“Vatra”, ura të reja komunikimi me komunitetin dhe bashkatdhetarët kudo në botë

Në një përpjekje për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të një komunikimi më të shpejtë dhe më përfshirës, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës  “Vatra”, ka rikonceptuar prezantimin online, duke sjellë pranë bashkatdhetarëve këtë mundësi komunikimi e prezantimi si dritë shprese. Për ta bërë komunikimin përmes internetit një mundësi atraktive dhe një qasje për të qenë të gjithë të përfshirë. Sepse vetëm përmes një prezantimi dinjitoz, profesionalisht korrekt, informimi për ngjarjet dhe shqetësimet kombëtare ne do të mund të sjellim Vatrën në çdo votër shqiptare.

Vatra, ky organizëm që kapërceu shekullin në betejat e saja për promovuar dhe mbrojtur çështjen shqiptare, sot kërkon rizgjim të asaj vetëdijeje që udhëpriu etërit e saj 111 vite më parë, për të ngadhënjyer mbi pengesat dhe privimet, i mbështetur te SHBA-të, aleati dhe përfaqësuesi kryesor i interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Me www.vatrafederation.com, të suportuar nga gazeta “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, ne do të kemi mundësi të ngremë ura bashkëpunimi, komunikimi, gjithëpërfshirjeje dhe bashkërëndimi të obligimit tonë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.

Koha, me ndryshimet e hovshme, e bën imperative rishikimin e të gjithë mjeteve dhe mekanizmave, rivitalizimin e tyre në shërbim të kauzës sonë kombëtare. Çdo kohë vjen me nevojën e saj të ngutshme për të ndryshuar gjërat, për ta bërë komunikimin gjakun e kohës.

Shpresojmë dhe besojmë se do ta përmbushim këtë detyrim që kemi ndaj bashkatdhetarëve dhe kombit, duke u mëkuar nga këshilla e shenjtores shqiptare, Nënë Tereza, “Të bëjmë gjera të vogla me dashuri të madhe”.

Editorial @vatrafederation

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com