WOODROW WILSON, origjina që shpëtoi pavarësinë e Shqipërisë

Abedin Kaja

Është i njohur fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk tregonin ndonjë interes të veçantë për zhvillimet në Evropë dhe për më tepër për Shqipërinë e vogël në fillim të shekullit XX-të.

Indiferenca e SHBA ndaj zhvillimeve në Evropë, ashtu si edhe në vitet që pasuan, ishte e lidhur me veçantinë e raporteve të qytetarëve amerikanë ndaj jetës politike e shoqërore, në përgjithësi dhe në veçanti me ngjarjet që ndodhnin jashtë vendit të tyre. Shkatërrimet, masakrat dhe plaçkitjet e ushtrisë greke në verën e vitit 1914, në jug të Shqipërisë, do t’i bënin diplomatët amerikanë, të akredituar në shtetet fqinjë me Shqipërinë, lajmëtarët e parë të njohjes së Shqipërisë,

ndonëse në rrethe të ngushta shkencore janë për t’u përmendur shkrimet e Edit Durham apo Xhorxh Gordon Bajron, i njohur si Lordi Bajron.

Këto informacione u përhapën atëherë kur i morën në dorë aktivistët e fondacionit “Ndihmë për Shqipërinë”, fondacion ku mund të kenë pasur ndikimin e tyre edhe organizatat e emigrantëve shqiptarë që ndodheshin në këtë kohë në Amerikë. Fondacioni “Ndihmë për Shqipërinë”, nëpërmjet shtypjes dhe ndarjes së pamfleteve, mundi të njohë publikun amerikan me gjendjen në Shqipëri, dhe më pas të grumbulloi ndihma për popullsinë e kërcënuar të Shqipërisë. Nga politikani dhe historiani boshnjak Haris Silajxhiç, në librin e tij “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit”, mësojmë se nëpërmjet njërit nga këto pamflete, ambasadori amerikan në Turqi dërgon një telegram, me të cilin informon se disa qindra-mijëra shqiptarë kanë mbetur pa çati mbi kokë dhe po vdesin nga uria. Po sipas të njëjtit burim, në këtë artikull përdoren edhe deklaratat e dëshmive nga vendi i ngjarjes të disa shqiptarëve ortodoksë, që në këtë kohë kishin shkuar me banim në Amerikë.

Sipas këtyre informacioneve, qeveria greke i detyroi banorët e fshatit Voskop, rreth 8 km në perëndim të Korçës, të kthehen në shtëpitë e tyre dhe pastaj i masakroi të gjithë, rreth 1500 njerëz, me gra, fëmijë dhe pleq. Në këtë fushatë sensibilizimi, anëtarët e fondit “Ndihmë për Shqipërinë”, përdorën me shumicë materialet e një institucioni kristian me influencë, i cili me artikujt e tij dramatikë, që bazoheshin kryesisht në lajmet e dëshmitarëve dhe personaliteteve të njohura, përpiqej të paraqiste gjendjen në Shqipëri. Në këto raportime shkruhej se që nga viti 1913 janë djegur 35 mijë shtëpi dhe janë vrarë 20 mijë njerëz në jug të Shqipërisë. Qindra-mijëra njerëz enden në kërkim të ushqimit. Duke iu referuar ngjarjeve të korrik-gushtit të vitit 1914, në këta artikuj shkruhej se as që mund të mendohej që në Shqipëri do të gjendeshin aq shumë vuajtje njerëzore dhe krime të padëgjuara ndaj grave të pafuqishme. Sipas H. Silajxhiç, “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit” f. 7, artikulli për këto krime akuzon ndikimin e kishës greke. Artikulli në fjalë i bënte thirrje ndjeshmërisë së qytetarit amerikan që t’i njohë ata me vrasjet që grekët bënin në zonën e jugut të Shqipërisë në kohë paqeje. Ngjarjet e ndodhura në vitin 1915 dhe sensibilizimi i popullit amerikan rreth këtyre ngjarjeve do t’i hapnin rrugë punës së Kryqit të Kuq amerikan, në Shqipërinë e pas-Luftës së Parë Botërore.

