Shkolla shqipe “Scanderbeg” në Parma, gjuha dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve në Itali

Anila Berberi mësuese e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Parma, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe, historisë dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me Anila Berberin bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

ORGANIZIMI I VITIT TË RI SHKOLLOR TE SHKOLLA SHQIPE “SCANDERBEG” PARMA, ITALI

Si të gjitha shkollat e tjera, edhe shkolla jonë “Scanderbeg” Parma, që drejtohet dhe koordinohet nga shoqata me të njëjtin emër, ka filluar të bëjë përgatitjet për organizimin e vitit të ri shkollor. Në pamje të parë duket sikur me ardhjen e shtatorit fillojnë të shtohen ethet për të bërë më të mirën në kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Por kjo është pjesërisht e vërtetë. Nuk mund të mohojmë faktin që me shtatorin, rihapen dyert e shkollave për të gjithë fëmijët dhe ne mësuesit jemi atje për t’i pritur krahëhapur dhe për t’i shoqëruar në udhën e bukur të diturisë. Por mësueset e shkollave shqipe në diasporë, faktikisht, punojnë çdo ditë të vitit, madje më shumë gjatë kohës së pushimeve. Momentet kur mbyllet një vit shkollor janë momente reflektimi dhe analize për punën e bërë si edhe pikënisje për mbarëvajtjen më të mirë të vitit që vjen. Dhe çdo vit është një sfidë e re. Themi sfidë për tërësinë e detyrave që i ngarkojmë vetes, sfidë në konceptimin e asaj çka duam të realizojmë dhe të arrijmë, sfidë në krijimin e programit të duhur për tematikat që duam të zhvillojmë dhe trajtojmë, sfidë në punën me komunitetin dhe me prindërit, në fund të fundit sfidë me veten për të qenë sa më shumë profesionistë, pedagogjistë por mbi të gjitha sfidë për të qenë sa më shumë njerëzorë dhe sa më pranë fëmijëve për t’ju përgjigjur nevojave të tyre me dashuri në përputhje me nivelet e ndryshme të njohjes së gjuhës shqipe.

MËSIM SHQIP DHE ORË LABORATORI

Në shkollën tonë mësimi zhvillohet prej vitesh pranë një qendre rinore të ofruar nga komuna, me klasa të pajisura me gjithshka të nevojshme përfshirë mjediset e jashtme për lojrat e fëmijëve. Dhe ndërsa komuna na ofron mjediset për zhvillimin e mësimit, shoqata “Scanderbeg” kujdeset për pjesën tjetër që ka të bëjë me të gjitha aspektet ligjore dhe normative, me mjetet didaktike. E vë theksin tek pajisja me mjetet didaktike, pasi në shkollën tonë, çdo të shtunë krahas orës së mësimit bëhet edhe një orë laboratori me tematika të caktuara duke patur parasysh stinët, historinë, etnografinë, festat kombëtare, etj. Në çdo orë laboratori kemi nevojë për mjete didaktike të ndryshme. Të gjitha këto nuk na kanë munguar asnjëherë falë mbështetjes së shoqatës, por edhe të prindërve.

Meqenëse po flasim për organizimin, nuk mund të mos përmend mbështetjën që na është dhënë nga strukturat shtetërore, nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, nga Qendra e Botimeve për Diasporën e drejtuar nga znj. Mimoza Hysa, nga Konsullata e Milanos dhe nga oficerja e diasporës, znj. Luljeta Çobanaj. Falë tyre, fëmijëve tanë nuk i kanë munguar asnjëherë librat shkollorë dhe jashtëshkollorë të konceptuar enkas për ta. Ndihma e tyre shkon përtej furnizimit me libra shkollorë. Shteti ynë na ofron edhe trajnime, seminare që të na vijë në ndihmë edhe ne mësuesve për të realizuar sa më mirë detyrën tonë fisnike.

VIT I RI ME TË TJERA RISI

Moto e shkollës sonë këtë vit do të jetë: “KU KEMI LERË”, marrë shkas nga titulli i poezisë së Andon Zako Çajupit. Kjo moto përfaqëson edhe thelbin e përmbajtjes së programit shkollor. Duke qenë se fëmijët çdo vit rriten më shumë me dashurinë për gjuhën, po ashtu duhet të rriten edhe me dashurinë për mëmëdheun. Për fëmijët koncepti i mëmëdheut mund të duket abstrakt, kështu që për ta bërë më konkret kemi zgjedhur të flasim për vendlindjen e prindërve të tyre. Është sikur të rilindim në zemrat e tyre dashurinë për rrënjët tona, të forcojmë ndjenjën e përkatësisë që nuk shuhet me emigracionin. Dhe në këtë rilindje shpirtërore do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë dhe përfshirja aktive e prindërve dhe gjyshërve.

