“Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj”

Prof. Skënder Asani

Vepra kapitale e don Gaspër Gjinit “Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj”, tani vjen nën siglën e ITShKSh-së në Shkup, si një nga studimet më serioze për të kaluarën e lashtë të trojeve tona etnike.

Shkupi dhe Prizreni, edhe si qendra qytetërimi, edhe si qendra fetare kulturore, kanë qenë të njohura qysh herët dhe kanë vazhduar, me lëkundje, nëpër shekuj, për të mbërritur edhe në ditët tona. Për këtë arsye kjo vepër është sa historia e Ipeshkvisë Shkup – Prizren nëpër shekuj, po aq dhe historia e Dardanisë, e Kosovës dhe e disa viseve të Evropës Juglin­dore.

Ky studim në të vërtetë është teza e doktoratës së autorit Gjini, hartuar në latinisht dhe mbrojtur në Universitetin Papnor Urbaniana të Romës më 1968.

Vepra pati disa botime dhe ribotime në shqip dhe gjuhë të huaja, kryesisht nën kujdesin e shtëpisë botuese “DRITA” – Prishtinë, drejtuar nga miku ynë don Fatmir Koliqi, të cilin e falënderojmë pa masë për të drejtat autoriale që këtë vepër të ribotohet në Shkupin dardan.

Siç dihet, libri fillimisht ishte përkthyer prej kroatishtes nga Mirie Rushani, por ky ribotim i Institutit tonë vjen më i plotë, më i kuptueshëm dhe më i saktë, falë angazhimit të palodhshëm profesional – redaktorial të prof. dr. Anton Nikë Berishës, të cilit i shprehim mirënjohjet tona të thella.

Kjo vepër e veçant në fakt është edhe pjesë e projektit tonë shkencor-hulumtues mbi trevat lindore shqiptare, ku Ipeshkvia Shkup-Prizren ishte një kronikë e gjallë e argumentimit të autoktonisë dhe vazhdimësisë iliro-dardane-shqiptare në këto troje. Vet gjeografia dhe historia e kësaj Ipeshkvie është harta kulturore e shpirtërore e e piqendra e Dardanisë së dikurshme ku Shkupi jo vetëm ishte selia, por edhe porta e rëndësishme që lidhte civilizimet e lindjes dhe perëndimit.

Botimin e kësaj vepre e shoqëron pa dyshim entuziasmi shkencor për të vazhduar ribërjen e historisë mbi standardet që ngre ky botim i veçantë, kurse Instituti ynë do të vazhdojë përpjekjet titanike për ta rikonfiguruar trajtimin e të kaluarës sipas një dipotrie krejt objektive e të liruar nga ndikimet politike e idelogjike.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com