Shpallja e Pavarësisë dhe njohja e shtetit shqiptar

Prof.As.Dr. Edit Bregu

Shumë kohë përpara se të nisnin Luftërat Ballkanike ishte bërë e qartë se ditëve të Perandorisë Osmane në Ballkan po u vinte fundi pashmangshmërisht. Për këtë fund dha kontributin e vet dhe politika shtrënguese e centralizimit dhe osmanizmit e ndjekur nga xhonturqit. Ky do të rezultonte të ishte një osmanizëm i ri i cili në fakt, do ndryshonte vetëm fytyrën sepse në thelb do ruante dhe më me fanatizëm atë të mëparshmin. Krahas popujve ballkanikë dhe vetë Fuqitë e Mëdha filluan ta konsideronin të shpejtë ditën e shembjes së Perandorisë. Rusia ishte padiskutim njëra prej tyre. Politika e Rusisë u bë e qartë në fillim të vitit 1912, kur ndërmjet shteteve ballkanikë u lidhën një varg traktate aleancash kundër Turqisë.(Më 29 shkurt-13 mars 1912, Traktati i Aleancës Serbi-Bullgari. Më 16-29 maj 1912, Traktati i Aleancës Bullgari-Greqi. Më shtator – fillim të tetorit 1912,Traktati Serbi-Mali i Zi, i cili plotësoi kështu hartën e Aleancës së shteteve ballkanike kundër Turqisë).

Në këtë vorbull kompromisesh mungonte vetëm Shqipëria, pasi ajo ende nuk kishte arritur të krijonte një shtet solid të pavarur dhe vetvendosës për fatet e veta, i cili do të shpaloste kërkesat kombëtare. Këtu nuk duhen harruar dhe interesat e fqinjëve tanë të cilët përmes luftërave që priteshin të nisnin për pavarësi nga Turqia synonin të realizonin ëndrrat disa shekullore për aneksimin e trojeve shqiptare. Pse filloi Lufta Ballkanike? Shkaqet që mund të rendisim janë të shumta por e përgjithshmja është se Perandorisë Osmane në Ballkan po i vinte fundi në çdo aspekt, politik, ekonomik, shoqëror etj. Krahas kësaj shtetet ballkanike po intensifikonin përpjekjet për bashkimin me kufirin ekzistues (shtetet që e kishin fituar pavarësinë vite më parë), të territoreve dhe popullsive ballkanike që ndodheshin ende në Perandorinë Osmane. Më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Kjo datë merret si fillim i Luftës Parë Ballkanike. Më 3 dhjetor 1912, si rezultat i përparimit të trupave të ushtrive të shteteve ballkanike, Turqia kërkoi armëpushim me aleatët ballkanikë.

Lufta Ballkanike megjithëse filloi për çlirimin e popujve të Ballkanit nga Perandoria Osmane, degjeneroi edhe vetë në luftë pushtuese. Ushtritë serbe, malazeze dhe greke hynë në Shqipëri dhe synuan territore të saj. Kjo situatë gjeneroi nevojën për ndryshimin e qëndrimit të shqipëtarëve, nga kërkesa për autonomi duhej kaluar në kërkesë të pakompromis për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Kryengritjet e vitit 1910, 1911, 1912 ku spikatën figura si Hasan Prishtina, Isa Boletini dhe Bajram Curri sollën përshkallëzim të luftës së armatosur si dhe një ringjallje të kulturës kombëtare dhe veprimtarisë diplomatike të patriotëve shqiptarë. Çetat e armatosura të Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, Spiro Ballkamenit etj., në jug të vendit luftonin kundër turqve. Për çështjen e alfabetit u mbajt Kongresi i Manastirit, u hapën shkolla në gjuhën shqipe, ndërsa jashtë viseve shqiptare u botuan një varg gazetash, revistash dhe u krijuan klubet kulturore e shoqëritë patriotike shqiptare. E gjithë kjo situate e krijuar u shoqërua me veprimtarinë diplomatike që patriotët shqiptarë kryenin pranë Fuqive të Mëdha. Në themel të gjithë kësaj veprimtarie patriotike mbizotëron kërkesa për AUTONOMI të Shqipërisë. Në mbështetje të kësaj kërkese u thirrën disa kuvende brenda vendit si psh: Kuvendi i Gërçës në Malësinë e Mbishkodrës në qershor 1911, Kuvendi i Sinjës në korrik 1912, Kuvendi i Vlorës në gusht 1912. Si rezultat i këtyre përpjekjeve lëvizja patriotike shqiptare u unifikua nga Veriu në Jug ku u përpoq të parashtronte kërkesat e shqipëtarëve përballë Perandorisë Osmane si dhe Fuqive të Mëdha. Fillimi i luftës së shteteve ballkanike kundër Perandorisë Osmane e vuri lëvizjen Kombëtare shqiptare përballë detyrës së ripoziocionimit dhe ripërcaktimit të qëndrimit të saj si dhe rrezikut më të ri dhe njëkohësisht më emergjent që po shfaqej: fqinjët ballkanikë. Për shqiptarët kjo situatë u bë e papërballueshme. Së pari këto marshime të forcave ushtarake ballkanike u shoqëruan dhe me veprime terroriste dhe gjakatare kundër popullsisë shqiptare. Së dyti, u konstatua qartë se me rënen e Perandorisë Osmane do aneksoheshin dhe viset shqiptare duke u konsideruar pjesë e saj. Rrethet atdhetare brenda dhe jashtë vendit në përgjithësi u shprehën kundër luftës ballkanike sepse interesat e të dyjave palëve ndërluftuese binin ndesh me interesat dhe të ardhmen e kombit shqiptar.

