Shqipëria e pavarur rreth flamurit me një frymë, një besë e një lutje Zotit

Artan Nati

“Të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria me sot të bëhet në vehte, e lirë e mosvarme.” Ky ishte Vendimi i Pavarësisë që u shkrua në gjuhën amtare shqip, me dorën e Luigj Gurakuqit. Kjo ndodhi pasditen e 28 nëntorit ’12, ora 16-00, ku u hap Kuvendi i Vlorës dhe pas një fjalimi të shkurtër të Ismail Qemalit delegatët i dorëzuan Atij aktpërfaqsimet si përfaqësues të popullit dhe Ismail Qemali sipas rendit alfabetik të krahinave lexon emrat e delegatëve të Kuvendit. Publicisti i njohur i kohës Branko Merxhani do e fiksonte atë çast historie: “Sapo të hysh brenda në këtë dhomë, në murin ballor një flamur i madh që simbolizon flamurin që u qëndis dhe u ngrit më 28 Nëntor 1912.“ Gjithashtu krye- bashkiaku i Vlorës në atë kohë, Ibrahim Abdullahu shkruan: “Pasi Ismail Qemali shpalosi flamurin në sytë e gjindjes, pas brohorimave “Rroftë flamuri, Rroftë Shqipëria”, duke përqafuar flamurin u lutën për atë prifti Marko Moçka, Baba Selimi e Dom Nikoll Kaçorri.” Tre klerikë të tre feve pikërisht këtu bashkohen e bëhen njësh për flamurin: me një frymë, një besë e një lutje Zotit. Pikërisht në atë moment Shqipëria i tregoi botës mbarë dhe civilizimit perëndimor se tolerimi është feja më e mirë. Toleranca nuk nënkupton mungesë përkushtimi ndaj besimeve të dikujt. Përkundrazi dënon shtypjen ose persekutimin e të tjerëve. Dallimet vetëm mund të pasurojnë përvojën tonë, dhe mungesa e dallimeve na varfëron. Ndoshta edhe vetë Abrahami do ta kishte ëndërruar t’i shikonte fëmijët e tij të bashkuar për një ideal siç po ndodhte në Vlorën heroike. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 40 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Më në fund ne Shqiptarët, pasardhësit e drejtpërdrejtë të Ilirëve, u bëmë zotër të trojeve tona dhe triumfuam mbi armiqtë që na rrethonin.

Pak histori si arritëm te pavarësia

Iliria dhe më vonë Shqipëria jo vetëm që i dha bijtë më të mirë civilizimit perëndimor, por u vu edhe në mbrojtje të vlerave romake e bizantine kundrejt dyndjeve barbare të sllavëve në shekullin e 6-të si edhe të sulmeve osmane ndaj ballkanit, duke bërë barrierë e pakalueshme.
“Gjëja më e trishtueshme e tradhtisë është se ajo nuk vjen kurrë nga armiqtë tuaj, ajo vjen nga ata që ju besoni më shumë.” Kjo është historia e Shqipërisë deri në vitin 1990. Shqiptarët kurrë nuk e humbën besimin te familja e madhe europiane që ata i përkisnin.
Shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Ilirëve të lashtë dhe këta të fundit ishin autoktonë në trojet e banuara prej tyre. Që prej lashtësisë kur Iliria u pushtua nga Romakët në vitin 229 p.e.s. paraardhësit tanë treguan virtyte dhe vlera të mëdha. Nga mesi i shekujve të III-të dhe të IV-të frerët e perandorisë ishin pothuajse vazhdimisht në duart e perandorëve me prejardhje ilire: Gaius Decius, Klaudius Gotikus, Aureliani, Probusi, Diokleciani dhe Konstantini i Madh. Më vonë kur Perandoria Romake u nda në atë të lindjes dhe atë të perëndimit në vitin 395, trojet e Shqipërisë së sotme u bënë pjesë e Perandorisë Bizantine. Tre perandorët që hynë në historinë e Bizantit (duke mbretëruar nga vitet 491 deri në vitet 565) ishin me prejardhje ilire: Anastasiusi I, Justini I dhe perandori më i njohur i Bizantit Justiniani I. Gjatë ekspansionit turk në ballkan, lufta e gjatë e Skënderbeut të mbante Shqipërinë të lirë, u bë shumë domethënëse për shqiptarët, sepse fuqizoi unitetin e tyre, i bëri ata më të ndërgjegjshëm mbi ngjashmërinë e tyre kombëtare, dhe shërbeu më vonë si një burim i madh frymëzimi në luftën e tyre për bashkim kombëtar, liri dhe pavarësi. Pas pushtimit turk, për të mbrojtur dhe përkrahur interesat e tyre kombëtare, shqiptarët u mblodhen në Prizren, në vitin 1878 dhe krijuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Lidhja kishte dy qëllime kryesore, atë politike dhe atë kulturore. Së pari, u përpoq të bashkonte të gjitha trojet shqiptare, atë kohe të ndara ndër katër vilajete, ose krahina, e Kosovës, e Shkodrës, e Manastirit, e Janinës, në një shtet vetqeverisës brenda sistemit të Perandorisë Osmane. Së dyti, mprehi një lëvizje për zhvillimin e gjuhës shqipe, letërsisë, arsimimit, dhe kulturës. Në vijë me programin e dytë, në vitin 1908 udhëheqësit shqiptarë u takuan në qytetin e Manastirit (tani Maqedoni) dhe përshtatën një alfabet kombëtar. Ai bazohej më së shumti në shkrimin latin, ky zëvendësoi disa alfabete të tjera, duke përshire alfabetin arab dhe grek, që ishin gjer në atë kohë në përdorim. Që atëherë, lidhja u bë një simbol i zgjimit kombëtar të Shqipërisë, dhe idetë dhe qëllimet e saja ushqyen shtysën që kulminoi më vonë në pavarsinë kombëtare.

