Shkolla shqipe e Chicagos, gjuhë shqipe dhe identitet kombëtar në mërgatën e Amerikës

Mimoza Hoxha (Canodemaj) mësuese e shkollës shqipe në Chicago, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Chicago, Illinois, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Mimoza Hoxha (Canodemaj) bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË CHICAGO

Misioni i shkollës tonë ashtu si dhe dëshira e të gjithë shqiptarëve kudo ku janë është “ruajtja e gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar”. Me këtë qëllim në mendje dhe në zemër Shkolla jonë hapi dyert e saj për herë të parë në vitin 2008. Ishte një vajzë e vogël në atë kohë Erla Teli kur ndjeu mungesën e shkollës shqipe për komunitetin tonë. Vitet kaluan dhe sot Erla është një zonjë e re që mbasi ishte nxënëse për disa vjet tashmë jep kontributin e saj në Bordin Drejtues të Shkollës Shqipe. Pyetja e Erlës “po ne pse nuk kemi shkollë që të mësojmë shqip siç kanë shoqet e mia që mësojnë gjuhët e tyre kombëtare?’ zgjoi interes tek Lea Bitta. Lea është anëtare e Bordit Drejtues të Shkollës qysh nga krijimi. Ajo filloi të pyesë dhe të marri opinionet e shumë anëtarëve të komunitetit tonë dhe sidomos të atyre familjeve që kishin fëmijë në moshë shkolle nëse ata do të ishin të interesuar për një shkollë ku do të mësohej gjuha dhe historia e Shqipërisë. Ne ishim një nga ato familje. Shumë e pritën me kënaqësi dhe interes këtë iniciative të re. Te gjithë ishim optimistë për këtë ngjarje dhe për vlerat që ajo mbart në vetvete. Kjo jo vetëm për argëtimin dhe kënaqësinë që na jep mbledhja së bashku në ambjentet e shkollës sonë për të kaluar disa orë të këndshme mes shokësh dhe miqsh, por për më tepër për garantimin e vazhdimësisë së të ardhmes së Shqiptarizmit për brezat që do të vijnë. Unë dhe familja ime jemi mirënjohës për këtë shkollë. Edhe pse ne kishim vetëm një vit që kishim ardhur në USA e kishim të nevojshme ti rregjistronim vajzat. Vajza e madhe Xhorxha mbaroi klasën e katërt fillore në Tiranë por vajza tjetër Deborah e filloi klasën e parë këtu në Amerikë dhe nuk dinte të shkruante e të lexonte shqip. Pa folur më tej për historinë dhe kulturën shqiptare që ato kishin shumë nevojë dhe që në kushtet e reja të emigrimit merrnin një vlere të re për ne, ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Sot është e rëndësishme që fëmijët tanë dhe brezi i ri të njohi Shqipërinë Etnike dhe hartën e saj. Historinë e dhimbshme të ndarjes së Shqipërisë në copa etj etj.

