Shyqyri Demiri (Sulçebeu) – Studiues i njohur i historisë së trevës së Elbasanit

Prof.dr. Roland Gjini

Besnik Bashaliu

Dr. Shyqyri Demiri lindi në 16 Tetor 1906, në qytetin e Elbasanit dheu nda nga jeta në vitin 1983 në qytetin e tij të lindjes. Ai i përkiste një familjeje atdhetare, që ka nxjerrë figura të njohura, me kontribute të rëndësishme në lëvizjet përparimtare kombëtare. Gjyshi i tij Sulë Limon Sulçe (Spahiu), ishte pjesëmarrës aktiv në ngjarjet e viteve 1878-1881, si anëtar i degës së Lidhjes së Prizrenit në Elbasan dhe luftëtar për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës. Babai i Shyqyriut, Demir Sulçebeu, lindur në Elbasan më 1876, ishte anëtar i klubeve atdhetare “Vllaznia” dhe “Bashkimi” e më vonë i shoqërisë “Bashkimi i ri” (1910).Veprimtaria e tij në klubin “Vllaznia” (1909) ka qënë tepër intensive, veçanërisht në detyrën e arkëtarit të shoqërisë. I përgjigjet thirrjes së klubit “Bashkimi” për mbështetje financiare në hapjen e shkollave legale shqipe në Elbasan e krahinën përreth, në 25 Nëntor 1912 ai bëhet një nga firmëtarët e nënshkrimit të aktit të mëvetësisë së Elbasanit. Në periudhat e mëvonshme, Demir Sulçebeu dallohet si kundërshtar i ashpër i feudalit Shefqet Vërlaci, ndjen persekutimet e pafundme të këtij çifligari duke u rrënuar nga pikëpamja ekonomike, por duke mos u përkulur asnjëherë para vështirësive deri në fund të jetës së tij.

Dr. Shyqyri Demiri, arsimin fillor dhe disa klasë qytetase (Normal-gjimnazi) i kreu në qytetin e lindjes, Elbasan, ku u dallua për rezultate të shkëlqyera. Gjatë viteve të rinisë së hershme, së bashku me vëllanë e tij Vehbiun, ishin anëtarë të orkestrës frymore të qytetit “Afërdita”, duke marrë pjesë aktivisht në mbledhjen e ndihmave për Luftën e Vlorës (1920). Si pjesëtar i kësaj bande frymore, në gusht të vitit 1920, ai së bashku me bandën frymore u bë pjesëmarrës në festimet e fitores të organizuara në këtë qytet. Në këto rrethana historike u mbrujtën ndjenjat patriotike tek i riu Shyqyri Demiri, ndjenja, që ai do t’i manifestonte gjatë gjithë periudhës së studimeve dhe më vonë në detyrën e mësuesit.

Nga fundi i vitit 1920, Shyqyriu u vendos në kryeqytetin austriak, në Vjenë, ku, fillimisht, për një vit rresht përvetësoi gjuhën gjermane. Nisur nga vështirësitë e shumta ekonomike që diktonte jeta vjeneze, ai zhvendoset përkohësisht në një qytet të vogël të Austrisë, Ried, ku rregjistrohet në gjimnazin klasik tetëvjecar, duke studiuar veçanërisht gjuhët latine dhe greqishten e vjetër, lëndë të nevojshme për vazhdimin e studimeve të mëtejshme në degën histori-arkeologji. Nga shtatori 1929 deri në gushtin e 1933-it, vazhdon studimet e larta në Universitetin e Gracit,Fakulteti Filologjisë, dega Histori-Arkeologji, ku u dallua për rezultate të larta, duke tërhequr edhe vëmendjen e pedagogëve të tij, të cilët flisnin me konsiderata për pasionin e vullnetin e studentit shqiptar.

Për shkaqe shëndetësore, detyrohet t’i ndërpresë studimet për disa kohë duke qëndruar në Austri ku edhe kurohet. Pas kalimit të provimeve të tij të fundit (Rigorosen) më 2 korrik 1934, ai propozoi tezën e tij për mbrojtjen e gradës shkencore më 5 mars 1934,me titull: “Përpjekje e një vështrimi kritik të kulturës para dhe historike të Shqipërisë”. Më 3 qershor 1935, jep provimin e diplomës, dhe më 26 qershor 1935 ai fiton doktoratën në këtë universitet. Në këtë mënyrë Shyqyri Demiri bëhet arkeologu i parë shqiptar i diplomuar me gradë shkencore në fushën e studimeve historike e arkeologjike. Gjatë viteve’30-të e gjejmë Dr. Shyqyri Demirin mjaft aktiv në faqet e shtypit vendas dhe të huaj me artikujt e tij shkencorë, mbi tema që përfshijnë diskutimet mbi etnogjenezën e kombit shqiptar dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare.

