Sot 20-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II, “Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë, se Zoti na do, e se ne, duhet ta duam njëri-tjetrin”

Sot shënohet 20-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës, simboli i përkushtimit ndaj të varfërve dhe të dashurisë për Zotin. Çdo 19 tetor, veçanërisht Shqipëria dhe India, kujtojnë përvjetorin e lumturimit të Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut, në Vatikan, e cila nuk është vetëm festë liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj.

Me 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës,  në nderimet e altarit.

Ja fjalët e çastit kulmor, shqiptimi i FORMULES SE LUMTURIMIT nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003:

“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

Sot pra, me 19 tetor, nuk është festa liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall Festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga Qielli, ndërsa vijon të na kujtojë se:

“Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë, se Zoti na do, e se ne, duhet ta duam njëri-tjetrin, ashti Ai na do ne. Po ku e ka fillimin dashuria?  Në familje. Si fillon? Duke iu lutur së bashku Zotit. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni e respektoni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë e paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Jini të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.

E duke shfletuar kujtesën tonë historike i dëgjojmë përsëri zërat e shqiptarëve të cilët, nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, shprehen emocionin e thellë të atij çasti kur, si rrallëherë, mbarë bota përsëriste me nderim të thellë emrin e kombit shqiptar, që kishte nxjerrë nga gjiri i vet atë që Papa Shën Gjon Pali II e përshkoi gjatë kremtimit të lumturimit të 19 tetorit të vitit 2003 si figurë simbolike të misionit të Kishës, duke shtrënguar, me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte.

Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes- pati thënë Papa Shën Gjon Pali II.

Në përfundim të këtij përkujtimi, ti bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan  me 19 tetor 2003:

“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”.

Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!”.

Kështu është shprehur Papa Gjon Pali II që e lartoi në nderimet e altarit Nënë Terezën më 19 tetor 2003,  e ne sot e shikojmë të Lumen Nënë Terezë me emocion të thellë  e cila nga altari nga na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni… lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ato do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin.

Le të vazhdojmë ta ndjekim shembullin e saj e të jemi mjete të dashurisë hyjnore.

Ja çka shkruhet në motivacionin e lumturimit të Ganxha Bojaxhit, Nënë Terezës:

“Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës – Gonxha Bojaxhiu (1910 – 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjerë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar”. Veç asaj që u tha më sipër, shtohet edhe se gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Radhitet kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në altar në një kohë tepër të shkurtër.

Kjo ditë, me të drejtë, u shpall edhe festa e të gjithë shqiptarëve, por në të gjitha vendet kujtohet si një prej personazheve më të famshme në botë, si murgesha që ndihmoi të varfrit në Indi.

Nënë Tereza ka lindur në Shkup me 26 gusht 1910 në një familje kosovare dhe kur ishte 18 vjeçe u bë kandidate e Motrave të Loretos, të cilët kryenin misione humanitare në Indi. Në vitin 1931, Nënë Tereza shkoi në Kalkuta, ku atje punoi dhe mësoi për 17 vitet e ardhshme. Nënë Tereza u largua nga manastiri dhe filloi të ndihmonte të varfrit nëpër rrugët e Kalkutës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm gjuhën shqipe, pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare, përcjell shekulli.

Shkrimet e saj në gjuhën shqipe, janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip të popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel më 1979 dhe lutja në Shqip transmetuar nga “Zëri i Amerikës” më 17 qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezen se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Pas shumë vite kërkesash insistuese personale dhe zyrtare, në gusht të viti 1989 Agnesa Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, do të realizonte deshirën e madhe, sikurse është shprehur para largimit: “Vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim”. Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shume krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave te lirisë”.

Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Vetëm sipas të dhënave të vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtepi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetime. Nënë Tereza vdiq më 12 shtator të vitit 1997 dhe prehet në selinë e urdhrit të misionarëve të bamirësisë në Kalkuta të Indisë.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com