Vatra dhe Këshilli shqiptaro-amerikan, promovuan “Fan Nolin Apostull” të Ilir Ikonomit

Sokol Paja

New York, 23 dhjetor 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” në bashkëpunim me Këshillin Shqiptaro – Amerikan promovuan në Producers Club Theatres, Manhattan, New York, librin biografik “Apostulli” kushtuar Imzot Fan Nolit. Ky është libri i parë i biografisë prej tre vëllimesh për Fan Nolin i autorit Ilir Ikonomi i cili do pasohet edhe me dy vëllime të tjera. Nën prezantimin brilant të editores së gjuhës angleze në “Diell” Rafaela Prifti, fjalën përshëndetëse e hapi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i cili vlerësoi kontributin historik të Vatrës, jetëgjatësinë e saj, vlerat e librit dhe të gazetarit të shquar Ilir Ikonomi. “Vatra ishte një shkëndijë që punoi për realizimin e aspiratave kombëtare prej më shumë se 1 shekulli për Pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovën. Noli, Konica e patriotët e tjerë bënë një gjë të mrekullueshme se mbajtën gjallë lidhjet e mërgatës me trojet etnike dhe mbi të gjitha ruajtën miqësinë me kombin e shenjtë amerikan. Falenderim për regjimentin shqiptar që morën pjesë në luftën e Vlorës, falenderim për batalionin Atlantiku e çdo patriot që ka forcuar lidhjet me Uashingtonit” tha ndër të tjera kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha.

Studiuesi i historisë Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij deklaroi se Noli ka një kontribut shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar, mërgatën në Amerikë, në themelin e Kishës Ortodokse Shqiptare, themelimin e gazetës Dielli e Federatës Vatra dhe gjallërimin e jetës komunitare shqiptare me veprimtari patriotike, fetare dhe atdhetare në Amerikë. Aktivisti i komunitetit shqiptar Uk Lushi në fjalën e tij para të pranishmëve u ndal te vlerat e librit dhe cilësitë e Ilir Ikonomit si biograf. Imzot Noli paraqitet jo vetëm si mësues i trinisë së Shenjtë por dhe mësues i trinomit Shqipëria-kombi shqiptar- gjuha shqipe. Noli ishte Apostull i krejt shqiptarëve. Me “Apostullin” e Nolit, Ilir Ikonomi paraqet një standard të artë të biografisë moderne, tha z.Lushi. Përgjatë bashkëbisedimit me gazetaren Rafaela Prifti, Ilir Ikonomi tregoi rëndësinë e gazetës “Dielli” e gazetës “Kombi” për të pasqyruar veprimtarinë e Imzot Nolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizioni i Nolit dhe Konicës themeluan Vatrën dhe përcaktuan fatet veprimtarive kombëtare.

Pika diskutimi ishin në bashkëbisedim: themelimi i Vatrës, Diellit, marrëdhëniet Noli-Konica-Floqi, regjimenti shqiptar, situata politike në Shqipërinë e viteve 20-të, veprimtaria gjeografike e jetës politike, komunitare dhe fetare të Imzot Fan Nolit.

Pjesëmarrësit në promovim e pyetën autorin Ilir Ikonomi rreth përkthimeve të Imzot Nolit dhe aspekte të veprimtarisë publicistike dhe atdhetare. Gazetari Gjekë Gjonlekaj vlerësoi veprën “Apostulli” si të përsosur dhe Nolin si autori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, duke cituar Kadarenë që e quan Nolin gjeni. Z.Gjonlekaj u ndal te figura e Ilir Ikonomit si studiues dhe gazetar i Zërit të Amerikës. Mal Berisha në diskutimin e tij kujtoi vizitën në fshatin ku lindi Fan Noli, Ibrik -Tepe e fshatra të tjerë, diskutoi rreth Vatrës; ku vota të përcaktojë gjithçka e pakica ti bindet shumicës, e libri të përkthehet e tu shpërndahet të gjithë vatranëve. Ai bëri tri pyetje rreth jetës fetare të Nolit si: dorëzimi meshtarak, kisha ruse, Traktati i Londrës. Dr. Skender Murtezani vlerësoi librin dhe pyeti autorin Ikonomi rreth metodës shkencore të hulumtimit të dokumenteve, shkëndijën botuese të librit, Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe marrëdhëniet e Nolit me kishën ruse shpesh të keqpërdorura nga armiqtë e Nolit.

Imam Edin Gjoni e vlerësoi librin “Apostulli” si të përkryer dhe analizoi cilësi të veçanta të librit, aspekte të spikatura të gazetarit Ikonomi dhe pyeti rreth spiritualizmit të Fan Nolit.

Gazetari Beqir Sina falenderoi Adem Belliun e TV Kultura Shqiptare dhe gazetarin Ilir Ikonomi për punën e jashtëzakonshme në vëllimin “Apostulli”.

Nga bashkëbisedimi i autorit Ilir Ikonomi me pjesëmarrësit dolën në pak aspekte shumë të veçanta të jetës së Nolit që kompletojnë librin kryevepër kushtuar një prej shqiptarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar Imzot Fan Noli.

Pas promovimit, Federata Vatra shtroi një koktejl për të gjithë të pranishmit.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com