EDHE BOSTONI U VESH KUQ E ZI PËR DITËN E FLAMURIT

-Dy veprimtari në Boston për këtë ditë të shënuar. Organizatore e tyre ashtu si vite të tjerë, ishte Shoqata “ Mass Besa’’.-

Nga Fuat Memelli

Shqiparët e Bostonit, një nga qendrat e para të emigrantëve shqiptarë në Amerikë qysh para 100 e ca vjetësh, festuan këtë ngjarje të shënuar. Veprimtaria e parë e kësaj feste nisi në sheshin para bashkisë së Bostonit. Himni amerikan dhe ai shqiptar , i cili të ngjeth me tekstin dhe melodinë e tij, ishte sipari i veprimtarisë. Fjalën e hapjes e mbajti presidenti i Shoqatës “Mass.Besa” , Sokol Lushllari, veprimtar i palodhur i komunitetit shqiptar, i cili prej pesë vjetësh është në krye të kësaj shoqate. Më pas e mori fjalën përfaqësuesja e bashkisë së Bostonit, e cila lexoi përshëndetjen e kryetares së bashkisë së këtij qyteti, Michelle Wu, ku ndër të tjera thuhej:”Komuniteti shqiptar i Bostonit kontribuon shumë për të pasuruar historinë dhe kulturën në qytetin e Bostonit. Ky komunitet është i organizuar dhe veçuar nëpërmjet shumë organizimeve dhe bizneseve për mos harruar historinë e prejardhjes së tij.” Me fjalë prekëse përshëndeti zv. presidentja e “Mass. Besës”, Jorida Qirollari, duke i shpëtuar edhe ca pika lotë. Ja disa fjalë të saj :” Jam dy herë emigrante, një herë kur ika në Greqi që isha 11 vjet dhe më vonë kur erdha në Amerikë. Asnjëherë nuk harrova nga vij, nuk harrova traditat e kulturën e vëndit tim. Djali im i lindur këtu e flet bukur gjuhën shqipe. Ai tok me shumë fëmijë të tjerë shqiptarësh, vazhdojnë shkollën shqipe të hapur nga “Mass.Besa”. Vërtet prekem kur shikoj ata filiza që flasin, shkruajnë, recitojnë dhe këndojnë këngët tona shqiptare.”

Peshkopi Theofan Koja bekoi pastaj flamurin shqiptar. Pjesë e kësaj veprimtarie ishin edhe një grup studentësh nga trevat e ndryshme shqiptare që vazhdojnë Universitetin e Harvardit në Boston. Në emër të tyre foli studentaja Edona Çosoviç, me prindër nga Gucia, e cila ndër të tjera tha:” Së bashku me kolegët e mi dhe me pedagogun, Faton Limani, kemi luajtur një rol të rëndësishëm në hapjen e kursit të gjuhës shqipe në Universitetin e Harvardit. Kosovari Faton Limani midis të tjerash tha: ” Me 28 Nëntorin lidhen disa ngjarje të shënuara. 28 Nëntor 1443 Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë. Po në këtë datë të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Në këtë datë lindi heroi legjendar i UÇK-së, Adem Jashari dhe po në 28 Nëntor të vitit 1997, doli për herë në publik UÇK-ja.” Hafiz Kabashi, një kosovar tjetër i nderuar, i kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve, pasi uroi pjesëmarrësit për këtë ditë të shënuar, theksoi: “ Ta mbajmë gjithmonë ndezuar zjarrin e shqiptarizmës.” Veprimtari i palodhur Petrit Alibej, recitoi poezinë e bukur të Fan Nolit kushtuar flamurit , zëri i të cilit oshëtiu në qendër të Bostonit: “O flamur gjak, o flamur shkabë/ O vend e vatër, o nënë e babë/ Lagur me lotë, djegur me flakë/ Flamur i kuq, flamur i zi”, etj. Pas ngritjes së flamurit amerikan dhe atij shqiptar, në shesh vazhduan për minuta të tëra, vallet e bukura nga trevat e ndryshme shqiptare.

Festa vazhdoi në mbrëmje në një restorant të bukur në qytetin Quincy afër Bostonit. 250 pjesëmarrës ishin “dasmorët” e këtij dite që i ngjate një dasme të madhe. Edhe këtu në fillim jehuan tingujt e himnit shqiptar dhe amerikan. Për këtë ditë të shënuar, folën dyshja Sokol Lushllari dhe Jorida Qirollari. Në një moment ata ftuan autorin e këtij shkrimi për t’i dorëzuar dëshminë e Mirënjohjes dhënë nga “Mass.Besa” për kontributin në pasqyrimin e veprimtarive dhe figurave të shquara të komunitetit shqiptar të Bostonit. Fëmijët e shkollës shqipe të ardhur nga qyteti Peabody, të veshur me ngjyrat e flamurit tonë, recituan poezi patriotike, kënduan dhe luajtën valle të Shqipërisë dhe Kosovës. Valbona Lavdari, recitoi një poezi të Çajupit. Këngëtarja e njohur, Vojsava Aliaj, e ndezi pastaj atmosferën e cila vazhdoi për disa orë. Këngët dhe vallet nga trevat shqiptare, vazhduan deri afër mesnatës.

Duke mbyllur këto rradhë, desha të theksoj që prushin e zjarrit të shqiptarizmës, ta mbajmë gjithmonë ndezur dhe t’ja përcjellim pasardhësve tanë. Të ndihmojmë sa të mundemi Atdheun tonë, vendlindjet tona.

Check Also

Havzi Nela, zani kushtrues i një shpirti ngadhënjimtar, poeti i këngës kryengritëse

Nga Albert Vataj Në ndërmendjen e përvjetorit të lindjes së poetit, tuj kumtu mirënjohje për …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com