Punimet e tij shkencore në fushë të arkeologjisë dhe historisë, më së shumti përqëndrohen te Elbasani e trevat përreth. Prezantimi i historisë së trevave të Elbasanit nga Shyqyri Demiri përgjatë kohërave, që nga periudhat antike deri në ditët aktuale, është bërë si nëpërmjet shënimeve e kumtesave të veçanta, ashtu edhe në formën e përmbledhjeve historike. Në morinë e punimeve shkencore të shkruara, por të mbetura të pabotuara, gjatë jetës së tij, që shtjellojnë historinë së kësaj treve; që nga kohët më të hershme e në vijim, rendisim disa prej tyre, të depozituara në Muzeun e Elbasanit:

– Historia e Elbasanit, pjesa e parë “Koha e vjetër, prej Neolitit përmbi Skampinin deri në ndërtimin e kalasë në shek V.e.r (62 faqe daktilografike).

– Historia Mesjetare e Elbasanit: Dyndjet barbare, Topijasit, Arjanitasit, invazioni turk, luftërat e Skënderbeut në zonën e Elbasanit, rindërtimi i kalasë, Ilbasani deri në fund të shek XV (34 faqe daktilografike).

– Historia e Elbasanit, nga vitit 1500 deri në periudhën e viteve 1920 (150 faqe daktilografike).

– Biografia e Aqif Pashë Biçakçiut, shkruar në 50 vjetorin e vdekjes së këtij patrioti.

Rezultatet kryesore të kërkimeve e studimeve janë pasqyruar në veprën e tij kryesore, “Histori e shkurtër e treves së Elbasanit”, (Nga Neoliti deri më 1939), shkruar përgjatë disa viteve dhe botuar pas vdekjes së tij, në vitin 2006, nga Shtëpia botuese Egnatia, mbështetur dhe financuar nga nipi i Dr. Shyqyri Demirit, z. AlbanDemiri. Shyqyri Demeri sjell fakte dhe argumente të rëndësishme për krijimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Elbasan, si dhe për kontributin e popullit të Elbasanit dhe të trevave përreth në këtë Lidhje. Ai na bën të njohur faktin se në tetor – nëntor 1880, rreth 3000 luftëtarë u nisën nga zonat e Elbasanit në mbrojtje të trevave shqiptare, si pjesë e L.SH.P dega e Shkodrës, që mbulonte veprimet luftarake në Hot e Grudë.

Më tej, Demiri në studimet e tij, bën një pasqyrë të gjendjes së arsimit e kulturës në zonën e Elbasanit në periudhën e viteve 1908-1912, për përhapjen e gjuhës shqipe në trevën e Elbasanit, shkollat shqipe në Shpat, Kongresi i Elbasanit dhe vendimet e tij, çelja e shkollës Normale dhe faktorët politiko-kombëtarë e arsimoro-kulturorë që përcaktuan Elbasanin si qendër e mbajtjes së këtij Kongresi dhe hapjes së shkollës Normale. Veprimtaria e çetave luftëtare dhe shpallja e Pavarësisë në qytetin e Elbasanit në 25 Nëntor 1912 do të përbëjnë edhe argumentin përmbyllës të studimit të prof. Demirit për periudhën e Rilindjes Kombëtare.

Pas çlirimit të vendit, që në vitet e para e në vijim, prof., Demiri intensifikon punën e tij për studimin e historisë së trevës së Elbasanit. Kështu, kërkimet dhe punimet e tij në fushën e arkeologjisë realizohen së bashku me arkeologët e njohur të vendit Hasan Ceka, Skënder Anamali, Selim Islamin etj, në gërmimet arkeologjike në tumat e Pazhokut, vëzhgimi dhe studimi i territorit dhe kalasë së Qafës në Mollas, studimi në terren i Kullës së Kamunaut, dhe i Klosit të Sulovës etj.

