Shqiptarët dhe Konferenca e Paqës në Paris!

NDUE  BACAJ/

(PJESA E DYTË)

Me 7 nëntor 1918 Patriotët në Shqipërinë e Veriut formuan Komitetin e Mbrojtjes Kombëtar të Kosovës, ose thjeshtë Komitetin e Kosovës , me qëndër në Shkodër. Ai gëzoi përkrahjen e shumë udhëheqësve dhe intelektualëve, botoi organin e tij Populli dhe shpalli se shqiptarët duhet të mbështeteshin në forcat e veta politike dhe ushtarake për të siguruar çlirimin kombëtar.1.  Ndërsa megjithse në dukje lokal, një zhvillim domethënës dhe me vlera kombëtare shqiptare që vlenë të cilësohet, dhe i ”parapriu”  Konferencës së Paqës në Paris kishte qenë inisiativa e prijësve malësor të Hotit, Gudës e Trieshit të cilët me 14 nëntor 1918 do t’i  dorzonin gjeneralit francez Bardi de Fortu, (që Fuqitë e Mëdha Europiane e kishin vendosur të komandante  Shkodrën), kërkesën drejtuar: Washingtonit, Londrës, Parisit dhe Romës, me objekt ribashkimin me Shqipërinë. Ndër të tjera në këtë kerkesë thuhej: “Mjerisht konferenca e Londrës (1913) nuk deshi me na njoftë të drejtat , e viset tona ia la Malit të Zi, tue u bashkue kështu me fatin e keq që patën shumë vise të tjera të Shqipnisë, të cilat kjenë shkëputun prej atdheut… Konsujt e pushteteve të mëdha e ushtritë ndërkombëtare të Shkodrës kanë qenë dëshmitarë të shterngimit tragjik, të rëndë e të patregueshëm që i kemi vuajtë rrokull vjetëve 1913-1915, tuj shkuam jetën andej e këndej larg votrave e të shveshin prej pasunive tona. Këto janë pësimet e vajtueshme të fiseve të Hotit e Grudës. Po tashti kur Pushtetet e Mëdha (Fuqitë e Mëdha N.B.), për sa e sa herë kanë shpallur botnisht se kishin rrokë armët për mbrojtjen e lirinë e kombeve të vogla, e po bahen gati me hellun themelet e njaj paqe të drejtë e qëndrueshme , të mbeshtetur mbi këto parime fisnike, shpresat tona po ngjallen. Tue pasë besim të plotë se do të kryehen dëshirat tona, marrim leje me iu sjellun drejtësisë tuj duke iu lutun përvujtësisht , në emën të drejtave  të shejta të Shqipnisë e të parimit të vetvendimit të popujve, që të kenë mirësinë me vendos që fiset tona të lidhen prapë me atdheun tonë, Shqipninë, mbasi jemi nji pjesë e pandame e saja, si për arësye etnografike e gjeografike, ashtu edhe për gojëdhana e dëshirat kombëtare të banorëve të Hotit e Grudës…. Kërkesen e firmosin 24 perfaqësues,  të Hotit: Deli  Meta, Tomë Nikollë Hasanaj, Gjekë Uci, Nikollë Luca (Junçaj), Gjush Marku, Nikë Martini, Lekë Marku, Lucë Ulaj, Marash Dokaj, Zef Muça, Prelë Dushi, Prekë Gjetja, Gjon Ujka, Haxhi Mustafa, Lucë Nishi, Prelë Keri, Gjon Ujka, Sokol Mali, Nikë Gjeloshi, Gjokë Elezi, Nikë Gjeloshi, Dedë Gjoni, Prekë Zeka, Gjon Nika,  Dhe 21 të Grudës: Dedë Nika (Ivezaj), Pjetër Preka, Mirash Hasi, Dodë Nika, Lulash Baca, Lekë Luli, Palok Marku, Lucë Gjeloshi, Kolë Leka, Dodë Ujka, Tomë Gjeku, Losh  Gjeka, Dodë Preka, Tomë Gjoni, Prelë Doka, Gjekë Preloçi, Mirash Pëllumbi, Prekë Dedë Gjolaj, Mehmet Murati, Bisho Caku, Zef Martini.  Për dorzimin e kërkesës te Bardi de Fortun në Shkodër, përveç P.Anton Harapit që i “shoqëron”, ndihmë japin edhe At Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi.2.  