Kujtojmë lindjen e rilindasit Jani Vreto

Muzeu Historik Kombëtar

Më 14 janar të vitit 1822 lindi Jani Vreto. U lind në fshatin Postenan, pranë Leskovikut, në Vilajetin e Janinës. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër Konicës, kurse nga viti 1843 deri më 1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur “Zosimea” në Janinë. Më 1854 u shpërngul në Konstantinopojë, ku i ati merrej me tregti. Ishte njohur e lidhur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid pashë Vlora. Mmbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji si dhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën. në Itali. Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. Në maj 1878, botoi veprën “Apologjia”, në Konstantinopojë, në greqishte, në të cilën shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Në fillim të vitit 1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin përfundimtar të shqipes. Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip. Vretoja shkoi në Bukuresht që të zgjonte interesimin për lëvizjen kombëtare ndër shumë shqiptarë dhe themeloi një seksion të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip. Pas kthimit në Stamboll, Vretoja punoi në organit periodik “Drita”, që më pas mori emrin “Dituria”, e cila doli në Konstantinopojë nga gushti 1884 deri në korrik 1885. Në dhjetor 1884 ai bashkëpunoi për themelimin e shoqërisë Drita të Bukureshtit dhe shërbeu si sekretar i saj duke bërë praktikisht gjithçka në shtypshkronjë Ndërroi jetë në korrikun e vitit 1900 në Athinë.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com