Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, nderoi shqiptarin e madh, ish-Presidentin e Kosovës z.Behgjet Pacolli

Sokol Paja

New York, 21 Shtator 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA nderoi shqiptarin e madh,  ish-Presidentin e Republikës së Kosovës z.Behgjet Pacolli me mirënjohje për kontributin të jashtëzakonshëm për kombin shqiptar e shtetin e Kosovës. Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar në Selinë Qëndrore të Vatrës, në hapje të takimit të ngrohtë e vëllazëror, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i shprehu mirënjohjen e thellë e respektin e lartë në emër të të gjithë vatranëve e shqiptaro-amerikanëve për punën e jashtëzakonshme në dobi të kombit, shtetit e çdo shqiptari anëkënd botës.

Në fjalën e tij ish-Presidenti Pacolli shprehu mirënjohje e vlerësim për punën shekullore e lobimin e jashtëzakonshëm të Vatrës sa herë e ka kërkuar çështja kombëtare. Ndër të tjera në fjalën e tij z.Pacolli u shpreh:  “Falenderim e respekt Vatrës e të gjithë vatranëve. Mirënjohje për kontributin e punën e tyre të pa ndalur. Vatra e shqiptaro-amerikanët janë krahu legjendar i shqiptarisë. Vatra është krenari, ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që ta mbështesin Vatrën. Sa më e fortë të jetë të Vatra aq më të nderuar e më të respektuar jemi ne si shqiptarë në Amerikë.

Puna e Vatrës ka qenë e jashtëzakonshme. Lobimi i Vatrës ka qenë ekzistencial për kombin tonë. Me mbështetje dhe unitet arrihen punët e mëdha. Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne si shtet e si komb nuk mund të ekzistojmë. Në themel të shtetit të Kosovës qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës” deklaroi ndër të tjera z.Pacolli. Ai ekspozoi rrezikun e sanksioneve në Kosovë dhe theksoi se çdo mendim apo lëvizje kundër Amerikës është i pafalshëm për klasën politike.

Z.Pacolli i bëri thirrje shqiptarëve që të vazhdojnë të kontribuojë për Kosovën, Shqipërinë e trojet etnike. “Populli ynë dhe shtetet tona kanë nevojë shumë të madhe për ju. Tre kryeministra shqiptarë në Ballkan është arritje e madhe dhe tregues i rolit të shqiptarëve në Ballkan.

Arritjet tona të na shërbejnë nxitje për arritje të tjera si komb. Unë nuk do ndalem për ti dhënë kombit e shtetit gjithçka, deri në frymën time të fundit. Lutem për të gjithë shqiptarët që të gjithë kudo që jemi të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin” apeloi z.Pacolli. Ai deklaroi se falë lobimit të tij do të deklarohen 3 njohje të reja për Pavarësinë e Kosovës të cilat do publikohen këto ditë.

Në përfundim të takimit kryetari i Vatrës z.Berisha në emër të Vatrës dhe të gjithë vatranëve e nderoi me mirënjohje z.Behgjet Pacolli me motivacion: “Për merita të veçanta në promovimin e imazhit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, për lidershipin e treguar, për rritjen e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës, për forcimin e demokracisë, për zhvillimin e diplomacisë ekonomike, për konsolidimin e institucioneve e shtetit ligjor në Kosovë, për humanizmin e shquar dhe suksesin e jashtëzakonshëm si biznesmen shqiptar”. Pas takimit Vatra shtroi një drekë vëllazërore në nderim të shqiptarit të madh z.Behgjet Pacolli.

Check Also

Havzi Nela, zani kushtrues i një shpirti ngadhënjimtar, poeti i këngës kryengritëse

Nga Albert Vataj Në ndërmendjen e përvjetorit të lindjes së poetit, tuj kumtu mirënjohje për …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com