Albanologjia dhe letrat shqipe

E vërteta vonon, por nuk harron. Nqs politikanët europianë mund të harronin Shqipëinë për interesat e tyre afatshkurtra, nuk mund të harronin albanologët, historianët e gjuhëtarët e civilizimit perëndimor, pjesë e të cilit Shqipëria ishte, por pa historinë tonë nuk mund të shpjegohej vetë civilizimi perëndimor. Në një studim nga prestigjiozja amerikane “The New York Times” gjuha shqipe radhitet në mesin e 3 gjuhëve më të vjetra të botës Johann Erich Thunmann në shekullin e 18-të ishte ndoshta albanologu i parë. Ai mbështeti teorinë e autoktonisë së shqiptarëve dhe gjithashtu paraqiti teorinë e origjinës ilire. Më vonë Gustav Meyer vërtetoi se gjuha shqipe ishte pjesë e familjes indo-evropiane.
Në shekullin e 20-të studime të tilla u thelluan nga Norbert Jokl, Milan Sufflay dhe Franz Nopcsa von Felso-Szilvas, si dhe Karl Reinhold dhe Eqrem Çabej. Studimet e Albanologjisë u mbështetën më shumë institucionalisht në Shqipëri duke filluar nga viti 1940 me hapjen e Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare. Shkrimi më i vjetër shqip që njohim deri më sot, i përket vitit 1462 dhe libri i shkruar në gjuhën shqipe, me sa dimë deri tani, është Meshari i Gjon Buzukut, botuar më 1555. Ky është libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, por jo libri i parë i letërsisë shqiptare. Letërsi shqiptare të shkruar në gjuhë të tjera ka pasur edhe më parë. Vepra më e rëndësishme e këtij lloji është Historia e Skënderbeut e Marin Barletit, botuar rreth viteve 1508-1510. Me letërsi të vjetër shqiptare kuptojmë letërsinë e tre shekujve. Në qoftë se në shekullin XVI u shkrua vetëm Meshari, në shekullin XVII ai ndiqet nga librat në gjuhën shqipe të Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit etj.

Ëndëra e të parëve tanë u bë realitet dhe vazhdon të frymëzojë brezat e ardhshëm. Kështu 17 shkurti 2008 shënon një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës në veçanti dhe popullit Shqiptar në përgjithësi dhe përmbyll sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi. Si në Vlorën e 1912 Shqiptarët përherë do të bashkohen e bëhen njësh për flamurin: me një frymë, një besë e një lutje Zotit. 

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com