“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i periodiku islam në gjuhën shqipe*

Ramadan SHKODRA

Jam së tepërmi i nderuar që kam mundësinë t’i them disa fjalë në këtë konferencë shkencore për revistën e parë islame në gjuhën shqipe, për revistën “Zani i Naltë”, për këtë tribunë të fjalës së shkruar islame në gjuhën shqipe, të cilën një shekull më parë e themeloi dhe e botoi Komuniteti Mysliman Shqiptar, që domethënë institucioni kryesor dhe më i larti fetar islam i pavarur, në kuadër të të cilit ndërvepronin elitat e ulemasë shqiptare në vend, elitë kjo që në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, u gjet në krye të momenteve historike të vendit, dhe e cila i unifikoi institucionet islame nëpërmjet zhvillimit të disa kongreseve kombëtare, siç ishte Kongresi i Parë, i mbajtur më 24 shkurt deri më 12 mars 1923, i cili shënoi edhe pikënisjen drejt institucionalizimit të Bashkësisë Islame, dhe i cili hodhi edhe themelet për formimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili institucion sot po hyn në shekullin e ri, – të dytin, – të tij.

Vitet njëzet të shekullit XX për Shqipërinë në kufijtë e sotshëm administrativë shënojnë përpjekjet serioze për konsolidimin shtetëror dhe për ngritjen e përparimin intelektual, social e shoqëror të vendit. Në këto vite qe krijuar një klimë me ndjesi e vetëdije të theksuar kombëtare, e cila ishte pasqyruar në shumë drejtime. Prijësit fetarë-teologët e shquar, në gjirin e komuniteteve fetare, të cilët kishin marrë pjesë aktive në çështjet kombëtare, iu vunë punës që kjo frymë kombëtare të pasqyrohej edhe në veprimtarinë e vetë komuniteteve fetare. Në këtë rrafsh, përpara tyre shtrohej detyra e organizimit të komuniteteve dhe e pavarësisë së tyre. Prijësit myslimanë, me forma dhe veprimtari të ndryshme, e sensibilizuan opinionin shqiptar dhe autoritetet shtetërore për mbështetje në punën e nisur në rrugën e pavarësisë. Kështu, vitet 1922-1923 ishin relativisht të suksesshëm në procesin e konsolidimit të shtetit dhe në themelimin, forcimin dhe zhvillimin e institucioneve kombëtare, dhe në këtë mënyrë janë vlerësuar edhe prej historianëve e studiuesve të ndryshëm.

Në këtë kohë u themelua edhe Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSh), si vazhdimësi e vendimeve të mëdha që kishte marrë paria shqiptare, vendime të cilat qenë përcaktues për fatin dhe të ardhmen e shqiptarëve, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë shtetëror.

Në këtë kontekst, vlen të theksohet se në këto ngjarje të rëndësishme për popullin shqiptar, si te Kongresi i Manastirit, te Shpallja e Pavarësisë së vendit, si dhe te pavarësimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, ndër bartësit kryesorë i gjejmë hoxhallarët, sikurse ishin: Haxhi Vehbi Dibra, Hfz. Ali Korça, Hfz. Abdullah Semblaku, Hfz. Ibrahim Dalliu, Shefqet Muka, Sali Vuçitërna, Ferit Vokopola etj. Së këndejmi, vendimi për themelimin e KMSh-së ishte kërkesë e besimtarëve dhe e shtetësisë së tyre, prandaj marrja e këtij vendimi prej atyre hoxhallarëve të urtë, të ditur e të mençur, të prirë prej Haxhi Vehbi Dibrës me shokë, ishte përmbushje e një kërkese të tillë dhe një element shtesë i shtetësisë së shqiptarëve. Themelimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë më 1923 paraqet një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për shqiptarët e besimit islam, me në krye udhëheqësit e tyre fetarë, të cilët në një kohë kthesash të mëdha historike për vendin tonë, gjetën kurajë dhe i udhëhoqën e i organizuan besimtarët islamë, si dhe i pavarësuan edhe në aspektin shpirtëror. Themelimi i KMSh-së përveçqë nisi me organizimin e jetës fetare islame, ai themeloi dhe ngriti edhe institucionet bazë për nevojat e myslimanëve shqiptarë, sikurse ishin Këshilli i Naltë i Sheriatit, Medreseja e Tiranës, revista “Zani i Naltë”, si dhe u mor me botimin e literaturës së nevojshme, e që i dha formë, trajtë e kuptim jetës fetare të besimtarëve shqiptarë, sepse aty praktikohej, mësohej, kultivohej e shpjegohej për fenë e Zotit, për historinë e ndritshme të kombit në gjuhën e besimtarëve, në gjuhën shqipe.

