Udhëtimi drejt Pavarësisë së Shqipërisë

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ

Në 8 tetor 1912 fillon Lufta Ballkanike, por faktikisht ajo u kthye në një luftë për pushtimin e tokave shqiptare. Shqipëria po përjetonte çaste kritike, duke u përball me armikun e vjetër,(Perandorin Osmane) dhe e sulmuar nga agresor të rinj. Deputetët shqiptarë në Parlamentin Turk nga trevat e Vlorës, Shkodres, Prizrenit, Gjakovës, Shkupit, Manastitit, etj, po bënin përpjekje për ngritjen e zërit në mbështetje të lirisë dhe pavarsisë. Ismail Bej Vlora dhe Luigj Gurakuqi u vun në krye të nismës politike për krijimin e një komiteti drejtues që të merrte në dorë fatet e vendit. Takimet e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, si dhe Hasan Prishtinës dhe të Bajram Currit, që ishin në front për organizimin e mbrojtjes së tokave shqiptare përballë ushtrive sllave, me patriotë të tjerë shqiptarë kishin një objektiv të qartë për Shqipërinë, ishte koha për një zgjidhje politike përfundimtare për vendin.
Të shtunën e 2 nëntor 1912 Ismail Qemali me të birin Qazim Vlora dhe Luigj Gurakuqin nga hotel “Pera”, do të nisnin udhëtimin drejt pavarsisë. Nga limani pranë urës së Gallatës në Stamboll me anijen rumune Regele Carol, që bënte rregullisht rrugën Stamboll-Konstancë udhëtuan drejt Rumanisë. Në 3 nëntorit 1912 Ismail Qemali u nis me tren ekspres nga Kostanca për në Bukuresht dhe arriti në Bukuresht në orën 7 të mbrëmjes. Në stacion do ta priste gjithë kolonia shqiptare e Bukureshtit me në krye zvendëspresidentin e saj Kristo Meksi. Anëtarët e Komunitet Shqiptar të Bukureshtit qenë të vendosura për pavarësinë e Shqipërisë. Në datat 4 dhe 5 nëntor, u zhvilluan konsultime të gjera në Hotelin “Kontinental” të Bukureshtit, midis Komunitetit Shqiptarë aty dhe delegacionit me në krye Ismail Qemalin që kishte ardhur nga Stambolli.
Në 7 nëntor, rreth orës 5 e gjysëm mbasdite Ismail Qemali u nda nga shqiptarët e Bukureshtit dhe u nis për në Vjenë. Nga Bukureshti u nisën për tu takuar në Trieste me Ismail Qemalin; Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo, të cilët pak ditë më vonë do të udhëtonin nga Triestja bashkarisht në Durrës dhe në Vlorë. Po këtu Patriti Kristo Meksi i dorëzon Ismail Qemalit 500 mijë frangash ari, dhuratë e Kryeministrit rumun Taqe Junesku, për ngritjen e shtetit të ri Shqiptar. Më 8 nëntor nga Grand Hotel ku ishte vendosur, Ismail Qemali dha një intervistë për gazetën vjeneze “New Freie Presse” ku thesksonte se, “Shqiptarët nuk do ti nënshtrohen kurrë fatit”.
Më 9 nëntor Ismail Qemali pritet nga Gjeneralmajor Blasius Schemua Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura Austro-Hungareze, takim që ka qenë topsekret.
Në 10 nëntor Ismail Qemai u takua me Ambasadorin Anglez në Vjenë, që ishte edhe diplomati më i rëndësishëm i kohës, ku u fol për një Shqipëri të pavarur. Ditën e hënë më 11 nëntor Ismail Beu në intervistat që dha, përsëri pikëpamjen për Shqipërinë e Pavarur.
Të marten e 12 nëntor ai nisi një telegram nga Vjena; “Përpara së premtes jemi në Durrës. Të mbledhurit e Delegatëve në Durrës ose Vlorë është krejt i nevojshëm. I ftoni të gjithë, deri sa të vijë unë mbani qetësinë dhe bashkimin. Çështja jonë politike u sigurua fare”. Në Vjenë, Ismail Qemali mori një telegram nga miku i tij i vjetër, konti Andrasay, ku e ftonte që të vinte në shtëpinë e tij në Budapest për t´u takuar me diplomatë Austro-Hungarezë. Prandaj ai në 12 nëntor në mbrëmje mori trenin dhe u kthye në Budapest dhe u vendos në hotelin Royal.
Më 13 nëntor në Budapest Ismail Qemali do të takohet me kontin Janos Hadik ish-nënsekretar shteti dhe me Ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë, Leopold Berthold, nga njerëzit më të fuqishëm të diplomacisë evropiane. Konti ishte i hapur me te. Me fare pak fjalë ai i shpjegoi se: -Shqiperia kërcenohej nga fqinjët, se ky kërcenim ishte fatal dhe se Austro-Hungaria ishte e gatshme të nxiste dhe të mbështeste pavarësinë e Shqipërisë. Me një sjellje të hapur, Konti Hadik, më tej e sqaroi se qeveria e tij kishte biseduar edhe me atë Italiane dhe Gjermane dhe se të treja këto bashkë nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit të Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit. Prandaj delegacioni nuk duhej të humbiste kohë dhe u tregua i gatshem të pranonte kërkesën e vetme që Ismail Qemali i bëri atë natë. T’i vinte në dispozicion një vapor që do t’i shoqeronte për në Durrës. Po në 13 nëntor ish Ministër i Brendshëm i Austro-Hungarisë do shprehej: “Pavarësia e Shqipërisë është në interes për Monarkinë tonë. “Njoftimet dokumentare bëjnë të ditur se Ismail Qemali ju shpreh Kontit Berchtold: “Flamurin e kam por nuk kam shtizën ku ta naltoj dhe flamurin pa shtizë e merr era që fryn në Ballkan. Përgjigjia e kontit ishte; -“Për shtizë të flamurit tuaj keni bajonetën austriake”.
