Kundër shfaqjes së simboleve të diktaturës komuniste

Besim Ndregjoni

Shkëlqesi ambasadorë! Të shqetësuar nga situata aktuale politike në vendin tonë, ne të mbijetuarit e diktaturës, që përfaqësojmë 40% të popullsisë që u përndoqëm dhe u masakruam nga diktatura staliniste e Enver Hoxhës po ju drejtohemi juve, përfaqësues të vendeve demokratike si mbrojtës të lirisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut dhe si miq ideali të përndjekurve politikë, që për kauzën e lirisë gjatë regjimit komunist frymëzoheshin nga demokracia dhe liria që kishin kombet tuaja. Ju bëjmë thirrjen tonë dhe ju vëmë në dijeni: Brenda këtij 10- vjeçari, me ardhjen në pushtet të socialistëve pasardhës të Partisë Komuniste diktatoriale, që sundoi për një gjysmë shekulli dhe masakroi shqiptarët, kanë filluar të shfaqen simbolet e diktaturës në ambiente publike, të përkrahur nga pushteti politik dhe të shfaqura nga institucione shtetërore.

Zotërinj ambasadorë! Ju sjellim në vëmendjen tuaj një thënie të Xhon Kenedit, ish-President i Shteteve të Bashkuara: “Komunizmi nuk ka ardhur kurrë në pushtet në një vend që nuk është prekur nga lufta, ose nga korrupsioni, ose nga të dyja këto”. Prandaj shqetësimi ynë është se nga Lufta e Dytë Botërore erdhi komunizmi në Shqipëri më 1944 dhe tani po rikthehet nga korrupsioni i këtij pushteti me simbolet e tij. Ju sjellim në vëmendjen tuaj se Shqipëria ka një bilanc tragjik të krimeve të komunizmit. Janë mbi 6000 shqiptarë që i ka pushkatuar komunizmi dhe u ka zhdukur eshtrat, dhe sot ata nuk kanë një varr që familjarët t’i përkujtojnë, pushteti politik nuk lejon as të ngrihet “Muri i Kujtesës” për të memorizuar veprën dhe sakrificën e tyre sublime. Janë mbi 36.000 të burgosur politikë që kaluan kalvarin e persekutimit për gjysmë shekulli dhe për 33 vite pluralizëm njohën vetëm heshtjen dhe përbuzjen e një klase politike antikombëtare, duke heshtur ndaj krimit dhe duke nderuar xhelatët e tyre.

Janë mbi 100.000 familje që u përballën me internimet dhe dëbimet politike dhe u cilësuan me nofkën sovjetike “Kulak”. Prej 10 vitesh që pushteti i korruptuar politik përkujton datat simbol të diktaturës, siç është 29 nëntori 1944 kur u vendos diktatura komuniste në Shqipëri, duke e kamufluar si ditë çlirimi, ku kjo datë ndau Shqipërinë për 50 vite nga Perëndimi. Merren nxënësit e shkollave nën diktatin e mësuesve dhe me bekim të Ministrisë Arsimit nderojnë me grusht në përkujtime të datave festive të diktaturës dhe politika shqiptare si pozita trashëgimtare e diktaturës dhe opozita i kalojnë në heshtje këto veprime vrastare ndaj brezit të ri. Në televizione kombëtare dhe në shtypin e përditshëm shfaqen figurat e krimineleve të diktaturës, me pjesëmarrjen e pushtetarëve aktualë, duke helmuar brezin e ri. Çdo natë në televizionet shqiptare shfaqen filmat e diktaturës.

Më 16 janar 2024 Teatri i Operës dhe Baletit, institucion i Ministrisë Kulturës, jep shfaqje me një valle që i këndohej diktatorit gjatë sundimit të tij barbar. Në një emision të një televizioni kombëtar shfaqen hapur këngët për partinë e diktatorit dhe flitet me superlativa për kohën e diktaturës, duke fyer mbi gjysmë milioni shqiptarë që u mbijetuan masakrave të komunizmit. Politika shqiptare është bërë palë me këto simbole dhe vazhdon heshtjen e saj për 33 vite.

Si mund të përdorin taksat tona këto institucione, duke rikthyer simbolet vrastare të komunizmit. Tirana zyrtare nuk kujton as viktimat e shumta të komunizmit dhe as nuk ka dënuar, zyrtarisht, krimet e komunizmit enveristo-stalinist gjatë tri dekadave të kaluara. Për këtë fajin e ndajnë si pozita aktuale socialiste në qeverisje, ashtu edhe opozita aktuale demokrate në të kaluarën. Shumica e shqiptarëve janë të bindur tanimë se këto tri dekada të tranzicionit “post-komunist” nuk ishin asgjë tjetër veçse një vazhdimësi e regjimit famëkeq, pak më e butë ndoshta se ish-regjimi enverist, por në thelb, antidemokratik, me vlera dhe ideologji të njëjta. Për fat të keq, përjetësimi i së keqes komuniste (the evil of communism) siç e quante dikur Presidenti Ronald Reagan, ka arritur proporcione aq serioze saqë sot nevojitet paralajmërimi i katër komuniteteve fetare në Shqipëri kundër dukurive të tilla. Për më tepër, një gjë e tillë po ndodh në Shqipëri para syve të diplomatëve perëndimorë në Tiranë dhe përballë heshtjes së tyre ndaj këtyre dukurive shqetësuese për një vend anëtar të NATO-s.

