Shkollat shqipe në Viersen dhe Monchengladbach, ruajtja e gjuhës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Gjermanisë

Adem Shala, mësues i shkollës shqipe në Viersen dhe Monchengladbach të Gjermanisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Viersen dhe Monchengladbach, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesin Adem Shala bisedoi Editori i “Dielli”-t Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË VIERSEN

Shkolla shqipe në Viersen ka filluar punën për herë të parë me 2 gusht 1999 me mësues Adem Shala. Vitin e parë kishte mjaft vështirësi në organizimin e shkolles shqipe, mirëpo falë pervojes, energjisë dhe vullnetit që të kontriboj në mësimin e gjuhes amëtare dhe ruajtjen e kultures dhe traditave tona të çmueshme kombëtare për brezin e ri në Qarkun e Viersenit, e më vonë edhe në Grevenbroich (Qarku i Neussit) dhe më vonë në qytetin e Mönchengladbachut. Në vitin 1999 caktoj një takim me drejtoreshen e Entit Arsimor për Qarkun e Viersenit, me zonjen Wulf dhe i shprehi gadishmërinë time që të filloj punën me nxënësit shqiptar. U zhvillua një bisedë ( intervistë) në muajin maj 1999  afër një orë dhe u dakorduam që të njoftohem pas disa dite. Mirëpo unë u njoftova pas pushimeve verore,por tash zonja Wulf ishte pensionuar dhe kishte ardh një drejtor i ri dhe ai më ofroi vetem gjysem norme që të punoj me nxënës shqiptar. Mi dha tri ditë që ti kthej pergjigje, sepse unë ku isha duke punuar në punë tjera jasht profesionit tim fitoja më shumë se sa këtu me gjysem norme.

Duke e pasur parasysh sakrificen që kisha bërë për shkollen shqipe në atdhe me gjithë familjen time, vendosa të sakrifikoj kafshaten per tre fëmijët e mi vetem e vetem që mos ti lë fëmijët shqiptar pa mësuar gjuhen e nënës, kulturen dhe traditen tonë kombëtare. Kështu, me 2 gusht unë fillova me 15 orë mësimi, mirëpo gadishmëria ime, pervoja me njerëz dhe autoriteti që gëzoja te bashkatdhetarët, bëri që pas dy jave unë të dorëzoj një listë të nxënësve me 104 nxënës dhe në gjysemvjetorin e dytë punoja me normë të plotë. Mësimin e mbaja në Viersen para dhe pasdite, kurse në qytetet tjera pasdite, si në St.Tönis, Kempen, Vorst,  Kaldenkirchen e më vonë edhe në Oedt, Grefrath, varësisht se nga lëviznin familjet e nxënësve.

Statusi i familjeve kur kam filluar shkollen shqipe ka qenë 90% i pa zgjidhur, kështu që dita dites pritej kthimi për në atdhe.Mirëpo ne jemi popull punëtorë, e gjermanë i duan punëtorët dhe nderkohë familjet zgjidhen statutin dhe u stabilizu qendrimi i shkolles shqipe. Edhe pse këto janë qytete të vogla, shkolla shqipe në Qarkun e Viersenit ka qenë dhe është një nder shkollat shembull për numrin e madh të nxënësve dhe për aktivitetet e shumta kulturore dhe sportive. Një bashkëpunim shembull i mësuesit me prinder dhe bashatdhetarë. Cdo vit kam pasur mesatarisht mbi 150 nxënës të ndara në grupe.Në qytetet ku ishte numri më i madh formoheshin grupet klasa 1-4 dhe klasa 5-10, ndersa në qytete më të vogla grupi i perzier nga klasa 1 deri 10 ( mësim i diferencuar).

Përveç mësimit të rregullt nxënësit angazhohen edhe në aktivitete kulturore dhe sportive. Çdo vit kremtojmë Festat e Nëntorit dhe pas shpalljes së Pavarësisë edehe në muajin shkurt kremtojmë Pavarësinë e Kosovës. Shkolla shqipe e Qarkut të Viersenit e ka organizuar Festivalin e parë (dhe të vetem) të shkollave shqipe, ku kanë marrë pjesë 22 shkolla shqipe mysafir special ka qenë Ansambli i Brukselit në vitin 2003. Në këtë festival janë prezentu nxënësit me këngë dhe valle popullore dhe në fund të gjitha shkollave iu janë ndarë MIRËNJOHJE dhe dhurata. Shkolla shqipe e Viersenit si nikoqir i ka siguru dhuratat dhe ushqimet dhe pijet për të gjithë të pranishmit gratis, ku mësuesi e ka organizu Këshillin e Prindërve; që të ofrojnë një ambient sa më të mirë dhe kushte të mira dhe të ofrojmë mikëpritje ashtu si na kanë mësuar paraardhësit tonë.