NDIHMA e Kryqit të Kuq amerikan (KKA) në Shqipëri

Edhe pse sensibilizimi i politikës dhe popullit amerikan për gjendjen në Shqipëri kishte filluar më herët, në kohën kur trupat greke në verën e vitit 1914 kishin plaçkitur dhe vrarë në jug të vendit, njësia e parë e KKA arriti në Shqipëri në fund të shkurtit të vitit 1919. Kjo vonesë është shpjeguar me faktin se bregdeti shqiptar ishte i bllokuar dhe se nga toka ishte e vështirë që të hyje. Burime historike flasin për një përpjekje të fondacionit “Rokfeler” që të dërgonte njerëzit e tij në nëntor të vitit 1916, por pa sukses. Gjatë po këtij viti, një mjek i KKA, që punonte në Serbi, u përpoq që të hynte në Shqipëri. Dy anëtarë të kësaj organizate u përpoqën nga Selaniku të vinin në Manastir, por edhe ata nuk mundën të vinin. Në fund të shkurtit 1919 u formua në Itali njësia e parë e KKA. Ky aksion filloi mbi bazën e informacioneve të mbledhura për Shqipërinë nga Çarls Telford Erikson, i cili fillimisht kishte ardhur si misionar dhe më vonë si kapiten i KKA. Kapiteni Çarls Telford Erikson më vonë luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike në Shqipëri. Sipas mendimit të Eriksonit, në Shqipëri KKA duhej të vepronte në tri fusha kryesore: në industri, me qëllim punësimin e popullsisë dhe zhvillimin e burimeve natyrore, në bujqësi, duke vënë në zbatim në mënyrë graduale metodat shkencore, si dhe në fushën e mbrojtjes së shëndetit dhe shërbimeve të tjera publike. Për pajisjen me veshje në këtë kohë u themeluan qendra, në të cilat gratë shqiptare qepnin veshje me materiale që i sillte KKA, gjë që shërbeu për njohjen nga afër të personelit të KKA, me popullsinë vendase. Nga një informacion i Robert Denison, drejtor i njësisë së KKA për Shqipërinë, rezulton se situata në Shqipëri ishte shumë më e rëndë se kudo tjetër në Ballkan. Edhe pse përballë një gjendjeje shumë të rëndë, Denison vëren se shqiptarët janë shumë të duruar: “Shqiptarët nuk luten, ata presin të disiplinuar dhe në heshtje para dispanserisë, në radhë për te mjeku”, – konstaton drejtori i KKA, Denison.

