“Përpjekja e Jonë”, emblemë e shtypit fetar islam në mërgatën shqiptare të Amerikës

Sokol Paja

Shtypi fetar i komuniteteve fetare të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një kontribut shumë të rëndësishëm në historinë e shtypit shqiptar në diasporë. Shtypi fetar krahas organeve të tjera mediatike të organizatave patriotike e politike në mërgim ka luajtur një rol vendimtar në rritjen e ndërgjegjes fetare, patriotike, atdhetare e kulturore të shqiptarëve në Amerikë. Me fokus rritjen e njohurive në fenë islame dhe rritjen e njohurive në kulturën shqiptare, revista e Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane për shtetet New York e New Jersey “Përpjekja e Jonë” zë një vend të nderuar për kontributin si medie në rangun e medias fetare e kulturore në mërgatën e Amerikës. Revista “Përpjekja e Jonë” si revistë fetare e kulturore e shqiptarëve myslimanë në New York e New Jersey përmbledh në vetvete kontribute fetare, kulturore e atdhetare të penave të spikatura të klerit e besimit islam në radhët e mërgatës shqiptare të Amerikës. Problemet e shqiptarëve në Jugosllavi, epopetë e luftërave për liri, meraku i zhvillimit të gjuhës shqipe, nekrologjitë e njoftimet rreth anëtarëve të komunitetit e bënë këtë revistë shumë të ndjekur e shumë të dashur për shqiptarët myslimanë e jo vetëm.

“Përpjekja e Jonë” si e përkohshme fetare e kulturore, doli për herë të parë në shtyp në muajin Janar të vitit 1970. Kryeredaktor i saj i parë ishte Dr.Fejzi Domni. Volumi XIII-të i muajit Prill-Maj të vitit 1987 që po ia paraqesim lexuesit është një botim special kushtuar 20 vjetorit të themelimit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane për shtetet New York e New Jersey. Ky numër special evidenton rrugëtimin dhe kontributin e kësaj qendre fetare-kulturore e patriotike për dy dekada në shërbim të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare. Në vitin 1987 kryeredaktor është Azem Gjidija dhe bashkëpunëtor Hysen Mulosmanaj e Mustafa Elezi. Në këtë numër special gjejmë trajtesa të ndryshme fetare, arganizative, komunitare, kulturore e patriotike nga: Remzi Barolli, Azem Gjidija, Lutfi Limani, Zenun Nezaj, Prof.Hysni Hoxha, Dr.Elez Biberaj, Dr.Nihat Bakalli, Rexhep Kumbarçe, Imam Isa Hoxha, Imam Osman Zagaj, Mustafa Elezi, Dr.Fuad Myftija. Rasim Sina etj. Kjo revistë ishte e përtremuajshme, me kontributorë nacionalistët më të shquar të kombit shqiptar në mërgim. Emra të tjerë të shquar që kanë kontribuar ndër vite janë : Imam Vehbi Ismajli, Dr.Hamdi Uruçi, Ing.Mahmut Cungu, Idriz Lamaj, Prof.Rexhep Krasniqi, Selaudin Velaj etj. Pas ndryshimeve politike në Shqipëri e rrëzimit të regjimit komunist, emigracionit masiv, ky shtyp fetar shkoi drejtë shuarjes pasi në një farë mënyre e kreu misionin e tij nacionalist. Sa më shumë thellohej propaganda ateiste shtetërore në Shqipëri aq më shumë forcohej shtypi fetar në diasporë.

Trajtesat mediatike në këtë organ mediatik fetar janë të një niveli e cilësie shumë të lartë. Thellësia e analizës, rrafshi problemor i shkrimeve e raportet nga jeta e gjallë e mërgatës i ka dhënë kësaj reviste një vlerë autentike si regjistër historik i veprimtarive patriotike të shqiptarëve në Amerikë. Si revistë fetare-kombëtare, “Përpjekja e Jonë” organ i Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane për shtetet New York e New Jersey, ka luajtur një rol specifik për mbajtjen gjallë të kauzës kombëtare te shqiptarët e Amerikës.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com