Ndërkohë Perandoria Osmane po shkonte drejt humbjes së sigurt të territoreve në Ballkan. Si rrjedhim ajo nuk ishte më e aftë të mbronte shqiptarët. Në këtë situate u formësua dhe u konsolidua vendimi për shkëputjen e Shqipërisë nga Stambolli dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kohë krize për Shqipërinë dhe shqipëtarët spikat zgjuarsia dhe vizioni politik i Ismail Qemalit, si një patriot dhe atdhetar. Veprimtaria diplomatike e tij në mbrojtje të Çështjes shqiptare është shumë e gjerë. Nga fundi i tetorit të vitit 1912-të, Ismail Qemali udhëtoi në Bukuresht ku më 5 nëntor 1912-të u organizua një mbledhje e rëndësishme historike për cështjen shqiptare, më pas në Vjenë në nëntor të vitit 1912-të. Në këto takime Ismail Qemali shprehu kërkesën për pavarësi të Shqipërisë dhe kërkoi mbështetjen e qeverive të tyre për këtë pavarësi. Këto qëndrime pasqyrohen në deklaratën që ai lëshon në momentin e nisjes me anijen “Bryn”, ku pasi pyetet se cfarë do të ndodhë pas mbërritjes së tij në Shqipëri ai shprehet: “Shpalljen e pavarësisë së atdheut tonë. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer…Jemi ne që filluam luftën kundër qeverisjes së keqe të turqve të rinj, duke pushtuar këtë verë Shkupin, kemi qenë ne, që kemi bërë luftëra të vashdueshme për vite e vite dhe është e drejta që aspiratat tona të konkretizohen në realitet”. Me mendimin dhe shpresën se balanca nga këto takime ishte inkurajuese dhe premtuese për mbështetje, Ismail Qemali më 21 nëntor 1912-të mbërrin në Shqipëri. Ideja e shpalljes së pavarësisë gjeti përkrahjen e plotë të popullit shqiptar. Qytetet shqiptare si Elbasani, Tirana, Durrësi, Kavaja, Peqini, Lushnja shpallën pavarësinë duke ngritur flamurin shqiptar.

Më 28 nëntor 1912-të, u zhvillua mbledhja historike e Kuvendit Kombëtar, që zgjati deri më 7 dhjetor 1912-të. Aty morën pjesë 75 delegatë nga të gjitha territoret shqiptare (që nga Kosova e deri në Çamëri). Kuvendi zgjodhi njëzëri si kryetar të Kuvendit I. Qemalin. “Me këtë qëllim Z. etij Ismail Beu u nis nga Stambolli,e , mbasi që u muar vesh edhe me shqiptarët e Bukureshtit, u nis e vajti për në Vjenë, ku nisi marrëveshjet e tia me Mbretëri të Mëdha që kanë interesa më të gjalla në punët e Ballkanit, pasi më nuk mbetej as ndonjë shpresë për ta shpëtuar Shqipërinë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Këtë mendime qëllim e buri përpara Ismail Beu, mendim e qëllim që u pranua me simpathi nga të gjitha qeveritë e Mëdha e sidomos nga Austria dhe Italia. Vetë Rusia mund të mbahet pak si e ftohtë nga shkaku I sllavëvet, por edhe ajo nuk e mohon Shqipërinë e Kombin Shqiptar”.

