Vështrim historik mbi shqiptarët

Prof. Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ

Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër dhe autoktonë të Ballkanit. I njohur me shumë emra si “Ilirë”, “Albanë”, “Arbëreshë”, “Shqiptarë”, përsëri qëndrojmë ndër themeluesit e qytetërimit në Gadishullin e Ballkanit edhe më gjerë. Shqiptarët e lashtë shtriheshin në pjesën kryesore të Ballkanit, duke nisur nga Veriu i Detit Adriatik deri në thellësi në Jug të Detit Jon, nga Perendimi bregdet dhe deri në Lindje në Luginën e Danubit. Ka shumë teza e hipoteza për origjinën e shqiptarëve, ajo që dominon shkencat historike, arkeologjike e gjuhësore është teza e pranuar ndërkombëtarisht dhe e bazuar në të dhëna materiale dhe të shkruara, se shqiptarët jetojnë në trojet e veta, prej shumë shekujsh dhe janë vazhdimësi autoktone e paraardhësve të tyre, ilirëve.

Ballkani kishte lëvizje dhe transformime të pandërprera të popullsisë, sidomos nga lashtësia deri në mesjetën e mesme. Në këtë proces brenda edhe vetë fiseve ilire, pati diferencime të konsiderueshme. Duke folur për transformimet brenda fiseve ilire në kohën e Perandorisë Romake, studiuesi Gjerman, E.Hosch thekson: “Popullsia në pjesën më të thellë veriore u tjetërsuan nga asimilimi dhe humbi gjuhën dhe formimin ilirjan. Në të kundërt, duke zotëruar një nivel shumë më të lartë zhvillimi, kulture dhe dallimi etnik, ilirët në jug mundën që të ruanin identitetin e tyre edhe nën Perandorinë Romake me gjithë presionin e fortë të civilizimit të saj”. Ilirët shumë shpejtë filluan të bëheshin të preferuarit e Perandorisë Romake. Në mënyrë të veçantë ata filluan të zinin vend me rëndësi në strukturat ushtarake dhe më vonë edhe politike hierarkike të Perandorisë.

Në fund të shekullit IV Perandori Teodos ndau Perandorinë në dy pjesë të pavarura; Perandorinë Romake të Perendimit dhe të Lindjes, me dy kryeqëndra Romën dhe Konstandinopojën. Vija ndarëse ishte në mes të Ballkanit, duke ndarë politikisht fiset ilire. Nga ajo kohe, vetëm provinca e Panonias me qendër Shkodrën mbeti nën Perandorinë Romake të Perendimit, ndërsa dy provincat e tjera ilire, Dacia dhe Macedonia ngelën nën Perandorinë Romake të Lindjes.

Në shekullin VII filloi dyndja masive e sllaveve në Ballkan. Sllavet u vendosën shumica në pjesën e Perandorisë Romake të Lindjes, me qendër Konstandinopojen. Dyndja sllave ishte kaq masive, e dhunshme dhe kaotike saqë ngatërroi gjithë hartën demografike dhe etnokulturore të Ballkanit. Për shqiptarët kjo është ndër periudhat më të vështira, që solli tkurrjen e tyre në më pak territore, por kurrsesi nuk solli humbjen e tyre dhe zhdukjen e identitetit.

Shekulli XI rezultoi me ndryshime fondamentale për aspektin kulturor e shpirtëror në Ballkan. Pikërisht në këtë periudhe u realizua ndarja e Kishës, në Kishën Katolike Romake Perendimore dhe Kishën Ortodokse Bizantine Lindore. Edhe vija ndarëse ndërmjet dy kishave ra mes për mes shqiptarëve, duke ndarë kristianët shqiptarë në katolikë romakë dhe kristianë ortodoksë.

Shqiptarët i mbijetuan dy prej ndarjeve më të mëdha dhe më të thella të historisë politike dhe civilizuese të njerëzimit; ndarjes së Perandorisë Romake në dy Perandori dhe të Besimit Kristian në dy kisha. Këto momente përbejnë provat më të mëdha të autenticitetit dhe identitetit shqiptar. Asnjë nga këto dy ndarje të mëdha nuk i shpërbëri shqiptarët si popull.

