe pyetja e parë që mund t’i drejtosh vetes është: Si ka mundësi që ka dalë i gjallë nga ai kalvar i gjatë? Përgjigjja është në faqen 253 të tij.

(Libri “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit, Tiranë 2006).

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com