VATRA priti kryetarin e Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama

Rafaela Prifti

New York, 20 Shtator 2023 – Kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në zyrat e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. I shoqëruar nga Këshilltarja e posaçme Jonada Jashari dhe Koordinatori për investime Astrit Panxha, Kryetari i Prishtinës Rama u prit nga Kryetari Elmi Berisha, Kryetari i Nderit Agim Rexhaj, Anëtarë të Kryesisë Besim Malota,  Dr. Pashko Camaj, Bashkim Musabelliu e vatranë të tjerë. Në fjalën e mirëseardhjes z. Berisha e foli për rëndësinë e kultivimit të marrëdhënieve dhe forcimin e bashkëpunimit edhe më tutje.  Z. Rama, i emocionuar për vizitën e tij të parë në Vatër, falenderoi vatranët për mikpritjen dhe shprehu nderim e mirënjohje për rolin e Vatrës në historinë e kombit shqiptar dhe veçanërisht ndihmën për shtetin e Kosovës. “Synimini i vizitës është konsolidimi i marrëdhënieve me shtetin amerikan,” tha z. Rama. Prishtina është tashmë anëtare e Rrjetit të Qyteteve me Potencë (Strong Cities Network) një nismë me rëndësi për prespektivat ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

“Kultivimi i lidhjeve midis Vatrës dhe Prishtinës e Kosovës është dëshmuar në çdo kohë.”

Kryetari i Vatrës Elmi Berisha vlerësoi Memorandumin e Bashkëpunimit me Parlamentin e Kosovës dhe Ministrinë e Jashtme e të Diasporës në Kosovë si nismë që ka ndërmarrë Vatra me qëllim afrimin e mërgatës me shtetin amë.

“Përsa i takon lidhjeve shpirtërore me shqiptaro-amerikanët, ato kanë vend të veçantë,” tha Kryetari i Komunës së Prishtinës. Ai vlerësoi veçanërisht rolin shtetformues të Vatrës në udhëkryqe të historisë së Shqipërisë dhe për Kosovën në momente kyçe. Duke sjellë në mend organizimin e komunitetit në vitet 90-të, ai përmendi përjetimet e para të cilat i ndjen sa herë është në mesin e shqiptaro amerikanëve këtu. “Që nga vizita ime e parë në Nju Jork nga Londra në 1996 kur kam parë tubimin e bashkësisë shqiptare në Amerikë kam besuar për herë të pare se Kosova do arrinte pavarësinë.” 

Duke ju referuar tensionimeve të kësaj periudhe dhe situatës së sigurisë në Kosovë si edhe ngërçit në dialogun me Serbinë, z. Përparim Rama tha “Sfidat na tregojnë se nuk duhet të ndalen përpjekjet për konsolidimin e shtetit, “dhe në këtë kontekst parësore janë siguria, sundimi i ligjit dhe ekonomia”. 

Z. Agim Rexhaj, Kryetar Nderi i Vatrës tha se e çmon kulturën qytetare të Kryetarit të Komunës së Prishtinës si “shembull i ecurisë për shqiptarët,” pavarësisht aderimeve politike e partiake. Anëtari i Kryesisë Dr. Pashko Camaj ju tha mysafirëve se VATRA është shtëpia e shqiptarëve ku ata priten me derën hapur.

Vizita e parë në Vatër e Kryebashkiakut Rama dhe ekipit të tij do të pasohet nga takime të tjera gjatë javës së qëndrimit në Nju Jork, ku po mbahet Asambleja e Pergjithshme e OKB-së.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com