MËSIMI SHQIP NË FERRARA, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE TË ITALISË

Mirela Kristo, mësuese e Kursit të Gjuhës Shqipe në Ferrara, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Ferrara, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Mirela Kristo bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I MËSIMIT SHQIP NË FERRARA

Kursi i mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe në Ferrara ka hedhur hapat e tij të parë dhe ka mirëpritur kuriozitetin e një pjese të komunitetit shqiptar në Ferrara që në nëntor të vitit 2019 ku personalisht isha bashkëpunëtore në projektin “Mapping and profiling of Albanian Diaspora in Italy” të aprovuar dhe miratuar nga “The International Organization for Emigration” (IOM Mission in Albania) CeSPI (centro studi di politica internazionale) Rome – Italy me objektivin (Missione in Albania – Coinvolgere la Diaspora albanese allo sviluppo sociale ed economico dell’Albania). Në sajë të këtij projekti pata mundësinë të njihja shumë bashkatdhetare të profileve të ndryshme të cilët shfaqën një zhvillim profesional, intelektual dhe social të konsiderueshëm dhe si rrjedhojë dhe një integrim të arritur në jetën politike, sociale, ekonomike pse jo dhe kulturore të vendit që kanë zgjedhur të jetojnë. Në njohje e sipër, në bashkëbisedime shumë miqësore vura re që diçka mungonte. Cila ishte mungesa? Cila ishte arsyeja e saj? Sot them me bindje që mungonte: Gjuha e emocioneve, gjuha e shpirtit dhe gjuha e dhimbjes, — Gjuha e Origjinës. Arsyeja? Do të thoja që një pjesë përgjegjësie e kësaj mungese i takon integritetit tejet të arritur, i cili në një rrethane apo në një tjetër vendos në vështirësi gjuhën dhe kulturën e origjinës. Vetë fjala Integrim, jo si koncept dhe domethënie në fjalor por si “proces”, përmban brenda tij si modelin e asimilimit: “të përvetësosh kulturën e tjetrit e ta vendosësh atë mbi kulturën tënde, të zotërosh gjuhën e tjetrit e ta vendosësh atë mbi gjuhën tënde” por gjithashtu edhe modelin e shkëmbimit dhe gërshetimit kultural. Kjo është një temë që ka kompleksitetet e veta por nuk mund të mos isha e ndjeshme ndaj saj. Me ndjeshmërinë dhe qytetarinë e një mësuese të gjuhës shqipe përpiqem të respektoj atë të drejtë që shpesh herë me dashje apo pa dashje, u mohohet femijëve të lindur në mërgatë, të drejtën për të mësuar, për të folur dhe për të shkruar gjuhën amtare.   

KURRIKULA MËSIMORE DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT

Përsa i përket kurrikulës së përcaktuar për mësimin e gjuhës amtare në mërgate, unë ndjek  konceptet e programit lëndor “Gjuha dhe kultura shqiptare” Niveli I, gjithashtu dhe tekste të tjera plotësuese të cilat më ndihmojnë të realizoj dhe të kuptoj më së miri nevojat e nxënësve në mënyrë që ata të përvetësojnë kompetencat kryesore të cilat janë: kompetenca e komunikimit dhe të shprehurit, kompetencat gjuhësore dhe kompetenca e të menduarit. Me anë të këtyre kompetencave shpresoj të kem arritur sadopak zhvillimin e aftësive për të lexuar,  shkruajtur dhe folur gjuhën amtare. Patjeteër është një rol i një rëndësie tepër të veçantë bashkëpunimi dhe mbështetja që unë si mësuese gjej tek prindërit. Mendoj se sot, pas kaq vitesh pune, sacrifice e angazhimi e profesionalizmi e kam arritur përkrahjen e tyre.

