Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ndan, në Tiranë, çmimet vjetore për gazetarët. Në ceremoninë tradicionale morën pjesë gazetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Veprimtaria e zhvilluar në mjediset e Hotel Tirana International, në prezencën e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij, zotit Bajram Begaj, përkrahur nga JTI, shënoi edicionin e 15 të ndarjes së çmimeve të konkursit “Vangjush Gambeta” për gazetarinë ekonomike si dhe të tjerë të rëndësishëm për gazetarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Duke iu drejtuar të pranishmëve Presidenti Begaj vlerësoi lart kontributin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe gazetarëve në përgjithësi duke theksuar se ata janë duke bërë një punë shumë të rëndësishme shoqërore dhe se në shumë raste me shkrimet e veta analitike dhe hulumtuese janë duke kontribuar në informimin e opinionit për problemet dhe keqpërdorimet me të cilat po ballafaqohen shoqëritë tona. Presidenti e konsideroi rolin e gazetarëve njëjtë me atë të mjekëve të cilët kujdesen për shëndetin e individëve të shoqërisë, ndërsa gazetarët për informimin e opinionit publik.
Duke u drejtuar të pranishmëve drejtori i JTI për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, Sazan Alija, vlerësoi lart punën dhe angazhimin e gazetarisë ekonomike dhe theksoi “se puna juaj është thelbësore në rritjen e transparencës së institucioneve shtetërore si dhe në krijimin e një konkurrence të ndershme për bizneset, në veçanti lidhur me “fiskalizimin” ose përpjekjet që bën shteti kundër evazionit fiskal në ekonomi”.
Ai theksoi se fiskalizimi” ashtu si dhe stabiliteti e parashikueshmëria e politikave të taksave përbëjnë një pjesë jetësore për sundimin e ligjit në ekonomi. Po kështu, vazhdoi ai këto sigurojnë të ardhurat bazë për buxhetin e shtetit, i mundësojnë investimet publike dhe shërbimet normale për pensionet, sigurimet dhe pagat e milionave qytetarëve.
Alija theksoi se përveç përkrahjes së çmimeve Vangjush Gambeta, JTI ka mbështetur veçanërisht gazetarinë ekonomike duke përkrahur dhe mundësuar pjesëmarrjen e tyre në Kongresin e Gazetarisë në Vjenë, Samiti i ministrave të financave, guvernatorëve të bankave qendrore dhe administratave tatimore në Malin e Zi dhe ngjarjet tjera, me një qëllim qartë – të rriten praktikat rajonale për mirë qeverisje, sundim të ligjit dhe ekonomi tregu të lirë.
Me këtë rast kryetari i UGSH Aleksander Çipa i ndau mirënjohje JTI partnerit tradicional i cili për 15 vite ka mundësuar konkursin për çmimet “Vangjush Gambeta”.
“ Përmes bashkëpunimit dhe partneritetit të JTI me UGSH është bërë i mundur inkurajimi për raportim cilësor dhe të thelluar në hapësirën mediatike shqiptare për çështje të ekonomisë”, thuhet në mirënjohjen e UGSH për JTI.
Kryetari i UGSH, Aleksander Çipa theksoi se duke i falënderuar JTI për të 15 herë janë duke u ndarë çmimet “Vangjush Gambeta” dhe se gjatë viteve në konkursin për çmime marrin pjesë edhe gazetarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriu.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka ndarë dy çmimet e rëndësishme “Karriera” të cilat i kanë fituar: Elez Biberaj, drejtues i VOA dhe ish drejtues i programit shqip të Zërit të Amerikës dhe Augustin Palokaj, korrespondent i Grupit Koha nga Brukseli.
Emocione të veçanta shkaktoi mesazhi që Dr. Elez Biberaj i drejtonte UGSH me rastin e vlerësimit të tij me çmimin ” Karriera”.
Çmimet e konkursit “Vangjush Gambeta “2023 i kanë fituar: Entela Bajramaj- Televizion-Shqipëri, Julian Hoxhaj, shtypin e shkruar/online, Zenel Miftari, Maqedoni e Veriut dhe Sanije Jusufi nga Grupi Koha.
Çmimi “Reporter i Vitit”i është ndarë për gazetarin Osman Stafa, çmimi “Raportimi më i mirë i Vitit” për gazetarin Thimi Samarxhiu dhe çmimi “Ismet Bellova” për gazetarinë sportive post mortum iu nda gazetarit të Radio Kosovës Milaim Krasniqi.
Ceremonia u moderua nga gazetarja Alketa Gashi Fazlliu e RTK, Prishtinë,
dhe Sebastian Zonja i MCN, Tiranë.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë