“VATRA” në Boston mbylli fundjavën kushtuar Pavarësisë së Kosovës

Flamur VEZAJ

“VATRA” e Bostonit e mbylli fundjavën duke ia kushtuar 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me këngë, valle tradicionale dhe poezi.

Pas ngritjes së flamurit të Kosovës në sheshin e Bashkisë së Bostonit dhe leximit të dy Proklamatave të firmosura nga Guvernatorja e Shtetit të Massachusetts dhe Kryetarja e Bashkisë së Bostonit që deklaruan 17 Shkurtin 2024 si “Dita e Kosovës”, “VATRA” e Bostonit shtroi një darkë për nder të kësaj dite.

Në ambientet e një salle të madhe në veri të Bostonit, e zbukuruar me ngjyrat e flamurëve të Kosovës, Shqipërisë dhe Amerikës, u bashkua komuniteti shqiptar për të festuar së bashku këtë ngjarje historike për Kombin Shqiptar. Rreth “VATRËS”, për të festuar, u bashkuan shqiptarët nga të gjitha trojet që jetojnë në shtetet e Massachusetts, New Hampshire dhe jo vetëm. Festës i’u bashkuan edhe shoqatat e tjera të rëndësishme të komunitetit shqiptar si “MaasBesa”, “Albanian Fighting Cancer”, “Klubi Social ‘Çunat e Bostonit'” etj., si dhe përfaqësues të nderuar të “VATRËS” qendrore, Arkëtari z. Besim Malota që erdhi nga shteti Connecticut si dhe z. Anton Rraja, një nga vatranët e vjetër që erdhi nga Nju Jorku.

Festa nisi me intonimin e tre himneve, të Amerikës, të Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Më pas Kryetari i “VATRËS” në Boston z. Mentor Maksutaj, i përshëndeti mbi 250 të pranishmit me fjalët: “Shqiptarë, Gëzuar 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”! Më pas ai vazhdoi me kujtimet e luftës, jetën e vështirë të familjes së tij dhe gjithë shqiptarëve të Kosovës nën sundimin Serb si dhe përshkrimin e rrugës së emigrimit në Amerikë. Z. Maksutaj u shpreh se ishte i lumtur për prezencën e shoqatave shqiptare, duke premtuar një bashkpunim të vazhdueshëm me të gjithë për të mirën e komunitetit shqiptar, Kombit Shqiptar dhe atij Amerikan. Në fund, z. Maksutaj tha se gjatë mbrëmjes festive, i’u bashkuan “VATRËS” në Boston edhe 10 anëtarë të rinj.

Fjalë të ngrohta me urimet e Kryetarit të “VATRËS”, z. Elmi Berisha, i përcolli Arkëtari i saj z. Besim Malota, i cili vlerësoi Degën e “VATRËS” në Boston për angazhimet serioze brenda një kohë shumë të shkurtër.

Në emër të Shoqatës “MaasBesa”, të pranishmit i përshëndeti Zv/Kryetarja znj. Jorida Qirollari, e cila uroi të gjithë shqiptarët për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si dhe “VATRËN” gjithashtu.

Nga Klubi Social “Çunat e Bostonit” foli z. Artian Rrëza, duke shprehur gadishmërinë e bashkëpunimit për çështjet kombëtare me “VATRËN” dhe gjithë shoqatat shqiptare!

Fjalimet u mbyllën me një poezi në gjuhën shqipe të 15 vjeçares të lindur në SHBA, Zana Nallbani, vajza e vatranit nga Kosova z. Freskim Nallbani.

Ndërkohë festa vazhdoi me dy lojra shpërblyese, ku u shortuan dhe u shpallën fitues të tre BOX-eve me abonim falas për 6 muaj nga TV-Alb me kanale shqip si donacion.

Dhe kompania “AR LLC” që përfaqëson në Massachusetts, kompaninë e pijeve energjike nga Kosova “Golden Eagles” duke dhuruar disa arka me pije energjike.

Më pas festa vazhdoi me këngëtarët Gëzim Nika dhe Griselda Pepa të cilët krijuan një atmosferë shumë të bukur me këngë patriotike e popullore të të gjitha trojeve shqiptare.

Festa mbaroi pas mesnate me fjalët e Kryetarit të “VATRËS” në Boson, i cili falenderoi të gjithë shqiptarët që i’u bashkuan “VATRËS” për ngritjen e Flamurit të Kosovës dhe darkën e shtruar me këtë rast, duke i premtuar të gjithëve se do të shihemi në evenimentin e radhës të organizuar nga “VATRA” në Boston!

Foto:Subi Çako etj

#FaleminderitTeGjitheve#

#followers#highlights

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com