Kuvendi i Vlorës pas diskutimesh në lidhje me gjendjen e krijuar vendosi që:”Pas fjalëvet që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria me sot të bahet në vehte e lirë e mosvarme”.

Këtë vendim e nënshkruan të gjithë delegatët e pranishëm. U krijua qeveria e shtetit shqiptar. Kryetar i qeverisë së përkohshme u zgjodh I. Qemali. Në qeveri, I. Qemali ishte dhe ministër i Punëve të Jashtme ad interim. Krahas të tjerash u vendos për dërgimin e një delegacioni pranë Fuqive të Mëdha për të mbrojtur çështjen shqiptare. Pas shpalljes së pavarësisë, Ismail Qemali ndërmori disa hapa diplomatikë. Më 29 Nëntor Ismail Qemali njoftoi Fuqitë e Mëdha, Portën e Lartë dhe shtetet fqinje për ndryshimin e ndodhur në Shqipëri, për njohjen ndërkombëtare të shkëputjes së plotë nga Turqia, njohjen e shtetit të ri shqiptar dhe të qeverisë së parë kombëtare. Në një telegram të Ismail Qemalit drejtuar ministrave të punëve të jashtme të Malit të Zi, Sebisë, Bullgarisë dhe Greqisë, me anën e të cilit ai njofton për shpalljen e pavaësisë së Shipërisë krahas të tjerave thuhet: “Shqipëtarët gëzohen që mundën të hyjnë në familjen e popujve të lirë të orientit e, duke mos patur qëllim tjetër vecse të jetojë në paqe me të gjitha shtetet fqinje…” . Në këto telegrame, përfaqësuesit e Shqipërisë deklaruan pozitën asnjanëse të Shqipërisë në konfliktin Turko-ballkanik. Qeveria e përkohshme e Vlorës filloi punën në një situatë tepër të vështirë politike megjithatë ajo punoi për unitetin territorial dhe bashkimin kombëtar në një kohë kur Evropa ishte shumë e ndjeshme ndaj përçarjes dhe konflikteve të brendshme në Shqipëri. Fillimisht në shtetin shqiptar përfshihej vetëm trekëndëshi Vlorë-Berat-Lushnjë, për shkak se viset e tjera veriore dhe jugore shqiptare ishin pushtuar nga trupat serbe, malazeze dhe greke. Kjo gjendje shteronte një pjesë të madhe të energjisë së Qeverisë së Përkohshme Shqiptare. Në një telegram drejtuar kryeministrit grek Venizellos me 4 dhjetor 1912-të Ismail Qemali kërkonte që :të mereshin masa për t`iu dhënë fund këtyre veprimeve luftarake të padrejta dhe pa arsye”.Shqiptarët kishin tshmë shtetin e tyre i cili ishte deklaruar asnjëanës. “Asnjëanësia ishte zgjidhja më e arsyeshme dhe më e mundhsme në rrethanat e asaj kohe”.Shumë pak kohë pasi erdhi në pushtet, qeveria e I. Qemalit u ballafaqua edhe me tendenca e lëvizje separatiste, siç ishte ajo e Esat Toptanit në Shqipërinë e Mesme. Esat Toptani i cili ishte zgjedhur ministër i brendshëm, u tërhoq nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe më 12 tetor 1913 formoi “Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme” dhe filloi luftën për pushtet kundër qeverisë kombëtare. Ai shkëputi territorin ku shtrihej ndikimi i tij nga administrimi i Qeverisë dhe vendosi sundimin e tij personal. Ky hap i tij dëmtoi rrjedhat normale të ecurisë së shtetit të ri shqiptar. Disa ditë pasi Perandoria Osmane kërkoi armëpushimin me aleatët ballkanikë (më 3 dhjetor 1912), ambasadorët e gjashtë Fuqive të Mëdha, Anglisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Rusisë, u mblodhën në një konferencë ndërkombëtare në Londër.