SI ORGANIZOHET MËSIMI SHQIP

Bordi Drejtues i shkollës përbëhet nga 8 anëtarë: Nick Vangel kryetar dhe Lea Bitta, Olga Tito, Diane Pero, Rozan Simoni, Gazmend Kapllani, Ardit Breznica dhe Erla Teli anëtarë. Është një kombinim i vizionit dhe ekperiencës së moshës me energjinë dhe ide të reja. Jam optimiste dhe e sigurt se me potencialet që të gjithë këta individë ofrojnë shkolla jonë do të arrijë rezultatet e shumë dëshiruara që koha dhe vendi kërkon. Ne falenderojmë Bordin Drejtues të Kishës së Shën Kollit që me kënaqësi na vuri në dispozicion ambjentet e Kishës që të pranojmë nxënësit tani dhe 15 vjet te shkuara dhe i ndjeri Metropolitan Ilia Katre për fjalët inkurajuese. Shkolla jonë tashmë funksionon si një shoqatë e licensuar jofitimprurëse me të gjitha të drejtat dhe privilegjet e saj. Kjo arritje i dedikohet grupit të punës brenda Bordit të shkollës të drejtuar nga Avokati ynë me shumë vlera, Rozan Simoni. Mësimi i gjuhës bëhet i organizuar në klasa mësimore që përbërja e të cilave ndryshon çdo vit lidhur me moshën dhe njohuritë e nxënësve. Shkolla jonë është e hapur për nxënës të moshës 5 deri në 15 vjeç! Këtë vit shkollor ne kemi katër klasa nga të cilat dy janë të klasës së parë dhe dy të klasës së dytë. Mosha e nxënësve është 5 deri në 7 vjeç për klasën e parë dhe 8 deri në 12 vjeç për klasën e dytë me një numër nxënësish 6-7 për çdo klasë. Përfitoj nga rasti të falenderoj mësueset e shkollës sonë për punën e tyre. Mësueset e klasës së parë Emanuela Cako dhe Eda Pojani, si edhe mësueset e klasës së dytë Elona Shkira dhe Albana Romacka. Shkolla jonë është e interesuar dhe në proces të acreditoj programin e saj. Ne jemi në kontakt me institucionin që ndjek programet e akredituara te shkollave Etnike në Illinois, Illinois State Board of Education. Kemi mbledhur informacionet e nevojshme dhe përgatitemi për hapin tjetër që do ti shtojë vlera shkollës sonë dhe përfitime komunitetit. Ndryshimet që dikton akreditimi si proces janë fitimprurëse. Ai është një program i gjerë mbi 120 orë mësimi që përfshin gjuhën, kulturën, zakonet, traditat e shqiptarëve dhe ju jep mundësinë nxënësve pjesëmarrës në këtë program jo vetëm të shtojnë njohuritë e tyre mbi identitetin tonë kombëtar duke u shoqëruar dhe argëtuar në një ambient të ngrohtë dhe familjar por edhe të investojnë në të ardhmen e tyre duke përfituar kredite të transferueshme në diplomën e tyre të shkollës së mesme si çdo gjuhë shtesë e studjuar në shkollë. Ne kemi edhe “Grupi Arberia” që është Shkolla Shqipe në kërcim. U formua në të njëjtën kohë me shkollën dhe vazhdon të jetë një sukses dhe argëtim i madh për fëmijët dhe komunitetin tonë. Ai drejtohet nga dy të rinj të talentuar dhe të sukseshëm Georgya Borova dhe Ardit Breznica. Ata ishin anëtarë të grupit që në fillimet e tij në vitin 2008. Është nder dhe kënaqësi për ne prezenca e tyre.

KURRIKULA MËSIMORE

Ne jemi të nderuar që kemi në Bord Dr. Gazmend Kapllanin që është anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe përfaqëson USA. Me ndihmën dhe udhëzimet e tij ne bëmë të mundur që nxënësit tanë të përdorin paketën “Gjuha Shqipe dhe kultura shqiptare-Niveli 1” Ky është teksti i përbashkët për mësimin e Gjuhës Shqipe në Diasporeë. Ai është hartuar në përputhje me kurrikulën e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe e cila është miratuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë dhe është miratuar me Urdhrin e dy Ministrive të Arsimit Shqipëri dhe Kosovë! Kjo paketë përfshin Librin e Nxënësit, Librin e Mësuesit/Prindit, Fletore Pune, Fjalor me figura, Poezi “shko Dallëndyshe” dhe kodin digital për ta shkarkuar dhe përdorur online librin e shfletueshëm në kompjuter.

BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT DHE KOMUNITETIN SHQIPTAR

Ne kemi një bashkëpunim të frytshëm me prindërit dhe kjo për shumë arsye siç kuptohet por edhe për faktin se Mësueset dhe drejtuesit e shkollës kanë dhe fëmijët e tyre në shkollë. Çdo gjë bëhet si për veten tënde me dëshirën dhe përkushtimin më të madh nga të gjithë si një familje e madhe. Ato janë prindër dhe mësues të nxënësve në të njëjtën kohë. Për mendimin tim ky pozicion na bën ne të gjithë më pranë nevojave të nxënësve dhe familjeve të tyre. Një pjesë e familjeve kanë edhe gjyshërit të pranishëm në jetën e tyre. Ata fëmijë që kanë gjyshërit këtu në Amerikë janë të përkëdhelurit e fatit. Është një kënaqësi e vecantë për të gjithë të shikosh dhe të dëgjosh brezat të flasin Shqip në Amerikë. Është një marrëdhënie e vecantë. Ata shoqërojnë dhe mbështesin njëri tjetrin gjatë gjithë jetës. Këtë e shikojmë edhe një herë tjetër më së miri me gjyshen e Ardit Breznicës që filloi të shoqëroj Arditin si nxënës dhe fëmijë 15 vite me parë në vitin 2008 dhe vazhdon ta shoqërojë edhe tani që ai është instruktor i valles në “Grupin Arbëria”. Ajo është shembull dashurie dhe përkushtimi. Siç dimë të jemi ne shqiptarët dhe pak të tjerë! Jam e sigurt se ndër vite gjyshe të tjera do të pasojnë shembullin e saj dhe ne do krenohemi dhe mburremi edhe me ato. Lidhja jonë e ngushtë me komunitetin shihet edhe tek fakti që prindërit dhe gjyshërit e nxënësve dhurojnë libra dhe materiale të tjera për shkollën të sjella nga Shqipëria posaçërisht. Këtu mund të përmendim gjysh/e Paskal dhe Vasilika Gjikdhima, Agron dhe Irena Husi etj. Përveç lidhjes së ngushtë me Bordin e Kishës në përgjithësi dhe Bordin e Edukimit të Kishës ku ne mblidhemi mirënjohje dhe respekt pafund kemi për Eva Teli Kryetare e Bordit Të Kishës që është gjithmonë e pranishme dhe e gatshme të na ndihmojë në momentet më të rëndësishme për ne. Po ashtu edhe Thea Kristo dhe Nikoleta Gjikdhima me ndihmën e tyre te jashtëzakonshme për vite me rradhë janë pjesë e historisë së Shkollës tonë. Nuk mund te lë pa përmendur drejtoret e Shkolles tonë ndër vite Lea Bitta, Gent Panajoti dhe Flutura Ndrio. Puna dhe kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm. Shkollën tonë e mbështesin dhe përkrahin edhe në Tiranë qysh nga krijimi i saj dhe deri më sot Dr. Mikado Shakohoxha dhe Ador Tasho me sigurimin dhe dërgimin e librave deri tani. Prindër dhe gjyshër, miq dhe të afërm, mirënjohje dhe falënderime pa kufi për të gjithë ata që na mbështesin. Një tjetër traditë e shkollës tonë në lidhje me komunitetin është edhe Pikniku i Fundvitit Shkollor që organizohet në një nga parqet e shumta të Chicagos ku ne ftojmë të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm familjet e shkollës Shqipe. Kjo është një festë e bukur për të gjitha moshat me lojëra dhe muzikë shqiptare nga Ilir Borova me valle dhe ushqime tradicionale nga të gjitha trevat e Shqipërise.

“GRUPI ARBËRIA” DHE AKTIVITETET PATRIOTIKE E KULTURORE KOMBËTARE

Këtë vit, për festën e Pavarësisë ne morëm një ftesë të veçantë nga shoqëria e Shqiptarëve të Illinoisit dhe festuam së bashku me praninë e shumë shqiptarëve. Grupi ynë i valles kërceu dy valle “Napolonin” dhe “Valle kosovare”. Po ashtu fëmijët recituan vjersha dhe kënduan këngë për flamurin dhe hymnin tonë kombëtar. Festa ishte një sukses i madh! Grupi ynë i valles “Grupi Arbëria” qysh me fillimet e tij ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme lokale si dhe ka përfaqësuar Shqipërinë krahas kombeve të tjera në Amerikë. “Grupi Arbëria” ishte i ftuar së fundmi në 60 vjetorin e AANO -së degës së Chicagos që është një organizatë mbarë Shqiptare në Amerikë si dhe në “Darkë dhe Vallëzim” një event i organizuar nga komuniteti i Kishës Shqiptare të Shën Nikollës. Aktiviteti i radhës për këtë grup do të jetë në Mars. Me ftesë të shoqatës Uskana për recitalin AMA. Falenderim i vecantë i takon Blerina Musaraj, Drejtuese e shkollës për koordinimin dhe bërjen të mundur të të gjitha këtyre aktiviteteve. Komuniteti Shqiptar i Ilinoisit i dhuroi Shkollës tonë 4 Smart Board. Ne u jemi shumë mirënjohës dhe krenarë që jemi Shqiptare! Shpresojmë të kemi aktivitete të tjera të përbashkëta që gjuha dhe kultura shqiptare te ruhen në shekuj.

SHOQËRIA AMERIKANE INTERES PËR GJITHÇKA QË LIDHET ME SHQIPËRINË

Ne shikojmë një interes të amerikanëve për gjithshka që lidhet me Shqipërinë. Duke qenë se ne jemi një vend i vogël dhe i panjohur për shumicën e amerikanëve është e natyrshme që kur ata dëgjojnë Shqipëri ose Albania fillojnë të pyesin për pozicionin gjeografik, për gjuhën, për kulturën, zakonet etj. Dhe pjesa më e bukur vjen kur ne ju përgjigjemi këtyre pyetjeve me dashuri dhe shuajmë kuriozitetin e tyre fillestar atëherë ata duan të dinë më shumë. Aty ne kemi çfarë tu tregojmë. Gjuha jonë nga më të vjetrat në botë dhe unike, klima në Shqipëri dhe natyra me të gjitha llojet e bukurisë së saj në një sipërfaqe kaq të vogël si Shqipëria. Dhe mbi të gjitha mikpritjen dhe besën shqiptare.