Që në lashtësi Ballkani kishte një dinamike të madhe demografike e politike. Ndër gjithë popujt e Ballkanit shqiptarët ishin ndër të parët që filluan organizimet e tyre të brendshme. Principata e Parë e Pavarur Shqiptare u krijua në fund të shekullit XII në territorin e Shqipërisë së sotme Qendrore, me kryeqytet Krujën. Burimet e kohës i referohen popullsisë me emrin Arbëresh. Principata u formua nga aristokracia shqiptare e pasur, e kulturuar dhe ushtarakisht e fuqishme. Që në fillimet e saj marrëdhëniet e Principatës Arbëreshe ishin jo miqësore me sllavët dhe me Perandorinë Bizantine. Si pasoje e luftës për mëvehtësi, në fillim të shekullit XIII, Principata Arbëreshe arriti të shkëputej nga Bizanti, por shumë shpejtë ra sërish nën sundimin e Despotit të Epirit në Jug, të Principatës Sllave të Zhetës në Veri dhe të Republikës së Venedikut në Perendim.

Në Mesjetën e vone, pra gjatë shekullit XIII, Arbëreshët patën një zhvillim të lartë e të shpejtë organizimi politik e shoqëror. Brenda një periudhe të shkurtër u formuan rreth 14 principata arbëreshe. Marrëdhëniet e tyre kryesisht u përqendruan me Republikën e Raguzes. Në këtë periudhe Arbëreshet u bënë objekt sulmi nga Despoti i Epirit. Pasi Despoti i Epirit u thye nga Cari Bullgar, Asen, arbëreshet ranë nën sundimin e këtij të fundit, derisa Perandroi Romak, Nikea i ofroi sërish arbëresheve vetëvendosjen.

Nga fundi i shekullit XIII, aristokracia arbëreshe filloi bashkëpunimin e ngushte me aristokracine italiane dhe franceze të kohës. Lidhjet arbëreshe me aristokracitë evropiane kulmuan në periudhën e Anzhuineve, përfshi Mbretërit Charles dhe Philip. Bashkëpunimi me Anzhuinet i shërbeu arbëresheve për të ruajtur identitetin nga sulmet që vinin nga sllavet, sidomos nga Krajli Serb dhe Mbretëria e Zhetes dhe për ta zhvilluar atë. Por, në mesin e shekullit XIV, sërish arbëreshet ranë nën sundimin e Mbretit Serb, Stefan Dushanit. Vetëm vdekja e Krajl Dushanit i dha fund sundimit sllav mbi shqiptaret.

Çlirimi nga sllavet e Stefan Dushanit krijoi hapësirë për lulëzimin e principatave shqiptare. Më të rëndësishmet ishin: Topiajt me qendër Krujën dhe simbol ”luanin”; Muzakajt me qendër Beratin dhe simbol “shqiponjën me dy krena”; Dukagjinët me qendër Lezhën dhe simbol “shqiponjën e bardhë me një kokë”; Kastriotët nisën, që të lulëzojnë më vonë, me simbol “shqiponjën e zezë me dy krena, të vendosur mbi një sfond të kuq”. Simboli i Kastriotëve do të bëhej shumë shpejt, simboli i përjetshëm i identitetit kombëtar shqiptar.

Marrëdhëniet tregtare dhe sidomos me Pricipatat e Adriatikut rigjallëruan shumë portet shqiptare. U rigjall tradita portuale e lashtë e Portit të Durrësit, Ulqinit, Vlorës dhe Lezhës. Shqipëria filloi kështu, nga fundi i shekullit XIV deri nga mesi i shekullit XV, të shndërrohej në korridorin më të madh Rajonal në lidhjet e trafikut tregtarë midis Ballkanit dhe Adriatikut, rol që do ta luante edhe në të ardhmen.