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër kryesohej nga Ministri i Jashtëm Britanik, Sër Eduard Grei dhe zgjati nga 17 dhjetori 1912 deri më 11 gusht 1913. Qëllimi i saj ishte t’i jepte zgjidhje të gjitha problemeve që lindën në Ballkan pas luftës së shteteve ballkanike kundër Turqisë. Çështja shqiptare u shndërrua shumë shpejt në çështjen kryesore të Konferencës. Konferenca krahas vendimeve krijoi dhe organizma të posaçme për realizimin e vendimeve që u morën lidhur me të ardhmen e Shqipërisë. Paralel me konferencën e Londrës zhvillonte punimet dhe një konferencë tjetër, ajo e palëve ndërluftuese në luftën Ballkanike, dmth e aleatëve ballkanas dhe e Turqisë. Por fjalën e fundit do ta thoshte konferenca e ambasadorëve. Në Konferencën e Londrës, çështja shqiptare u shtrua për diskutim që ditën e parë të saj. Konferenca trajtoi tri momente të rëndësishme të çështjes shqiptare: Statusi i Shqipërisë, Organizimi i Shtetit shqiptar, Caktimi i kufijve. Për problemin e Statusit të Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha që në fillim vendosën të njihnin parimin e “autonomisë shqiptare”. Shqipëria pranohej si shtet, por nën vasalitetin ose suzerenitetin (jo më principatë, por shtet i varur nga Porta) e Sulltanit. Autonomia është një qeverisje e brendshme, kurse pavarësia përveç qeverisjes së brendshme ka edhe një element të jashtëm: të drejtën e shtetit për të dalë më vete në marrëdhëniet ndërkombëtare, pa kurfarë vartësie. Statusi i autonomisë, ishte një qëndrim më i avancuar i Fuqive të Mëdha Vendimi për autonominë ishte dhe një pengesë për planet e vendeve fqinje që synonin tokat shqiptare. Njëkohësisht statusi i autonomisë ishte më pak se statusi i pavarësisë së Shqipërisë, që kishte vendosur Kuvendi i Vlorës. Në pranverë të vitit 1913, qëndrimi i Austro-Hungarisë avancoi nga autonomi – në pavarësi të Shqipërisë. Vjena dhe Roma ishin të interesuara për të mos lejuar një mbizotërim të influencës sllave në Ballkan. Në kushtet kur Rusia synonte të rriste ndikimin në vendet e pavarura sllave në Ballkan, Shqipëria merrte për Austro-Hungarinë një rëndësi të veçantë për ruajtjen e ndikimit austrohungarez në gadishull. Edhe Italia ishte e interesuar që Greqia dhe Serbia të mos dilnin në Adriatik e në Korfuz duke aneksuar toka shqiptare. Për rrjedhojë, në pranverë 1913, Vjena arriti të sigurojë edhe përkrahjen e Italisë për pavarësinë e Shqipërisë. Më 8 maj 1913, Vjena dhe Roma i paraqitën Projektin e parë konferencës ku kërkonin të hiqej dorë nga autonomia dhe vasaliteti dhe të njihej shkëputja e plotë e Shqipërisë nga Turqia. Ambasadori Austro-Hungarez, Mensdorf, e argumentoi këtë qëndrim se situata luftarake kishte evoluar në dëm të Turqisë, ajo ishte tërhequr nga të gjitha frontet e luftës. Gjithashtu autonomia ishte dhe kundër dëshirës së shqiptarëve të shprehur në Kuvendin e Vlorës. Rusia. Kur u shtrua në rend të ditës të Konferencës së Londrës — pavarësia e Shqipërisë, ambasadori rus ishte i vetmi që vazhdonte të qëndronte me vendosmëri në qëndrimin e shtetit autonom për Shqipërinë. Ambasadori rus nuk dha miratim, ai priste miratimin për pavarësinë e Shqipërisë nga qeveria e tij. Në konferencën e përfaqësuesve të Turqisë dhe të shteteve ballkanike në Londër, u arrit marrëveshja e paqes. Më 30 maj 1913, u nënshkrua traktati i Paqes ndërmjet Turqisë (si shtet i mundur) me shtetet aleate ballkanike: Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas Traktatit, Turqia i lëshonte aleatëve ballkanikë “gjithë territoret e perandorisë… në kontinentin evropian në perëndim të vijës nga Enos në detin e Zi me përjashtim të Shqipërisë”. Çështjen e “kufijve të Shqipërisë, si dhe çdo çështje tjetër që ka të bëjë me Shqipërinë, lihej në dorë të Fuqive të Mëdha”. Kjo do të thoshte se Turqia hiqte dorë nga të drejtat sovrane mbi Shqipërisë, kurse shtetet ballkanike hiqnin dorë zyrtarisht nga pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë. Më 15 korrik 1913, Vjena dhe Roma paraqitën “projektin” e dytë për Shqipërinë. Më 29 korrik 1913, Konferenca e Londrës miratoi Propozimin e paraqitur nga Vjena dhe Roma, i cili në nenin e parë përsëriste formulën e autonomisë se “Shqipëria formohet si një principatë autonome”, kurse në nenin e dytë përjashtonte shprehimisht “çdo lidhje suzereniteti midis Turqisë dhe Shqipërisë”, pra shtrohej në tryezë pavarësia e Shqipërisë. Më 29 korrik 1913 Fuqitë e Mëdha hodhën hapin vendimtar për pavarësinë e Shqipërisë. Sipas këtij vendimi, Shqipëria sanksionohej si “Principatë autonome, sovrane dhe e trashëgueshme”; përjashtohej “çdo lidhje suzereniteti e Shqipërisë me Turqinë” dhe Shqipëria bëhej shtet “asnjanës” dhe “nën garancinë e kontrollin” e Fuqive të Mëdha. Ky status i ri i Shqipërisë, edhe “i pavarur” edhe “nën një kontroll ndërkombëtar”, ka të bëjë si me statusin ende delikat të pavarësisë së Shqipërisë dhe të organizimit të shtetit shqiptar, ashtu dhe me rivalitetet e brendshme midis Fuqive të Mëdha për të frenuar ndikimin e njëra tjetrës mbi Shqipërinë. Më në fund edhe Rusia e pranoi këtë status të pavarësisë dhe të neutralitetit të Shqipërisë. Konferenca e Londrës nuk e njohu qeverinë e Vlorës si qeveri përfaqësuese e të gjithë Shqipërisë dhe si rezultat i natyrshëm i Lëvizjes kombëtare Shqiptare. Ndërhyrja e Fuqive të Mëdha në organizimin e shtetit, ishte një praktikë e njohur me Greqinë, me Bullgarinë. Projekti që paraqiti Vjena dhe Roma në konferencën e Ambasadorëve për organizimin e shtetit shqiptar në mes të korrikut 1913, parashihte dhe kontrollin që do të ushtronin Fuqitë e Mëdha mbi administratën civile dhe financat e Shqipërisë. Ky kontroll do të ushtrohej nga një Komision i quajtur Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Komisioni do të përbëhej nga përfaqësues të 6 Fuqive dhe nga 1 delegat shqiptar. Ai do të përpunonte një Projekt të hollësishëm mbi organizimin e administratës civile. Gjithashtu rendi publik do të sigurohej nga një xhandarmëri që do të drejtohej nga oficerë të huaj; Në krye të Shqipërisë do të vihej një Princ, që do të caktohej brenda gjashtë muajve. Deri sa të caktohej princi, veprimtaria e të gjitha autoriteteve lokale ekzistuese (ku përfshihej dhe qeveria e Vlorës) që qeverisnin vendin përkohësisht dhe de facto do të kalonte nën kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar. Funksionet kontrolluese të Komisionit mund të zgjasnin 10 vjet dhe mund të ripërtëriheshin. Pra, elementi vendas kishte një përfaqësim të zbetë në mekanizmat e reja shtetërore që krijuan Fuqitë e Mëdha për Shqipërinë. Ky Projekt për organizimin e shtetit shqiptar u miratua dhe nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913. Problemi i kufijve të Shqipërisë me shtetet fqinje u diskutua më gjatë në Konferencën e Londrës, nga dhjetori 1912 – maj 1913. Dy ishin kriteret ku u mbështet problemi i kufijve në Konferencë: kriteri “etnik” dhe kriteri i së “drejtës së fituesit në luftë”. Austro-Hungaria ishte e interesuar për një Shqipëri me një shtrirje në drejtim të veriut dhe të verilindjes, për t’iu bërë barrierë ekspansionizmit sllav në Ballkan. Varianti i parë maksimal i projektit Austro-Hungarez për kufijtë e Shqipërisë u paraqit në dhjetor 1912 dhe përfshinte qytetet Peja, Prizreni, Gjakova, Dibra, Ohri dhe Janina. Projekti Rus ishte modeluar sipas kërkesave