Shkolla shqipe e Qarkut të Viersenit ka marrë pjesë në Kampionatet e Diturisë të shkollave shqipe, të cilat i organizon KASH “Naim Frashëri“ në Gjermani, ku ka arritë suksese të jashtëzakonshme, ku 10 herë ka qenë fitues i garave në nivel të Gjermanisë dhe dy herë fitue i garave që i organizonte Mistria e Jashtme dhe Diasporës në RTK, si dhe shumë medalje në gatat sportive individuale në vrapime dhe ekipore në futboll për djem dhe vajza. Grupet e vallëzimit të shkolles shqipe të Qarkut të Viersenit dhe tash në Mönchengladbach janë të njohura në gjithë Gjermaninë, sepse në shumë aktivitete kulturore dhe në dy Festivale në Berlin kanë marrë pjesë me shumë sukses. Në Mönchengladbach është viti i gjashtë i imi që punoj në këtë shkollë, sepse më parë ka punuar një mësues i cili kur u pensionua erdha unë dhe atëherë ishin vetem 6 orë mësimi me një numer simbolik të nxënësve, diku rreth 20 nxënës, por me të marrë këtë grup fillova punën dhe fillova aktivitetet kulturore që kurrë më parë nuk kishte pasur në këtë qytet dhe pas një viti u rrit numri i nxënësve mbi 100 nxënës, prandaj Enti Arsimor rriti fondin e orëve nga 6 në 18 orë mësimi. Pasi unë kisha nevojë këtu vetem për 6 orë, 12 orë i mori mësuesja e re Ersa Mani (4 vite), pastaj erdhi mësuesja Kaltrinë Shabani Neziri.

Shkolla shqipe ka ndiku shumë në si në aspektin mësimor, po ashtu edhe në permirësimin e imazhit të shqiptarëve ndaj komunitetit vendas dhe ka qenë një ofertë e njohjes së komunitetit shqiptar dhe ta njohin kulturen dhe traditen tonë si në aspektin e kultures, mikëpritjes dhe të njohin ushqimet tona tradicionale, ku çdo herë janë nda shumë të kënaqur dhe shumë falenderues. Ata tash na thirrin special me grupet tona të vallëzimit të paraqiten në aktivitete kulturore që organizohen me komunitetet që jetojnë këtu.

KURRIKULA MËSIMORE E PREGADITUR NGA ENTET ARSIMORE NË NIVEL TË LANDIT

Kurrikula mësimore këtu është e pregaditur nga Entet Arsimore në nivel të Landit dhe atë duhet zbatuar në punën tonë me nxënës. Çdo vit organizohen seminare të shumta për punën dhe zbatimin e kurrikulave mësimore. Natyrisht aty lihet edhe një hapsirë që ti pershtatet specifikave të seciles gjuhë. Natyrisht temat janë të caktuara për të gjitha gjuhët, por ne e fusim si projekt Diten e Flamurit, apo Pavarësinë e Kosoves, njohjen e Atdheut tonë. Edhe ne kolegët e gjuhës shqipe shpesh takohemi dhe bisedojmë dhe pregadisim tema që janë në interes të shkolles shqipe. Shkollat ku mbajmë mësim na ofrojnë të gjitha mjetet e nevojshme mësimore që mësimi të jetë sam a kualitativ, sepse kjo formë e mësimit e ndihmon nxënësin  edhe gjuhen gjermane. Nxënësit për pjesëmarrje n ë mësimin e shkolles shqipe marrin notë në gjysemvjetorin e parë dhe dëftesen me notë në gjysemvjetorin e dytë. Në klasen e dhjetë nxënësi është i obliguar ti nenshtrohet provimit dhe në bazë të notes i caktohet edhe niveli i pervetësimit të gjuhës shqipe (A1, A2,B1 apo B2).

BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT ËSHTË I SHKËLQYER

Bashkëpunimi me prindërit është i shkëlqyer. Çdo vit zgjidhet kryetari dhe nënkryetari i aktivit të prindërve në qytet ku mbahet mësimi, e pastaj këta së bashku e formojnë Këshillin e Prindërve, të cilët e marrin përsipër të ndihmojnë shkollen shqipe dhe i ndajnë detyrat në të gjitha aktivitetet e shkollës shqipe, i zbatojnë me përpikmëri dhe pas aktivitetit ulen dhe e bëjnë analizen e punës, rrjedhes së aktivitetit dhe suksesit. Në krye të punës dhe organizimit është mësuesi dhe krah i djathtë janë prindërit. Organizimi i mirë ka bërë që mbi 97% të nxënësve janë të perfshirë në mësimin e gjuhës, kultures dhe traditës shqiptare.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI

Në Gjermani përfshirja e nxënësve në shkollen shqipe per fat të keq është shumë e ultë. Në bazë të numrit të madh të bashkatdhetarëve tonë, mbi 400 000 në shkollën shqipe janë 2-3 % të nxënësve që vijojnë mësimin rregullisht. Këtu prinë Landi i NRW-së ku janë 27 mësues, Nidersachsen 3 mësues, Hamburg 1 mësuese, ndersa në Landet tjera si në Bajern, Baden Würtenberg organizohen kurse në grupe të vogla dhe në kushte të vështira. Patjeter se shkolla shqipe ka rëndësi në ruajtjen e identitetit kombëtar, për atë ne mësuesit japim shumë nga vetëvetja që gjeneratat e reja të rriten me gjuhën shqipe, me këngën dhe vallen shqipe, të njohin të kaluaren tonë me personalitete të njohura historike të nivelit botëror si Nënë Tereza, Skënderbeu, Aleksander Moisiu, këngëtarë, artist, piktor etj. Që kur i prezentojnë nxënësit tonë para komuniteteve tjera ndihen shumë krenarë dhe ua kann lakmi të tjerët. Me nxënës kam pregaditur edhe komedinë “Vëllazëri e interes“ dhe një dramë nga lufta e Kosovës, “Gjysh e gëzofshim lirinë së bashku“, skenarin e kam shkruajtur unë por edhe regjinë e kam bërë unë.

SI REAGON SHOQËRIA GJERMANE NDAJ MËSIMIT SHQIP

Për të qenë krenarë nxënësit tonë, në të gjitha programet tona vijnë shumë mysafir jo shqiptar që me kënaqësi marrin pjesë poashtu edhe mbajnë fjalime rasti dhe thonë:“Nuk e paskemi ditë çfarë pasurie paska pasur qyteti jonë, por meqë tani po e dimë, jemi me fat“. Mësimi i gjuhes shqipe këtu pritet jashtëzakonisht mirë. Bashkëpunimi me drejtoritë dhe me koleget e gjuhes gjermane është shumë i mirë dhe për çdo gjë konsultohemi dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin. Shkolla shqipe ka bashkëpunim të mirë me shoqatat gjermane, por edhe me institucionet tona shtetërore me Konsullatat dhe Ambasadat e Shipërisë, Kosovës, por edhe me Konsujt shqiptar nga RV e Maqedonisë.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTËRSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Për organizimin e mësimit të gjuhës shqipe shteti gjerman na i siguron kushtet e punës, por edhe tekstet shkollore pa pagesë. Gjatë pandemisë ne jemi detyruar që të organizojmë mësimin në distancë- online, prandaj për organizimin e kësaj forme është dashtë me i pas edhe mjetet shkollore. Shkolla na ka pais me iPad si neve mësuesit, por edhe nxënësit dhe çdo gjë ka rrjedhë mirë duke pasur parasysh rrethanat. Ne kemi vështërsi në raste të veçanta kur nxënësi është nga prindër binacional, nese ata nuk flasin në shtëpi shqipe, atëherë vështërsitë janë evidente. Me të tjerët nuk kemi kurrfarë vështirësie.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Mësimi i gjuhës shqipe dhe pjesëmarrja në mësimin e gjuhës shqipe i ka bë shumë të lumtur këta fëmijë e tash edhe disa prej tyre që janë bë prindër dhe i sjellin fëmijët e tyre në shkollen shqipe. Njohja e gjuhës i ka tërheq me shkua më shpesh në atdhe, me kontaktu me familjar dhe me shok e shoqe në atdhe, ku kjo ka ndiku edhe në martesa mes nxënësve shqiptar, me vizita të shumta në Atdhe, ku i kanë mbajt në mend kur ju kam thënë apo e kam pershkru Shqipërinë dhe Kosovën me bukuritë e shumta dhe nga atje më shkruajnë: “Mësues kemi ardhë dhe po e shijojmë bukurinë shqiptare, ate që na keni thënë gjatë orëve mësimore, faleminderit”!

