SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES / Ali Pashë Tepelena, kjo figurë komplekse dhe unike e historisë

Albert Vataj

Ali Pashë Tepelena është ndoshta personazhi më kompleks i historisë së shqiptarëve. Lavdia e tij është e mbuluar nga një mantel i zi kujash dhe krimi të mbrujtura në një mëndje të errët dhe hakmarrëse. Ali Pash Tepelena e farkëtoi emrin e tij të lavdishëm në flakët më të përbindshme të tmerrit, përgjakjes, intrigave dhe poshtërsisë.

Bëri këtë ndoshta ngase nuk kishte tjetër rrugë për të arritur tek qëllimet dhe përmbushur ambicieve e tij. Një veçori e spikatur e “Luanit të Janinës” është menaxhimi që ai i bëri sundimit dhe luftës për pushtet që buronte nga frika që kultivoi dhe sjelljet prej xhelati të një paranojaku. I vetëm kundër të gjithëve, ai mundi të ishte i zoti vetëm si i tillë, siç e përshkruajnë penat e kohës lavdinë e tij prej mizori.

Ai ishte dhe mbeti figura historike shqiptare më e lakuar dhe më e shënjuar nga kronistë, historianë, udhëtarë, piktorë dhe shkrimtarë. Publicitetin e tij do ta kishte zili edhe sot çdo burrështetas. Janë botuar libra, janë shkruar faqe pafund; histori, të vërteta dhe trillime për të, janë realizuar piktura dhe shkruar këngë. Pas Skënderbeut ai është më i njohuri botërisht dhe kjo falë aftësisë së tij për të mbetur i pavdekshëm, një përjetësi të cilën ai e bleu me para, dhurata dhe suvenire të kushtueshme.

Edhe vdekja më 24 janar 1822, ashtu sikurse edhe e gjithë veprimtaria e tij si sundues, është e përshkuar nga një fill tejshpues legjende, siç e thotë edhe kënga… Koka në Stamboll e trupi në Janinë…

Fama dhe lavdia e tij janë të njëjta me shumë sundues dhe fisnikë të tjerë të botës, dhe është pikërisht kjo, magjia që i rrethjen këtij imazhi, kësaj figure, gjithëasaj madhështie të katapultuar në qiell përmes një larmie manifestimesh njohëse dhe promovuese. Ndoshta gjithçka sa është thënë dhe shkruar për të, ishte shumë më shumë se sa ai ishte në të vërtetë. Duke e mitizuar, duke e anatemuar dhe glorifikuar, duke e përngjasuar me satrapë dhe despotë të atyre ambicieve që ai kishte si sundues, koha shkroi jo vetëm historinë e një sundimtari, por arriti të skaliste me daltë të ashpër dhe ngulm të rrëmbimshëm kryeveprën e një shqiptari të famëmadh, i cili nga realiteti hyri në legjendë dhe prej andej kaploi përjetësinë për të mbetur një mit i mbuluar prej aq shumë historish, trillesh dhe të vërtetash që e pamundësojnë gjithkënd që ta deshifrojë në mënyrë tërësore, se kush ai në të vërtetë, më shumë se lavdia që u shtrua për të.

Konica më 1902, në 120-vjetorin e vrasjes së Aliut shkruan: “Ali Pasha, i pamësuar, pa shokë, i rrethuar me armiq, arriti vetëm me forcën e vullnetit të tij në një shkallë pothuaj mbretërore. Njerëz, si lord Bajroni, si admirali Nelson, si mbeti Gustaf Adolf i Suedisë e kishin për nder të piqeshin me të. Shqiptarët u ngjallën, u bashkuan, u ndjenë një komb nën sundimin e tij”.

Për kohën, rrethanat, zhvillimet e stuhishme, ngërthimet hakmarrëse, mosbindja nga Portës së Lartë, nevojat për mbështetje për të bërë qëndresë, duke mos përjashtuar asnjë opsion, sado absurd të ishte në kontekstin kohor, Ali Pashë Tepelena, ishte dhe mbeti i rrallë. Erdhi, sundoi dhe iku, duke qëndruar ikonik në histori, i dritshëm nga ana e dritës dhe i zi stërr nga ana e errët.

Check Also

Marko Kepi nis fushatën për Senatin e Nju Jorkut Mbështetur nga Përfaqësuesit Republikanë në Bruklin

Rafaela Prifti Marko Kepi shpalli publikisht kandidaturën e tij si republikan për Senatin e shtetit …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com