Vetë nisma për botimin e një reviste të formatit të “Zanit të Naltë”, përveçse kishte një rëndësi të veçantë historike, s’ka dyshim se ishte edhe një hap i guximshëm që tregonte qartë pjekurinë, vizionin, përgatitjen profesionale, e mbi të gjitha përgjegjësinë e elitës fetare islame të kohës, për të krijuar institucione që e kryejnë misionin e tyre para Zotit, vendit e popullit.

Misioni, filozofia dhe vizioni i revistës “Zani i Naltë” bëhen të qarta dhe kuptohen që në editorialin e numrit të parë të revistës, në të cilin nismëtarët dhe botuesi i shprehin objektivat madhore të revistës, ku thuhet se “Zani i Naltë” ka për qëllim: “…M’ia zbulue popullit mysliman shqiptar të vërtetën e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikume…, si dhe me plotësue vllazninë ndërmjet të gjithë elementeve në Shqipni”. Kjo me qëllim që, sikurse thuhet aty, “Me forcue themelet e nji politikes së shëndoshtë e të thjeshte kombëtare në Shtetin tonë”.

Shih për këtë, “Zani i Nalt” për një dekadë e gjysmë qe bërë tribunë e mendimit të elitës islame e shqiptare, e cila me kompetencë trajtonte e kultivonte tema profesionale nga disiplina kombëtare, fetare, sociale e kulturore. Këtu gjejmë urtësinë dhe begatitë e disiplinave kuranore nga penat e shquara e mendje të ndritura, siç ishte Haxhi Vehbi Dibra me bashkëkohësit e tij. Gjejmë po ashtu edhe trajtesa historike e kulturore të shkoqitura me shumë elokuencë nga e kaluara e populli tonë. Pa lënë anash edhe trajtesa që kanë të bëjnë me humanen, kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimin, vlera sublime të popullit tonë.

E konceptuar si revistë fetare islame, ajo këtë mision madhor e kreu me sukses, mirëpo nuk ngeli në kuadër të një reviste thjesht fetare, por shumë shpejt u shndërrua në një tribunë të mendimit fetar, filozofik, kulturor e atdhetar, dhe kështu rreth vetes mblodhi penat më të njohura të kohës.

Prijësit tanë të shquar, këtu e një shekull më parë, “Zanin e Naltë” e kishin nisur si një projekt gjithëkombëtarë, mirëpo për shakat të rrethanave me të cilat u përball populli ynë dhe trojet tona, “Zani i Naltë” misionin e tij e shtroi kryekëput në Shqipërinë administrative.

Ndonëse “Zani i Naltë” është botuar dekada më parë, përmbajtja e shkrimeve të tij e ka vlerën e vet të njëllojtë edhe në kohën e sotme; janë shumë aktuale, të rëndësishme dhe të nevojshme, sikurse të jenë thënë sot, dhe sikur të jenë shkruar për ditët e sotme, sepse janë shkruar prej dijetarëve vizionarë e largpamës. Duke i vështruar faqet e “Zanit të Naltë”, do të njihemi edhe me rolin e ulemasë sonë në rrafshin kombëtar, si dhe me kontributin e tyre domethënëse dhënë çështjes së kombformimit dhe shtetformimit.

Ky kontribut ka vazhduar gjatë gjithë periudhës së daljes së revistës “Zani i Naltë”, me shkrime të ndryshme, duke ngulitur te lexuesit e saj ndjesinë kombëtare dhe respektin për institucionet e shtetit.

