Vatra, shpirti i shenjtë i patriotizmës dhe shqiptarizmës

Andrea Sotir Pani

Ngritja e degës së Vatrës në Boston është një eveniment historik që unë si stërnip i Josif Panit, nip Vasil Panit dhe i biri Sotir Panit i edukuar me atdhedashurinë dhe i rritur me historinë e Vatrës ju bashkëngjita grupit organizues të Bostonit dhe kandidova për të dhënë kontributin tim për këtë organizatë të vyer me histori unike dhe të lavdishme patriotike. Falenderoj të gjithë vatranët e vjetër dhe të rinj të Bostonit, kryetarin e Vatrës, kryesinë, Këshillin dhe të deleguarit e kryesisë së Vatrës që ndodheshin në kuvënd për nderin dhe respektin që kanë treguar për famijen Pani ndër vite dhe sërishmi në kuvëndin zgjedhor të Vatrës së Bostonit. Falenderoj të gjithë pjesëmarrësit për nderimin dhe respektin që më bënë si person, si histori familjare dhe mbi të gjitha si Vatër e të gjithë shqiptarëve të Amerikës. Amaneti, nderi dhe respekti, fjalët e z. Malota i cili solli në jetë një dialog midis Kostë Çekrezit dhe Vasil Panit mi njomën sytë. Urime z.Mentor Maksutaj dhe suksese degës së Vatrës Boston. Uroj që Vatra të eci gjithmonë në gjurmët dhe me idealin e atyre që e themeluan. Rrënjët e saj duhet të ushqehen nga brezi i ri që të mos shuhet kurrë, por ta trashëgojmë nder breza. Unë jam gati të ndihmoj për këtë mision dhe betohem në emër të Zotit dhe për këtë flamur që do ta mbaj amanetin e të parëve të mi dhe do bëj ç’është e mundur për ta pasuar tek pasardhësit e mi. Jam krenar dhe i gëzuar që Vatra qëndron e shenjtë, shpirti i patriotizmit dhe

shqiptarizmës qëndron i gjallë në zemrat tona. Me krijimin e Vatrës Boston komuniteti shqiptar i Bostonit dhe rrethinave të tij u zgjua nga gjumi i gjatë letargjik. Falenderimet më të veçanta i takojnë grupit organizator për punën e shkëlqyer. Këtij grupi patriotik me vizion unë iu bashkëngjita që në hapat e para i frymëzuar nga vepra e atyre që themeluan dhe e mbajten Vatrën gjallë ndër dekada. Midis tyre, stergjyshi dhe gjyshi tim Josif e Vasil Pani kanë pasur një rol dhe ndikim jashtëzakonshëm. Ata luftuan me penë, pushkë dhe të holla për atdheun

dhe mëmëdheun e tyre. Vasil Pani financoi personalisht në vitet e depresionit të madh për

ta patur Vatrën edhe sot të fortë e trashëguese të jetëgjatësisë historike. Faik Konica në gazeten Dielli është shprehur: “Josif Pani ishte një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të kthejllta, një bashkëpunëtor imi i vjetër dhe një mik i patundur”. Ndërsa Noli shprehet se Vasil

Pani ka qenë gjithmonë në ballë të taborrit të shqiptarizmës”. Duke marrë pjesë në punën patriotike të Vatrës në Boston, i qëndroj besnik misionit patriotik dhe amanetit të të parëve të mi të cilët me patriotizmin e tyre më frymëzuan dhe edukuan me dashurinë për atdheun tim. Historikisht shqiptari ka qenë dinjitoz, i qetë dhe krenar se ka luftuar për atdheun dhe mëmëdheun e tij. Ne po e forcojmë Vatrën në vendlindjen e saj në Boston. Mendoj që duhet të punojmë fort dhe t’ia lëmë stafetën brezit të ri që Vatra të ketë një të ardhme të sigurtë dhe të ndritur si vetë historia e saj. Nderim dhe respekt themeluesve të Vatrës dhe atyre që e mbajtën Vatrën gjallë deri më sot. Zoti na ndihmoftë që të trashëgohet brez pas brezi. Rroftë populli shqiptar, kombi shqiptar dhe miqtë tanë kudo ku ndodhen.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com