KUSH ËSHTË MËSUES ADEM SHALA?

Adem H. Shala, u lind me 24.03.1959 në fshatin Sllatinë e Madhe, Fushë Kosovë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, pastaj shkollen e mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” në   Prishtinë dhe studimet në FSHN – seksioni i kimisë, i diplomuar në vitin 1982 me titullin Profesor. Si mësimdhënës për herë të parë ka filluar në vitin 1982 në gjimnazin “ Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë, deri në dhjetor 1986, pastaj për tri vite me rradhë drejtor i shkollës fillore “Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe. Nga viti 1989 u punësua në MC të Kosovës si bashkëpunëtor i lartë profesional i MRBK, deri në korrik 1989, kur e larguan me dhunë nga vendi e punës, përshkak të përkrahjes haptas të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut. Pas largimit nga puna u angazhua vullnetarisht në mbajtjen e mësimit në gjimnazin “Hivzi Sulejmani” të Fushë- Kosovës nëpër shtëpitë shkolla, gjithashtu në shkollën ekonomike në  Vragoli , si dhe në kordinimin e sigurimit të lokaleve – shtëpive për mbajtjen e mësimit nxënësit e shkollës fillore “Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe pasi që regjimi serb i largoi nga objekti shkollor. Nga viti 1991, në muajin maj u angazhua në Shtabin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, i formuar me urdhër të Komandantit Suprem të Republikës së Kosovës – Dr. Ibrahim Rugovës, ku i ngarkuar për të koordinuar punët ishte Dr.Fehmi Agani. Kjo veprimtari zgjati deri në shtator 1993, kur një pjesë e shtabit u arrestu nga regjimi serb, ndërsa një pjesë u arratisën, prandaj ai arriti të arratiset në Shqipëri. Pas përfundimit të luftës, ky shtab e avancoi me gradën e Nënkolonelit. Në Shqipëri qendroi deri në shtator 1995, kur emigroi për në Gjermani, ku edhe jeton sot. Në Gjermani nuk qëndroi kot, mori iniciativen për organizimin e mësimit shqip për nxënësit shqiptarë në rrethinen e Magdeburgut, por pasi që u transferua në Landin e NRW, me iniciativen e tijë, me 2 gusht 1999 filloi punën e shkolla shqipe në Qarkun e Viersenit – në Viersen, Vorst, Kempen, pastaj në St.Tönis, Oedt, Grefrath, Kaldenkirchen, Lobberich dhe dy vitet e fundit edhe në Grevenbroich- Enti Arsimor i Neuss-it dhe në Mönchengladbach. Kontributi i tij në KASH “Naim Frashëri” në Gjermani është i madh, si me ide organizative, profesionale, prandaj dy mandate u emërua si nënkryetar  dhe Kryetar i KASH “ Naim Frashëri” ishte në mandatin dhjetor 2008 – dhjetor 2010. Në këtë mandat me inicitivene tij Kampionati i Diturisë “ Berlini 2009” u mbajt nën patronatin e Ambasades së Republikës së Kosovës, ku kjo ishte një nder dhe respekt për Ambasaden tonë dhe Shtetin tonë. Në këtë mandat bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë edhe me Ambasaden e Republikës së Shqipërisë, Konsullin shqiptar të Republikës së Maqedonisë, por edhe me Konsulaten e Rep. së Kosovës në Shtutgart. Me  qëllim që të avancohet akoma puna e KASH-it vullnetarisht tërhiqet që të hap rrugë për të tjerët, por gjithmonë i gatshëm të jep kuntributin e tij.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com