Ndërsa një ngjarje e rëndësishme që mori “jetë” pak ditë para fillimit të Konferencës së Paqës në Paris  ishte Kongresi i Durrësit, i cili zhvilloi punimet me 25-27 dhjetor 1918. Kongresi u shpreh për ruajtjen e pavarësisë, tërësisë tokësore të shtetit shqiptar dhe rishikimi i kufijve të vitit 1913…. Në të morën pjesë 53 delegatë. Nuk duhet harruar se në fund të vitit 1918, Shqipëria ishte ende e pushtuar nga shtetet fituese, ushtritë e të cilave nuk largoheshin nga tokat shqiptare edhe pse kishte mbaruar Lufta e Parë Botërore. Pas disfatës së Austro-Hungarisë, shpresat më të mëdha shqiptarët atë kohë i kishin tek Italia e cila insistonte që të mos formohej një Qeveri po një Këshill ose Komitet Kombëtar. Delegatët vinin nga pjesa më e madhe e vendit. Por, nuk merrnin pjesë ata nga qyteti i Vlorës, sepse autoritetet italiane kishin marrë udhëzime nga Roma që të mos njiheshin delegatët e atij qyteti. Në Kongres mungonin edhe përfaqësuesit e pjesës nën pushtimin serb, si nga Dibra, Peshkopia e Luma, dhe as ata që ishin nën pushtimin francez, nga qyteti i Korçës. Ndersa gazeta “Agimi” për kongresin e Durrësit ndër të tjera shkruante: “Në kongres arritën të bënin propozime dhe të merrnin fjalën edhe njerëz të cilët nuk figuronin në listën e personave që kishin mandatin e të deleguarit”. Megjithatë, Kongresi u shpreh për formimin e Qeverisë së përkohshme me 14 anëtarë, edhe pse ishte vendim sfidues kundrejt diplomacisë së Romës.3.   Ndërkohë në dhjetor 1918 do të krijohej edhe Qeveria e Përkohëshme e Durrësit e cila do të dërgonte delegacionin e saj zyrtar në Paris, të kryesuar nga Turhan Pasha. Në Paris do të mbërrinte edhe një delegacion i kryesuar nga Esat Pashë Toptani  në cilësinë e kryetarit të vetshpallur të Qeverisë “Shqiprtare”… Ky dualizëm në përfaqësim nuk ishte për të mirën e trajtimit të statusit të Shqipërisë në Konferencën e Parisit. Ndërsa diplomati  Ismail Qemali (edhe pse kishte vite që ia kishte lënë qeverisjen e Shqipërisë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit),  ishte  caktuar  nga komuniteti i fuqishëm shqiptar në SHBA dhe VATRA, për të përfaqësuar ata dhe Shqipërinë në Koferencën e Paqës në Paris, i cili do të parashtronte kërkesat dhe të drejtat e shqiptarëve e Shqipërisë për konferencën.4.  Mirpo Ismail Qemali gjatë rrugës , në Peruxhia Itali) do të pësonte një hemoragji e cili i solli vdekjen (26 janar 1919). Pas kryesimit disa mujor Turhan Pasha dha dorheqjen , pëveç të tjerave edhe se nuk dinte shqip. Dokumentet zyrtare të paraqitura nga ana e dërgatës shqiptare, të botuara nga ana e qeverisë së përkohëshme të Durrësit, tregojnë se Turhan Pashë Përmeti firmoste dokumente si kryetar i dërgatës shqiptare nga data 12 shkurt deri me 5 qershor 1919. Dokumente që ia adresonte Shkelqësisë së tij  Z. Zh. Klemanso, kryetar i konferencës së Paqës.5.   Pas dorheqjes të Turhan Pashës në vend të tij do të merrte kryesimin e delegacionit  imzot Luigj Bumçi (që kishte qenë edhe një ndër delegatët e dergatës të kryesuar nga Turhan Pasha) me sekretar (të tij) At Gjergj Fishten.6.  Pas ndryshimit të kreut të dërgatës shqiptare do të bëhej, edhe një riformatim i antarëve të dergatës, e cila tashma përbëhej nga: Imzot Luigj Bumçi, Dr.Mihal Turtulli, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica, si dhe At Gjergj Fishta (sekretar i Luigj Bumçit, por që realisht kryente detyrat e sekretarit të dergatës). Organizata Panshqiptare Vatra dhe komuniteti shqiptar në SHBA (pas vdekjes të I.Qemalit) do të dergonin si përfaqësues të tyre, pastorin protestan Reverend  Erickson.  