Shën Jeronimi ilir (347 -420), përkthyes i Biblës, dijetar i Kishës

Don Lush GJERGJI

Shën Jeronimi ilir është një ndër kolosët e mëdhenj  fetar, shpirtëror, kulturor, biblik, patristik, që e pranojnë dhe nderojnë  jo vetëm të gjithë të krishterët, por mbarë njerëzimi, si  shenjt dhe dijetar të madh,  një ndër doktorët dhe etërit e Kishës më të spikatur të kohës së tij, “egregius doctor Ecclesiae”  – doktor i shkëlqyeshëm i Kishës, së bashku me Shën Ambrozin (330-297) dhe Shën Augustinin (354-430). Ai ishte njeri i dijes dhe kulturës, por edhe i studimit, uratës, pendesës, jetës së rreptë asketike, duke luftuar kundër mëkatit, veseve, epsheve, pothuaj gjithnjë në kërkim të përsosmërisë dhe shenjtërisë.

Këto arsye, por edhe shumë të tjera, sidomos sivjet në 1600 – vjetorin e vdekjes së tij,  ai vjen tek ne dhe ndër ne  me shumë porosi dhe aktualitete, si Njeri i Provanisë dhe historisë tonë të lashtë  martire dhe biblike, “vegël” e Zotit, për t’ia dhënë mbarë njerëzimit Biblën, nëpërmjet “Vulgatës”, përthimit të shkëlqyeshëm në gjuhën latine, me shekuj si burim jete dhe frymëzimi për fe, traditë, kulturë dhe qytetërim evropian dhe botëror.

Shën Jeronimi lindi në vitin 247 në Stridon të Ilirisë, në kufi mes Dalmacisë dhe Panonisë. Pas fëmijërisë dhe rinisë së hershme në vendlindje, shkoi në Romë, në “qytetin e amshuar”, për të mësuar dhe informuar  me retorikën – gojëtarinë dhe gramatikën – drejtëshkrimin, që aso kohe ishin lëndët kryesore të studimeve, te dy ligjëruesit e famshëm, Mario Vittorio dhe Elio Donato, talent shumë i shquar dhe dalluar, gjë kjo që do të dëshmohet në jetën dhe veprimtarinë e tij të mëvonshme vërtet të jashtëzakonshme. Gjatë shekujve është trajtuar si latinisti më i spikatur, i fundit, biblicisti më i kompletuar, kërkuesi, dijetari dhe dëshmitari më burimor i Biblës – Fjalës, Porosisë dhe Personit – Jezusit, Shëlbuesit të mbarë njerëzimit.

Studiuesi i njohur frances Valery Larbaud shkruan kështu në trajtimin e Shën Jeronimit dhe të familjes së ti: “Prindërit e Jeronimit ishin të krishterë, agrarë të pasur… Përpos emrit “Hieronimus” iliri i ardhshëm, shumë i njohur, kishte edhe emrin e babës “Eusebius”… Për nënën e tij nuk dimë asgjë, as emrin, por për motrën shumë më të re, e cila ishte bërë murgeshë, Jeronimi flet si për “vajzë të re”, ose “grua të re”, por edhe emri i saj do të mbesë gjithmonë i panjohur. Për vëllain Paulinianin (“Paulinianus”), i cili po ashtu ishte bërë murg, pastaj edhe meshtar, mendohet se ishte më i ri se ai diku për 20 vjet.” 

Në Romë  Jeronimi i ri mendonte që, nëpërmjet jetës së shfrenuar dhe leximit, shijimit të autorëve klasik greko – romak, do ta gjente vetveten dhe lumturinë e jetës. Mirëpo, fatbardhësisht nuk doli ashtu. Së shpejti mendja e tij e ndritur, zemra e tij e madhe, ishte në kërkim të risisë dhe vërtetësisë.

Gjatë viteve 372-381 ishte në Antioki, pastaj në shkretëtirën  e Kalkistit, gjithnjë në studime, kërkime dhe shqyrtime. Pagëzimi i tij në vitin 360, ishte hap pjekuri dhe përcaktimi. Tashmë jeta e tij ishte e orientuar kah Jezu Krishti, krishterimi, që kurorëzohej me shugurimin meshtarak.

I dashuruar në Krishtin dhe Kishën katolike, ai filloi studimin e gjuhës hebraishte, për t’u njohur më për së afërmi me “botën e Krishtit”.