NDIKIMI i emigrantëve të Amerikës në njohjen e Shqipërisë

Mendimi politik dhe opinioni publik amerikan për vendet e tjera në të shumtat e rasteve informohej nga organizatat e emigrantëve që ndodheshin në këtë vend, por fuqia e këtij ndikimi varej shume edhe nga numri i anëtarëve, ndikimi i tyre në zgjedhje dhe mjetet që ata kishin në dispozicion. Edhe pse jo shumë e fuqishme në fillim për shkak të numrit të kufizuar të emigrantëve, mjeteve të kufizuara materiale dhe financiare, veprimtaria e emigrantëve bëhet pjesë përbërëse e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Shqiptari i parë që është vendosur në shtetin amerikan ka qenë një shqiptar nga Korça në vitin 1876, i cili shumë shpejt kaloi në Argjentinë. Shqiptari i dytë, por që mund të quhet edhe i pari që u vendos në Amerikë, ishte Koli (Nikolas) Kristofori, 10 vjet pas të parit, në vitin 1886. Pas disa vitesh pune, ai kthye në fshatin e tij Katund të Korçës, dhe kur u kthye përsëri mori me vete edhe disa bashkëfshatarë të tij nga fshati Katund. Këtë punë ai e bëri disa herë, dhe në vitin 1895 në Amerikë jetonin 17 shqiptarë nga fshati Katund i Korçës. Në vitin 1900, në Masaçusets jetonin 42 shqiptarë, kryesisht nga jugu i Shqipërisë. Që nga ky vit emigracioni shqiptar u zhvillua me shpejtësi, sidomos në Boston dhe Masaçusets, ku kishte edhe më shumë mundësi punësimi, duke krijuar kështu një bërthamë, nga e cila do të formohej shumë shpejt organizata më e fuqishme e shqiptarëve në emigracion. Bashkësisë së vogël të emigrantëve shqiptarë të fillim-shekullit të 20, në vitin 1904, do t’u shtohej edhe mësuesi në fshatin Katund të Korçës, Petro Nini Luarasi, pionieri dhe pishtari i arsimit shqiptar, si dhe patriotët e tjerë si Sotir Peçi, që në vitin 1906 botoi gazetën e parë në gjuhën shqipe “Kombi”, i cili krahas punës në fabrikë, në një shtypshkronjë primitive shtypte, shpërndante dhe pastaj u lexonte të tjerëve gazetën në fjalë. Në këtë kohë në Amerikë ka pasur rreth 5 mijë shqiptarë, nga ku vetëm njëzet prej tyre dinin të lexonin. Bashkësisë shqiptare, veç Petro Nini Luarasit dhe Sotir Peçit do t’i shtohej edhe vajtja në SHBA e Fan Nolit, Faik Konicës apo shqiptarit që vinte nga Bukureshti, Kristo Dako, që në vitin 1908 hapi shkollën e parë shqipe në Natik të Bostonit, ku u mësonte bashkatdhetarëve gjuhën shqipe dhe anglishten. Gruaja e tij, Sevastija, së bashku me të motrën e saj, Parashqevinë (motrat Qirjazi), hapën një qendër të vogël në shtëpinë e tyre në Boston dhe iu mësonin emigrantëve shqiptarë “Gramatikën elementare” dhe “Aritmetikën praktike”. Veç përhapjes së diturisë te bashkatdhetarët e tyre të Amerikës, përkundër politikës greke, dijetarët shqiptarë si detyrë kryesore kishin që bashkë me të gjithë komunitetin shqiptar të dëshmonin se shqiptarët e besimit ortodoks që jetonin në Shqipërinë e Jugut dhe ata që jetonin në Amerikë nga kjo zonë, nuk janë grekë, ndaj Shqipëria e Jugut duhej të mbetej pjesë e shtetit shqiptar. Në vijim të referimit të arkivave të Uashingtonit, nëpërmjet historianit H. Silajxhiç mësojmë se pas përpjekjes së dështuar të Komisionit për Çështjet Greke që të arrinte një konkluzion të caktuar në mënyrë që pastaj ta detyronin Konferencën e Paqes të merrte masa konkrete, shqiptarët në Amerikë, të shqetësuar nga deklarata e Venizellos dhe Politisit, u dërgojnë nëpërmjet Mehmet Konicës (vëllai i Faik Konicës) një telegram udhëheqësve të katër Fuqive të Mëdha, në të cilën tregojnë vendosmërinë e tyre në favor të çështjes shqiptare. Ky telegram, dërguar presidentit Wilson, Paris, 28. 03. 1919, u përgatit direkt nga mbledhja e Koncilit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës dhe u firmos nga peshkopi i lartë i Kishës Ruse në Amerikën e Veriut, Aleksandër, së bashku me 124 priftërinjtë dhe delegatët që përfaqësonin 52 kisha dhe bashkësi fetare në Amerikë.

SHQPTARËT përballë Fuqive të Mëdha, kërkojnë mbrojtjen e SHBA

Në fillim të vitit 1919, shqiptarët i kërkonin bashkësisë ndërkombëtare që SHBA të jetë mandatore për Shqipërinë. Kjo vërtetohet edhe nga një letër e federatës pan-shqiptare dërguar shefit të Departamentit të Shtetit, Robert Lansing.