Gjithashtu, risia tjetër në këtë vit shkollor ka të bëjë me krijimin e një klase të re me të rinj të moshës 14-18 vjeç. Hapja e kësaj klase u diktua jo vetëm nga kërkesat e shumta për regjistrime të kësaj grupmoshe, por edhe nga domosdoshmëria për të ofruar një paketë didaktike që të mos përjashtonte një kategori të caktuar që për një arsye a për një tjetër, nuk ka patur akses më parë në shkollat tona të shqipes. 

“MUAJI I KULTURËS SHQIPTARE”: EVENTE KULTURORE DHE ARTISTIKE PËR PROMOVIMIN E KULTURËS, TRADITËS DHE ZAKONEVE SHQIPTARE

Me hapjen e shkollës, muajt kalojnë pa u ndjerë fare. Të shtunat shkojnë e vijnë, dhe Nëntori troket edhe në dyert e shkollës sonë. Në nëntor është traditë e konsoliduar e shoqatës “Scanderbeg” që të organizojë evente kulturore dhe artistike për promovimin e kulturës, traditës dhe zakoneve tona. Çdo nëntor, shqiptarët e Parmës nuk ndjehen të huaj, por si në atdheun e tyre. Çdo fundjavë organizohet një event që na bashkon të gjithëve duke folur për një libër, duke parë e diskutuar për një dokumentar, për një shfaqje teatri, dëshmi të ndryshme, etj. Edhe fëmijët janë pjesë e kësaj atmosfere magjike. Mësueset bashkë me fëmijët dhe prindërit, gjithmonë kanë përgatitur një program të posaçëm festiv me këngë dhe valle shqiptare. Asgjë nuk është e rastësishme. Fëmijët duhet ta njohin historinë e vendit të tyre, duhet ta dinë rëndësinë e Festës së Flamurit dhe të Çlirimit. Prandaj asnjëherë nuk duhet të ndruhemi tu shpjegojmë fëmijëve se sa më shumë e njohim Atdheun, aq më shumë e duam atë.

Muaji i kulturës shqiptare përmbyllet me një festë të madhe ku bashkë me fëmijët dhe komunitetin kemi mundësinë të mblidhemi tok, të flasim e të këndojmë shqip, të kërcejmë vallet tona, të gatuajmë ushqimet tona tradicionale, të njohim më mirë njëri – tjetrin.

GJUHA SHQIPE SI IDENTITET KOMBËTAR

Përtej ndjenjës së patriotizmit dhe nacionalizmit, që ndihet edhe më fort sa më shumë largohesh fizikisht nga atdheu, duhet të bëjmë disa konsiderata që sigurisht përbëjnë bazën për një arsyetim më të plotë që shkon përtej konceptit të gjuhësisë së thjeshtë.  

Pyetja që lind natyrshëm mes nesh është përse duhet të investojmë kohë e punë për të njohur shqipen, një gjuhë që në Itali nuk mund të të hyjë në punë. Pikërisht këtu dua të ndalem.

Ghuha shqipe është edhe flamuri ynë. Gjuha shqipe përbën një nga elementët e identitetit në të cilin jo vetëm ne, por nesër edhe fëmijët tanë mund të njohin rrënjët e tyre, proces pa të cilin integrimi bëhet asimilim dhe kombi dhe identiteti kulturor fillojnë të zbehen deri në zhbërje. Mungesa e identitetit, edhe pse shumë emigrantëve i lehtëson mbijetesën momentale në kontekstet e reja ku ndodhen, në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë nuk sjell mirëqenie sociale.

Prandaj, tani si edhe më përpara, këtu në Itali ashtu si edhe në Shqipëri, fëmijët tanë sot ashtu sikurse ne dje, kanë nevojë të dinë kush janë dhe nga vijnë, pa këtë nuk mund të gjejnë paqe askërkund, fëmijët tanë nuk mund të jenë qytetarë të realizuar në asnjë shoqëri pa maturuar vetëdijen e rrënjëve të veta, të historisë sonë të përbashkët kolektive, në të mirë e në të keq.

Pikërisht për të përmbushur këtë nevojë është i dobishëm mësimi i gjuhës shqipe dhe i historisë shqiptare për brezat e lindur në diasporë, i dobishëm për ta por edhe për shoqërinë ku jetojnë që do të ketë të bëjë me qytetarë të integruar me vetëdije, jo thjesht qytetarë të mimetizuar.

