Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës
Vatra z.Elmi Berisha u takua në Prishtinë me kryetarin e Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama dhe kryepolicin e Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha. Z.Berisha në emër vatranëve dhe shqiptaro-amerikanëve përgëzoi punën e shkëlqyer të forcave të sigurisë së Kosovës në ruajtjen e rendit, sigurisë, stabilitetit rritjes së kapaciteteve menaxhuese dhe përballimin me sukses të sfidave të sigurisë së brendshme me të cilat përballet Kosova.
Z.Berisha siguroi Kolonel Hoxhën se Vatra e ndjek me shqetësim të shtuar dhe vëmendje të veçantë situatën në Kosovë dhe do të jetë kurdoherë në mbështetje të institucioneve shtetërore e popullit të Kosovës. Kryepolici i Kosovës Gazmend Hoxha vlerësoi Vatrën me mirënjohje për kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës dhe rolin e saj si lider historik i proceseve atdhetare në mërgatën e Amerikës. Në takimin me kryetarin e Komunës z.Përparim Rama, kryetari i Vatrës z.Berisha e përgëzoi për transformimin rrënjësor, stilin europian, konceptimin urban dhe arkitekturor modern të qytetit të Prishtinës. Nga ana tjetër z.Rama e përgëzoi z.Berisha për punën atdhetare të Vatrës dhe vëmendjen e posaçme në promovimin dhe lobimin për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.