Lavdi flamurit dhe kombit shqiptar*

Imam Edin Gjoni

Në këto ditë dhe netë të festes sonë më të madhe kombëtare, kur qëndrojmë reth flamurit të përbashkuar me një zemër, me një dëshirë dhe qëllim, përkujtojmë ditën e vjeshtës së vonshme të vitit 1912, kur etërit tanë të udhëhequr nga Ismail Qemal bej Vlora, firmosën deklaratën e pavarësisë së shtetit të Shqiprisë, dhe ngritën në Vlorë flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë vjenë si fryt i përpjekjeve vëllazërore të shqiptarëve anë mbanë tokave të tyre etnike, të cilat tejkalonin kufijtë në të cilat Shqipëria eventualisht do të ngelë. Në këtë kontekst duhet detyrimisht përmendur figurën historike të Ded Gjo Lulit dhe ngritjen e flamurit në Deçiq e cila, madje, do t’i paraprijë Vlorës. Përpjekjet e tilla të gjithmbarshme e të cilat do të arrijnë kulmin me aktin më monumental në historinë tonë – Deklaratën e Pavarësisë dhe ngritjen e flamurit në Vlorë – paraqesin pikërisht atë që Hegeli në “Fenomenologjinë e Shpirtit” e quan vetë-realizimin (vetë-aktualizim) kombëtar të një populli (Selbst-verwirklichung). Dhe duke marë parasyshë aspiratat dhe orekset ekspansioniste të fqinjëve tonë të uritur, përkrahjen e luhatshme nga fuqitë e mëdha, kjo patjetër është arritja e jonë më e madhe si komb, prandaj edhe me plot të drejtë sot jemi këtu të kremtojmë.

Si figurë fetare që jam, nuk mund t’i mos magjepsem rolit që patën figurat fetare në këtë vetë-realizim tonë kombëtarë. Krahas Hafiz Ali Strugës dhe Ferid Vokopoles, si figura të shquara fetare, me këtë rast sidomos kisha përmendur Myftinë Vebi efendi Agollin (apo Vebi Dibrën) dhe Dom Nikollë Kaçorin. Që të dy ata jo vetëm që ishin në rradhën dyzet e ca të firmosurve në Deklaratën e Pavarësisë, por rroli i tyre shkoi më tepër se kaq. Dom Nikollë Kaçori u emrua nënkryetar i qeverisë së përkohshme së Vlorës, kurse kryetar i Pleqnisë (Senatit), me propozim të Luigj Gurakuqit, u vendos Vebi efendi Dibra.

Si konkludim, për ta mbajtur frymën kombëtare të Nëntorit to 1912 është me rëndësi, pa dyshim, ta ngrejmë flamurin kuq e zi në ditët të festes (por edhe në ditët e zisë dhe hidhërimit tonë kombëtare), qoftë në vendlindje apo kudo jashtë saj. Kam përshtypje se çdo bijë dhe bir Shqiptari që sot ngreh flamurin, e bën këtë me të njëjtin zell dhe sentiment, ama njëjtë si atë ditë që ngrehet për here të pare në Vlorë. Në këtë kontekst më lejoni ta bëj një digresion të vogël dhe ta përmendi një emër tjetër, po ashtu një bir të madh të Malësisë, (e i cilit vetëm para pak kohëve u nda nga ne) të ndjerin Xhemal Nikaj. Ai në kohën e syrgjynosjes së vetëdijes kombëtare Shqiptare në Mal të Zi, në vitet e 60’ ngreh flamurin kuq e zi për ta këndell sërish flakën e atëdhedashurisë në zemrat e Shqiptarëve të Malësisë dhe Malit të Zi në përgjithithësi, për çfarë edhe si pasojë u burgos. E them tërë këtë, për ta theksuar këtu para jush se, sa është me rëndësi të ngrehet ky flamur, qoftë në gëzim a në hidhërim, në liri dhe syrgjyn (internim), poaq është me rëndësi ta afirmojmë dhe ngrisim sentimentin e vëllezërisë i cili dominonte në mes Shqiptarëve pa dallim fisi, treve, apo feje. Dhe kjo frymë duhet mbrojtur, kultivuar dhe respektuar poaq sa respektohet ky flamur. Ngase kjo është ajo çfarë në realitet bëri që ky flamur të nderohet dhe valojë lartë, dhe pikërisht kjo është ajo çfarë e solli këtë pavarësi. Dhe si tha Ismail Qemali: e ardhmëja e Shqipërisë është sigurue. Ju porosis, duke u mbështetur fatit të atdheut, të punoni bashkë e si vëllezër.” Ngjajshëm, artisti jonë i famshëm Nikoll Nikprelaj do të këndojë sonte, “gjithë shqiptarët kudo janë, nuk kanë tjetër veç një nanë.” Lus Zotin e Madh të na ndihmojë në këtë drejtim! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin shqiptarë kudo që të jetë, Zoti e bekoftë këtë tokë për të cilin Zoti e ka lidhur fatin tonë si popull dhe komb, Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Zoti ju bekoftë gjithë juve!

*Fjalim me rastin e Festës së Flamurit tek Shoqata Malësia e Madhe, New York 2023.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com