Vatra si aset i çmuar i kombit shqiptar

Dr. Dritan Demiraj

Personalisht jam një individ që kam vetëm pesë vjet si anëtar i Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, por gjatë këtyre pesë viteve kam patur kënaqësinë dhe privilegjin që t’i bashkohem kësaj organizate padiskutim më e vjetra dhe më me shumë vlera kombëtare se të gjithë organizatat e tjera të cilat veprojnë në komunitetin Shqiptar në SHBA dhe në Kanada.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” ka ndjekur me vëmëndje, përgjegjësi dhe shqetësim të thellë situatën dhe zhvillimet politike në Republikën e Kosovës, Republikën e Shqipërisë dhe Ballkanin Perëndimor dhe në të gjitha rastet ka qënë e vëmendshme për të reaguar, bashkëpunuar dhe asistuar qeveritë përkatëse duke lobuar kudo në institucionet Amerikane me të gjitha mundësitë e saj.

Thënë kjo sa më lartë, Federata Pan-Shqiptare “Vatra” i ka bërë dhe do të vazhdojë të mbështesë çështjen kombëtare duke ndjekur shembullin e drejtuesve të saj të ndritur Faik Konica dhe Fan Noli. Pra e gjithë veprimtaria e saj duhet vlerësuar, mbështetur dhe vlerësuar si një aset i vlefshëm kombëtar në diasporë.

Vitet e fundit, kemi parë që kryetari i saj z. Elmi Berisha dhe drejtuesit e tjerë të lartë të saj kanë intensifikuar punën e tyre për të rritur numrin, cilësinë e anëtarësisë dhe aktivitetet e saj jashtë Amerikës, të cilat kulmuan me vizitën e delegacionit të saj në Republikën e Kosovës, një aktivitet gjithëpërfshirës ku i gjithë lidershipi i Kosovës që nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, Kryetari i Bashkisë Prishtinë dhe institucionet akademike shprehën dëshirën për rritjen e bashkëpunimit institucional me ‘Vatrën’.

Fatkeqësish prej një periudhe dy vjeçare kemi parë, dëgjuar dhe lexuar veprime dhe shkrime të cilat jo vetëm që nuk i bëjnë mirë ‘Vatrës’ por po ulin dinjitetin e institucionit të saj dhe të vetë personave të cilët mendojnë se mund ta trajtojnë atë si plaçkë ose gënjejnë veten se mund ta marrin atë me dhunë në vendin e demokracisë botërore. Dhe për më tepër kjo bëhet qesharake, kur në ‘punët’ e ‘Vatrës’ futen edhe individë të diskretituar në New York dhe Shqipëri të cilët përveç vjedhjes së fondeve nëpërmjet mashtrimit nuk i lidh asnjë tjetër me çështjen kombëtare Shqiptare.

Të mendosh sot në vitin 2023, se mund të ‘rrëmbesh’ me forcë një institucion të zgjedhur në mënyrë demokratike në mes të New Yorkut, tregon se personat që bëjnë thirrje për veprime të tilla ose janë në gjendje të rënduar psikologjike, janë delirantë, nuk jetojnë me realitetin ose kanë ngelur prapa me kohën në qytetin, fshatin ose katundin e Shqipërisë të viteve 1960 nga e kanë prejardhjen, ku sejcili e gjente zgjidhjen sipas dëshirës së tij.

Vatra nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet pa dinjitet nga një grup njerëzish të pamoralshëm, të cilët në vend të kontributit po i mëshojnë përçarjes, sharjeve, fyerjeve dhe veprimeve të pamoralshme të cilat përveç ‘Vatrës’, po i diskretiton edhe ata përfundimisht. Askush nuk mund dhe nuk do ta shfrytëzojë asnjëherë ‘Vatrën’ për prestigj, madhështi dhe inatet personale, aq më tepër personat ‘donkishoteskë’ tashmë të diskretituar në diasporë që skanë asnjë lidhje me ‘Vatrën’ dhe ju gënjen mendja se i pyet njeri.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com