të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Projekti rus linte jashtë kufijve të Shqipërisë Kosovën, zonën e Dibrës dhe të Çamërisë, por edhe Shkodra, Lezha, Kuksi, Pogradeci, Korça, Përmeti, Gjirokastra, Himara, Saranda dhe Delvina. Shteti shqiptar mbetej i gjymtuar. Më 3 janar 1913, edhe qeveria e Vlorës paraqiti një Memorandum për çështjen e kufijve të Shqipërisë, i cili mbështetej në kërkesa etnike. Memorandumin e paraqiti në Konferencën e Londrës Rasih Dino, diplomat në Paris, i porositur nga Ismail Qemali. Memorandumi jepte një varg statistikash për popullsinë shqiptare në viset shqiptare që nga Mitrovica e deri në Luras e Paramithi të Çamërisë. Por në variantin e Memorandumit shqiptar përfshiheshin disa territore të huaja jo shqiptare. Në fakt menjëherë pasi u bë e njohur që do të mblidhej Konferenca e Ambasadorëve në Londër, Ismail Qemali mendoi ta drejtonte vetë delegacionin që do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencë por kjo ide e tija hasi në kundërshtimin e Fuqive të Mëdha. Dy pengesat kryesore ishin: “ Së pari, Vjena dhe Roma nuk qenë dakort, e quajtën jo opportune”. “Së dyti, asnjë delegacion nuk mund të nisej për në Evropë, sepse forcat greke bllokonin bregdetin shqiptar deri në Durrës”. Ndërkohë, Serbia i paraqiti Konferencës së Londrës më 3 Janar 1913 një memorandum për pretendimet e saj territoriale. Për të justifikuar pretendimet e tyre territoriale, serbët paraqisnin “argumente” historike, etnografike, kulturore dhe morale. Çdo tërheqje e ushtrive nga territoret shqiptare paraqitej nga qeveritë përkatëse si “sakrificë”, pasi i konsideronin si toka të fituara me forcën e armëve. Memorandumi grek i 3 janarit 1913, pretendonte se qeveria greke kërkonte vetëm realizimin e “trashëgimit të vet kombëtar”. Edhe qeveria greke e konsideronte kërkesën e Fuqive të Mëdha për t’u tërhequr nga viset shqiptare të pushtuara si “lëshim”. Ajo kërkonte të shtrihej deri në jug të Portit të Vlorës, kapi gjithë bregdetin jugor dhe pjesën më të madhe të Shqipërisë jugore Sarandën, Gjirokastrën dhe Korçën. Të gjithë këto territore të Shqipërisë së Jugut, Greqia i quante “Vorio Epir”. Këto pretendime i mbështeste në “argumente” strategjikë dhe ekonomikë, por edhe etnologjike dhe qytetërues. Feja ekuivalentohej me kombësinë dhe kështu rrisnin numrin e popullsisë greke në viset shqiptare të Jugut për të cilat pretendonin. Këta kufij nuk i linin Shtetit të ri shqiptar asnjë shans për mbijetesë. Austro-Hungaria ishte e detyruar të tërhiqej përpara qëndrimit pothuajse unanim në Konferencë se konsideratat etnike vlejnë shumë pak në krahasim me ato të fitimtarit në luftë. Më 22 mars 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër përfundoi diskutimet dhe mori vendim mbi vijën e kufirit verior dhe verilindor të Shqipërisë. Në kundërshtim me parimin e kombësisë dhe pa marrë parasysh vullnetin e popullsisë shqiptare, nga territori shqiptar u shkëputën krahina të tëra si Kosova, Rrafshi i Dukagjinit, dhe toka shqiptare të pjesës perëndimore të Maqedonisë. Popullsia e këtyre territoreve përbënte rreth gjysmën e popullsisë shqiptare dhe kalonte nga sundimi osman në atë serb e malazez. Për caktimin në terren të vijës kufitare jugore të Shqipërisë u caktua një Komision ndërkombëtar i posaçëm. Fuqitë e Mëdha të konferencës urdhëruan qeveritë serbe e malazeze të tërhiqnin ushtritë e tyre nga territoret e shtetit shqiptar të sapoformuar. Malazezët pas shumë ndërhyrjesh u tërhoqën nga Shkodra. Po kështu bënë edhe