Shkolla shqipe “Ibrahim Kodra”, gjuha dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve në Itali 

Donika Zeneli Qoshi mësuese në shkollën shqipe “Ibrahim Kodra” në Rozzano, Milano, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Milano, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës, kulturës shqipe dhe historisë kombëtare. Me mësuesen Donika Zeneli Qoshi bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

SHKOLLA SHQIPE “IBRAHIM KODRA” NË MILANO

Shkolla shqipe në komunën e Rozzanos u inagurua më 24 shtator 2023. Pati një pjesmarrje nga komuniteti shqiptar i zonës se jugut të Milanos. Ideja e themelimit ishte e të gjithë prindërve dhe bashkëatdhetarëve shqiptarë që duan që fëmijët e tyre të mos humbasin gjuhën dhe kulturën shqiptare. Vitet e fundit vumë re që fëmijët tanë që frekuentojnë shkollat publike italiane nuk kanë pasur mundësi që ta mësojnë gjuhën shqipe brënda këtyre shkollave si në Gjermani, Zvicër, Suedi etj. Hapja e shkollës shqipe “Ibrahim Kodra” është një projekt që i vjen në ndihmë fëmijëve dhe prindërve. Përpjekjet janë të shumta dhe të mundimshme, siç ju thashë vetëm pas 15 vjetësh arritëm të sigurojmë ambjentin e dhënë për tu frekuentuar 1 herë në javë. Nuk kemi mbeshtetje financiare nga autoritet shqiptare dhe italiane dhe shkolla do të mbahet hapur nga puna vullnetare e mësuesve që sakrifikojnë fundjavat për përhapur dije me shumë dashuri. Grupi themelues i shkollës shqipe “Ibrahim Kodra” janë: Skënder Zeneli përfaqësues i komunitetit tonë, Laura Olldashi shkrimtare dhe ish-mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Denada Quku psikologe dhe ish-pedagoge pranë universitetit të A.Moisiu në Durrës, Enkelejda Mece administratore  ligjore e shkollës sonë ka mbaruar degen Ekonomi në universitetin Bicoça në Milano, rrjedh nga një familje patriotësh përmetarë, Lumo Kolleshi mësues i gjuhës shqipe në Shqipëri prej 40 vjetësh. Mësimi do të zhvillohet çdo të dielë nga ora 9.00 deri më 12.30

NJË SHKOLLË ME EMRIN E PIKTORIT TË MADH IBRAHIM KODRA

Emrin e shkollës shqipe “Ibrahim Kodra” e zgjodhëm në respekt të piktorit me famë ndërkombëtare që ka jetuar dhe punuar pranë në qytetin e Milanos, në Akademinë e Brerës në Milano të Italisë. Piktori Ibrahim Kodra është një figurë e artit italian me origjinë shqiptare. Ka lindur në Ishëm të Durrësit, talenti i tij do të spikatet nga krytari i bashkisë së Durrësit të kohës, do të dërgohet për studime në Tiranë, me ndihmën e oborrit mbretëror do të dërgohet me studime në Romë e më pas në Milano. Stili i tij modern në pikturë do të habisë edhe profesorët e tij në Akademinë e Breras ku më pas do të punonte si profesor. Ai i përket stilit të veçantë të Kubizmit ku do të ishte miku i preferuar i Pikasos. Pas vendosjes së komunizmit nuk mund të kthehej në Shqipëri për shkak se stili i tij ishte i ndaluar. Flitet që të ketë pikturuar rreth 6000 kuadro.

PRINDËR REGJISTRONI FËMIJËT NË SHKOLLË

Në cermoninë e inagurimit të shkollës shqipe “Ibrahim Kodra” morën pjesë kryetari i Fondazionit “Ibrahim Kodra” në Milano, oficerja e Diasporës në Milano Luljeta Cobanaj dhe shumë shqiptarë me origjinë arbëreshe etj. Patëm gjithashtu një përkrahje morale nga Konsullja e Shqipërisë në Milano Z.nja Anila Pojani dhe stafi i saj. Mesazhi ynë është një thirrje që i bëjmë prindërve që të rregjistrojnë femijët e tyre në kurset e gjuhës shqipe, duke i dhënë mundësinë për të mesuar ta lexojnë dhe shkruajnë mirë gjuhën e mëmës, është një pasuri e madhe për çdo fëmijë. Fëmijët bilinguistë janë një hap përpara përsa i përket edhe mësimit të gjuhëve të tjera.

SHKOLLA SHQIPE RËNDËSI TË VEÇANTË PËR GJUHËN SHQIPE

Me ndihmën e zotit Skënder Zeneli që është përfaqsues i komunitetit shqiptar të Rozzanos, të Laura Olldashit që është shkrimtare dhe të mësueseve Donika Zeneli Qoshi, Enkelejda Mece, Denada Quku, Lumo Kolleshi, Diamanta Gjata, arritëm ti japim jetë kësaj shkolle që do ti vijë në ndihmë për mësimin e gjuhes shqipe fëmijëve me origjinë shqiptare që kanë lindur dhe po rriten këtu, gjithashtu janë të mirëpritur të gjithë ata që kanë dëshirë të mësojnë gjuhën shqipe të frekuentojnë kurset që do të zhvillohen pranë shkollës sonë. Shkolla ka një rëndesi në mësimin e gjuhes në mënyrat didaktike dhe pedagogjike te përcaktuara nga Ministria e Arsimit në Shqipëri ku na mbeshtet me trajnimet e bëra për mësuesit e Diasporës por dhe me tekstet e botuara për ti ardhur në ndihmë mësimdhënies në mënyrë efikase.

KUSH ËSHTË DONIKA ZENELI QOSHI?

Donika Zeneli Qoshi është ish- mësuese letërsie pranë gjimnazit Sami Frashëri në qytetin e Belshit në Elbasan. Ka mbaruar universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan në degën gjuhë-letërsi. Në Milano punon në fushën e shëndetësisë dhe ndjek studimet në universitetit Humanitas në degën e Infermierisë. Vjen nga qyteti arsimdashës i Elbasanit, nga qyteti i Dhaskal Todrit, Aleksandër  Xhuvanit, Lef Nosit, Aqif Pashës, Kostandin Kristoforidhit e shumë patriotëve të shquar për kontributin e tyre në shërbim të çështjeve kombëtare.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com