“Sherbestari i Shqipërisë” dhe kontributi i shtypit politik të mërgatës së Amerikës në çështjen kombëtare

Sokol Paja

Nën moton “Shqipëria e shqiptarëve” revista “Sherbestari i Shqipërisë” organ i rinisë së “Ballit Kombëtar”, botuar në Detroit në vitin 1960, me 34 faqe, përbën një kontribut të fuqishëm dhe të pazëvendësueshëm në çështjen kombëtare. Në vitin e 6-të të botimit, në numrin 11-12 që po ia paraqesim publikut, shkrimin kryesor redaksional nën autorësinë e N.Tchami e zë “Çamëria”. Aty paraqitet imtësisht krahina shqiptare e Çamërisë, historia e saj, gjeografia, popullsia, bujqësia e gjithçka lidhet me Çamërinë. Abas Ermenji i dedikon një shkrim kulturës kombëtare dhe moralit kombëtar, pasuar në botim nga vendimet e Kongresit të Lushnjës, një shkrim rreth Konferencës së Paqes së Parisit etj. Revista ka frymë të pastër nacionaliste dhe trajton tema madhore historike kombëtare.

Shtypi politik i partive politike antikomuniste në mërgatën e Amerikës përbën një aspekt shumë të veçantë të trashëgimisë së mërgatës dhe arritjeve të tyre shumëplanëshe. Është e mahnitshme mënyra e qasjes që gazetat dhe revistat e kohës së mërgatës kishin ndaj bashkatdhetarëve e publikut të gjërë shqiptaro-amerikan, niveli i lartë profesional, thellësia e mendimit kritik e analitik dhe mbi të gjitha boshti kombëtar i veprimtarisë mediatike janë aspekte pak të trajtuara dhe prej historianëve e studiuesve.

Nxjerrja në pah e këtij shtypi të disa dekadave më parë jo vetëm rikthen për informim masiv perla nga një plejadë intelektualësh por imtësisht ekspozon një epokë të panjohur mediatike dhe veprimtarie komunitare atdhetare në shërbim të komunitetit shqiptar e kombit në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Temat e trajtuara, thellësia analitike, gjuha, stili dhe argumentet që gjenden në shtypin patriotik e fetar në vitet 80-të përbëjnë një shkollë më vete dhe për gazetarinë e sotme. Pas viteve 80-të mërgata në USA ishte fuqizuar në aspektin ekonomik, politik dhe intelektual. Zhvillimi i mediave të shkruara në këto kohë është një prej treguesve për rritjen e kapaciteteve të mërgatës. Protestat më të fuqishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej mërgatës shqiptare kundër komunizmit erdhën pas viteve 80-të dhe u fuqizuan vit pas viti deri në shembjen e komunizmit në Shqipëri. Roli i mërgatës shqiptare në USA për ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare si Kosova, Çamëria, të drejtat e shqiptarëve në Ballkan dhe luftës kundër komunizmit në Shqipëri ka qenë i jashtëzakonshëm. Media e shkruar e kohës u jepte një përkrahje të paimagjinueshme. Media ishte syri, mëndja dhe zemra e mërgatës. Gazeta “Dielli” i paraqet para publikut këto revista e gazeta jo vetëm për të ekspozuar punën kolosale intelektualëve e patriotëve shqiptarë në Amerikë por për tu shprehur mirënjohjen për përkushtimin për përpjekjet e dedikimin këtyre burrave të mëdhenj të kombit tonë por dhe për të lidhur organikisht të djeshmen dhe të sotmen në mërgatën shqiptare të Amerikës dhe përpjekjet historike për komb dhe atdhe. Në historinë e shtypit shqiptar të mërgatës, shtypi i shkruar në Amerikë mban vulën kryesore të ndikimit, rolit, shërbimit dhe trashëgimisë për vetë specifikat, terrenin, kushtet dhe rrethanat historike e politike ku u zhvillua ky shtyp. Është detyrë në çdo kohë e kërkuesve shkencorë, gazetarëve e punonjësve të instituteve albanologjike në shtetet amë e trojet etnike që të hulumtojnë mbi veprimtarinë e shtypit të mërgatës shqiptare në Amerikë pasi rëndësia historike e këtij shtypi si regjistër historik kombëtar, si dëshmi e fakteve, historive epokale, kronikave, episodeve dhe ngjarjeve e mbi të gjitha të trashëgimisë kulturore, politike, sociale, ekonomike dhe komunitare të shqiptarëve në Amerikë, është e jashtëzakonshme.

Njohja e shtypit të kohës, është një mundësi njohjeje ekskluzive sesi u zhvillua dhe u rrit mërgata shqiptare në Amerikë.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com