Politikanët dhe emigrantët shqiptarë mendonin se në Konferencën e Parisit pjesëmarrja aktive e SHBA do të ndikonte pozitivisht në zgjidhjen e problemit shqiptar. Rezoluta e dt. 04. 01. 1919, e miratuar në mbledhjen e jashtëzakonshme të federatës pan shqiptare i bëhet e ditur Lansingut, me anë të të cilit i bëhet thirrje SHBA të merret me vendosjen e sovranitetit shqiptar nën garancinë e bashkësisë ndërkombëtare. Ata kërkojnë që në të gjitha territoret ku popullsia shqiptare është në shumicë dhe territoret e diskutueshme të zhvillohet referendum, por kjo pas ardhjes së trupave amerikane, në mënyrë që të sigurohet ajo gjendje, në të cilën popullsisë t’i jepet mundësia të shprehet lirshëm. Iniciativa për këtë ide në fillimet e Konferencës së Paqes për koordinimin e veprimtarisë së të gjithë shqiptarëve i përket Mehmet Konicës dhe pastaj dr. Adhamidhit dhe prof. Xhorxh Heronit, amerikanit me të cilin dr. Adhamidhi kishte lidhje të ngushta. Në një letër dërguar Nolit, Heron i bën me dije se nëpërmjet përfaqësisë diplomatike amerikane në Zvicër, i dërgoi Wilson-it të gjithë dokumentacionin që kishte të bënte me çështjen shqiptare.

WOODROW WILSON në Konferencën e Paqes në Paris kundërshton Traktatin e Fshehtë të Londrës

Të ndodhur përballë rrezikut të humbjes së pavarësisë shqiptarët bënë të gjitha përpjekjet për sensibilizimin e popullit amerikan dhe në veçanti të presidentit Wilson, në njohjen e problemit shqiptar, por ende nuk dihet se sa ishte arritur qëllimi, po të kemi parasysh se edhe Italia që kishte një emigracion shumë të madh në SHBA, për shumë dhjetëvjeçarë ngeli e panjohur në Amerikë. Masa e emigrantëve italianë nuk mundi t’u afrohej amerikanëve dhe të pranojë shpejt mënyrat e tyre të jetesës, ndaj amerikanët silleshin me indiferencë ndaj gjithçkaje që kishte të bënte me italianët. Edhe ndaj një zhvillimi të tillë të papritur të ngjarjeve, marrëveshjet e fshehta, duke patur parasysh që nuk ishin rezultat i pozicionimit të çastit apo i ndikimeve të rrethanave në aktivitetin diplomatik të Evropës, përfaqësojnë dhe më tej bazën më të fortë të kërkesave të Fuqive të Mëdha, sepse këto marrëveshje, pa patur parasysh formën në të cilën u nënshkruan, pasqyronin me vërtetësi dëshirën dhe kërkesat e këtyre vendeve. Krahas marrëveshjes së marsit të vitit 1915, sipas së cilës Rusia duhej të merrte Bosforin dhe marrëveshjes me Rumaninë të datës 08. 08. 1916, e cila e futi këtë të fundit në luftë në anën e aleatëve, si dhe të një sërë marrëveshjesh të tjera, siç janë ato për ndarjen e Togos, Kamerunit, Shantungut, u nënshkrua më datën 28. 04. 1915 edhe Traktati Fshehtë i Londrës. Sipas këtij traktati, Italia, për të hyrë në luftë, krahas disa aneksimeve në Mesdheun Lindor dhe Afrikë, duhej të merrte Triesten, Goricien, Trentinon, Isrian, disa ishuj në Adriatik, një pjesë të Tirolit, si dhe portin e Vlorës me rrethinat e tij. Në këtë mënyrë, Austro-Hungaria do të shkëputej plotësisht nga Adriatiku dhe Italia, me zotërimin e Vlorës, do ta kthente detin Adriatik, siç thuhej shpesh, “liqen italian” dhe, kështu, Rjeka e humbiste rëndësinë. Neni i fundit i Traktatit të Londrës ishte që ai të mbahej i fshehtë. Roli vendimtar që luajti presidenti Wilson në Konferencën e Paqes në Paris automatikisht shton problemin e qëndrimit të tij ndaj marrëveshjeve të fshehta. Se deri në ç’masë Wilson ishte i njohur me përmbajtjen e këtyre marrëveshjeve, janë pyetje të cilave mund t’u përgjigjej vetëm Wilson personalisht. Një senator (Borah) e pyeti Wilson-in më 19. 08. 1919: “Kur u njohët për herë të parë me marrëveshjet e fshehta ndërmjet Britanisë së Madhe, Francës dhe vendeve të tjera evropiane, që kishin të bënin me ndryshime thelbësore në Evropë? A mos vallë pas ardhjes tuaj në Paris?” Wilson iu përgjigj: “Pikërisht, veçse nëse ka ekzistuar ndonjë informacion në Departamentin e Shtetit, për të cilin unë nuk kam patur dijeni. Po këtë përgjigje dha edhe Shefi i Departamentit të Shtetit, Robert Lansing, duke shtuar se “këtyre marrëveshjeve asnjëherë nuk u është kushtuar vëmendje”. Megjithatë, është fakt se ministri britanik i Punëve të Jashtme, Balfur, i ka dërguar Wilson-it më datën 18. 05. 1917, një kopje të marrëveshjeve të fshehta, duke i bërë të njohur se ai e di që këto dokumente për Wilson-in nuk do të jenë ndonjë gjë e re dhe se në asnjë rast nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tij. Sipas kësaj, Wilson duhet të ketë qenë i informuar, meqenëse kishte kopjet e këtyre marrëveshjeve. Nga ana tjetër, për Traktatin e Fshehtë të Londrës u informuan në maj të vitit 1915 ambasadorët amerikanë në Paris dhe në Londër…!