serbët. Pati vetëm një rast që u duk si një fije shprese për Ismail Qemalin në këtë periudhë. Duka Monpasie, i cili jo rastësisht kalon dhe ankorohet në brigjet shqiptare në atë moment të rëndësishëm për kauzën tonë. Natyrisht jo për interest e shqiptarëve, por se ishte një ndër figurat që kishin shpallur kandidaturën për fronin e Shqipërisë.”Kryetari i qeverisë së Vlorës e dinte mirë pozitën e tij, çështja e princit ishte në dorë të Fuqive. Qëllimi i tij ishte të shfrytëzonte rastin, të zinte vend në jahtin e Dukës dhe të dilte në Evropë”. Më 30 mars 1913, Ismail Qemali së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Isa Buletinin ndërmorën rrugën për në Evropë me qëllim realizimin e përpjekjeve diplomatike në mbrojtje të çështjes shqiptare, që në fakt ishte bërë akoma më e vështirë se disa kohë më parë. Pa harruar faktin që Roma dhe Vjena e kishin shpalosur haptazi qëndrimin e tyre për këtë aksion diplomatik të Ismail Qemalit (“e quanin një ndërmarje të kotë”). Menjëherë pasi informohen për këtë nismë të re të Ismail Qemalit ato dalin me deklarata në shtypin e kohës ku bënin të ditur se nuk do të pranonin një kandidaturë të mundshme të Dukës francez për fronin e shqiptarëve. Krahas këtyre qëndrimeve Ismail Qemali nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij. Ai pati takime në Romë e më pas në Vjenë ku pas bisedës me Berchtoldin ku ai paraqet shqetësimet e tija në lidhje më trajtimin që po i bëhej çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës ai mori si shkëmbim idenë që shpëtimi i trojeve shqiptare nga copëtimi, tashmë mbase mund të quhej një kauzë e humbur. Aty nga fundi i prillit së bashku me delegacionin shoqërues Ismail Qemali arrin në Londër, por sërish rezultati pritur nuk u arrit. “Të zhytur në një depression të thellë, – shkruan ai, – tek po e shikonin të ardhmen e vendit kaq të errësuar, e qetësonin veten me fjalët që na u thanë se na ishte dashur të bëheshim fli për interesat e përgjithshme të Evropës”.Më 11 gusht 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër mori vendim për kufijtë jugorë të Shqipërisë. Korça, rripi bregdetar deri në Ftelia t’i jepej Shqipërisë. Fati i Gjirokastrës dhe i disa zonave të tjera brenda vijës Korçë – Ftelia mbetej në duar të një Komisioni Ndërkombëtar për kufijtë e jugut, që do të krijohej për të caktuar vijën kufitare jugore në terren. Komisionit iu dha orientimi që të punonte duke u mbështetur në parimin e përzier “etniko-gjeografik”, si dhe elementin plotësues të gjuhës së folur në familje. Me vendimin e 11 gushtit 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër i mbylli punimet e saj. Konferenca e Ambasadorëve në Londër sanksionoi pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, por në të njëjtën kohë, me copëtimin e territoreve shqiptare e dëmtuan shtetin e ri ekonomikisht, politikisht e psikologjikisht. Që një aktor politik shtetëror të konkurronte atëkohë për rezultate në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet që të kishte një ushtri, forcë ekonomike, popullsi, territor e hapësirë të konsiderueshme në raport me të tjerët. Ismail Qemali nuk zotëronte asnjë prej këtyre karakteristikave. Por ai kishte dicka më të madhe artin qeverisjes dhe të diplomacisë si dhe shpirtin e patriotizmit. Me mjeshtëri diplomatike ai arriti të bëjë mrekullinë dhe të mbajë gjallë shtetin e sapoformuar shqiptar, i cili kishte “statusin e një foshnje”, objekt dëshire për aneksim nga jashtë dhe të pakonsoliduar nga brenda.

