Vatra dhe shqiptaro-amerikanët takuan Gabriel Escobar

Sokol Paja

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA z.Elmi Berisha në bashkëpunim me veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare Xhimi Xhema dhe Ambasador Frank Wisner mikun e madh të Kosovës e kombit shqiptar, u takuan me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në një takim ku morën pjesë shumë shqiptaro-amerikanë, kontributorë me dekada për çështjen kombëtare, pika kryesore e diskutimit ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe faktori shqiptar në Ballkan si kontributor për paqe, zhvillim dhe siguri rajonale. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i kërkoi z.Escobar në emër të të gjithë vatranëve e shqiptaro-amerikanëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndjekin në mënyrë të posaçme zhvillimin e dialogut politik mes Kosovës e Serbisë dhe këmbënguli në zgjidhjen amerikane për Kosovën. Z.Escobar premtoi se: “Amerika nuk do ta braktisë kurrë Kosovën. Shqiptarët janë jo vetëm populli më pro amerikan në Europë por shqiptarët janë njerëzit më të preferuar të Amerikës në Ballkan. Kërkohet kordinim politik i Kosovës me SHBA-në dhe unitet i spektrit politik në Kosovë, sa më shpejt aq më mirë për Kosovën. Mërgata shqiptare në Amerikë të lobojë fort në shtetet amë që të vazhdojnë negociatat e Kosovës me Serbinë të iniciuara nga BE dhe të mbështetura fort nga SHBA. Nuk ka arsye të dyshohet për anësi në dialog pasi SHBA e ndjek procesin me vëmendje të veçantë. E çmoj rolin e Vatrës në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe kërkoj bashkëpunim më të fortë me institucionet amerikane” tha ndër të tjera z.Escobar në takim. Ai premtoi se në të ardhmen e afërt do të vizitojë Vatrën dhe do të rrisë bashkëpunim në të mirë të çështjeve që shqetësojnë të dyja palët.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com