Konferenca e Paqes në Paris u mbajt më 18 janar 1919, pak muaj pasi kishte përfunduar Lufta e Parë Botërore. Ajo zgjati relativisht shumë dhe i mbylli punimet më 10 prill 1920. Presidenti amerikan, Wilson, në këtë konferencë shpalosi platformën e tij, e cila konsistonte në atë që siguria ndërkombëtare duhej të vendosej jo mbi bazën e ekuilibrimit të forcës, por në atë të vetëvendosjes kombëtare, jo nga aleancat ushtarake, por nga sigurimi kolektiv. Me këtë qëndrim Wilson iu kundërvu atij qëndrimi evropian, i cili ishte për zhvillimin e një diplomacie mbi bazën e traktateve apo marrëveshjeve të fshehta. Presidenti amerikan iu kundërvu në këtë mënyrë hapur atyre që kërkonin zbatimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës, i cili u nënshkrua më 26 prill 1915, dhe që e copëtonte Shqipërinë në favor të fqinjëve, të cilët aderonin në Antantë. Ky moment kishte sjellë në atë kohë edhe bashkimin e Italisë me Antantën, duke e paraqitur atë si një ndër përfitueset nga traktati në fjalë. Mirëpo me pas do të ishte vetë Italia që, përveç marrjes së Vlorës nga ana e saj, do të kërkonte moszbatimin e nenit 7 të traktatit që parashikonte copëtimin e Shqipërisë në favor të fqinjëve. Kjo kërkesë bëhej për të mos i dhënë mundësi depërtimit sllav në territoret shqiptare. Konferenca diskutoi gjatë për të ashtuquajturën “Çështje të Adriatikut”.

