Sotir Peci, i pari që hodhi themelet e lëvizjes nacionaliste shqiptare, duke botuar gazetën “Kombi”

Prof. as. dr. Jonela Spaho

Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë / Faculty of Education and Philology

Universiteti “Fan S. Noli” / University of “Fan S. Noli”/

Sotir Peci ka hyrë në historinë e jetës politike dhe kulturës shqiptare, veçanërisht me publicistikën e tij të pasur dhe plot mendime të thella dhe të rëndësishme, në shërbim të kohës kur ai shkroi dhe botoi. Ai mund të quhet me të drejtë, një nga publicistët më të përmendur dhe aktivë të periudhës së luftrave të popullit shqiptar, për çlirim nga zgjedha e huaj dhe zhvillim të lirë e demokratik të vendit. Peci i përket brezit të luftëtarëve të rinj, nga rradhët e intelektualëve demokratë, që vunë  të gjitha forcat dhe energjitë e tyre për t’i siguruar popullit shqiptar jetë të lirë, jashtë çdo zgjedhe e varësie, drejtësi shoqërore dhe përparim. Këtij qëllimi Peci i shërbeu me punën e gjerë që zhvilloi në fushën e publicistikës, ku u shqua për mprehtësinë politike, për talentin e rrallë prej polemisti dhe analizën e thellë dhe të goditur të fakteve e ndodhive  politike. Sotir Peci ishte i pari që hodhi themelet e lëvizjes nacionaliste shqiptare, duke filluar botimin e gazetës “Kombi”, më 15 qershor1906, e para gazetë shqipe në Amerikë. Kjo gazetë, siç shkruante ai; “do të përpiqet për përparimin e çështjes politike dhe për lërimin e gjuhës së vetë, t’u apë kurajo dhe ndihmë gjithë atdhetarëve që përpiqen  për këto qëllime, t’u hapë sytë duke dëftyer udhën e drejtë dhe rreziqet e kombit, prej intrigave të armiqve atyre atdhetarëve që nuk interesohen  të futet ndër ta nxehtësira e shenjtëruar, e cila quhet patriotizmë, me pak fjalë të jetë  mpronjës, ndihmës, këshilltor  dhe luftëtar i. interesave të kombit”. Kur gazeta filloi të botohej, në Amerikë ndodheshin rreth shtatë mijë shqiptarë.

Efthim Thanasi,që në fillim dhe deri në fund,ishte dora e djathtë e Sotir Pecit në këtë gazetë. Në kujtimet e tij, ai thekson se vështirësitë për të nisur e botuar gazetën ishin të panumërta. Përveç anës ekonomike, që ishte një problem më vete, dihet vështirësia e gazetave në shqip, të botuara në vend të huaj, si dhe presionet dhe kërcënimet, apo ndonjëherë dhe ofertat joshëse, që mori botuesi i saj nga qarqe të ndryshme antishqiptare. Por. gazeta vazhdoi jetën e saj dhe Peci nuk u bë pree asnjë kërcënimi apo joshjeje.  Efthim Thanasi  thotë se: “Kombi u mbajt ndezur nga zjarri i shenjtë… ndonëse e nismë me aq pak vetë puna vajti mbarë. Pse? Se ata të pakët që e nisën e kishin zjarrin e shenjtë,siç thotë frëngu ”le fë sakrë” dhe arrimë që atë zjarr t’a kishin një pakicë e vogël dhe pakica e vogël, n.q.s. ka një fushë veprimi ku të punojë mbaron punë. Edhe fusha ishte se shqiptarët ishin patriotë shumë më përpara, nuk i bëmë ne patriotë. Deshën vetëm udhëheqës dhe perëndia u dha ca udhëheqës për rilindjen e tyre”.

