Vdekja e Skënderbeut dhe Fati i Shqipërisë, nga Armstrong, William Jackson

Përgatiti Rafael Floqi

Letërsia amerikane e kish trajtuar gjatë shekullit të 19-të gjerësisht figurën e Skënderbeut, kujtojmë poemën e të madhit Henry Wadsworth Longfellow (1802-1882) shqipëruar nga Fan Noli. Por me fillimin e shekullit të 20-të, Armstrong, William Jackson, 1841-1913 një historian dhe aktivist politik amerikan, botoi librin e tij “Heronjtë e humbjes”, shtypur nga Kompania Robert Clarke, 1905.

Ky libër është, një biografi e figurave të ndryshme historike që të nuk arritën dot t’i plotësojnë qëllimet e tyre, ku krahas Skënderbeut , Princit të Shqipërisë” përfshihen: “Kosiuszko, Heroi i Polonisë”, “Vercingetorix, Princi i Galisë, etj . Ky është një titull kaq shprehës dhe i zgjedhur, sa e bën të tepërt një parathënie për këtë vëllim që e mban atë titull. Duke sugjeruar me vend atë që ka pretenduar shpesh mendimi i atyre që kanë ndeshur me peripecitë e fatit individual në dramën e historisë. Është me të vërtetë e zakonshme të thuash se bota duartroket suksesin. Por “Heronjtë e humbjes”, është një titull domethënës për fatin e kombit tonë, pas fitoreve të Skënderbeut. Megjithatë, shkruhet në parathënie se ndoshta është po aq e vërtetë, që zemra dhe ndërgjegjja e simpatisë së njerëzimit t’i drejtohet atij që përpiqet denjësisht, fuqishëm por që edhe mund të dështojë. Drejtësia poetike ngjall besimin se triumfojnë edhe ata që, kundër një fati të kundërt, kur ndjekin me fisnikëri synimin e tyre fisnik atje, ku i çon detyra dhe ecin me hap të palëkundur në rrugën e martirizimit.

Vdekja e heroit. nga “Skënderbeu Princi i Shqipërisë”.

Kur krahu i fuqishëm që kishte copëtuar tre qind mijë armiq të Kryqit dhe kishte shmangur për gjatë një brezi sulmet e një perandorie, ra i dobësuar nën peshën e shpatës së vet. Zëri i fuqishëm që kishte trembur që nga shkëmbinjtë shqiptarë me komandat luftarake armiqtë e vendit të tij u zëpak, në një pëshpëritje: “Shkoni i përpara”, ai tha luftëtarit që i shërbente në shtrat, ndërsa u zhyt në jastëk, “Shkoni përpara, lëshojuni kundër të pafeve! Unë do t’ju ndjek menjëherë!” Dhe më pas trupë kuajsh venecianë doli nga qyteti me urdhër të ushtarit që po vdiste.

Duke besuar se Skënderbeu ishte në krye të forcave që përparonin, turqit fushuan lart mbi male, duke lënë mijëra syresh të vrarë, në një tërheqje të parregullt. Mrekullia e Cidit ishte përsëritur! Skënderbeu kishte arritur fitoren e fundit nga shtrati i vdekjes, me tmerrin që u ngjallte armiqve emrit i tij!

Duke u përmendur nga të fikët, luftëtari i rënduar, urdhëroi me qetësi punët e mbarvatjes së mbretërisë së vet dhe u nda me dashuri me familjen e vet, e më pas vijoi deri në fund, ta mbante veten me një forcë heroike, gjersa dha shpirt.

Me të mbaroi edhe pavarësia e vendit të tij. Liria shqiptare kishte ekzistuar vetëm në sajë të krahut të djathtë të mbajtur lart. Njëzet pushtime ushtari i madh i kishte zbrapsur në tokën e tij e lindjes. Një milion muslimanë ishin tërhequr para goditjes ose kërcënimit të shpatës së tij. Por, pa të pa mbrojtësin e madh të Shqipërisë që doli fitues në çdo konflikt, kauza e Shqipërisë së ardhme dukej si një kauzë e humbur.

Kjo ishte një luftë me një perandori, agresionet e së cilës ishin, si valët e detit që avanconin pakufi, të pafundme. Edhe ndërsa patrioti që po vdiste e po priste fundin e vet, valët asaj perandorie ishin ngritur edhe një herë rreth mbretërisë së tij të vogël, para përmbytjes së saj përfundimtare. Dhe mandej, kur bashkatdhetarët e tij të pikëlluar po mbanin trupin e tij për ta varrosur, flamujt me gjysmëhënë u ngritën në mënyrë tallëse mbi majat e maleve fqinje.