Më 10 shkurt 1920, presidenti amerikan Wilson iu dërgoi kryeministrave të Francës dhe Britanisë së Madhe notën zyrtare, ku ai nuk pranonte asnjë ndryshim të memorandumit anglo-franko-amerikan të 9 dhjetorit 1919, drejtuar qeverisë italiane, të përbërë nga 6 pika. Ndërkohë që përfaqësuesi britanik Lloid Xhorxh dhe ai francez Milerand (që kishte zëvendësuar Klemansone), kishin paraqitur veç e veç, dy memorandume të tjera, përkatësisht më 17 dhe 26 shkurt 1920. Në këto dy memorandume ata mbronin pikëpamjen se “për interesat e tyre jetike”, Shqipëria duhej të copëtohej midis fqinjëve. Presidenti amerikan kundërshtoi hapur dhe prerë çdo skemë që do të shpinte në copëtimin e Shqipërisë. Më 6 mars 1920 Wilson përfundimisht u shpreh kundër copëtimit të Shqipërisë. Qëndrimi i tij pro Shqipërisë ishte gjithashtu një grusht i fortë kundër politikës së vjetër evropiane që nuk kishte dalë dot nga skemat mesjetare të pazareve me territore të vendeve të vogla. Kontributi i presidentit amerikan, Thomas Woodrow Wilson, në çështjen shqiptare kur kjo çështje ishte e rrezikuar në Konferencën e Paqes në Paris, mbeti një akt që u vlerësua gjithmonë, jo vetëm nga shqiptarët me banim në SHBA, por edhe shqiptarët në Shqipëri. Por, a mjaftonte puna dhe kontributi i emigrantëve shqiptarë në SHBA, po të kemi parasysh se populli dhe politika amerikane ishte indiferente edhe ndaj komuniteteve më të mëdha të emigrantëve që gjithashtu kishin krijuar bashkësitë e tyre dhe në këtë shtet dhe që ishin vënë në shërbim të interesave të shteteve të tyre që kërkonin copëtimin e Shqipërisë?

“ÇAJLD HAROLD” (lordi Bajron): Shqiptarët, si skocezët

– Përplasja e kryeministrit britanik, Lloid Xhorxh, me presidentin e SHBA, Wilson

Fjala e Bitëllsave: “Të gjithë ia dalim me pak ndihmë nga miqtë”, na bën të besojmë se veç punës së bashkësisë së vogël të emigrantëve shqiptarë të fillim shek. 20 mbetet për t’u vlerësuar edhe ndikimi që kanë pasur shkrimet Bajronit (“Çajld Harold”), apo “Nata e Dymbëdhjetë”) e Shekspirit dhe shkrimet e anglezes Edit Durham, e njohur si Mis Durham në opinionin evropian dhe ata amerikan. Edhe pse ngelet për t’u vërtetuar se çfarë ndikimi mund të ketë pasur vlerësimi që Bajroni iu bën shqiptarëve dhe krahasimi që ai bën mes tyre dhe skocezëve prej nga ishin gjyshërit e Wilson, tashmë kemi të dokumentuar reagimin që ai ka bërë në Paris në vitin 1919, kur kryeministri britanik, Lloid Xhorxh, në mënyrë përbuzëse i ka quajtur shqiptarët njëlloj si malësorët skocezë. Bajroni në përpjekjet e tij për të ndihmuar Shqipërinë shkruante se, në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin dorën parisë shqiptare duke i mbledhur së bashku për të zgjedhur nëpunësit e vendit dhe për të vënë përpara një statut, ata do të bëjnë atë që Evropa nuk mundi ta bëjë, gjë të cilën medoemos do ta shohë të arsyeshme. Evropa nuk duhet të tregohet e pakënaqur për një qeveri që i pëlqen popullit vetë. Më poshtë në librin “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, Bajroni, ndërsa kritikon fuqitë evropiane, i kërkon popullit të SHBA, që ta ndihmojë popullin shqiptar. “Gjashtë fuqitë evropiane krijuan shtetin e lirë të Shqipërisë, por duke mos qenë të zotët për të themeluar një qeveri, e lanë këtë vend në dorë të fatit. Megjithëse marrëveshja e Londrës u prish nga lufta, pavarësia shqiptare nuk mbeti e pabërë. Nuk ka fuqi tjetër në faqen e tokës që të kërkojë të drejtë mbi këtë vend tani veç popullit shqiptar. Italia dhe Greqia që kanë shtyrë ushtritë e veta në Shqipëri thonë se e bënë këtë vetëm për të mbrojtur pasurinë dhe jetën e vendasve. Populli i Shteteve të Bashkuara mundet ta ndihmojë këtë popull duke iu siguruar paqen dhe duke larguar anarkinë. Mundet që t’i udhëheqë shqiptarët për të formuar një qeveri të përkohshme edhe deri sa këta të vihen në udhën e drejtë të punës e të përparojnë në vetëqeverimin e tyre”. Në përpjekjet për të vlerësuar anët pozitive të shqiptarëve Bajroni i referohet edhe italianit Xhuliano duke thënë se asnjë njeri në Evropë nuk e njohu më mirë popullin dhe tokën shqiptare sesa italiani i famshëm, Markezi San Xhuliano. Asnjeri nuk mundet të thotë se shqiptarët nuk janë të zotët për vetëqeverim, sepse asnjë rast prove nuk u qe dhënë për të formuar një qeveri të vetën. Markezi San Xhuliano ka patur të drejtë, kur ka thënë: “Shqiptarët janë një fuqi e paprovuar për sa i përket vetëqeverimit, as prej vetes e as prej të tjerëve”.