 Ai e quan dhe Pecin si një ndër udhëheqësit shpirtërorë të kombit dhe veçanërisht të shqiptarëve të Amerikës, të cilët te gazeta gjenin një pjesë të atdheut të tyre të munguar. Kjo për faktin  se “Kombi” ishte e para gazetë e shqiptarëve të Amerikës me përmbajtje politike-shoqërore dhe letrare. Gazeta doli me rreth 110 numra, e shkruar kryesisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në frëngjisht, italisht dhe anglisht, duke u shpërndarë në Amerikë, kolonitë shqiptare të vendeve të tjera, si dhe në Shqipëri, ku hynte ilegalisht. Nëpërmjet botimit të gazetës synohej forcimi i ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët, që ata të bashkuar  të luftonin  për çlirim. Me problemet që trajtoi, ajo u vu plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare, duke u bërë tribunë e mendimit patriotik në ato vite. Gazeta ishte dinjitoze për kohën dhe shumica e artikujve kryesorë, në ballinën e saj mbajnë firmën e Pecit. Veçanërisht, pena e tij shkëlqeu në  fushën e mendimit politik. Dhe jo vetëm te “Kombi”, por kudo që ngjeu  penën e gazetarit dhe në kohra të turbullta, apo në kohrat kur kapi majat e pushtetit, si dhe në kohën kur, me dhimbje, i duhej të ndeshej në fushën e ideve me Nolin, mikun e tij të rinisë, kudo pra, ndihet në shkrimet e tij humanizmi  intelektual dhe guximi qytetar. Ai eci vërtet në gjurmët e publicistikës, që mbëshetej fuqishëm në ideologjinë e Rilindjes, por shkoi akoma më tej  me mendimet e tij,duke u shfaqur si një vizionar i drejtimit perëndimor  e demokratik të vendit.

Duke iu rikthyer sërish gazetës “Kombi”, meqë ajo është bërthama e pulicistikës së tij, me rezonancë më të dendur, duhet theksuar dhe fakti se gazeta, duke qënë  një tribunë e lirë në të cilën analizohej gjendja e Shqipërisë, rreziqet  që e kërcënonin atë, arrinte në konkluzionin e shprehur dendur, se vetëm me luftën e armatosur  shqiptarët do të mund të siguronin lirinë e shumëpritur. Në një shkrim të qeshorit 1906, me titull “Mjaft urtësi dhe durim”, vizionari demokrat tenton një rrugë që shumë pak e aplikuan; kritikën  dhe jo lajkatimin, duke iu drejtuar vetes dhe të tjerëve; ”Gjendemi në rrezik se nuk kemi punuar dhe nuk punojmë siç duhet dhe siç kanë punuar të tjerë kombe, se vemi  më së shumti  me ato mendje të ndryshkura  se s’mundim  të bëjmë  gjë dhe të presim prej perëndie dhe prej bote të na shpëtojë”. Peci nuk bëhet pre e asnjë mashtrimi dhe dinakërie, ai nuhaste dhe nuancat më të holla  të politikave antishqiptare, që kërkonin të bënin tregti me territorret shqiptare, duke manipuluar në emër të miqësisë false. 

Artikujt e tij kanë, për çudi, një linjë konsekuente idesh  dhe lidhje organike mes tyre dhe kur ai shtronte pyetjen  nga do të vijë shpëtimi, po vetë arrin në përfundimin se: ”Duhet të lëmë mënjanë kapriçot  filodoksiane, interesat e veçanta dhe fanatizmin, përpara qëllimeve të ngutshme dhe duke patur ato për dritë dhe tregonjë, të udhëtojmë nëpër të përpjetën dhe nëpër malet, të cilat duhet t’i kapërcejmë që të arrijmë lirinë”. Si mjet të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve, Peci vlerësonte eliminimin e përçarjes fetare. Ishte koha  kur si brenda vendit, ashtu dhe në kolonitë shqiptare në mërgim, nuk predikohej në gjuhën shqipe, kur patriarkana e Stambollit e kishte humbur  karakterin e vet igumenik  dhe duke pasur dhe përkrahjen e Portës së Lartë,  kryente politikë antishqiptare. Rruga e vetme për këtë  ishte krijimi i kishës me shërbim  fetar në shqip, qëllim të cilit Peci do t’i shërbente jo vetëm me një seri shkrimesh publicistike, por dhe mbështetjen që i dha F.Noli, kur ky  themeloi  në Boston “Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare”.

