VATRA, EKSPOZITË ME RASTIN E 16 VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Sokol Paja

New York, 13 Shkurt 2024- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra me rastin e 16 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Selinë Qendrore organizoi një ekspozitë të Prof.as.dr Salih Krasniqit që trajton krimet serbe në Kosovë në fushën e mjekësisë. Përveç ekspozitës, në librin dhuruar Vatrës shfaqen në detaje vrasjet makabre të stafit mjekësor, fëmijëve e pacientëve prej forcave serbe në Kosovë. Një ekspozitë dhe libër që trondit opinionin publik mbi makabritetin e pashembullt të gjenocidit të forcave serbe mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Miqtë u pritën në Vatër nga editori i Diellit i cili ekspozoi rëndësinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Federatës Vatra e gazetës Dielli për çështjen kombëtare dhe Kosovën në veçanti. “Në çdo protestë, tubim, demostratë, organizim, nismë, fushatë për lirinë e Kosovës dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, Vatra e Dielli kanë qenë prijës të padiskutueshëm” u tha të pranishmëve editori i Diellit.

Prof.as.dr.Salih Krasniqi shprehu mirënjohjen për Vatrën si kështjellë shqiptarie në Amerikë dhe filantropin Ramiz Tafilaj e Safet Martinaj që ndihmuan në botim e librit, gjithashtu dhe Mehmet Mjekun si ndihmës dhe mbështetës i veprimtarisë së tij publicistike. Para të pranishmëve mbajti fjalë edhe autori Bajram Mehmeti i cili ekspozoi krimet e shërbimit sekret ushtarak serb. Bashkim Shehu veprimtar i komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës u tha të pranishmëve se pavarësia e Kosova është ngjarje e shënuar që lumturon çdo shqiptar kudo ndodhet. Ai i falenderoi bashkëatdhetarët nga Kosova për punën e rëndësishme publicistike dhe aktivitetet në shërbim të zbardhjes së krimeve serbe në Kosovë.

Takimi u ndoq nga gazetari Zenel Hajrizi i RTK i cili vlerësoi Vatrën e Diellin si lider të shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të pranishmit dhuruan libra për Vatrën dhe shkëmbyen urimet më të përzemërta për Pavarësinë e Kosovës: Rroftë përjetë e mot Kosova e lirë, e pavarur, sovrane, demokratike dhe europiane.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com