Por mbasi Shqipëria nuk kishte marrë pjesë në luftë si shtet (lufta e parë botërore), delegacioni shqiptar nuk u njoh zyrtarisht në Paris dhe u lejua vetëm të shfaqë pikpamjet e veta në komisionin e ngarkuem me çeshtjet tokësore. Çka është më keq, Italia kishte mbajtur fshehtë për një muaj formimin e Qeverisë së Përkohshme të Durrësit (me kryeministër Turhan Pashë Permetin), dhe nuk i njoftoi përfaqësuesit e shteteve që ishin mbledhë në Paris… Esat Pasha e kishte transferua qendrën e tij në Paris me bekimin e e qeverisë franceze dhe u njoft si i vetmi kryetar i nji qeverie.7.  Në fakt në Paris do të shkonin edhe përfaqësues të diasporës  shqiptare nga Rumania, Turqia e SHBA-ja… Në Paris kishte shkuar (gjoja) edhe një delegat i Epirit të Veriut, njëfarë Karapano, veprimtarinë e të cilit e kishte përgënjeshtruar dërgata shqiptare me anën e një letre, që ia dërgon kryetarit të Konferencë së Paqës Z.Klemanso, me datën 5 maj 1919 me nënshkrimin e Turhan Pashës  si kryetar i dërgatës.8.  Vlenë të cilësohet se gjatë udhëtimit për në Francë, Imzot Luigj  Bumçi së bashku me At Gjergj Fishten ishin ndalur në Romë. Në qytetin e shenjtë ku u takuan me Kryetarin e Urdhërit të Fretnëve, At Serefino Cimino, dhe me 6 mars 1919 u pranuan në audience te Papa Benedikti XV-të.9. Delegacioni shqiptar që shkoi në Paris do t’i  paraqiste Konferencës së Paqës, gjatë muajit shkurt 1919 dy memorandum. Me anën e tyre , pavarësia e Shqipërisë konsiderohej e siguruar me vendimet e Konferencës të Ambasadorëve të vitit 1913, dhe kërkohej që të nderqëshin padrejtësitë, që ishin bërë me coptimin e tokave shqiptare nga Kongresi i Berlinit 1878, dhe nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913.  Për këtë delegacioni shqiptar i paraqet konferencës memorandumin e 12 shkurtit 1919 që parashtronte vetëm këto rivendikime si vijon: “Kufini etnik i Shqipnisë fillon prej gjinit të Spicës (në veri të Tivarit), kthehet drejt veri-lindjes duke përfshi Tuzin, Hotin, Grudën, Trieshin, Podgoricën e tue ndjekë kufinin e Malit të Zi që ka pasë para vitit 1912, përfshinë Pejen, Gjakovën, Mitrovicën, Prishtinen, Gjilanin, Ferizajt, Kaçanikun, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Kërçoven, Dibrën pë me mbërrijtë te “Mali i Thatë” nëpëmjet liqenit të Ohrit e të Prespës. Që prej kësaj pike kufini ndjekë rrugën e 1913- deri te maja e malit Gramoz e vijon drejt jugut për të dalë afër gjinit të Prevezës. Të gjitha viset që gjinden në perendim të këtij kufini përbajnë Shqipninë etnike e historike. Brenda këtyre kufijve që caktuem ma sipër jetojnë 2.500.000 shqiptar….  Siç shihet delegacioni shqiptar në Konferencën e Versajës ishte i shtërnguem të merrte parasyshë qëndrimin armiqësore të kryesuesve të konferencës, ku kështu sakrifikohej një vend i madh etnik shqiptar ndërmjet Shkup-Velës-Prilep-Manastir-Follorinë e Kostur në Lindje, Kostur-Liqeni i Prespës-Kalkandelën në perendim dhe Kalkandelë Shkup në Veri”. Në këto kushte, duke parë se kërkesat për zgjerimin e kufijëve (rivendosjen e kufijeve etnik të Shqipërisë N.B.) nuk po përfilleshin , kurse pretendimet e shteteve fqinjë ballkanike po gjenin mbështetje , delegacioni shqiptar që me 7 mars 1919 i paraqiti konferencës propozimin që krahinat  shqiptare  që kishin mbetur jashtë kufijëve të 1913, të vendoseshin forcat e SHBA-s për t’i administruar për një ose dy vjet , me qellim që të organizohej atje një plebishit për caktimin e fatit të tyre të mëtejshëm10.  