Vasil Andoni – veprimtar i dalluar i arsimit dhe pedagogjisë shqiptare

Prof.Dr. Roland Gjini*

Më lejoni që, fillimisht, të përshëndes përzemërsisht autorët e kësaj monografie, për këtë vepër të vyer e të munguar për ne që merremi me fushën e arsimit e më gjerë. Vasil Andoni, personalitet i shquar i Elbasanit, mes të tjerave, është dalluar edhe për kontributin e tij në fushën e arsimit dhe pedagogjisë shqiptare. I arsimuar për 8 vjet në kolegjin enjohur, “Robert Kolegj” të Stambollit, (1918-1926) ku vazhdoi 6 vjet studime të arsimit të mesëm dhe 2 vjet të arsimit të lartë për pedagogji e psikologji, ai do të bëhet një ndër specialistët e parë shqiptarë të këtyre fushave. Përgatitja e tij shkencore do të thellohet më tej në vitet 1926-1928, ku studioi për shkencat pedagogjike në Francë.

I përgatitur me përvojë perëndimore, cilësitë e tij si specialist i pedagogjisë e psikologjisë do t’i shpalosë në atdhe pas vitit 1928, fillimisht në Normalen e Elbasanit. U caktua mësues i kësaj shkolle për lëndët psikologji e pedagogji. Që në fillim u dallua në iniciativën e tij për të reformuar procesin mësimor të kësaj shkolle, më e njohura në trojet shqiptare. Kështu, ai këmbëngulte që mësimi të mos përqendrohej vetëm te librat, literatura, mjetet mësimore dhe kabineti, por edhe në jetën e përditshme, në mjedisin, shkollën, familjen e gjithçka që rrethon nxënësin. Sipas tij, qëllimi kryesor i Normales duhet të ishte: përgatitja e mësuesve me një kulturë të plotë shkencore e pedagogjike, si nga ana teorike, ashtu edhe praktike, më tej ai gjykonte se reformimi i Normales duhej të shoqërohej më pas me reformimin në tërësi të arsimit kombëtar. Në aftësimin praktik të normalistëve si mësues të ardhshëm, ai vlerësonte rolin e shkollës ushtrimore si laborator i gjallë i përgatitjes së mësuesve.

Për përgatitjen nga ana teorike të studentëve, Andoni vinte theksin në hartimin e teksteve mësimore sipas kritereve të njohura shkencore e didaktike, si dhe në pajisjen e shkollës me bibliotekë. Një rol të rëndësishëm, sipas tij, do të kishin edhe informacionet dhe studimet bashkëkohore në fushën e shkencave dhe të pedagogjisë. Prandaj ai është ndër iniciatorët, e më pas, ndër anëtarët kryesorë të bordit botues të revistës “Normalisti” nga numri i saj i parë, pra nga viti 1929 e në vijim. Me të drejtë autorët e kësaj monografie theksojnë se revista “Normalisti” qe krijesa e zemrës së Vasil Andonit, qe pasardhëse e shpirtit të tij atdhetar e arsimdashës, qe ajka e kulturës së tij të gjanë”. Nga pena e Vasil Andonit, kjo revistë publikoi disa artikuj të karakterit psikologjik, pedagogjik e didaktik, që trajtonin aspekte teorike e praktike të arsimimit jo vetëm për mësuesit e nxënësit e Normales, por për tërë masën e mësuesve dhe të nxënësve në mbarë arsimin kombëtar shqiptar.

Duke qenë për disa vite konviktor gjatë kohës që studionte jashtë vendit, ai jo vetëm krijoi një përvojë të mirë për jetën konviktore, por dhe ishte në gjendje të nuhaste se për çfarë kishin nevojë konviktorët. Kjo e bëri atë që të mos ishte thjesht një drejtues konvikti (zv. Drejtor i Internatit) në Normale, por t’u qëndronte përherë pranë studentëve konviktorë e të përkujdesej për hallet e nevojat e tyre. Motoja e tij në këtë drejtim ishte që t’i bëjmë nxënësit që ndonëse jetojnë në konvikt, ta ndjejnë veten si në shtëpinë e familjen e tyre. Që studentët konviktorë të ishin të orientuar e të organizuar në kërkesat e tyre, ai i nxiti ata që të krijojnë një organizatë të vetën, dhe kështu në vitin 1929 u ngrit në Normale “Shoqata studentore”.

Kontributin e tij për arsimin kombëtar e vazhdoi me cilësi e suksese dhe në vitet 1935-39 në liceun e Korcës, madje dhe në vitin 1942, kur u vendos në Prishtinë e bëri atje përpjekje të mëdha për hapjen e një shkolle Normale, që do të përgatiste mësues për Kosovën. Angazhimi i tij si veprimtar antifashist, pas vitit 1939, dhe si veprimtar politik pas vitit 1942, nuk e pengoi e as e largoi atë nga veprimtaria pedagogjike për shtrirjen e forcimin e arsimit tonë kombëtar.

Janë të gjitha këto kontribute që e rreshtojnë Vasil Andonin përkrah burrave të shquar e të mençur të Elbasanit, që vunë themelet, që ngritën e forcuan shkollën tonë kombëtare. Angazhimi i tij në politikë, duke drejtuar organizatën e “Ballit “Kombëtar” gjatë viteve të Luftës Antifashiste shpjegohet vetëm me pikëpamjet dhe qëndrimin e tij nacionalist, dhe nuk mund të zbehin shumë përmasat e tij si intelektual dhe punëtor i shquar i arsimit dhe pedagogjisë shqiptare.

*Disa mendime rreth monografisë “Vasil Andoni” të autorëve Rudof Deliana dhe Rudina Deliana.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com