Për madhështinë e Skënderbeut nuk ka nevojë të flitet përtej rrëfimit të bëmave të tij.

Në vlerësimin e karakterit të tij, është jetike të kujtojmë se, në një epokë, kur idetë luftarake ishin supreme, kur mund të justifikonin plaçkitjen dhe pushtimin, shpata e tij ishte nxjerrë vetëm në mbrojtje të lirisë së vendit të tij. Sikur ai të ishte i tërhequr ndaj joshjes së ambicjes, dobësi e heronjve konvencionalë, ai do të kish pranuar shërbimin e turkut që ia ofronte pa kufi.

Komanda e ushtrive dhe fama e fitoreve të tilla, që nuk i ishin ofruar asnjë kapiteni tjetër ushtarak të kohës së tij, nuk do të ishin të tijat. Në fronin e Muratit dhe Muhametit ai do të kishte qenë si Belisarius në atë të Justinianit. Aty e prisnin nderimet dhe luksi i madhështisë lindore. Po ai zgjodhi qëllimisht të ishte mbrojtësi i një populli të vogël dhe të varfër.

Duke gjykuar për të si sundimtar, pranohet se ai kishte administruar një mbretëri më mirë se çdo sovran fqinj. Është thënë se nëse mbretërit do të ishin më të mençur se popujt dhe dashamirësit e tyre, monarkia do të ishte forma ideale e qeverisjes njerëzore. Këto cilësi duket se janë mishëruar pothuajse në mënyrë perfekte tek ky princ shqiptar. Për një çerek shekulli ai ishte idhulli i një populli, që pothuajse e adhuronte, bashkombasit i trajtoi më tepër si miq të njohur, sesa si subjekte të sundimit. Prania e tij fizike imponuese dhe shkëlqimi i tij me krahët e fuqishëm kontribuan në këtë idhujtari. Pos këtyre atributeve i shtohej një madhështi, që qe madhështia e shpirtit të tij, që i detyronte edhe armiqtë ta respektonin me dashuri. Historianët turq nuk e kanë bërë kurrë këtë gjë, por arritën të flasin me admirim, për këtë armik të frikshëm të racës së tyre osmane.

Dhe qe pikërisht si ushtar, që Skënderbeu realizoi një mrekulli unike. Është e dyshimtë nëse ndonjë kapiten i historisë e ka tejkaluar atë në dhuntitë thelbësore, apo është barazuar me mrekullitë e tij të udhëheqjes ushtarake, me bëmat e strategjisë dhe të komandës që i dhanë atij, në epokën e vet reputacionet, gati supersticioze të zotërimit të cilësive mbinjerëzore. Arritjet e tij, në të vërtetë, duket se i kanë justifikuar pothuajse besëtytninë. Shkathtësia e paskaj. me të cilën ai kapërceu ushtri të mëdha me numur forcash disproporcionale fantastike është e pa paralele në analet e historisë ushtarake.

Sfida e tij e suksesshme për një çerek shekulli kundër Muhametanizmit turk në periudhën e tij më luftarake, duke mos pasur në asnjë moment në dispozicion të tij një trupë ushtarake prej më shumë se njëzet mijë ushtarësh, është njëkohësisht një monument dhe dëshmi e zotësisë së tij së përkryer ushtarake. Ky nuk ishte si rasti i disiplinës dhe udhëheqjes së një ushtrie të qytetëruar, kundër hordhive gjysmë barbare, siç ishte shpesh ushtria e Aleksandrit apo Cezarit. Ushtritë myslimane nën kapitenët e tyre në shekullin e pesëmbëdhjetë ishin më të njohurat në botë për efikasitetin taktik. Me po këto ushtri, vetë Skënderbeu, kur u shërbente ende Sulltanëve, i pat shkatuar fatkeqësi çdo armiku të turkut.

Përfundimet për gjenialitetin e tij ushtarak janë të parezistueshme. Epërsia në luftë e epirotit të madh ishte padiskutim për shkak të zotërimit të çdo lloj talenti ushtarak që e bën një ushtar të sukseshëm. Shto këtu dhe forcën dhe magnetizmin e një personaliteti të jashtëzakonshëm, një trup gjigant, i ndezur me një guxim dhe energji të jashtëzakonshme në vetvete. Tregohet se në tërbimin e betejës, ndërsa ai pamëshirshëm godiste armiqtë e tij, gjaku rridhte zakonisht nga buzët e kafshuara. Por, qoftë në beteja apo në këshilla, gjykimi i tij ishte gjithmonë suprem. Në momentet e zakonshme, qetësia fisnike e sjelljes së tij tregonte, forcën e tij, gjerësinë dhe qetësinë e natyrës së vet, duke i iu kujtuar studiuesve të historisë kapitenë të tillë ushtarakë, si : Antoni dhe Gustavus.