Mjerisht disa nga fuqitë fituese që thirrën Konferencën e Paqës së Parisit  ishin  fuqitë e Antantes  që kishin nënshkruar Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915). Qeveria Italiane  kërkonte Vlorën dhe pretektoratin mbi “shtetin” autonom shqiptar, që do të formohej në Shqipërinë e Mesme , siç parashikohej në Traktatin e Fshehtë të Londres (1915), ose me kufijët e vitit 1913. Qeveria greke kërkonte të aneksonte  Korçën e Gjirokatren. Ndyshe vepruan në fillim përfaqësuesit e mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene ku bënte pjesë edhe Mali i Zi që me 1918 (ose Jugosllavia), të cilët për shkak të rivalitetit Italo-Jugosllav  në Adriatik dhe në Shqipëri , u shprehen për pavarësinë e Shqipërisë në kufijët e 1913-ës. Në këtë mënyrë mendohej që Italia të mos vendosej në Shqipëri dhe kjo të ishte nën ndikimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovane (ku bënte pjesë pa emër edhe Mali i Zi). Por në këkesen e kësaj të fundit, parashikohej gjithashtu që në rast të një shteti tjetër do t’i  njihej e drejta e pushtimit, ose e pretektoratit mbi Shqipërinë.11.  Delegacioni shqiptar edhe pse në këto kushte të pafavorshme, bënte përpjekje të vazhdueshme për të bindur konferencën për të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta etnike. Nga këto përpjekje jehonë të madhe do të bënte ligjërata e mbajtur në Universitetin Katolik të Parisit nga Kryetari i delegacionit shqiptar Imzot Luigj Bumçi, me titullin d.m.th. “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne”. Këtë ligjëratë me përmbajte të shkelqyer historike, filozofike, juridike, kanunore, letrare, logjike e diplomatike e kishte pergatitur e shkruar mrekullisht At Gjergj Fishta, gjë që e tregon edhe Imzot  Bumçi. Kjo fjalë kje shtypë ma vonë në një broshurë në shtypshkronjen Franceskane në Shkodër me 1920, dhe që mbetet edhe sot e kësaj dite porsi shembull oratorie ciceroniane me kostum arbënor. Kjo ligjëratë “la” pa mend profesorë, diplomatë, politikanë etjerë. Pas kësaj ligjerate që shpesh e quajten edhe konferencë u shtuan takimet e delegacionit shqiptar me autoritet më në zë kishtare e laike, mbrenda e jashtë konferencës… Në këto takime është për t’u nënvizua sidomos ai,  që u zhvillua ndërmjet Imzot Bumçit  e At Gjergj Fishtës me Kardinalin e famshëm të Brukselit, Desidre  Mercier (1851-1926), Primat i Belgjikës , filozof i përmendur e udhëheqës shpirtëror i rezistencë belge në luftën e Parë Botërore.12.  Vlenë të shënohet se për botimin e ligjëratës “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne”, të mbajtur në sallën e Universitetit Katolik të Parisit, nga kryetari i delegacionit shqiptar Imzot Luigj Buçi ( e përgatitur nga At Gjergj Fishta), gazetat franceze u kërkonin shqiptarëve 50000 franga për një artikull. Me këtë çmim të çuditshëm për t’u  njoftë ndër prralla , zotruesit e gazetave franceze, donin veç si me u mbyllë shtigjet e publikimit të drejtave të shqiptarëve.13.  Megjithë këtë kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencen e Paqës, Imzot Luigj Bumçi do të takohej përsëri (në ditët e para të vitit të ri 1920), me Papa Benediktin e XV (të cilit Shqipnija do t’ia di shpëtimin e Korçës e Gjinokastrës, pasi sipas akordit Titoni-Venizellos do t’i lëshohej Greqisë). Nga ky takim Imzot Bumçi do të merrte premtimin: “Kam me ba çmos, çka të mundem për me iu ndihmua që Korça e Gjinokastra të mbeten shqiptare”.14.  