MËSIMDHËNIA DHE VËSHTIRËSITË ME FËMIJËT DYGJUHËSH

Deri tani mësimdhënia është klasike, tradicionale pa përfshirë teknologjinë. Jemi në proces të instalimit të Smart Board (ekranet e mëdha kompjuterike). Mësuesja komunikon me nxënësit në mënyrë individuale dhe në grup. Kjo ndihmon në krijimin e një atmosfere nxitëse për nxënësit që të kapërcejnë vështirësitë normale të të lexuarit dhe të folurit në shqip. Për ata dhe për të gjithë ne siç e dimë shqipja nuk është gjuhë e lehtë për tu mësuar sidomos në një vend që nuk e flet atë si gjuhë zyrtare, por ata vazhdojnë me këmbëngulje të ecin përpara në rrugën e dijes që asnjëhere nuk është e lehtë. Duke jetuar në një botë digitale do të shtojmë Smart Boards me qëllimin e mirë ta bëjmë mësimdhënien sa më interesante dhe bashkëkohore. Përpjekjet dhe dëshira e nxënësve tanë përkundrejt vështirësive që ata hasin është për tu admiruar. Ata vërtet meritojnë më të mirën e mundshme nga te gjithë ne. Duhet të bëjmë ne detyrën tonë tu krijojmë kushtet e duhura që ata të kenë mundësi të përdorin të drejtën e tyre për të mësuar.

EFEKTI QË KA PASUR TEK FËMIJËT NË RRITJEN E NDIENJES PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Ne të gjithë jemi shumë krenarë për nxënësit tanë që çdo ditë e më shumë mësojnë gjuhën tonë amëtare, zakonet, traditat, këngët e vallet popullore si dhe gatimet e pasura tradicionale. Është frymëzuese për të gjithë ne si komunitet që në ditën e “Festës së Flamurit” të shohim nxënësit tanë të recitojnë me seriozitet dhe me dëshirë e përkushtim vargje të shkruara nga penat e mëdha të kombit tonë si Frashërinjtë, Mjeda, Konica, Fishta etj për gjuhën, kombin, atdhedashurinë etj sikurse edhe për figura të ndritura të Historisë si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Adem Jashari. Nuk ka se si të mos u mbetet në mendje atyre kuptimi dhe rëndësia e këtyre vargjeve kur ata recitojnë me aq ndienjë dhe kënaqësi. Nuk kanë si ta harrojnë ata ditën e Pavarësisë sonë kombëtare kur ne ftojmë miq e dashamirës ta festojmë atë së bashku ose kur ne jemi të ftuar në këto ditë të veçanta të historisë tonë. Ata e shikojnë në realitet, me sytë e tyre që ne nuk jemi vetëm, jemi pjesë e të tërës, Shqipëri dhe shqiptarë kudo ku jemi në botë. Jam e sigurt se ata janë garancia e të ardhmes që do ti ngrenë emrin lart dhe më lart Shqipërisë dhe shqiptarëve.

KUSH ËSHTË MËSUESE MIMOZA HOXHA (CANODEMAJ)

Jam lindur dhe rritur në Vlorë në një familje të thjeshtë dhe arsimdashëse. Mbasi mbarova Universitetin e Tiranës në degën Financë u ktheva në Vlorë ku për disa vjet punova si Mësuese Kontabiliteti në Shkollën Tregëtare. Një shkollë e vjetër dhe me shumë histori. Më pas në Tiranë ku punova si Mësuese Kontabiliteti në Shkollën Ekonomike të Tiranës dhe në kolegjin Flabina. Në vitin 2007 erdhëm në USA. Midis të tjerash, u specializova në “Montessori Filozofi” që është një teori dhe praktikë që gërsheton shumë bukur individin me shoqërinë dhe që është e përhapur në të gjithë botën. Së fundmi punoj në program për fëmijët me nevoja të vecanta fizike, sociale dhe shoqërore. Jam e lidhur me familjen. Prindërit e mi kanë qënë një figurë qendrore në jetën time. Tani jam prind vetë dhe vajzat tona punojnë dhe jetojnë në New York dhe Boston. Mendoj se familja është ajo që të ngul me rrënjë në tokë dhe të bën të përballosh çdo situatë. Unë jam krenare për rrënjët e mia. Në shtëpinë e gjyshes time tek Ramadanajt në Vranisht të Vlorës është një pllakatë që thotë këtu erdhi për vizitë Ismail Qemali. Po ashtu familja e gjyshit ka studjuar me Frashërinjtë në Janinë! Me shkollën shqipe fillova si mësuese që në vitin e parë të hapjes së saj 2008. Është nder dhe kënaqësi të jesh pjesë e një misioni kaq fisnik.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com