Përurohet romani “Kush na mallkoi?!” me autore Age Ivezaj

Arjeta Ferlushkaj Kotrri

17 dhjetor, 2023

Sot, më datën 17 dhjetor 2023, në ambientet e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale NY, në orën 14:00 u bë përurimi i librit “Kush na mallkoi?!”, me autore Age Gjokaj Ivezaj.

Organizatorë të këtij aktiviteti ishin Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, shoqata “Malësia” dhe Fondi Humanitar “Trieshi”.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, z. Mëhill Velaj, i cili, mbasi përshëndeti të pranishmit dhe përmendi organizatorët, u shpreh se “Age Ivezaj po vazhdon rrugëtimin pas Fran Camaj, Anton Berishaj, Lulash Palushaj, Anton Gojcaj, Nikolle Berishaj, etj.”

Më pas, z. Velaj ftoi sekretarin e “Vatrës”, dr. Pashko Camaj për të bërë përshëndetjen e rastit. Z. Camaj i përshëndeti të pranishmit në emrin e “Vatrës”, i përgëzoi organizatorët për bashkëpunimin mes tyre dhe u shpreh se “misioni i “Vatrës” është pikërisht përurimi i fjalës shqip, mbështetja për shkrimin e shqipes sepse shkrimi është ai që mbetet”. Duke qenë se autorja është pjesë e komunitetit të shqitarëve nga Mali i Zi, ashtu sikurse z. Camaj, ai shtoi se pasi shumë kanë shkruar për ne, është koha që ne të shkruajmë për veten tonë, për historinë tonë por edhe per brezin e ardhshëm. Ai u shpreh së ka shumë rëndësi qe ne të gjithë së bashku të bëjmë diçka që të lëmë gjurmë për brezat e ardhshëm dhe sipas tij, autorja, duke dokumentuar jetën e shqiptarevë të Malit të Zi, ajo na tregon se ku i kemi rrënjët dhe se ku duam të shkojmë.

E përshëndeti gjithashtu aktivitetin kryetari i shoqatës “Malësia”, z. Shaqir Gjokaj, i cili shprehu respektin në emrin personal por edhe në emrin e shoqatës “Malësia” për autoren, znj. Age Ivezaj. Duke përmendur titullinn e romanit “Kush na mallkoi?!”, z. Gjokaj u shpreh se “ka shekuj që ne kemi mallkuar veten tonë dhe me keqardhje them se nuk kemi ditur të ecim përpara sëbashku po shpesh jemi përçarë”. Ai e mbylli fjalën e tij duke shprehur mbështetjen për autoren Ivezaj jo vetëm për këtë botim por edhe per veprat e saj në të ardhmen.

Kryetari i Fondit Humanitar “Trieshi”, z. Kolë Cacaj e përshëndeti këtë përurim duke thëne se është kënaqësi që zonja Ivezaj i shtohet shkrimtarëve që shkruajnë për Malësinë dhe se duke ardhur nga një familje intelektuale malësore, zonja Ivezaj vetëm sa e ka nisur rrugëtimin e saj në fushë të krijimtarisë letrare.

Pas përshëndetjeve të rastit, z. Velaj ftoi panelistët e këtij përurimi që të jepnin përshtypjet e tyre për romanin “Kush na mallkoi?!” të autores Age Ivezaj.

Studiuesi dhe shkrimtari dr. Bexhet Asani, pasi përgezoi qëllimin fisnik të të bërit bashkë të shoqatave për një përuruim libri, ai u propozoi atyre që të bëhen bashkë sërish e të bëjnë të mundur që ky libër, të bëhet nje film që i dedikohet malësorëve e Malësisë sepse e ka një bazë të shëndoshë për atë qëllim. Ai iu la të pranishmëve një porosi: “Mos e çoni dëm këtë vepër!” Z. Asani lexoi para auditorit recensionin e titulluar “Saga e mërgimtarëve shqiptarë në një roman”, ku kishte analizuar romanin ne planin formal e përmbajtësor, duke u përqëndruar më së shumti në temën e mërgimit.

Shkrimtari nga Malësia, z. Fran Camaj foli fillimisht si ish-mësues i znj. Ivezaj, duke e kujtuar atë si një vajzë të zgjuar dhe të përkushtuar dhe u shpreh se mbante mend edhe bankën ku ajo rrinte zakonisht. Sa i takon romanit, z. Camaj u shpreh se: “Kush na mallkoi?!” është një roman social me titull mjaft intrigues që të nxit ta lexosh dhe ndahet ne disa kapituj (…) Autorja trajton në këtë roman dy tema sa historike aq edhe aktuale në të gjithë truallin shqiptar: mërgimi nga trojet etnike si dhe pozita e femrës shqiptare, në këtë rast asaj malësore.”

Studiuesja e letërsisë, znj. Arjeta Ferlushkaj Kotrri u shpreh se: “Në roman dallohen tre linja kryesore përmes të cilave autorja dëshiron të përcjellë mesazhet e saja: 1. Brenga vetjake, largimi i saj nga Malësia për në SHBA. 2. Lartësimi i figurës së gruas malësore, e cila në çdo rol të saj del një heroinë e vërtetë. 3. Emancipimi i shoqërisë në Malësi: të ecet përpara por duke ruajtur vlerat e traditës. Kemi të bëjmë me letërsi qëllimore sepse primare për autoren është përcjellja e mesazhit tek lexuesi dhe jo teksti në vetvete.”

Shkrimtari Mëhill Velaj ne recensionin e tij të titulluar “Reflektim për romanin “Kush na mallkoi?!” të Age Ivezaj” u shpreh se tema e emigracionit është e vjetër tek shqiptarët dhe shoqërohet me një fat tragjik, sidomos tek shqiptarët e Malësisë. Më pas, z. Velaj foli rreth narracionit dhe personazheve të romanit duke i mëshuar faktit historik dhe impaktit tek ditët e sotme.

Mbas përfundimit të fjalës së panelistëve, fjalën e rastit e mori autorja Age Ivezaj, e cila falendëroi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre, organizatorët që morën përsipër përurimin e romanit të saj të parë si dhe shkrimtarë e studiues që dhanë opinionet e tyre për romanin “Kush na mallkoi?!”. Zonja Ivezaj u shpreh se ndihej e privilegjuar që po nderohej krijimtaria e saj letrare në të cilën trajtohet një temë që vërtet ka shumë dhimbje por ishte pikërisht dëshira e saj që të pasqyronte atë realitet ashtu siç ishte. Autorja rezervoi për në fund një falenderim të ngrohtë për familjen e saj, për gjithë mbështetjen që ka marrë prej tyre në çdo hap të sajin.

E përshëndetën aktivitetin edhe vëllai i znj. Ivezaj, z. Gjon Gjokaj si dhe famulltari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj.

Aktiviteti u mbyll nga z. Mehill Velaj dhe të gjithë pjesëmarrësit patën mundësi të merrnin kopje të romanit me nënshkrimin e autores Age Ivezaj. Familja Ivezaj shtroi një cocktail për të gjithë të pranishmit.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com