VATRA PROMOVOI VEPRËN E AUTORIT AUREL NAQI

Sokol Paja

New York, 10 Shkurt 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” promovoi veprën e autorit Aurel Naqi.

Ekspertë të letërsisë shqipe, gazetarisë, filmit e përkthimit diskutuan dhe analizuan në detaje cilësitë artistike dhe letrare të z.Aurel Naqi. Studiuesja e historisë Valdete Cenalia në prezantimin e saj u shpreh se autori në veprën e tij mban me shpresë lexuesin, ëndrrat, talentin në aktrim e krijimtari dhe shfaq jetën në Amerikë dhe krijimtarinë e tij në poezi, film e kinematografi e sidomos pasionin për letërsinë e autorësinë në tekste këngësh.

Romancieri Mëhill Velaj përshëndeti në emër të Vatrës e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë duke i emocionuar të pranishmit duke recituar një poezi për nënën dhe dashurinë, shkruar nga Aurel Naqi. Kritiku letrar Kastriot Fetahu në kumtesën e tij u shpreh se lirikat e Aurel Naqit i ngjajnë rrezeve të diellit në maj që ëmbëlsisht pushtojnë botën. Lirikat dinë të emocionojnë lexuesit, emocione të krijuara në fshehtësi të qenies njerëzore. Z.Naqi shfaqet si poet lirik që krijon për nënën, fuqia e dashurisë në krijimtarinë e tij. Gazetari Beqir Sina në fjalën e tij u shpreh rreth njohjes me poetin e prozatorin Aurel Naqi, karrierës së tij në kinematografi dhe cilësive të krijimtarisë letrare.

Në fjalën përmbyllëse autori z.Aurel Naqi falenderoi Vatrën, kumtuesit, kritikët letrarë e pjesëmarrësit duke shpalosur para të pranishmëve aspekte për prozën dhe poezinë e tij, kinematografinë, romancën, dashurinë, emocionet, kritikën e muzën krijuese. Në përfundim Vatra shtroi një koktejl për të gjithë të pranishmit. Takimi u pasqyrua edhe nga TV Kultura Shqiptare dhe “USAlb Tv”.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com