SHOQATA “SCANDERBEG” DHE PROMOVIMI I KULTURËS DHE TRADITAVE SHQIPTARE NË PARMA

Shoqata Scanderbeg u krijua në vitin 2006. Qëllimi i saj është promovimi i kulturës dhe traditave shqiptare në zonën e qytetit të Parmës, githashtu ndihmon në integrimin e komunitetit shqiptar në Itali dhe në ruajtjen e identitetit kombetar duke shërbyer si urë lidhëse midis komunitetit dhe qytetarëve të Parmës. Aktivitetet e Shoqatës janë nga më të larmishmet në kuadër të realizimit të objektivave të caktuara që në themelimin e saj. Hapja dhe mbarëvajtja e shkollës është pjesë e aktiviteteve të shoqatës, e drejtuar nga mësues profesionistë, të certifikuar nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë.  Gjithashtu këtu mund të përmendim grupin e valleve tradicionale shqiptare i drejtuar historikisht nga koreografë profesionistë të ansamblit kombëtar të cilët jetojnë në Itali dhe vazhdojnë të ndjekin pasionin e tyre duke u percjellë brezave të rinj vallet më të bukura nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Brenda shoqatës, është edhe grupi i studentëve që japin ndihmën e tyre në aktivitete të ndryshme si edhe dhe skuadrën e futbollit me të njëjtin emër që ka fituar disa kampionate të kategorive të ndryshme në Parma.

VLERAT E SEMINARIT MBARËKOMBËTAR TË VLORËS

Në fund të korrikut, u mbajt seminari XVI Mbarëkombëtar, i organizuar nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me teoritë dhe praktikat e mësimdhënies të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë. Ishte një event me impakt shumë të ndjeshëm në punën e mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë, si nga pikpamja e prezantimit të metodave të ndryshme në mësimdhënie, por edhe nga pikpamja e socializimit dhe krijimit të zinxhirëve bashkëpunues mes vetë mësuesve. Nuk është pak të shohësh konceptime të ndryshme ore mësimi, nuk është pak të shkëmbesh përvoja dhe ide, madje edhe të debatosh. Por sa bukur është edhe të ulesh në tavolinë e t’ia marrësh një kënge korçare apo shkodrane me kolegë që deri dje nuk i njihje e sot janë pjesë e jetës tënde. Sa bukur është kur sheh realitete të ndryshme didaktike, të aplikuara në vende të ndryshme. Ndërsa dëgjon kolegët, fillon menjëherë të shkrepëtijë një ide e re në mendjen tënde, që do të realizohet me patjetër në klasën tënde, në përputhje me realitetin tënd. 

KUSH ËSHTË MËSUESE ANILA BERBERI?

Para së gjithash, Anila Berberi është bashkëshorte dhe nënë e dy vajzave. Krijimi i familjes është dhurata më e çmuar që më ka dhënë Perëndia dhe arritja më e madhe në jetën time.

Pastaj vjen Anila, që në vitin 1994 mbaron studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë, dega Histori-Gjeografi. Menjëherë pas studimeve, në Tiranën e bumit ekonomik, pata fatin të punoj në një firmë italiane konsulence ku u njoha dhe preka nga afër realitetin e sipërmarrjes, duke filluar edhe hapat e mia të parë me hapjen e një studio për prodhimin e objekteve të xhamit të Muranos. Ky realitet më tërhoqi si me magji, prandaj në vitin 2003 përfundova studimet edhe në Fakultetin e Ekonomikut.

Nga viti 1997 e në vazhdim kam qenë koordinatore pranë Institutit Ndërkombëtar të Tiranës, më pas edhe pranë Fondit Shqiptar për Monumentet, shoqata jo fitimprurëse të angazhuara në projekte të ndryshme në bashkëpunim me organizata të tjera si UNICEF, ROCK NO WAR, Goethe Institut, GTZ etj..

Që nga viti 2009 e deri më sot, zhvilloj aktivitetin tim si përkthyese ligjore e regjistruar në urdhrin përkatës në Shqipëri dhe në Itali.

Në fushën e përkthimeve artistike, jam ngarkuar nga Shtëpia botuese LNB dhe kam përkthyer: “Bota e Vogël”, “Don Kamilo dhe vatha e tij”, të autorit italian Giovannino Guareschi.

Mami më ka sjellë në jetë në një ditë të shenjtë, në 15 gusht, që përkon me festën e së Shenjtës Mari. Mendoj që kjo datë ka ndikuar shumë tek formimi i Anilës si njeri, ndërsa vullneti i zotit, e ka ndihmuar Anilën të ecë përpara në të gjitha drejtimet.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com