Kjo periudhë filloi me probleme të marrëdhënieve në Ballkan. Fundi i shekullit XIV shënoi fillimin e ofensivës otomane në Ballkan nga Lindja dhe nga Jugu. Rënia e Selanikut i hapi rrugë ofensivës otomane mbi veriun e Ballkanit, duke u futur përmes jugut në territoret e shqiptareve. Duke hyrë nga lugina e Lumit Devoll dhe e Lumit të Osumit në qytetin e Beratit osmanet nisen marshimin e tyre drejt pjesëve qendrore të shqiptarëve.

Në këtë ofensive përgjithësisht në pjesët e jugore dhe qendrore të vendit, osmanet nuk ndeshën në ndonjë rezistence të dukshme. E vetmja zonë ku osmaneve iu bë rezistencë e madhe ishte pjesa Veriore e Principatës së Vëllezërve Balshaj, sundimi i të cilëve niste nga Mali i Zi deri në Vlorë.

Në këtë periudhë osmanet drejtoheshin nga Hajredin Pasha, një ushtarak i lartë shumë i famshem, turk. Hajredin Pashen arriti ta ndalojë në ofensivën e tij vetëm Balsha i Dytë, i cili mund të konsiderohet i pari prijës shqiptar kristian që arriti të ndalonte ofensivën ushtarake të Hajredin Pashes dhe të hapte me këtë akt rezistencën e armatosur të shqiptarëve kundër osmaneve gjatë gjithë shekullit XV. Vetë Balsha i Dyte vdiq në krye të betejës kundër osmanëve, duke i krijuar mundësi prijësit të Kastriotëve që të merrte pozitat dominuese në Shqipërinë kristiane.

Megjithë rezisteëncën dhe skarificat e medha të shqiptarëve, sërish ofensiva osmane ishte e papërmbajtshme. Kështu, në vitin 1389, Osmanet arritën të ngjiten deri në Fushë Kosovë. Atje, shqiptaret dhe serbët, në solidaritet me njeri-tjetrin bënë një rezistencë të fuqishme për të mbrojtur lirinë, identitetin dhe besimin kristian nga Osmanët. Kjo betejë u fitua nga Osmanet.

Mbas humbjes në Fushë Kosovë situata e shqiptarëve u rendua shumë nga sulmet Osmane. Pikërisht në vitin 1392 Karl Topia, për të mos ia lënë Pricipaten e tij me qendër Durrësin, Osmaneve, u detyrua t’ia linte me testament mbas vdekjes, Republikës së Venedikut. Pikërisht në këtë periudhë edhe Gjergj Balsha e pranoi vasalitetin e Venedikut, si shprehje e kompromisit për t’u mbrojtur nga Osmanët. Në këtë mënyrë, pjesa Perendimore bregdetare e Shqipërisë, duke nisur nga Ulqini, Lezha, Durrësi dhe Vlora i mbetën nën sundim Venedikut.

Ndërsa në Veri, princat shqiptar vijuan rezistencë, duke e detyruar Sulltan Mehmetin I që të mos i përzinte ata nga trojet e tyre dhe të njihte pushtetin e tyre, nën vasalitetin e sovranitetit të tij. Kjo situatë vazhdoi deri nga mesi i Shekullit XV, kohë kur Principata e Kastriotëve do të ngrihej në Mbretëri dominuese të mbarë principatave shqiptare dhe do të bëhej faktori qendror i rezistencës anti Osmane dhe i politikës dhe diplomacisë së kohës në Ballkan.

Në Shekullin XV, shqiptarët arritën të krijojnë shtetin e unifikuar më të fuqishëm në Ballkan, të ndërtojnë institucione të brendshme të qëndrueshme për më shumë se një çerek shekulli, të përballonin me sukses ofensivat e njëpasnjëshme Osmane, të ndërtonin aleanca ushtarake dhe marrëdhënie diplomatike me vendet e Rajonit e sidomos me vendet Përendimore, duke e shndërruar Shqipërinë dhe shqiptarët në qendër të ngjarjeve dhe të historisë së Ballkanit.