Skënderbeu është krahasuar si ushtarak me Belisarin. Krahasimi është për të ardhur keq, për gjeneralin e Justinianit. Belisarius humbi aq beteja sa edhe fitoi. Ndërsa karriera e Skënderbeut ishte një seri fitoresh pa të meta. Në gjenialitetin ushtarak origjinal, ai ka pasur pak rivalë. Tetëmbëdhjetë shekuj para tij, Epaminondas zotëroi artin e domosdoshmërisë e hedhjes së një force dërrmuese në një pikë vendimtare të vijës së armikut të tij. Më tej Leuctra dhe Mantinea fituan kaq shumë me këto taktika. Dy shekuj më vonë Hamilcari praktikoi skemën e marshimeve të shpejta me manovrime, duke ia ngatërruar llogaritjet kundërshatrëve në pikën e tij të sulmit. Këto arte luftarake ishin supozuar nga shkrimtarët ushtarakë, se qenë harruar, gjer në rizbulimin e tyre nga Frederick e Marlborough në betejat e tyre të mëvonshme me Napoleonin. Por dhe ky supozimi është i gabuar, pasi të dyja këto mjete, kanë qenë instrumentet e njohura dhe të vazhdueshme, të fitoreve të arritura në shekullin e pesëmbëdhjetë nga Skënderbeu.

Kur populli dhe familja e pikëlluar e Epirotit të madh e vendosën trupin e tij me nderim në kishën katedrale të Shën Nikollës në Lezhë. Nëntë vjet pas varrimit të tij, një hordhi ushtarake turke hyri në katedrale dhe shkatërroi arkivolin e tij, duke e copëtuar skeletin e tij në copa të vogla për t’u shpërndarë me syresh si hajmali, kundër frikës në betejë – si haraç i besëtytnisë turke ndaj guximit, të armikut të tyre më të fuqishëm! Sot nuk ka një grusht pluhuri nga eshtrat e heroit, që të shenjtëronte ndonjë vend të njohur të tokës shqiptare, por kujtimi i tij i mbajtur pas katërqind vjetësh është i gjallë në dashurinë e bashkatdhetarëve të tij, si në ditët pas vdekjes dhe është më i nderuar një kujtim krenar i madhështisë së tij, sesa dhe varri më madhështor.

Nuk ka pasur asnjë njollë në famën e shqiptarit të madh.

Arsyetimi i ngushtë i Gibbon-it për tradhtinë e tij të pretenduar ndaj Muratit, në largimin e tij të papritur nga fusha e betejës së Nishit i vjen erë. Me etikën e tij të turbullt, do të pajtohen vetëm natyra aq të ashpra sa ajo e historianit të Perandorisë Romake. Nëse rrëmbimi me dhunë e shqiptarit nga vendi i tij që fëmijë i brishtë, vrasja e vëllezërve dhe marrja e mbretërisë së tij me tradhti, nuk japin justifikimin e mjaftueshëm për rikuperimin e të drejtave të tij ndaj vendit të vet, edhe nëse do të kishte nevojë për akte të tilla. Veprimet e Muratit me metoda dredharake, do të ishte e vështirë të imagjinohej që ndonjë veprim njerëzor, të justifikohej nga paraardhësit e tij. Për njerëzit mesatar dhe normal, historia e një princi, i shkëputur pothuajse qysh në foshnjëri nga farefisi dhe besimi i tij dhe i zvarritur në skllavëri në një oborr oriental, për të rifituar lirinë e tij, duke përjetësuar emrin e vendit të vet me shkëlqimin e veprave të tij, do të mbetej një përrallë që drejtësia e poezisë aq magjepsëse dhe e kënaqshme sa do të linte pak vend për kënaqësi dhe përpërsosjet etike, për detyrimet, ndaj një tirani të papenduar.

Emri i Skënderbeut është një stoli e historisë. I parë përmes thjerrëzave të katër shekujve, ai shihet në mes të epokës gjysmë të fryrë mesjetare, një figurë vigane me shpirt të lartë, që luftoi për Lirinë dhe Ndërgjegjen, beteja të mrekullueshme që lanë gjurmë dhe interes njerëzor në fushw betejat e Evropës Jugore.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com