Në Romë kthehet tashmë si i krishterë i njohur, biblicist i spikatur, dijetar i vërtetur, për të qenë edhe sekretar personal i papës Damasit. Nga ky bashkëpunim i bekuar nisi edhe puna madhe e përkthimit të Biblës në gjuhën latin, si “vir trilinguis”, njohës i shkëlqyeshëm i latinishtes,  Aty ra në sy për erudicion, shenjtëri dhe pendesë. Kjo kishte krijuar shumë miqësi, por edhe zili, xhelozi, deri diku edhe armiqësi, sidomos pas vdekjes së Papës Damasi në vitin 384. 

Faza e tretë ishin vitet 385 – 430, në Betlehem, ku hapi një shkollë biblike dhe teologjike, një strehimore për shtegtarë falas, tri bashkësi apo kuvende femërore (386), për jetën dhe përsosmërinë ungjillore.

          VULGATA

Parimi i njohur i Shën Jeronimit, tashmë edhe i mbarë Kishës katolike,  është ky: “Mosnjohja e Biblës është mosnjohja e Krishtit”.  Kjo e shtyri dhe frymëzoi atë që afro 25 vite të merrej me përkthimin e Biblës në tërësi. Ky përkthim është është kanonizuar “si tekst autentik dhe auktoritativ i Kishës Katolike” nga Koncili i Trenntos   (1545-1563), ndërsa për të gjithë të krishterët në botë, është bazë dhe themel i shumë përkthimeve biblike.

Përpos përkthimit të shkëlqyeshëm të Biblës, VULGATA, Shën Jeronimi është shkrimtar i frytshëm dhe gjithanshëm, si në teologji, histori, patristikë, ashtu edhe në vepra letrare, me shumë shkrime dhe botime të llojllojshme.

Ndoshta vepra më e njohur e tij është De viris illustribus, (392) – Mbi njerëzit e ndritshëm, për të dëshmuar që edhe të krishterët janë në nivel të ngjashëm apo të njëjtë me klasikët paganë greko – latin. Aty ai i paraqet 135 figura të ndritshme, duke filluar prej Shën Palit apostull dhe përfunduar me veten.

Për Shën Jeronimin Erazmi i Roterdamit thotë  se “është i vetmi dijetar i Kishës së përgjithshme, i cili në mënyrë të përsosur e ka njohur botën e krishterë dhe atë pagane” 

Dhe vazhdon kështu: “Nëse shqyrtohet gojëtaria e tij… asnjë shkrimtar i pjesëve tona nuk mund të krahasohet me të: sipas mendimit tim, ai tejkalon edhe Ciceronin për disa cilësi, kryesuesin e gojëtarisë romake… Kush mund të jetë i barabartë me të në njohjen e aq gjuhëve… të jetë si ai që ka jetuar për Krishtin me aq fuqi? Kur ka bërë të njihet më me shumë ngazëllim”

“Ky ilir-shqiptar i merituar ishte një natyrë impulsive, tek i cili është përshtatur dhe kundërshtuar mrekullisht kultura themelore pagane me ndjenjën e thellë e të zjarrtë kristiane… Ky humanist dhe filolog i shquar thuajse i pashoq, me veprën e vet, siç ka pohuar edhe Aleksandër Stipçeviqi, i ka dhënë një kontribut të çmueshëm botës perëndimore në fushën e kulturës. Vulgata e dëshmon këtë.“. 

Shën Jeronimi dhe shqiptarët

Shumë figura të ndritura ilire, që nga zanafilla e krishterimit ndër ne, me Shën Palin dhe nxënësit e tij, si Shën Asti i Durrësit  me shtatë shokët martirë, gjatë përndjekjeve të Traianit (98 – 117), nën udhëheqjen e prokurorit Agrikola,   Shën Flori dhe Lauri, martirët dardanë në periudhën e perandorit romak Hadrianit (117 – 138);   perandorin e Romës Kostantinin e Madh, dardan-ilir, i cili me Ediktin e Milano (313) ia dhuroi krishterimin lirinë dhe barazinë me paganë,  Shën Niketa dardan, përpiluesi i himnit  më të bukur të krishterimit në shekullin e IV “Te Deum Laudamus” (Ty o Hyj, të lavdërojmë), e shumë të tjerë, ashtu edhe Shën Jeronimi ilir, njeriu i cili e afroi, deri diku edhe e pajtoi kulturën para-krishtere, pra, pagane, me krishterimin, fatkeqësisht është pak i njohur dhe studiuar ndër Shqiptarë.

Shën Jeronimin ilir, që e ka përvetësuar dhe paraqitur si “shqiptar” të dalluar dhe të njohur në mbarë botën, është Imzot Fan Stilian Noli. Gjurmëve të Imzot Nolit kishte vazhduar edhe  Don Ndre Mjeda, i cili e kishte paraqitur edhe një lloj skice, apo njësie didaktike dhe shkollore, për ta bërë Shën Jeronimin pjesë të pandashme të shkollës, kulturës dhe qytetërimit tonë të lashtë ilir, arbëror dhe shqiptar.