Fitoret historike të Skënderbeut tërhoqën vëmendjen e shteteve fqinje dhe sidomos atyre të përtej detit, Mbretërisë së Napolit, Republikës së Venedikut dhe Shtetit të Vatikanit. Këto shtete panë te Skënderbeu, te politika dhe forca e tij një aleat potencial në mbrojtje të civilizimit Evropian dhe të mbarë kristianizmit nga sulmi otoman.

Skënderbeu, gjithashtu e kishte kuptuar se po hynte në një lojë të madhe vlerash e interesash të përbashkëta me Perendimin. Përputhja e vlerave dhe interesave krijoi bazën për aleancën e shenjtë të shqiptarëve me shtetet italiane. Përkrahësi më i madh i Skënderbeut në këtë kohë u bë Mbreti i Napolit, i cili i ofroi Skënderbeut ndihma të konsiderueshme ushtarake, pajisje dhe ndihma sanitare. Edhe Shteti i Vatikanit u afrua me Skënderbeun. Katër Papë radhazi patën në qendër të veprimtarisë së tyre të jashtme Skënderbeun. Papë Kaliktus, Papa Piu, Papa Piu II mbështetën njëri mbas tjetrit Skënderbeun e bashkëpunuan ngushtësisht me atë.

Rënia e Konstadinopojes në vitin 1453 tronditi jashtëzakonisht Vatikanin. Në këto rethana Papati dhe Skënderbeu koordinuan politikisht dhe ushtarakisht për të penguar ofensivën turke në Mesdhe.

Duke parë fuqinë e madhe të Osmanëve, Skënderbeu si një ushtarakë i zoti kërkoi që të zgjeronte aleancën me shtetet fqinje. Në këtë aleancë ai përfshiu edhe Republikën e Raguzes, Republikën e Venedikut si dhe kërkoi bashkëpunim edhe me fqinjët tokësor, Mbretërinë e Serbisë, Mbretërinë e Bullgarisë dhe Mbretërinë e Arpadit. Skënderbeu synonte të krijonte një aleancë të shenjtë me bazë vlerat e përbashkëta, por edhe interesat e përbashkëta për ruajtjen e lirisë nga Osmanët. Ai nuk rreshti së punuari për arritjen dhe aktivizimin e kësaj aleance Adtriatiko-Ballkanike. Skënderbeu ishte i bindur se pa një aleancë të tillë turqit herët ose vonë do të thyenin rezistëncen në Rajon dhe do të pushtonin gjithçka, ashtu siç ndodhi në të vërtetë pas vdekjes së Skënderbeut.

Përpjekja e Skënderbeut për të arritur aleancën e shenjtë Adriatiko-Ballkanike nuk u realizua sepse pati dy lloj kontradiktash; Së pari, shtetet italiane po gërryheshin nga kontradikta të tyre të brendshme që buronin nga rivalitete të mëdha. Së dyti, shtetet italiane dhe ato sllave ortodokse të Ballkanit nuk kishin besueshmërinë dhe mirëkuptimin aq të nevojshëm për këto lloje aleancash. Kështu konfliktit e vjetra Perendim-Lindje ndante dy anët e kristianizmit. Midis këtyre kontradiktave, rivaliteteve dhe ndryshimeve të civilizimeve, Skënderbeu mbeti relativisht i pa mbështetur. Pasojat e një veprimi të tille, shtetet italiane, Vatikani, por edhe ato të Ballkanit do t’i kuptonin vetëm mbas vdekjes së Skënderbeut. Kjo solli me radhe rënien e Krujës në vitin 1480, të Shkodrës në vitin 1501. Madje turqit sulmuan dhe pushtuan edhe qytetin Italian të Otrantos në vitin 1480. Kështu edhe Shqipëria ra nën pushtimin pesë shekullor Turk.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com