Vatra dhe çështja shqiptare sot në Ballkan

Artur Vrekaj, Massachusetts

Noli, Konica, Dako, Çekrezi dhe shumë burra të tjerë të kombit e bënë Vatrën organizatën më të fuqishme të periudhës së Rilindjes kombëtare kur shqiptarët në Ballkan nuk kishin shtet. Për këtë Tirana e dekoroi Vatrën me titullin e lartë “Nderi i kombit “ .

Vatra është një trashëgimi e pastër dhe e dielltë për mirëorganizimin dhe fuqizimin e Shqiptarëve të Amerikës edhe sot. Ndaj Vatrën duhet ta ruajmë si vlerë e muar për kombin.

Shumë Shqiptaro-Amerikanë të mirëedukuar janë pjesa më e shëndoshë e mendimit dhe veprimit intelektual që i mbushin me krenari e dinjitet Shqiptarët e Amerikës. Këta janë një kapital i florinjtë për ne këtu dhe Shqiptarët kudo në botë.

Fare mirë kjo elitë e mërgatës duhet të afrohet te Vatra dhe të bashkëpunojë për lobim, por edhe që të thellojë punën studimore për shqiptarët etnikë në trojet Shqiptare. Kështu këtë lëndë studimore mund ta përdorë më pas në doktoratura apo dhe në klasa të veçanta në ndihmë të pasurimit të Albanologjisë.

Çështja Shqiptare do të jetë në rend të ditës për Shqiptarët e Amerikës deri në anëtarësimin e plotë të shteteve të Ballkanit perëndimor në BE dhe në NATO. Vatra historikisht ka lobuar për çështjen Shqiptare që me themelimin e saj. Peshën më të madhe të lobimit këto katër dekadat e fundit e kanë mbajtur Federata Vatra, Liga Qytetare e Dioguardit dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Koha po thërret sërish Vatrën ta udhëheqë lobimin në Amerikë për çështjen Shqiptare me program të qartë e të detajuar për shqiptarët e trojeve etnike. Sot duhet një bashkëveprim brilant me të gjithë organizimet e mërgatës Shqiptare në botë, sepse do ta bënte më frytdhënëse këtë nismë kombëtare. Vatra eshte historia, krenaria dhe identiteti i shqiptarëve te Amerikës. Te gjithë duhet ti bashkangjiten Federates Vatra ne misionin e saj patriotik.

Nuk mund të lobosh me sukses të plotë në Amerikë përshëmbull pa përfshirë mërgatën disamilionëshe vetëm në Turqi apo pa bashkëkuvenduar me mërgatën e Europës, sepse lobimi duhet njësuar me program si për në Kongresin Amerikan edhe në parlamentin Europian.

Duke parë se takimet e Mërgatës në Tiranë janë kthyer në një dokumentar televiziv pa përmbajtje nga politikanët Shqiptarë partikapur e shtetkapur nevoja për një forum të përvitshëm intelektual të të gjitha organizimeve dhe individëve me peshë në Mërgatë është kërkesë e kohës për shqiptarinë.

Mërgata disamilionëshe Shqiptare e bashkuar është një lumë malor që po ta krahasojmë me Drinin ku derdhen rrëke e lumenj e deri tek bashkimi i dy Drinave Bardh e Zi do ta përndritë ardhmërinë e kombit, ashtu sikundër Drini u dhuron dritë vatrave Shqiptare në Ballkan përditë.

Mërgata në tërësi, duhet të harxhojnë më shumë energji se si mund të organizohen më mirë në komunitetin ku banon. Duke qënë lokalisht të organizuar bëhemi faktor, bëhemi të besuar për Amerikanët edhe më shumë. Por çështë më e rëndësishmja ne duhet të fuqizojmë Vatrën dhe të bëjmë më të sigurt lobimin e pastër për çështjen Shqiptare.

