VATRA PROMOVOI VEPRËN E SHKRIMTARES SABIJE DERVISHI VESELI

Sokol Paja

New York, 27 janar 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” promovoi veprën e shkrimtares Sabije Dervishi Veseli. Përfaqësues të organizatave shqiptare në New York, New Jersey e më gjërë, shkrimtarë, aktivistë, profesorë, artistë, mësues, veprimtarë e gazetarë e kthyen Selinë e Vatrës në një auditorium akademik kushtuar letërsisë moderne. Ekspertë të letërsisë shqipe, gjuhësisë, letërsisë moderne e përkthimit nxorën në pah cilësitë e krijimtarisë letrare dhe artistike të shkrimtares Veseli.

Editori i Diellit e cilësoi veprën e shkrimtares Sabije Dervishi Veseli një kontribut të madh për prozën moderne shqipe dhe letërsinë shqipe në diasporën e Amerikës. Sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj përshëndeti në emër të Vatrës e vatranëve duke përgëzuar shkrimtaren Sabije Dervishi Veseli për krijimtarinë letrare e familjen Veseli për mbështetjen ndaj Vatrës e aktiviteteve patriotike në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nën prezantimin elokuent të kryetarit të shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Mhill Velaj, i cili lexoi kumtesën e gazetarit nga Shqipëria Arjan Zoto që renditi vlerat specifike të prozës moderne të shkrimtares Sabije Dervishi Veseli, promovimi u prit në mënyrë të shkëlqyer nga komuniteti.

Studiuesi Bexhet Asani theksoi se shkrimtarja Sabije Veseli kultivon një zhanër të romanit “sui generis”, e që ky lloj i romanit është pëlqyer shumë nga lexuesi amerikan. Mund të them pa drojë se asnjë nga shkrimtarët e lartpërmendur nuk ka arritur të pushtojë tregun dhe panairet amerikane të librit si romancierja Sabije Veseli. Presidenti i shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Adnan Mehmeti në fjalën e tij u ndal te talenti i shkrimtares Sabije Dervishi Veseli dhe hyrja e saj e fuqishme në industrinë e botimeve në gjuhë të huaj.

Aktivistja Moza Dajçi në fjalën e saj kërkoi një minutë heshtje për gratë shqiptare të vrara dhe cilësoi se Sabije Veseli të shkruarin e ndjen si pjesë të jetës së saj, e ka frymëzim shpirtëror që e posedon dhe ja ka dhuruar Zoti. Shkrimtarja Bora Balaj përshëndeti promovimin ndërsa këngëtarja Sebahat Berjaolli foli rreth aktivitetit të Sabije Veselit në shoqatën “Marigona” dhe këndoi për të pranishmit këngë kushtuar atdheut.

Harun Pollozhani, Imami i Riverdale e cilësoi promovimin si një të madhe për librin shqip. Ai referoi një shembull nga media amerikane e viteve 1900 duke e cilësuar alfabetin shqip si nëna e alfabetit latin e grek. Shkrimtarja Sabije Dervishi Veseli në fjalën e saj falënderoi Vatrën për promovimin, shpalosi ëndrrat e fëmijërisë, krijimtarinë e saj dhe sfidat e botimit në të ardhmen. Doktor Nashir Kica përgëzoi mbesën për arritjet në letërsinë moderne shqipe. Për të gjithë të pranishmit familja Veseli shtroi një koktej në përfundim të promovimit.

TV Kultura Shqiptare ndoqi nga afër takimin dinjitoz në Vatër, në shtëpinë e shqiptarëve të Amerikës.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com