Si gjithë rilindasit iluministë dhe humanistë ai shtronte si domosdoshmëri çështjen e gjuhës  shqipe, unifikimin e alfabetit dhe vendosjen e normës letrare. Pjesëmarrësi i Kongresit të Manastirit që në fillim do të theksonte se: “Çështja më për të vënë re  dhe të cilën duhet ta ndjekin gjithë shqiptarët,është çështja e gjuhës dhe themeli i gjuhës është shkrimi, pra qëllimi  tonë i parë  duhet të jetë njëshja e a.b.c., duke i rrëfyer botës  se jo vetëm kemi  gjuhë që shkruhet, por që  kemi  një shkrim si kombet e tjera”. Vetëm nevoja dhe domosdoshmëria e shkrimit të kësaj gjuhe do ta bëntë të diplomuarin për matematikë një nga publicistët dhe gjuhëtarët më të shquar të kulturës shqiptare, në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, i cili me mjeshtëri  dhe pa ndezur konflikte të forta krahinore, përdori për gazetën e tij alfabetin latin të shoqërisë “Bashkimi“ dhe jo atë të Stambollit, duke bërë kështu një gjest emancimimi për ta afruar më shumë Shqipërinë me perëndimin.

Sotir Peci, si idealist, besonte tek e nesmërja, te sendërtimi  i prosperitetit dhe qytetërimit, por ishte tepër realist dhe i mprehtë për të kuptuar se interesat e klaneve shqiptare nuk sillnin progres por regres:”Jemi nënë zgjedhë dhe të këqijat që kemi hequr dhe  heqim na japin të kuptojmë që kurdoherë dhe prej cilitdo, e drejta matet me kutin e interesave të ndryshme, ndryshe nuk do të gjendeshim në këtë shkallë  qytetërimi dhe njerëzimi”.

Ai ishte skeptik dhe demaskues i regjimit xhonturk, i premtimeve të bujshme të tyre për të vendosur barazitë dhe të drejtat për të gjitha kombësitë e Perandorisë: ”Është e ditur se programi i turqve të rinj është krejt i përkundërt  me çështjen tonë kombëtare. Ata duan t’i japin shpirt Turqisë”. Deviza e tij është përfundimtare:”Dëshira dhe mejtimi i çdo shqiptari duhet të jetë  vetqeverimi dhe storasja  e një konstitutue kombëtare, e një shteti shqiptar. Atje duhet të drejtohen të gjitha veprimet tona”. Vizioni i tij është i përparuar për kohën  dhe shkon më tej duke hedhur në shkrimet e tij idenë për  krijimin e gjykatave  dhe administratës me nëpunës shqiptarë.

 Publicistika e S.Pecit është e gjerë  dhe e shpërndarë  edhe në organe të tjera të kohës kur jetoi.  Ky shkrim ishte vetëm një vështrim i përgjithshëm mbi  disa nga idetë e tij të shprehura në artikujt e “Kombit”. Por ajo që duhet theksuar te Peci  është se ai hodhi themelet e publicistikës moderne shqiptare, sepse  u përpoq në shkrimet e botuara të pulsonte me pulsin e atdheut dhe aspiratave të tij, se u përpoq ta ruante shqipen në  këto shkrimet të pastër, dhe jashtë stilit të gazetarisë vulgare, sepse krijoi një gazetë indipendente që nuk iu nënshtrua asnjë klani dhe qëllimi antishqiptar dhe antihumanist dhe u mundua që në të shprehurin e vet të afrohej sa më pranë fjalës së latuar me penën e mjeshtrit, se pati kurajon të konstatonte, të akuzonte dhe të denonconte, jashtë çdo lloj tutele politike, se njihte mirë realitetin ndërkombëtar dhe historinë e kombeve, çka i shërbente  për krahasime dhe polemika, se ishte tepër vizionar mbi ndërtimin e shtetit të ri shqiptar, duke u përpjekur të japë disa aspekte të tij, se ishte realist ironik dhe sarkastik i mprehtë, se dinte të sulmonte kur duhej dhe si duhej, me forcën që i jepte mendimi i lirë dhë ëndrra për një Shqipëri ndryshe, se asnjë lloj mjegulle, sado e tejdukshme nuk e mbuloi për asnjë çast idealin e tij për progresin dhe qytetërimin, sepse siç thotë dhe i biri Gaqo Peci, motoja e tij ishte “Ideali nuk i unjet kurrë forcës”. Vetëm me idealizmin  e purifikuar  përmes atdhedashurisë, ai  meriton të kthehet në një përmendore të aspiratave dhe sakrificave  mbi altarin e shenjtë të kombit.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com