“Vatra” dhe shtetformimi kombëtar

Nga Eneida Jaçaj

Federata Pan Shqiptare “Vatra”, me Gazetën “Dielli”, në të gjithë historinë e saj, ka dhënë një kontribut madhor për shtetformimin kombëtar, ku si shtyllë kryesore ka patur demokratizimin e Shqipërisë; gjithashtu ka lobuar fort për moscopëtimin e vendit, rritjen e ekonomisë dhe uljen e analfabetizmit. Edhe në ditët e sotme, Federata Panshqiptare “Vatra” po rritet dita-ditës, duke mos i shkëputur lidhjet me atdheun, në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe interesave kombëtare të Shqipërisë, Kosovës e trojeve etnike. Roli i saj aktual është po aq i rëndësishëm sa edhe një shekull më parë, kur personalitete të shquara u mobilizuan për t’i dhënë jetë “Vatrës” në shërbim të çështjes kombëtare. Vatra vazhdon të mbetet një zë shumë i rëndësishëm për shqiptarët e SHBA-së, duke punuar fort dhe shtuar përpjekjet në përkrahje të të drejtave të tyre, si një nga komunitetet më të mëdha në këtë kontinent.

“Vatra”, si përfaqësuese e diasporës shqiptare në SHBA, ka dhënë gjithashtu një kontribut të madh për pavarësinë e Kosovës. Ajo ka lobuar në instancat më të larta të qeverisë amerikane, në mënyrë që SHBA-të të vepronin kundër pushtuesit serb dhe Kosova të arrinte pavarësinë e merituar. Kjo është vlerësuar edhe nga udhëheqësit e Kosovës, si presidentja Vjosa Osmani, e cila zhvilloi një takim dashamirës me diasporën shqiptare në SHBA. Ajo falenderoi mërgatën për kontributin historik për shtetin e Kosovës e kombin shqiptar, ndërsa theksoi se me përpjekjet e jashtëzakonshme të mërgatës, Kosova do të jetojë përgjithmonë. Edhe Presidenti Begaj vleresoi punen shume te çmuar te Vatres e vatraneve ne SHBA.

Nuk mund të harrohen pa përmendur dy personalitete të shquara dhe themelues të “Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët lobuan fort në sallonet e Europës, zhvilluan takime me figura të rëndësishme të huaja, ku në bazë të diskutimeve patën interesat kombëtare të Shqipërisë. Noli do të mbahet mend për takimet dhe dialogun me ish-Presidentin Amerikan, Uoodrou Uillson, i cili dha ndihmën e madhe për njohjen e shtetit shqiptar. Presidentit Amerikan nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë në vitin 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, duke u bërë zëri i të gjithë shqiptarëve, që kufijtë e Shqipërisë të mos tkurreshin akoma edhe më shumë pas vendimit jo të drejtë të Konferencës së Londrës, në vitin 1913. Këta patriotë shqiptarë kanë dalë në terren dhe kanë mbledhur fonde në kuadër të përpjekjeve për liri.

Shqiptarët e kulturuar dhe të qytetëruar kanë aq mençuri sa të kuptojnë se, të punosh për një të mirë të përbashkët me interes kombëtar, me karakter patriotik, mbart më shumë vlera për shoqërinë sesa t’u lihet hapësirë zënkave dhe ndasive të kota dhe çdo energji njerëzore e patriotike duhet vënë në funksion të çështjes kombëtare.

Intelektualët shqiptarë u shpërndanë nëpër botë, për ta nxjerrë vendin nga errësira dhe për të sjellë epokën e dritës dhe besimit, drejt një të ardhmeje më të sigurt. Edhe në ditët e sotme, diaspora shqiptare luan rol të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës në brezat që rriten jashtë kufijve, por është shndërruar në zërin e të gjithë shqiptarëve, për parashtrimin e problematikave të ndryshme, në Senatin Amerikan. Diaspora shqiptare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, luajti një rol thelbësor për çështjen shqiptare, duke bërë përpjekje të shumta që shteti shqiptar të njihej dhe të ngriheshin institucione të konsoliduara demokratike. Më herët u krijua shoqëria e parë shqiptare, “Malli i Mëmëdheut”, më 1 janar 1906, në shtëpinë e Thanas Viso Mborjes në Buffalo, Nju Jork. Më pas, më 15 shkurt 1909, pranë shoqërisë “Besa-Besë” në Boston, u krijua gazeta “Dielli”, me kryeredaktor Fan Nolin, e cila shërbeu në dobi të çështjes shqiptare. Shkrimtarja dhe publicistja, Sevasti Qiriazi, ka dhënë kontribut me shkrime në disa revista të kohës. Roli i mërgatës shqiptare është shumë i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve e interesave kombëtare, dhe asnjëherë nuk duhet anashkaluar. Federata Vatra dhe gazeta Dielli janë historia e qënësishme dhe e lavdishme e shqiptarëve të Amerikës.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com