Me 5 janar 1920 bëhet mbledhja e lënë që me 25 shtator 1919, ku u krijua Komisioni i “Besës”. Ky Komision doli me një thirrje vllaznëve shqiptar shkodranë si vijon: “Lajmi i ri se konferenca e Paqës ka mendimin e shëmtuem me e nda Shkodrën deri në Dri prej Shqipnije, ka helmue gjithë zemrat e  shqiptarëve. Sado që koha asht mjaft e kritikshme, duhet që të gjithë t’a  mbani ma nalt se kurr moralin tuaj, sepse i madh e i vogël, trim e grue, që përfshinë malet e mëdha ; Dukagjinin, Malëcinë e Madhe, Pukën, Malëcinë e Gjakovës, Mirditën, Bajraqet e Lezhës e Shqipnija e Mesme , me të cilën tash vonë  bashkuen Besën, janë kurdoherë për ndihmën tuej dhe për mbrojtjen e Shkodrës, thjeshtë shqiptare, me derdhë edhe ma të mramen pikë gjaku  që në kjoftë se mendimi i shëmtuem që u diftue sipri këmbehet në vendim. Mjaft një kushtrim i jueji e ky popull vjen me i ba ballë këtij rreziku…”.15.  Grekët dhe serbët kishin menduar me shkëputë sa më shumë toka shqiptare, Traktati i Fshehtë i Londrës u paraqit në tryezën e Konferencës të Paqës si një kambijal që duhej paguar. Shkurt Shqipnija u ba edhe njëherë monedhë shkëmbimi në pazardhëqet e fuqive europiane , që e kanë zanat me dhurua toka që nuk janë të tyne. Në një memorandum të gjatë, drejtue konferencës së paqës, kryeministri grek Venizellos përsëriti kerkesen e Greqisë me aneksue Shqipninë e Jugut, tue dhanë si argument “qytetnimin” ma të naltë që përfaqëson Greqia, ndërsa Shqipnija nuk ka nji jetë politike”.  Venizellos pohonte se Greqia nuk mund t’i kërkoj këto toka në bazë të parimeve kombëtare, mbasi edhe ortodoksët e Shqipnisë së Jugut flasin shqip në familjet e tyne. Por ai holli poshtë parimin e gjuhës dhe të racës, tue ngulë kambë se faktori vendimtar asht ndergjegja kombëtare. Këtë pikë të memorandumit të tij kryeministri grek e ilustroi me faktin se disa krenë të luftës së pavarësisë greke ishin prej fisi shqiptar…. Por sipas qeverisë greke marrveshja e Korfuzit ishte prova e karakterit grek të “Epirit të Veriut”, (d.m.th të Shqipnisë së Jugut me kufijë që ndryshojnë simbas rrethanave ndërkombëtare). Gjatë luftës parë Botërore , Greqia dërgoi ushtri në “Epirin e Veriut” me pelqimin e fuqive të mëdha. Italia okupoi Vlorën dhe traktati i fshehtë i Londrës e vulosi këtë zhvillim…. Shqipëria kishte qëndruar neutrale gjatë luftës parë botërore, ndaj  këto vendime ishin të “vlefshme” nga pikpamja ndërkombëtare. Ky argument vlente edhe përsa i përket ambicjeve të Jugosllavisë me zaptue Shqipninë e Veriut megjithë Shkodrën , për hesap të malit të Zi që nuk ekzistonte ma si shtet në vehte. Konferenca e paqës emnoi një komision me në krye diplomatin francez Jules Cambon (Zhyl Kambon) për me u marrë me çeshtjen greke. Delegati Italian në këtë komision  kërkoi që protokolli i Firencës të merrej si bazë për të përcaktuar kufirin jugor të Shqipnisë. Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe vuni në dukje se vendimet e komisionit të kufijëve që përpiloi protokollin e Firencës nuk ishin unanim, mbasi Franca dhe Rusia nuk kishin votua me shumicën. Për këtë arësye qeveria britanike pelqente në parim kerkesen greke përsa i përket Shqipnisë së Jugut…. Ndërsa delegati shqiptar Dr.Mihal Turtulli i përgjigjej  me  deklaraten e tij: “Unë jam prej Korçe ku kam ushtrue mjeksinë. Jam nji burr plak dhe i ndershëm. Unë shpallë këtu në mënyrë të preme se nuk ka asnjë banorë grek, as në qytet e as në rrethin e Korçës. Grekët quajnë grek ata që janë të fesë ortodokse; unë jam ortodoks por nuk jam grek. Bullgarët dhe serbët janë ortodoks, por nuk janë grekër. Epiri nuk ka qenë kurr nji pjesë e Greqisë. Shkollat greke atje janë në të vertet shkolla ortodokse shqiptare…16.  Në konferencen e Paqës, serbo-malazezët për të arritur qellimet e tyre të grabitjes të trojeve të tjera etnike shqiptare (pas atyre të grabitura me bekimin e kongresit të Berlinit 1878, dhe Konferencës së  ambasadorëve në Londer 1913), me ndihmen e Francës direkt dhe dados Rusi “indirekt”, gjatë Konferencës të Paqës propogandun “idenë” se popullsia katolike e Malësisë së Madhe, Shkodrës, Lezhës e Mirditës , është dakord  t’i bashkëngjitet Malit të Zi (e për rrjellojë “Jugosllavisë”) me shumicë  popullsie ortodokse, pra kristiane. Me inisiativën e Imzot Luigj Bumçit, At Gjergj Fishtës dhe patriotit Luigj Gurakuqi, nga këto troje shqiptare iu dërgua një protestë energjike Konferencës së Paqës, ku ndër të tjera thuhej: “Popullsia katolike shqiptare, ka interesin më të madh të qëndroi e bashkuar në një Shqipëri të lirë, dhe për këtë e shtyjnë motive kombëtare dhe fetare. Po qe se do të kërkoni të na bashkoni me Malin e Zi , atëherë Konferenca e Paqës do të bëjnë një krim ndaj vendit tonë, gjuhës tonë dhe religjionit tonë. Katolikët dhe muslimanët janë vëllezër, dhe si të mirën ashtu edhe të keqen e ndajnë sëbashku”. Protestën e nënshkruajnë: përveç Imzot Luigj Bumçit, At Gjergj Fishtës dhe patriotit Luigj Gurakuqi,  Imzot Jak Serreqi- Arqipeshkës i Shkodrës, Imzot Gjergj Koleci-Arqipeshkëv i Sapës, Don Zef Gjinali-Administrator i abacisë Mirditë, Don Pjetër Gjura-famulltar i Shkodrës, At Vinçens Prenushi dhe At Engjëll Serreqi.17.  Në muajt që kaluan në Paris, në një hapësirë të re gjeopolitike të krijuar pas shembjes së 4 perandorive, paqbërësve iu desh; të vijëzonin kufij të rinj në hartën e Evropës, por edhe të mendonin për Azinë, Afrikën e Lindjen e Mesme, të përballeshin me nacionalizmat që lindën e u zunë vendin perandorive, të hartonin traktat paqeje me Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë e Bullgarinë, por edhe të gjenin mjetet që të shmangnin një konflikt tjetër e të ofronin siguri kolektive. Një i tillë do të ishte krijimi i Lidhjes së Kombeve. Kryetari i Konferencës, kryeministri francez Klemanso, iu ankua një kolegu “ Eshtë shumë më e thjeshtë të bësh luftë se të bësh paqe”.  Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në një shesh betejash midis paleve kundërshtare të cilat në fund të saj u ndanë në fitues e të humbur. Elita politike shqiptare u angazhua që atdheu i tyre të mos humbiste në pazaret e mëdha të Konferencës së Paqes, dhe të gjendej një mbështetës i madh dhe i interesuar për Shqipërinë midis Fuqive fituese të luftes. Më të interesuarat dhe simpatizante të pavarësisë së Shqipërisë ishin Italia dhe SHBA….
Shqiptarët kudo ndodheshin, mbështetën platformën dhe qëndrimin e delegacionit shqiptar për rinjohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe paprekshmërinë se saj territoriale duke korrigjuar gabimet e së shkuarës. Ata demostruan kohezion e vitalitet, duke lënë mënjanë përkatësinë fetare e krahinore, duke demostruar në këtë mënyrë vlerat më të mira evropiane në mbrojtje të të drejtave të tyre .
