VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN DHE VITIN E RI 2024

Të nderuar bashkombas,

Të dashur vëllezër e motra vatranë,

lejoni që në emrin tim personal, të familjes sime, të Federatës Pan –Shqiptare të Amerikës VATRA dhe të gazetës DIELLI, t’ju uroj: Gëzuar e Përshumëvjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2024.

Kaluam një vit të shkëlqyer me plot sfida e arritje. Këtë vit ishim më afër Kosovës, Shqipërisë, trojeve etnike e komunitetit tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e Vatrës në Selinë e Shenjtë, Vatikan, pritje – përcjelljet e Presidentëve, Kryeministrave, Kryeparlamentarëve, Ministrave, Kryebashkiakëve, politikanëve e patriotëve nga Shqipëria, Kosova, e trojet etnike e kthyen Vatrën në një “Seli të Shenjtë” të shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dashur vëllezër e motra:

Përzëmërsisht uroj për ju e familjet tuaja çdo bekim, sukses, paqe dhe mirësi në këtë Krishtlindje e Vit të Ri. Lindja e Krishtit është një festë e madhe e cila na kujton të jemi më solidarë, më të bashkuar dhe më të dashur me njëri-tjetrin. Si Vatranë dhe shqiptaro-amerikanë në vitin e ri që po vjen, lutemi dhe do të punojmë për mirëqënien e çdo shqiptari kudo ku vepron, jeton e punon; Shqipëri, Kosovë, Trojet Etnike e kudo flitet, gëzohet dhe festohet shqip. Në këtë Vit të Ri uroj të kemi më shumë gëzim për të festuar e sa më shumë shpresë për mirëqënie e zhvillim si Vatër e komunitet shqiptar. Uroj të kemi sa më shumë ditë të lumtura, të bekuara e më të begata për shqiptarët në çdo cep të globit.

Fuqia hyjnore i udhëheqtë hapat tanë dhe ndriçoftë mendjet e zemrat e atyre që e kanë humbur rrugën, logjikën dhe moralin.

Uroj dhe lutem për paqe, për besim dhe lumturi në familjen e çdo shqiptari. Begatia, gëzimi, lumturia, dashuria dhe bekimi i madhit Zot mbretëroftë në çdo vatër të familjeve shqiptare.

GËZUAR

Zoti i bekoftë shqiptarët, Shqipërinë, Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqtë dhe aleatët e kombit tonë.

Më gëzim dhe lumturi për ju

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

New York, 24 Dhjetor 2023

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com