Tri modele të letërsisë botërore për fëmijë në optikën e studiueses Klara Kodra

Hasan Gremi

Studiuesja Klara Kodra nuk ka lënë jashtë vëmendjes së saj edhe kryeveprat e letërsisë botërore për fëmijë si “Pinoku”, “Piter Pani”, dhe “Liza në botën e çudirave”, ku ajo fokuson mishërimin e vlerave të personazhit dhe shijen estetike, që ndikojnë jo vetëm në botën e ndjeshme të fëmijëve, po japin mesazhe të qarta edukuese edhe për prindërit, se letërsia për fëmijë, ndofta më tepër se letërsia për të rritur, mbështetet te personazhi i cili mishëron heroin e kësaj letërsie dhe në letërsinë shqiptare, pas dështimit të “heroit pozitiv” të realizmit socialist, ndihet mungesa e personazheve që përfaqësojnë vlera në letërsinë për fëmijë. Tri modele të fuqishme dhe tërheqëse në letërsinë europiane dhe botërore që i përbëjnë heronjtë si “Pinoku”, “Piter Pani” dhe “Liza në botën e çudirave” vijnë në botën e lexuesit të vogël me ndikim të fortë emocional. Këta janë heronj që i kanë qëndruar kohës me karakterin e tyre tipik, si dhe me individualitetin e vet të papërsëritshëm që jep iluzionin e një jete të veçantë të këtyre personazheve, më realë se vetë realiteti. Në këtë letërsi janë personazhe fëmijë që shkrijnë realen me fantastiken si “Pinoku”, kukulla fëmijë, “Piter Pani”, fëmijë zog, ose shfaqen si fëmijë realë në një kornizë fantastike, “Liza në botën e çudirave”. Këto krijesa të pavdekshme të lindura njeri nga një shkrimtar italian, dy nga shkrimtarë anglezë, mund të luajnë rolin e modelit si për fëmijët shqiptarë ashtu edhe për shkrimtarët shqiptarë për fëmijë që sapo kanë nisur të krijojnë tipa të tillë frymëzues si “Çapaçuli” i Dionis Bubanit, botuar në vazhdimësi me një rubrikë të veçantë në revistën e fëmijëve “FLLAD*”, “Derrkuci Çufo” i Gaqo Bushakës, tri personazhet fëmijë të Bedri Dedjes “Kokëdruthi”, “Kokëtapa” dhe “Kokëfirifiu”. Në vëllimin e studiueses dhe shkrimtares Klara Kodra “Pinoku”, “Piter Pani” dhe “Liza”, tre shembuj të figurës së fëmijës në letërsinë botërore, janë vënë në qendër pikërisht këto figura që kanë tërhequr për më tepër se një shekull fëmijët e të gjithë botës dhe analizohen në disa rrafshe kuptimore dhe formale duke zbërthyer kështu unitetin estetik të veprave, protagonistë të të cilave këto personazhe janë. Këto personazhe fëmijë bashkohen nga një veçori, autonomia prej prindërve që u mungojnë apo nga të cilët janë larguar. Studiuesja merr shkas nga kjo veçori për të analizuar problemin e marrëdhënieve prindër-fëmijë që shtrohet në këto vepra, aspiratën e fëmijëve për autonomi dhe liri dhe raportin midis disiplinës dhe respektimit të lirisë së fëmijëve që lidhet me autoritetin e prindërve dhe marrëdhëniet e tyre me fëmijët. Studiuesja ka parasysh një literaturë të gjerë që është shkruar rreth këtyre veprave nga studiues dhe shkrimtarë të ndryshëm, po përpiqet të japë edhe mendimin e vet origjinal. Veprave në fjalë, në harkun e gjërë kohor që e ndan lindjen e tyre nga koha e sotme (dy nga veprat i takojnë shekullit XIX, njëra fillimit të shekullit XX) u janë bërë lexime të ndryshme që lidhen me ecjen përpara të pedagogjisë, psikologjisë dhe letërsisë artistike. Pra, nuk është e lehtë të orientohesh në tërë këtë labirint mendimesh ku ndeshen ithtarët e një edukimi të rreptë me ithtarët e një edukimi tepër liberal dhe njëkohësisht synohet të zbulohet mesazhi i tre shkrimtarëve, pa e deformuar atë në bazë të ideologjisë së lexuesve kritikë. Studiuesja përpiqet, pra, të kapë mesazhin e autorëve duke e miratuar apo duke polemizuar me të dhe njëkohësisht të solidarizohet apo të debatojë me studiuesit apo kritikët e ndryshëm. Objekt të analizës së saj bëhet edhe realizimi artistik i tre heronjve të letërsisë për fëmijë, realizim që shpjegon forcën e tyre ndikuese. Gjithashtu analizohen edhe drejtimet letrare që u kanë dhënë jetë këtyre tipave (romantizmi, realizmi, natyralizmi, simbolizmi, surealizmi). Edhe për këtë çështje të fundit studiuesja ka mendimin e vet dhe përpiqet ta argumentojë me të dhëna konkrete nga vepra duke iu shmangur, me sa është e mundur, subjektivizmit. Studiuesja është e vetëdijëshme për rëndësinë e formës në veprat letrare për fëmijë, formë që nuk mund të shkëputet nga mesazhi dhe rrezikun që paraqet gjithnjë në veprat e letërsisë për fëmijë fryma didaktike dhe zgjidhjet artificiale si “fundi i lumtur”, me çdo kusht, duke thyer logjikën e ngjarjeve apo karaktereve. Studiuesja është gjithashtu e