Nga Konferenca e Paqes në Paris, Shqipëria doli pa një zgjidhje finale për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë, por ama shpëtoi nga platformat copëzuese të trungut të saj të diskutuara në këtë Konferencë, e kjo falë mbështetjes së madhe të SHBA. Çështja shqiptare do të ridiskutohej përsëri në Konferencën e Ambasadorëve 1921, ku do të merrej vendimi final për Shqipërinë në kushte të reja pas krijimit të Lidhjes së Kombeve 1920.18.  Në Konferencen e Paqës në Paris edhe për çeshtjen shqiptare ishte diskutua gjatë,  por në përgjithësi të drejtat dhe kerkesat e shqiptarëve nuk u pëfillën. Konferenca u përpoq më shumë të kënaqte pretendimet që kishin ndaj Shqipërisë  shtetet që kishin luftuar përkrah Antantës. Kështu që me 9 dhjetor 1919 , përfaqësuesit e Anglisë, të Francës dhe të SHBA, kishin hartuar një memorandum të pëbashkët me anë e të cilit ata i njihnin qeverisë italiane sovranitetin e plotë mbi Vlorën dhe krahinat e saj , si dhe mandatin mbi shtetit shqiptar të cunguar. Kufijët e këtij shteti me Mbretërinë Serbe-Krote-Sllovene do të ishin ato të 1913, por duke i njohur kësaj të drejten e një dalje tregtare në Shqipërinë e Veriut. Greqia do të pushtonte treven e Gjirokastrës në Perëndim të maleve të Nemërçkës, duke përfshirëedhe Tepelenën dhe Kurveleshin, kurse për fatin e Korçës do të diskutohej më vonë.  Nga kjo zgjidhje mbeti e pa kënaqur Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene, e cila paraqiti kundërpropozimet e veta . Përfaqësuesit e Anglisë, të Francës dhe Italisë arritën një kompromis me 13 janar 1920, sipas të cilit Shqipëria coptohej ndërmjet tri shteteve, Italisë, Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene dhe Greqisë pak a shumë ashtu si ishte parashikuar në Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915)…. Por për shkak të qëndresës së shqiptarëve, asnjë nga këto projekte të Fuqive të Mëdha nuk u zbatua.19.  Bijët besnik të shqipës, kudo që ishin, i dhanë një përkrahje të patundur delegatëve që përleshëshin për çeshtjen shqiptare në Konferencën e Paqës në Versajë. Në mbrojtje të Shqipërisë dolën edhe shkrimtarë asnjënës. Në gusht 1919 gazeta franceze Petiti Parisien botoi një artikull, që doli në të përjavshmen politike në Romë. Gazetari shkruante: Shqipëria ka qenë gjithmonë nën thundrën e pushtuesve, nuk u thye kurrë. Për shekuj me radhë shqiptari ka luftuar me mish e me shpirt për të mbrojtur lirinë dhe vendin e tij. Veç kësaj, ajo që të bie më shumë në sy, veçanarisht në Ballkan, është se shqiptari nuk ka ndërmarrë kurrë luftra pushtuese. Ai kurrë nuk ka sulmuar njeri, por gjithmonë është mbrojtur.20.  Vlenë të shënohet se kur edhe po i afrohej fundi Konferencës të Paqës në Paris dhe serbo-malazezët po e shihnin se nuk po realizonin projektet e tyre për grabitjen e mëtejshme të trojeve shqiptare, ata “përshëndeten” Konferencën me një masakër kriminale mbi popullsinë autoktone të Hotit të Malësisë Madhe, ku në histori njihet si MASAKRA SERBO-MALAZEZE E 26 DHJETORIT 1919. Rreth 70  Hotën, në Drume të Borës serbo-malazezët i pushkatuan dhe i qitën në një grope gelqereje, ndërsa shtëpitë ua  plaçkitën dhe i dogjën…21.