Duke lexuar “Zanin e Naltë” do të shohim se ai ka ndihmuar që në mes të shqiptarëve të kultivohej ndjenja e dashurisë, harmonisë, tolerancës dhe e mirëkuptimit me anëtarët e besimeve të ndryshme, vlerë për të cilën krenohemi të gjithë. Pa mëdyshje se një kontribut të madh në ngulitjen dhe kultivimin e kësaj vlere kombëtare e patën autorët që shkruan në faqet e “Zanit të Naltë”.

Revista “Zani i Naltë” është një thesar i çmueshëm, ku në mënyrën më të mirë është kultivuar binomi fe-atdhe, apo, thënë ndryshe, revista ishte një tribunë që kultivoi me përkushtim e devocion fetaren dhe atdhetaren.

Kurse, vjershat dhe poezitë e botuara në faqet e “Zanit të Naltë” duhet të jenë patjetër pjesë e repertorit të korit të nxënësve të medreseve tona, sepse vështirë të thuhet se mund t’i këndohet më me shpirt dhe më mirë Kuranit, Pejgamberit, a.s., atdheut, flamurit etj., se ç’u është kënduar në këtë revistë.

Përtej gjithë këtyre, “Zani i Naltë” është i rëndësishëm edhe për një fakt tjetër, sepse me “Zanin e Naltë” filloi periodiku islam në gjuhën shqipe, dhe ai u bë edhe pararendës i revistave islame në gjuhën shqipe që do të dilnin pas tij, jo vetëm në Shqipëri, siç ishte “Kultura Islame”, por edhe në trojet jashtë Shqipërisë, e madje edhe në Diasporë, siç ishin revistat “Jeta Myslimane” që botohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Takvimi/Kalendari” dhe “Edukata Islame” në Prishtinë etj. Për më tepër, revista “Zani i Naltë” shërbeu edhe si paraprijëse e fillimit të veprimtarisë së gjithëmbarshme botuese islame në gjuhën shqipe.

Se sa i rëndësishëm dhe çfarë vlerash përmban dhe paraqet “Zani i Naltë”, për këtë më së miri dëshmon realizimi i projektit të tri komuniteteve tona islame (Komuniteti Mysliman Shqiptar, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Rijasetit të Maqedonisë së Veriut) për botimin e kompletit në dhjetë vëllime të Zanit të Naltë, me rastin e 90 vjetorit të daljes së tij. Me këtë hap kaq të rëndësishëm, kultura dhe trashëgimia jonë e shkruar fitoi një thesar të çmuar, kurse “Zani i Naltë” iu ofrua masës së gjerë të lexuesve dhe u bë pronë e bibliotekave tona në të gjitha trojet shqiptare. Me ribotimin e kompletit të “Zanit të Naltë”, si të thuash, u realizua ëndrra e mbetur në gjysmë e prijësve tanë të shquar, të cilët këtu e një shekull më parë këtë revistë e kishin konceptuar si një projekt gjithëkombëtarë, mirëpo që për arsyet të njohura nuk qe e mundur të bëhej.

Në anën tjetër, puna e eruditëve që e themeluan, e nisën dhe e botuan revistën “Zani i Naltë” u bë model edhe për gjeneratat e teologëve islamp të Komunitetit Mysliman Shqiptar të viteve të pas ’90-tave, të cilët, si shprehje e admirimit, vlerësimit dhe mirënjohjes për këta dijetarë vepërmirë, vendosën që ta ripërtërinin revistën “Zani i Naltë”, jo vetëm duke ia ruajtur emrin, por edhe duke e trasuar fuqishëm, qëndrueshëm, drejt dhe saktë edhe rrugën që e kishin nisur pararendësit, rrugë kjo që po vazhdon t’i japë frytet e saj edhe sot e kësaj dite.

Zotin Fuqiplotë e lusim që revista “Zani i Naltë” ta vazhdojë rrugëtimin e saj dhe përmbushjen e misionit hyjnor të nisur një shekull më parë, kurse emri dhe nami i “Zanit të Naltë” të jehojë përgjithmonë!

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com