Le ti shërbejmë kombit perjete e mot. Le ti shërbejmë ardhmërisë së Shqiptarëve kudo që janë, që të jemi NJË dhe trojet tona të lulëzojnë nga Shqiptaria.

Sllavët dhe grekët ende mundohen të tkurrin territore Shqiptare në Shqipëri e Kosovë, ndërsa me metoda të kthjellëta antishqiptare bazuar në ligjet që ata bëjnë kërkojnë ta përhumbin faktorin Shqiptar dhe vetë Shqiptarin pa identitet, pa flamur Shqiptar, pa emra në Shqip të rrugëve e vëndbanimeve, pa adresë apo shenja vëndbanimi a vëndvarrimi në Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni. Krimet Serbe në Kosovë nuk janë ndëshkuar ende.

Vetëm fakti se ka më shumë Shqiptarë në mërgatë se në Ballkan është një thirrje e kohës për bashkëveprim në të mirën e kombit. Kombi pret ende nga mërgata.

Nëse mërgata e bashkuar punon me një strategji kombëtare, shumë probleme të çështjes Shqiptare në trojet etnike do të marrin rrugën e zgjidhjes më shpejt se deri më tani. Por nëse mërgata merr urdhra nga Tirana apo Prishtina, lumi i mërgatës që ujit shqiptarinë do shterojë Edhe për këtë shkak shpërngulja e detyruar e Shqiptarëve nga sllavët apo dhe nga makutëria e gjithë klasës politike Shqiptare do të jetë e pandërprerë në shifra që do të tronditin fuqinë e Shqiptarëve në Ballkan.

Vatra ka shpirt te paster patriotik dhe atdhetar e do ishte e udhës që të marrë nismën e ta udhëheqë forumin e mërgatës Shqiptare që ta detyrojë klasën politike Shqiptare të bashkëudhëheqin çështjen Shqiptare jo për prezantime televizive në Ballkan a Europë, por se duhet të bëjnë çfarë thotë kushtetuta për ta mbajtur gjallë identitetin kombëtar në trojet etnike.

Kosova ende e ka plagë çështjen e pazgjidhur me Serbët e Veriut. Perëndimi në luftë të hapët me Rusinë nuk po e sheh të udhës zbatimin e reciprocitetit për Serbët në Kosovë sikundër për Shqiptarët në Serbi.

Sot është nevojë emergjente për konsullata Shqiptare në Pazar të Ri dhe në Preshevë dhe për një buxhet ndihmues për Shqiptarët e Kosovës Lindore dhe të Sanxhakut të Pazarit të Ri përfshi Malin e Zi. Vatra duhet ti adresojë fuqishem këto kërkesa pranë qeverive shqiptare jo vetëm me takime formale, por me projekte duke treguar se çfarë ka bërë dhe mund të bëjë vetë dhe çfarë mund të bëjë në bashkëpunim me shtetet Shqiptare.

Për një punë me program e të detajuar për bashkëpunim me mërgatën dhe shtetet Shqiptare Vatra duhet të ketë koordinatorë të punës saj në çdo shtet të Ballkanit perëndimor ku ka Shqiptarë me qellim që ta parandalojë përkeqësimin e detajeve të çështjes Shqiptare në trojet etnike.

Shqiptarët e Pazarit të Ri ose Masbjeshkës kanë qënë të harruar për tre shekujt e fundit. Këta janë Shqiptarët e mbijetuar nga genocidi Turko-Serbo-Malazez që kanë provuar metodat më çnjerëzore në sy të fuqive Europiane që në fundshekullin e shtatëmbëdhjetë e deri sot.

Sot për sot vetëm shoqata “Kosova për Sanxhakun” me kryetar Ismet Azizi, KKSH dhe gazetari Marin Mema me programin “Gjurmë Shqiptare” kanë mbjellë shpresën e ringjalljes së Identitetit kombëtar në krahinën e Sanxhakut me shumicë Shqiptare. Shtetet Shqiptare ende heshtin për Shqiptarët e Sanxhakut.