Iliri ynë e “krishterizoi” botën klasike greko-romake, dhe krishterimin e bëri fe dhe kulturë të gjithmbarshme për mbarë njerëzimin.

Aty, në Betlehem, në afërsi të shpellës ku lindi Shëlbuesi ynë Jezu Krishti, Shën Jeronimi e përfundoi ecjen tokësore, i drejtuar kah amshimi i lumtur (30 shtator 420).

Në “Martirologium Romanum” Shën Jeronimi cilësohet si dijetar i spikatur i Kishës, prifti më i ditur, ai që i aftësonte edhe të tjerët në këtë drejtim.

Shën Jeronimi është Shenjti universal i krishterimit, si është universal vetë Zoti – Ati ynë i mirë, jeta dhe krijimtaria e tij tejet e rëndësishme për mbarë njerëzimin.

Jeta dhe vepra madhore, enciklopedike e Shën Jeronimit, mund të ndahet në pesë kapituj apo drejtime:

Përthimi i tërësishëm i Biblës nga Shën Jeronimi, me Vulgatën e famshme, që gjatë shekujve, edhe në ditët tona, mund të themi se është e papërsëritshme, burimore, tejet e përsosur, unike, kryevepër e Zotit nëpërmjet tij, dhënia e Biblës në gjuhën latinë për mbarë botën e krishterë, edhe më tepër, për gjithë njerëzimin.

Komentimi, egzegeza, shpjegimet e teksteve biblike, ai i bëri me kompetencë dhe njohuri shumë të rrallë, me sukses të dalluar, me thellësi dhe mprehtësi jetësore, për jetën fetare dhe morale.

Letrat e Shën Jeronimit, Epistolario, 122 letra të tija, personale, 32 korrespondencë, gjithsejt 154, që ai i definonte si “libër”, janë një thesar i paçmueshëm fetar, shpirtëror, kulturor dhe letrar “që mund të krahasohet me atë të Ciceronit.”  “Letrat e Jeronimit janë thesar i vërtetë; në tërë letërsinë e krishterë nuk ka diçka të ngjashme.”

De viris illustribus, është pa dyshim një ndër veprat më të rëndësishme letrare, kishtare, si “Chronicon, pati famë tejet të lartë gjatë gjithë Mesjetës.”

Sipas gjasave dhe elementeve që kemi mund të themi: Shën Jeronimi e ka përfunduar këtë vepër madhore gjatë viteve 392 – 393 në Betlehem, gjatë kohës së Perandorit romak Teodosie i Madh (347 – 395), i cili me Ediktin e Selanikut (380) e kishte shpallur krishterimin si të vetmen fe në Perandorinë e Romës.

Shumë vepra dhe shkrime tjera dëshmojnë njohuritë dhe kulturën e tij tejet të madhe, erudicionin e gjithanshëm, trajtimin e temave të llojllojshme, trashëgimi që botohet, lexohet dhe studiohet në vazhdimësi gjatë shumë shekujve, deri në kohën tonë.

“Jeronimi mund të konsiderohet vërtet si shkrimtari i madh dhe i fundit i latinishtes… ai është në rend të parë shkrimtar, letrar…”  v

Ndaj këtij Njeriu, Shenjti, krijuesi të papërsëritshëm ilir, së pari ne si shqiptarë dhe të krishterë, kemi një borxh tejet të madh, pastaj edhe kultura dhe qytetërimi evropian, pse jo, edhe  ai botëror. 

“Në Vulgatën e tij, Shën Jeronimi nuk shquhet vetëm si filolog i ditur, i cili përkthente me zotësi nga origjinali hebraisht duke krahasuar me greqisht, por ai na del edhe si  artist i talentuar i fjalës, si krijues gjenial, që ka ditur të depërtojë në thellësinë e mendimit të përsosur të tij.” vi

Jeta dhe vepra e Shën Jeronimit ilir, përthyes në tërësi të Biblës, Dijetar të Kishës, është një model i përsosur i njeriut të Zotit, punëtorit dhe kultivatorit të pashoq të kulturës së krishterë, veprimtarit të frymëzuar prej fesë dhe dashurisë, enciklopedistit të antikës greko – romake dhe hebreje,  duke e pasuruar atë me risinë madhore të krishterimit në trojet tona të stërlashta ilire, pastaj arbërore, sot shqiptare.

Prishtinë, 30 shtator 2020                                                                         Don Lush GJERGJI

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com