bindur që lexuesi fëmijë ka një shije tepër të hollë që e bën të shmangë çdo artificialitet, prandaj ushqimi letrar që duhet t’í jepet duhet të jetë tepër i zgjedhur, siç është në fakt në rastin e këtyre tri veprave dhe tre protagonistëve të tyre që i kanë bërë ballë gjyqit më të vështirë dhe më objektiv, gjyqit të kohës. Në studimin e Klara Kodrës ka një koncept të drejtë për letërsinë që u drejtohet fëmijëve, e cila larg së qenuri një letërsi dytësore, është një letërsi në thelb elitare, çka nuk e përjashton popullaritetin e saj. Vepra është strukturuar në mënyrë të goditur në disa kapituj, i pari është një kapitull hyrës “Tre shembuj të figurave të fëmijëve në letërsinë botërore” ku vihet theksi mbi faktin se figurat e fëmijëve në veprat që analizohen, janë vendosur në qendër; pasojnë dy kapituj që trajtojnë çështje të mesazhit në vëllimet që studiohen “Problematika dhe mesazhe të shprehura përmes tre protagonistëve të këtyre tri romaneve-përrallë” dhe “Marrëdhëniet me prindërit edukatorë”. Katër kapitujt që pasojnë, u kushtohen çështjeve të formës, “Fantazia dhe realiteti, dimensioni heroik dhe humori në këto romane”. “Tipizimi dhe individualizimi i tre heronjve”: A është e mundur të inkuadrohen këto tri kryevepra në drejtime të caktuara letrare?”; “Pinoku”, “Piter Pani” dhe “Liza” si shembuj të llojit të romanit-përrallë”, Në këta kapituj, pra, trajtohen çështje nevralgjike të romanit për fëmijë si vendi që i takon fantazisë dhe fantastikes në këtë lloj, disa çelësa për të depërtuar në shpirtin e fëmijëve si dimensioni heroik dhe humori; marrëdhëniet midis tipikes dhe individualizmit në krijimin e personazheve plot gjallëri jetësore, roli i drejtimeve letrare midis të cilave kanë vendin e tyre drejtime që i japin rëndësi ëndrrës në art si romantizmi, simbolizmi dhe surealizmi; së fundi çështje të tipologjisë së romanit për fëmijë ku një vend të rëndësishëm e zë romani-përrallë, pikërisht lloji të cilit i përkasin veprat e lartpërmendura. Studiuesja ndalet edhe në kapërcimin e skematizmit bardhë e zi, të ndarjes midis “të mirëve” dhe “të liqve” në romanin për fëmijë. Tipat që janë protagonistë të romaneve të analizuara, u përkasin disa kategorive të veçanta fëmijësh, “fëmijë të vështirë” dhe fëmijëve me natyrë artistike të prirur ndaj.ëndërrave dhe fantazive. “Pinoku” i përket kategorisë së parë dhe “Piter Pani” kategorisë së dytë; “Liza” është një fëmijë antikonformist dhe me logjikë të mprehtë, po jo aq rebele sa “Pinoku”. Studiuesja nënvizon edhe një tipar të këtyre veprave, tregues i fillimit të krizës së vlerave, luhatjen midis moralit fetar që anon nga dashuria dhe mëshira dhe moralit pragmatik borgjez, madje flitet edhe për një kundërmoral, karakteristik për një shoqëri ku u takon të pafajshmëve të shkojnë në burg dhe jo kriminelëve .Studiuesja shtron edhe çështjen a është apo jo “Pinoku” “roman formimi” si mendojnë disa kritikë dhe a ka një thyerje të karakterit në fund të veprës? Pyetjes së parë i përgjigjet “po”, së dytës “jo” dhe i argumenton këto përgjigje. Në këtë studim zbatohet metoda komparativiste, tri veprat e analizuara krahasohen me njera-tjetrën dhe evidentohen ngjashmeri dhe dallime. Studimi dallohet për konçizitet maksimal: një larmi çështjes trajtohen vetëm në pesëdhjetë faqe. Secili problem i trajtuar mund të zgjerohet dhe të thellohet dhe, megjithatë, shfaq një lloj plotësie. Stili është i gjallë dhe i rrjedhshëm, stil shkencor që huazon disa veçori të stilit letrar. Vepra dy gjuhëshe, shkruar shqip dhe italisht, me rrjedhshmëri në të dyja gjuhët.

Studimi është, padyshim, origjinal në tezat e shprehura dhe i gjallëruar nga debatet. Ai spikat në studimet e pakta të krahasuara të letërsisë së huaj për fëmijë të shkruar nga autorë shqiptarë, madje do të thoshnim se vlerat e tij mund të spikasin edhe në kuadrin e kritikës europiane për fëmijë, siç dëshmon fakti se ky studim kishte dalë finalist në një konkurs të kritikës për fëmijë i nivelit ndërkombëtar i mbajtur në Itali (konkursi “Rolando Anzilotti”, më 1993-in, në nderim të emrit të kritikut të shquar dhe politikanit italian), ku u fokusuan disa vlera pa pretenduar se është thënë gjithçka. Kjo vepër u botua më 1998-ën nga shtëpia botuese “Elite”. Do të ishte e dëshirueshme që të ribotohej në një kohë që letërsinë për fëmijë e ka përfshirë kriza në marrëdhënie me lexuesin që dallon letërsinë për të rritur.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com