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe katër komunitetet fetare u kanë kërkuar institucioneve shtetërore për t’i dënuar krimet e komunizmit me ligj, siç ka vepruar Europa mbas Luftës së Ftohtë dhe mbas rënies së Murit të Berlinit, por politika vetëm hesht dhe mbron korrupsionin për t’u pasuruar. Ne, të mbijetuarit e diktaturës vite më parë, shpeshherë, kemi paralajmëruar përfaqësitë diplomatike perëndimore në Shqipëri se e keqja e bishës komuniste po përjetësohet në Shqipëri dhe se kjo është tanimë një politikë zyrtare, ndonëse e heshtur, por e qëllimshme dhe se diplomatët e vendeve perëndimore në Tiranë duhet të flasin hapur kundër dukurive të tilla. Shqipëria po shkon drejt një diktature demokratike, rezistenca e të mbijetuarve të diktaturës kundër kësaj diktature duhet të ketë mirëkuptimin e ndërkombëtarëve! Duhet t’u rikujtojmë diplomatëve perëndimorë në Tiranë, miq të vjetër e të rinj të Shqipërisë dhe shqiptarëve; se heshtja e tyre e kohëve të fundit ndaj përjetësimit të asaj që, jo vetëm katër komunitete fetare e shikojnë si një përjetësim të së keqes komuniste në vend, por edhe vërejtës të tjerë vendës dhe ndërkombëtarë mendojnë gjithashtu se nuk është në interesin e demokracisë shqiptare, as në interesin e marrëdhënieve të kombit shqiptar me miqtë e tij në botën demokratike perëndimore, ku të gjithë ne mendojmë dhe besojmë se i përkasin përjetësisht, si njërin prej popujve më të vjetër të Evropës.

Si dhe pse mund të justifikohet heshtja e diplomatëve të vendeve të Evropës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara në Tiranë ndaj dukurive “të herë pas hershme të neo-komunizmit dhe forma të ndryshme të lartësimit të ish-diktaturës komuniste”, sipas rezolutës së katër komuniteteve fetare dhe Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të burgosurve dhe Përndjekurve Politikë në Shqipëri.

Të nderuar diplomatë të demokracive perëndimore të akredituar në Tiranë! Ju mund të vazhdoni të heshtni ndaj këtyre dukurive, por ne, bashkëkohësit e dr. Martin Luther King –kampionit të të drejtave dhe lirive të njeriut në Amerikë shekullin e kaluar kur ne përballeshim me diktaturën enveriste se, “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqve tanë kundra nesh, por do të kujtojmë heshtjen e miqve tanë” përballë padrejtësive ndaj nesh. Brezi i sotëm i shqiptarëve ka filluar të vërë në dyshim miqësinë e perëndimorve dhe ne të mbijetuarit e diktaturës habitemi me heshtjen tuaj ndaj lartësimit të një regjimi barbar komunist në Shqipëri, madje edhe nga qarqe zyrtare të politikës dhe drejtësisë të një vendi anëtar të NATOS-s. Heshtja juaj, të nderuar miq, ndaj shkeljes flagrante të të drejtave të sanksionuar ndërkombëtarisht, përfshirë kapjen e institucioneve, ne nuk mund të besojmë se është në interesin e shteteve tuaja perëndimore dhe aq më pak në interesin e shqiptarëve të etur për liri dhe demokraci, jo dhe jo. Kjo duhet të jetë kauza e ndërkombëtarëve në marrëdhëniet e tyre me institucionet zyrtare shqiptare dhe me të gjitha entet e tjera të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar, përfshirë opozitën dhe shoqërinë civile, ashtu siç janë me mungesa dhe jofunksionale.

Përndryshe, përballë kaosit politik aktual në Shqipëri, taksapaguesit amerikanë dhe evropiano-perëndimore, me të drejtë, duhet të bëjnë pyetjen: Cili është suksesi i demokracisë në Shqipëri, që është premtuar me derdhjen e fondeve marramendëse këto 33-vite të tranzicionit nga taksapaguesit amerikanë dhe everopianoperëndimorë? Kjo, për të mbajtur në pushtet këtë klasë politike aktuale 33-vjeçare, autoritare, neo-komuniste – pozitë dhe opozitë – e lidhur ngushtë jo vetëm ideologjikisht, por edhe biologjikisht me rrënjët e ish-regjimit komunist të Enver Hoxhës; diçka e paparë sot në ndonjë vend tjetër ish-komunist, anëtar i aleancës ushtarake perëndimore, NATO-s, siç është Shqipëria.

*President i Unionit Mbarëkombëtar i Integrimit të të burgosurve politikë.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com