Deri në datën 16 nëntor 1912 Ismail Qemali zhvilloi takime me përsonalitete të diplomacisë dhe burra të fuqishëm të parlamentit Austro-Hungarez ku gjithmonë në rend të ditës ishte çështja shqiptare. Delegacioni shqiptar u kthye në datën 17 nëntor ditën e diel nga Budapesti, përsëri për në Vjenë. Atje edhe të hënën paradite më datën 18 nëntor do të kishte sërish takime në Ambasadën Italiane dhe me Ambasadorin Anglez, duke e vënë në dijeni për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Më 18 nëntor Ismail Qemali u nis me trenin ekspres nga Vjena dhe mëngjesin e 19 nëntorit arriti në Trieste. Pas një ndalese të shkurtër, në “Excelsior Palace-Hotel”, në orën 14:00, shoqëruar nga 14 patriotë, midis të cilëve i biri i tij Qazim Vlora, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Dhimitër Berati, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Dhimitër Ilo, etj, Ismail Qemali u nis nga Trieste për në skelën e qytetit të Tristes nga do të niseshin në Durrës.
Më 19 nëntor në Trieste, Ismail Qemali i drejtohet me një telegram Komitetit përgatitor për shpalljen e Pavarësisë, dhe kërkon që të sigurohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të popullit, për Mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që mendohej të mbahet në Durrës. Me kërkesën e Ismail Qemailit, diplomatët Austro-Hungarez, delegacionit shqiptar i premtuan një vapor për në Durrës.
Gjithashtu po më datën 19 nëntor, Ismail Qemali, përpara nisjes nga Trieste për në Durrës, do të deklaronte për gazetën italiane “Piccolo”: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”. Qëndrimi i Ismail Qemalit në Trieste do të zgjaste vetëm një ditë sepse po në mbrëmjen e 19 nëntorit, përfundimisht delegacioni shqiptar me në krye Isamail Qemalin, me vaporin austriak “Baron Bruck” niset nga qyteti i Triestes drejt brigjeve të Shqipërisë dhe zbarkoi në Durrës në datë 21 nëntor, rreth orës 11.00.
Ndonëse ishte menduar që ngritja e flamurit të bëhet më 22 nëntor në qytetin e lashtë të Durrësit, me qëllim që të evitonin lëvizjet e mëtejshme nëpër Shqipërinë e trazuar nga lufta, situata në këtë qytet ishte shumë më ndryshe nga ç’pritej. Zbritja nga anija e “Llojdit” në anijen tjetër austriake “Graf Wurmbrand” u bë pasdite vonë të 20 nëntorit, ndërsa zbritja në Durrës në paraditën e 21 nëntorit. Nga gjendja e nderë që mbretëronte në Durrës, Ismail Qemali i lajmëroi telegrafisht të gjitha qytetet që delegatët e tyre t’i nisin për në qytetin e tij të lindjes në Vlorë.
Në këtë situatë Ismail Qemali qëndroi në Durrës vetëm dy ditë, pra në datat 21 dhe 22 nëntor sepse në datën 23 nëntor përmes një kohe të vrejtur ai rifilloi udhëtimi historik nga Durrësi për në Vlorë. Ditën e shtunë në mëngjesin e 23 nëntorit nga hotel “Konstandinopoja” me rreth 50 veta me kuajt e sjellë nga Ismail Qemal Karaosmani nga Berati nisën rrugëtimin. Në mbrëmjen e 23 nëntorit grupi i udhëhequr nga Ismail Bej Vlora qëndroi në Çermë edhe pse kishte dalë një urdhër për ta arrestuar Ismail Qemalin dhe po brenda ditës e kishin anulluar atë, nga Esat Pashë Janina me porosi të ish deputetit të parlamentit osman Myfit Bej Libohova dhe Kadiu i Janinës. Më 24 nëntor grupi e kaloi natën në Petoshanj të Libofshës dhe të hënën më datë 25 nëntor herët rifilluan lëvizjen drejt Fierit. Nga Mifoli, delegacioni i Ismail Qemalit udhëton me dy karroca dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 25 duke u gdhirë 26 nëntori arrijnë në Vlorë. Delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë, u vendosën në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës. Ndërkohë disa qytete e kishin ngritur flamurin, me qëllim që pushtuesit ta gjenin flaurin e ngritur.
Më 28 nëntor 1912 në orën 14.05 do shpallej pavarësia e Shqipërisë, ndërsa flamuri do të shpalosej nga Ismail Qemali në orën 15.12 minuta nga dritarja ku ishte mbledhur kuvendi, aty ku gjendet sot monumenti i Pavarësisë.
Me ngritjen e flamurit në Vlorë, Ismail Qemali zgjidhet kryeministër dhe merr atributin nga delegatët të formojë qeverinë e parë të re të përkohshme shqiptare. Kjo qeveri u shpall në 4 dhjetor 1912 dhe e shtriu aktivitetin e vet për 14 muaj rresht deri në 22 janar 1914.

New York Nëntor 2023
Foto: wikipedia.org

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com