SHOQËRIA ITALIANE SHPREH INTERES PËR MËSIMIN E GJUHËVE TË ORIGJINËS

Mundohem dita ditës , leksion pas leksioni, aktivitet pas aktiviteti, që të ndryshoj këndvështrimin e prinderve mbi prioritetin dhe rëndësinë e gjuhës amtare. Për ndërgjegjësimin e prindërve dhe për mbështetjen e gjuhës amtare duhet akoma shumë punë, kohë dhe investim, gjë e cila nuk mund të realizohet me përpjekje  të vetme individuale por në bashkëpunim me politikat shtetërore e shkollore, me institucionet shtetërore dhe me marrëveshjet bilaterale ndërmjet qeverive të dy shteteve tona. Puna dhe përpjekja që bëj është për të arritur të vetmin objektiv që fëmijët e sotëm të mergates të arrijnë t’i përgjigjen në mënyrë dinjitoze pyetjes “Kush jam unë” duke shmangur kështu një “krizë idenditeti”.  Shoqeria italiane shpreh interes për mësimin e gjuhëve të origjinës pasi kjo ndihmon pozitivisht në formimin e klasave shumëgjuhëshë dhe në krijimin e idenditeteve shumë kulturore.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Të japësh mësim është një detyrë sa e bukur, aq dhe me përgjegjësi. Nëpërmjet  mësimdhënies jepet dhe edukata, përveç mësues ne jemi dhe edukatorë, dhe të edukosh fëmijët me ndjenjen e atdhedashurisë e të gjuhës amtare në një vend të huaj është e vështirë dhe pak e vlerësuar. Duke qenë se fëmijët tanë janë të lindur dhe të rritur në Itali, italishtja për ta mbetet gjuhë e parë dhe shqipja gjuhë e dytë dhe e huaj, prandaj  si mësuese përpiqem të angazhohem maksimalisht që mesimin t’a zhvilloj në mënyrë sa më përfshirëse, duke bërë protagoniste vetëm fëmijët dhe t’i trajtoj argumentat mësimore në shërbim dhe dobi të tyre. Mendoj se arritja e suksesit të mësimit dhe e kalimit të vështirësive qendron tek dëshira dhe ndërgjegja e gjithësecilit prej nesh.

E shoh të arsyeshme të bëj një thirrje për prinderit, në mënyrë që të ndihmojnë fëmijët e tyre në kontekstin gjuhësor në të cilin ndodhen: flisni sa më shumë në gjuhën shqipe fëmijëve tuaj! Çdo gjuhë ka rëndesine e saj dhe meriton të jetë e folur dhe e shkruajtur! Mos ia mohoni këtë të drejtë fëmijëve tuaj.

KUSH ËSHTË MËSUESE MIRELA KRISTO?

Jam Mirela Kristo, e lindur në qytetin e Durrësit, kam studiuar në Universitetin e Tiranës në Degën Gjuhë –Letërsi Shqipe dhe kam përfunduar studimet e larta në vitin 1997 me titullin “Mësues i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe për shkollen e mesme”. Pas eksperiencës si mësuese në qytetin e Durrësit, aktualisht jetoj dhe punoj prej më shumë se 20 vite në Itali. Në vitin 2004 jam regjistruar në kursin e trajnimit në përfundimin e të cilit u pajisa  me Çertifikatën Rajonale të Emilia Romagna me kualifikimin si Ndërmjetëse Gjuhësore për thjeshtësimin e mësimit të gjuhës italiane për fëmijët shqiptarë në Njësinë Operative të Integrimit dhe Përfshimit të nxënësve me origjinë të huaj në Komunen e Ferrarës. Në vitin 2010 me studimin 1 vjeçar të ndjekur në Universitetin “Cà Foscari”te Venecias  me titull “ Komunikimi  Ndërgjuhësor dhe Ndërkulturor”  i cili me dha mundësinë të punoj në Qëndrën e Shërbimeve Sociale dhe si bashkëpunëtore eksperte e gjuhës amtare në  Njësinë Operative të  Femijërisë dhe Adoleshencës të qytetetit të Ferrarës. Nga viti 2015 deri sot punoj si Edukatore Sociale dhe Përkthyese në Aktivitetin e Ndërhyrjes Sociale për fëmijët e mitur shqiptarë të pashoqëruar nga prindërit. Jam bashkëpunetore në projektet e CESPI Roma dhe IOM për përfshirjen e Diasporës Shqiptare në zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë. Që nga viti 2021 jam kualifikuar si pjesë e Regjistrit Shtetëror të Diasporës sipas kritereve të Urdhërit nr. 413, datë 26.07.2019 të Ministrit të Arsimit.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com