Literaturë:

1. “Qeveria e përkohëshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj”, Botim i Drejtorisë së Përgjithsme të Arkivave Shtetërore të R.P.Sh. Tiranë 1963

2. “Kujtime. Ismail Qemal Bej Vlora”, Botimet GRAND PRIND, Tiranë 2007

3. “Historia e shtetit dhe e së Drejtës në Shqipëri”, Tiranë 2007.

4. “The memoirs of Ismail Kemal Bey”, edited by Sommerville Story, with a preface by William Morton Fullert, Published 1920

5. Arben Puto “Shqipëria politike 1912-1939”, Botimet TOENA, Tiranë 2009

6. Arben Puto, “Historia Diplomatike e çështjes shqiptare”, Tiranë, 2003.

7. “Historia e Popullit Shqiptar, Vëllimi III”, Tiranë 2007.

8. Arben Puto “E drejta ndërkombëtare publike”, Botimet Albin, Tiranë 2008

9. Abaz Lleshi ”Gjeopolitika e Ballkanit dhe perspektivat e sigurisë në rajon”, Botimet GEER, Tiranë 2009

10. Egidio Ivetic “Luftërat Ballkanike”, Botimet Dituria, Tiranë 2008

11. Norman Rich “Diplomacia e Fuqive të Mëdha 1814-1914”, Botimet Toena, Tiranë 2006

12. Misha Glenny “Histori e Ballkanit 1804-1999”, Botimet Toena, Tiranë 2007

Fjalë kyçe

Perandoria Osmane, Fuqitë e Mëdha, Konferenca e Londrës, Memorandum, Komision Ndërkombëtar, Luftërat Ballkanike

Abstrakti

Qëndrimi i Perandorisë Osmane në Ballkan po vinte drejt fundit. Krahas popujve ballkanikë dhe vetë Fuqitë e Mëdha filluan ta konsideronin të shpejtë ditën e shembjes së Perandorisë. Rusia ishte padiskutim njëra prej tyre. Politika e Rusisë u bë e qartë në fillim të vitit 1912, kur ndërmjet shteteve ballkanikë u lidhën një varg traktate aleancash kundër Turqisë të cilat u kurorëzuan me shpalljen e luftës nga ana e ë ktyre të fundit ndaj Perandorisë Osmane. Jashtë këtyre aleancave mbeti vetëm Shqipëria, pasi ajo ende nuk kishte arritur të krijonte një shtet solid të pavarur dhe vetvendosës për fatet e veta, i cili do të shpaloste kërkesat kombëtare pa harruar dhe interesat e fqinjëve tanë të cilët përmes luftërave që priteshin të nisnin për pavarësi nga Turqia synonin të realizonin ëndrrat disa shekullore për aneksimin e trojeve shqiptare. Kryengritjet e viteve 1910-1912-të, çetat e armatosura në jug të vendit, mbajtja e Kongresit të Manastirit, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, botimi i një varg gazetash e revistash, krijimi i klubeve e shoqërive patriotike si dhe veprimtaria diplomatike që patriotët shqiptarë kryenin pranë Fuqive të Mëdha, përgatitën kushtet për shpalljen e pavarësisë. Në këtë kohë krize për Shqipërinë dhe shqipëtarët spikat zgjuarsia dhe vizioni politik i Ismail Qemalit, si një patriot dhe atdhetar. Veprimtaria diplomatike e tij në mbrojtje të Çështjes shqiptare është shumë e gjerë. Më 28 Nëntor të vitit 1912 u mor vendimi i shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës. Aty u vendos njëkohësisht krijimi i Qeverisë së parë shqiptare me Ismail Qemalin si kryeministër dhe ministër të punëve të jashtme. Ky moment ishte padiskutim më i rëndësishmi për shqiptarët, sespe ishte kurorëzim i luftës disa shekullore për pavarësi, por situata do të gjenerojë një problem tepër të rëndësishëm për “Shtetin tonë të ri”, atë të njohjes dhe të marrjes së statusit të një shteti në komunitetin ndërkombëtar.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com