VATRA SQARON MEDIAT DHE OPINION PUBLIK 

Kryesia e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” u mblodh me urgjencë ditën e djeshme më datë 11 Shkurt 2024 për të analizuar një ngjarje të rëndë dhe të paprecedentë në historinë 112 vjeçare të Federatës Vatra ndodhur në Selinë Qendrore të Vatrës. Në indinjatë të thellë, Kryesia e Vatrës, pas mbledhjes, në unanimitet lëshoi këtë deklaratë:

Të dashur vatranë e bashkatdhetarë: më 10 Shkurt 2024, në orën 12.30 pm, një grup aventurierësh uzurpoi për disa orë Federatën Vatra dhe gazetën Dielli duke bllokuar institucionin e zyrtarët e Vatrës në ushtrimin e detyrave funksionale.

Ky grup mjeranësh të mbështetur nga forca të errëta antishqiptare, pikërisht në javën e festimit të 16 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës ku Vatra zhvillon festë e simpozium për Kosovën, antikombëtarët të frymëzuar nga qarqe të caktuara që nuk duan Vatrën e kombin shqiptar, kryen aktin më të tmerrshëm në historinë 112 vjeçare të Federatës Vatra, duke shkallmuar e marrë peng institucionin më të vjetër patriotik shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Asnjë tradhëtar që bën lojën e antishqiptarëve me qëllim pengimin e veprimtarisë së Vatrës në shërbim të Kosovës, kombit shqiptar e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do ta ndalë kurrë punën e shenjtë të Vatrës për komb e atdhe.

Vatra e dënon këtë akt vandal e brutal si të turpshëm, të pamoralshëm, të neveritshëm, të papranueshëm dhe të dënueshëm. 

Përsonat që moren pjesë në ketë akt të shëmtuar nuk do të jenë kurrë më pjesë e Vatrës. Këta persona ilegjitimë janë turpi i kombit e i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këta keqbërës do të ndëshkohen me forcën më të ashpër të ligjit amerikan për shkeljet e njëpasnjëshme të ligjit në SHBA, thyerjen e Kushtetutës së Vatrës, prishjen e imazhit e prestigjit të Vatrës e kombit shqiptar.

Ky akt mesjetar, shtazarak e kafshëror i uzurpimit, presionit, shantazhit, dhunës dhe terrorit që bie ndesh me civilizimin demokratik e qytetërimin perëndimor do të refuzohet përgjithmonë prej vatranëve e shqiptarëve patriotë.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra falënderon Policinë e New York e cila pasi verifikoi dokumentacionin zyrtar të Vatrës urdhëroi kthimin e institucionit nën kontrollin e autoriteteve zyrtare institucionale të Federatës Vatra. 

Federata Vatra ju bën thirrje shqiptarëve të Amerikës dhe opinionit të gjërë publik që të refuzojë me neveri këtë celulë bolshevike me origjinë tepër të dyshimtë, e cila sa herë Kosova ka nevojë për shqiptarët e Amerikës, këta gjakprishur përpiqen të ndajnë e përçajnë shqiptarët e Amerikës. 

Puna e Federatës Vatra e gazetës Dielli në shërbim të Kosovës, kombit shqiptar e komunitetit do të vazhdojë përjetë e mot. 

Në adresë të Vatrës dhe Diellit kanë ardhur me qindra telefonata e mesazhe mbështetëse nga Vatranë e shqiptaro-amerikanë që denojnë ashpër këtë akt barbar, të turpshëm e të neveritshëm!

Vatra i falenderon dhe shpreh mbështetjen maksimale ndaj autoriteteve funksionale të Vatrës të cilët me qetësi e qytetari përballuan me dinjitet këtë agresion të paprecedentë, propagandë e sulme fyese e dingruese të përsëritur prej 2 vitesh në dëm të Vatrës, Diellit e drejtuesve të tyre.

Në përfundim të analizës së ngjarjes, Kryesia e Vatrës votoi me 11 vota pro dhe 1 votë abstenim për përjashtimin nga Vatra të z.Mark Mrnaçaj, z.Nazo Veliu, z.Ramiz Mujaj, z.Prend Qetta, z.Muhamet Omari dhe z.Idriz Lamaj për shkelje të Kanunores së Vatrës. Shkelësit e ligjit iu referuan autoriteteve ligjzbatuese. Më herët Vatra ka përjashtuar z.Valentin Lumaj dhe z.Agustin Mirakaj të cilët gjenden në Gjykatën Federale të Bostonit ku po përgjigjen për akuzat dhe shkeljet ligjore.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra i bën thirrje opinionit publik, komunitetit shqiptar dhe medieve që të mos bien pre e mashtrimeve të kësaj bande antishqiptare që mashtron, ndan e përçan shqiptarët në Amerikë. 

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com