Tashmë, prej këtij ndërveprimi Shqiptar në Peshter dasmave u janë shtuar muzika dhe vallja Shqiptare. Në Pazar të Ri zyra e Shqiptare e KKSH kujdeset për mësimin e gjuhës Shqipe dhe veprimtari kulturore me temë kombëtare. Ky është vetëm fillimi i një pune kombëtare që do kujdes dhe përkushtime njerëzore.

Problem parësor në Sanxhak të Pazarit të Ri mbetet vetëdeklarimi i kombësisë nga Shqiptarët. Kjo do të ndodhë më shpejt nëse mërgata dhe shtetet Shqiptare punojnë së bashku.

Krahina e Sanxhakut është nën një vëmëndje të veçantë këtë vit nga regjimi i diktatorial i Vuçiç për të mbajtur nën kontroll partitë politike dhe njëkohësisht lëvizjet fetare, me qëllim për ta shuar kërkesën për statusin e veçantë të kësaj krahine në kuadrin e autonomisë ose të një zone gjeografike ndërshtetërore me kujdes të veçantë nga BE.

Ora e Shqiptarëve të Sanxhakut tashmë është kurdisur për të ecur me hapin e kohës. Vëllezërit Shqiptarë etnikë, sidomos në Serbi, kanë nevojë për dorën e ngrohtë të shteteve Shqiptare dhe të mërgatës. Atyre u ndalohet deklarimi i hapur Shqiptar, gjuha Shqipe në shkolla, përdorimi i flamurit kombëtar, përdorimi adresave si dhe u pengohet pjesëmarrja në vendimmarrje me mënyra të ndryshme.

Në Senatin dhe Kongresin Amerikan as që është specifikuar Sanxhaku i Pazarit të Ri si problem kombëtar i Shqiptarëve. Kur shumica e Shqiptarëve do të vetëdeklarojnë kombësinë Shqiptare në Pazar të Ri e Peshter, Serbët dhe Perëndimi do të jenë përballë faktit se Shqiptarët e Sanxhakut janë tre herë e më shumë se ata të Kosovës Lindore sot. Serbët e dinë. Perëndimi do të dëgjojë, verifikojë e veprojë vetëm kur të deklarohet kombësia Shqiptare në regjistrimin e popullsisë brenda kuadrit ligjor Serb.

Por ne duhet të punojmë që tani me bashkëpunim në terren që të dokumentojmë faktet e genocidit ndaj Shqiptarëve dhe vetëdeklarimin e Shqiptarëve sipas adresave dhe vëndbanimeve të tyre. Këtë paketë dokumentare duhet t’ja dorëzojmë pastaj parlamentit të Serbisë, kuvëndit lokal të Pazarit të Ri, qytetit dhe qarqeve administrative të Sanxhakut nën Serbi, parlamentit Europian, OKB-së dhe Kongresit Amerikan.

Vetëm kështu do ta detyrojmë Serbinë që të njohë Shqiptarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri si komunitet. Pastaj hapërimi kombëtar vjen vetvetiu, por të paktën si fillim i jepet fund përgjithmonë dhunimit e mohimit të deklarimit të kombësisë Shqiptare në Serbi.

Kështu, këtë dekadë ne mund të shpresojmë që edhe prej Sanxhakut shqiptarët në Serbi të rritin numrin e përfaqësimit të tyre në parlamentin e Serbisë me një subjekt të mirëorganizuar të kombësisë Shqiptare.

Lobimi i sotshëm në SHBA sidomos nga Vatra kërkon gjithëpërfshirje nga te gjithe faktoret rreth Vatres si zeri me i fuqishem i shqiptareve te Amerikes. Të jesh Vatran është përgjegjësi e madhe kombëtare. Veprat duan veprimtarë që sot.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com