Por ajo që ngelet për t’u vlerësuar në kontekstin e kohës kur janë zhvilluar ngjarjet që përcaktonin fatin e ruajtjes së pavarësisë së Shqipërisë, është krahasimi që Bajroni u bën shqiptarëve me skocezët. “Në zakone, në udhëheqje, në karakter ose në mundësi u ngjajnë shumë skocezëve të hershëm; janë pikërisht si ata të papërkulur dhe liridashës. Shqiptarët më bënë përshtypje të thellë me ngjashmëritë me malësorët e Skocisë, në veshje, në pamje dhe mënyrën e jetesës. Malet ku ata jetonin dukeshin si ato kaledoniane, por me klimë më të butë. Fustanella, porse e bardhë; shtati i thatë, trupi plot gjallëri, dialekti i tyre, që tingëllon si e folura kelte…”, -shkruan Bajron. Historiania Margaret Mekmillan, në faqen 362 të librit të saj “Paris 1919” , shkruan se kryeministri britanik, Lloid Xhorxh, (i cili, ishte stërgjyshi i saj), kishte thënë në atë kohë se: “nuk e di se çfarë do të bënin shqiptarët, nëse do të mbeteshin të pavarur, përveçse t’i prisnin gurmazin njëri-tjetrit, ashtu si në malësinë skoceze në shekullin e pesëmbëdhjetë”. Presidenti Wilson ishte përgjigjur, “Mos i përflisni malet e Skocisë; familja ime andej e ka origjinën”. Dhe kjo sipas Mekmillan, i kishte vënë kapakun çështjes. Me një të tillë frazë të vogël u shpëtua pavarësia e Shqipërisë. Woodrow Wilson ishte kthyer në Uashington në kohën e Kongresit të Lushnjës. Për të qenë të drejtë karshi tij, duhet vënë në dukje që, pasi mori vesh për Kongresin, në shkurt 1920, ai i dërgoi një notë diplomatike aleatëve të tij në mbështetje të popullit të Shqipërisë dhe kjo padyshim pati ndikim pozitiv në rezultatin përfundimtar. Gjithashtu, duhet theksuar që ai nuk do ta kishte bërë kurrë këtë, nëse vetë shqiptarët nuk do të kishin organizuar Kongresin e Lushnjës, i cili ngriti peshë popullin shqiptar për të rifituar lirinë e pavarësinë, për të çliruar vendin nga ushtritë pushtuese, si dhe hodhi poshtë synimet e planit të Konferencës së Paqes për copëtimin e Shqipërisë dhe u shpreh për moslejimin e asnjë lëshimi politik në formën e një mandati ose protektorati të huaj në dobi të shteteve apo fuqive të tjera.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com