REFERENCAT:

1.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.404.   

2.Më hellësish shih, Ndue Bacaj: Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë, fq.16-24, me citime nga Andrra e Pretashit fq.159-169, dhe  “Posta e Shqipnisë”, fq.89 e dates 23 nëntor 1918.  

3.https://telegrafi.com/viti-1919-konferenca-e-padrejtesive/ . + Histori e popullit shqiptar; fq.153, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994. 

4.Gazeta “Dielli” , nr.5 , date 25 nëntor 1988.  

5.Më hollësisht shih: Turhan Pashë Permeti, SHQIPËRIA përballë Konferencës së Paqës , Paris 1919, ribotim-shtëpia botuese Eugen  2007.  

6.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.405, Tiranë 1995, + Histori e popullit shqiptar; fq.153-154, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994. 

7.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.254, botim i dytë, Phoenix 2008, + Histori e popullit shqiptar; fq.153, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.  

8.Turhan Pashë Permeti, SHQIPËRIA përballë Konferencës së Paqës , Paris 1919, fq.101-105, ribotim-shtëpia botuese Eugen  2007.  

9.Hylli i Dritës , nr.8, viti 1921, fq.163, +Sejfi Vllamasi, Ballafaqime Politike 1897-1942, fq.116-121.  

10.Histori e popullit shqiptar; fq.153-154, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994,+ At Marin Sirdani; Ndriçime të histories, të kulturës dhe të artit shqiptar, fq.48-49, botim i Shpresa Prishtinë, 2002. 

11.Histori e popullit shqiptar; fq.153, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.  

12.At Daniel Gjeçaj , Gjergj Fishta -Jeta dhe vepra , fq.111-112, botime Franceskane , Shkodër 2007.  

13.Shqiptarët dhe të Drejtat e tyne, fq.4, botim i shtypshkronjës Franceskane, Shkodër 1920.  

14.Hylli i Drites, nr.4, viti 1934, fq.221.  

15.Gazeta “Populli”, nr.51 e 52, përkatësisht e dative 27.01.1920 dhe 06.02.1920.  

16.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.254-255, botim i dytë, Phoenix 2008.  

17.Gazeta “55”, datë 03.10.2009.  

18.https://punetejashtme.gov.al/konferenca-e-paqes-paris-1919-dhe-shqiperia/.  

19.Histori e popullit shqiptar; fq.154, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.  

20.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.405, Tiranë 1995, citim nga KUVENDI 29 gusht 1919.1.  

21.Më hollësisht për masakren është shkruan në librin me titull: Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë, fq.51-61, botim i Fiorentia, Shkodër 2020, me atutor Ndue Bacaj. 

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com