Përfaqësuesit e rreth 60 shoqatave e organizatave patriotike shqiptare në New York e më gjerë i kërkuan Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z.Bajram Begaj që të ndikojë në institucionet ligjzbatuese dhe përgjegjëse në Shqipëri për të bërë të mundur pjesëmarrjen e diasporës shqiptare në zgjedhje. Në një panel të udhëhequr nga Mark Gjonaj ish-Këshilltar i Bashkisë së New York-ut, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z.Bajram Begaj ndër të tjera deklaroi në takim: “Ju shpreh mirënjohjen e gjithë qytetarëve shqiptarë për gjithçka që keni bërë për kombin tonë, për angazhimin dhe punën tuaj. Jeni pikë e rëndësishme e lidhjes shqiptaro-amerikane. Veprimtaria juaj lartëson dinjitetin e Shqipërisë. SHBA është busulla jonë e frymëzimit dhe orientimit. Shpresoj që institucionet ligjzbatuese në Shqipëri të garantojnë votën e diasporës ku ju jo vetëm që të mund të votoni, por që të zgjidhni dhe përfaqësuesit tuaj nga diaspora. Promovoni e kultivoni gjuhën shqipe, është shpëtimi i kombit gjuha shqipe” tha ndër të tjera z.Begaj. Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati deklaroi para të pranishmëve në takimin e Presidentit Begaj me organizatat shqiptare se do të forcojë bashkëpunimin me diasporën shqiptare dhe do lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Z.Mark Gjonaj prezantoi pyetjet e diasporës të ardhura nga rreth 60 shoqata patriotike e kulturore shqiptare në New York e më gjerë, ndër përgjigjet e Presidentit Begaj ishin:
-Të drejtat e serbëve në Kosovë, duhet të jenë të barabarta me të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
-Do përcjell zërin në institucionet shqiptare përgjegjëse ku klasa politike të gjejë rrugën me qëllim që diaspora shqiptare të votojë në zgjedhje. Vota është e drejtë kushtetuese, jo kërkesë.
– Investoni në Shqipëri, ligji për mbrojtjen e investitorëve garanton çdo investim.
– Do promovojmë dhe mbështesim shkollat shqipe.
– Do kisha shumë dëshirë ti jepja shtetësi shqiptare çdo shqiptari kudo të lindur e kudo që jeton.
– Shqiptarët në Ballkan faktor shumë i rëndësishëm për paqe, zhvillim e siguri. Kosova është interesi ynë më madhor pas integrimit në Bashkimin Europian.
-Mirënjohje përjetë aleatit dhe partnerit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Takimi u përmbyll me ide të reja dhe diskutime rreth çështjeve që shqetësojnë qytetarët e Shqipërisë, Kosovës e shqiptarët në trojet etnike. (Dielli)