Në morinë e punimeve të Shyqyri Demirit përmendim edhe studimet në fushën e toponimeve dhe shpjegimin e shkrimeve të ndryshme: romake, bizantine, turke e arabe, të gjendura në monumente apo fragmente të kulturës materiale që janë zbuluar në trevën e Elbasanit. Të tilla janë: artikulli i botuar në gazetën “Shkumbini”, Nr.63,dt.07.08.1976 me titull “Toponime, Qafa e Kalit”, apo artikulli i botuar po në gazetën “Shkumbini”, Nr 68, dt.25.08.1976 me titull “Toponime, Kroi i Kalit”. Në studimet e përmbledhura në librin “Histori e shkurtër e trevës së Elbasanit (Nga Neoliti deri më 1939)” gjejmë shpjegime për toponimet “Sarajet”, “Fusha e kuajve”, “Mëhalla e Llonxhës”, “Gjurma e Mushkës”, “Cezmja e Lepurit”, “Fusha e Bullit”, “Bradashesh”, “Çezmja e njomë”, “Çezmja e thatë” etj, studimet e publikuara në përmbajtjen e shkrimit latin mbi monumentin e ushtarit romak Mark Sabidit me qëndrim në Skampa, përmbajtja e mbishkrimeve arabe të rrasave të montuara në portën jugore të kalasë, shpjegimi i emërtimit Neokastron e përdorur nga popullsia e krishterë për kalanë e rindërtuar të Ilbasanit (Elbasanit), historiku i përdorimit të emërtimit, Valmi, për qytetin e Elbasanit sipas kronikave veneciane. Në këto shkrime, Dr. Shyqyriu argumenton emërtimet e vendeve dhe kulturës materiale të gjendura në zona të ndryshme të trevës të Elbasanit, duke u ndalur veçanërisht në shpjegimin e prejardhjes së tyre. Në studimin e tij mbi historikun e trevës së Elbasanit, Dr. Demiri na jep një tablo të plotë për monumentet e kulturës që gjenden aktualisht në Shqipëri e veçanërisht ato që shtrihen në zonën e Elbasanit. Përmendim këtu: Monumentin e ushtarit romak Mark Sabidit, tumat e Pazhokut, kalatë e shumta në Lleshan, Gradishtë, Sulovë, Mengël, Elbasan, stema e princit të Shqipërisë së Mesme Karl Topisë, manastirin e Shën Gjon Vladimirit, banjot romake të Bradasheshit, këmbët e urës antike të Topçiasit, fragmente të rrugës Via Egnatia, veprat e piktorëve të mëdhej shqiptarë në zbukurimet kishtare të Valshit, Shelcanit etj. Studimin e tij mbi historikun e trevës së Elbasanit, Dr. Demiri, e fillon me pasqyrimin e një harte të qendrave më të rëndësishme historike, ndërsa evidenton fillesat e banimit të këtij rajoni, përbërjen e kësaj popullsie, periudhën e ekzistencës së hershme që daton nga periudha e Neolitit, shtrirjen e vendbanimeve, kultura materiale arkeologjike e gjendur në to si tregues të një ekzistence jetësore të kësaj popullsie etj. Nëpërmjet dëshmive historike, pasqyrohet treva e Elbasanit në periudhën antike, fiset që e kanë banuar: Parthinët, Eordejt, Kandavët, qytezat e kësaj krahine dhe fillesat e Skampës, si ngulimim ushtarako-urban, periudhat e lulëzimit dhe rrënimit të tij, etj. Ekspozohet periudha mesjetare në trevën e Elbasanit me gjithë kompleksitetin e saj historike e monumental, ndryshimet e varësisë administrative e fetare, monumentet kulturorë dhe lidhjet historike me periudha të ndryshme të zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror të popullsisë së këtij rajoni. Gjendja e zonës së Elbasanit nën administrimin e Topiajve e Arjanitëve, si dhe përshkrimi i detajuar i objekteve kulturore, vendbanimeve dhe zhvillimeve ekonomiko-shoqërore do të përbënin një risi në punimin e Dr. Demirit për historikun e kësaj treve, po të marrim në konsideratë kohën kur është kryer ky punim.

Në këtë punim ne u ndalëm kryesisht në kontributin e Shyqyri Demirit në studimin e historisë së trevës së Elbasanit. Por, duhet të theksojmë këtu se veprimtaria e tij kërkimore-shkencore është më e gjerë se kaq. Ai la pas punime me vlera jo vetëm historike, por edhe arkeologjike, gjuhësore, antropologjike, etnografike, në fushën e arsimit e kulturës shqiptare në tërësi e të Elbasanit në veҫanti.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com