Shën Françesku e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit dhe të Kalvarit

Më 4 tetor, kalendari përkujton shën Françeskun e Asizit, themeluesin e Urdhrit të françeskanëve, i mirënjohur dhe i nderuar në trevat shqiptare. Festa e shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet dhe njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.

Nga një rini e shkujdesur e plot dëfrime, Françesku posa ndjeu mëshirë për të gërbulurit, u kthye në rrugën e Ungjillit dhe e jetoi pa asnjë lëkundje, në varfëri e në gëzim, duke e ndjekur Krishtin e përvuajtur, të varfër e të pastër, sipas shpirtit të lumnive. Së bashku me vëllezërit e parë që e ndiqnin, të tërhequr nga forca e shembullit të tij, predikoi kudo dashurinë e Zotit, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në përtëritjen e Kishës.

I dashuruar me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit e të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët. Në të, ashtu si në mistikët më të mëdhenj, u shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave. Qe frymëzues e Atë i familjeve rregulltare mashkullore e femërore që morën prej tij emrin “françeskane”. Piu XII e shpalli Pajtor të Italisë më 18 qershor 1939.

Urdhri françeskan nisi së pari në Asizi të Italisë, por shumë shpejt u përhap në vise të tjera të botës, e kështu edhe në Shqipëri e në trevat tjera shqiptare si në Kosovë e Mal të Zi.

E sot, ndër të gjitha Kishat françeskane të botës u kremtua festa e Shën Françeskut, që me shembullin e vet vijon të tërheqë mijëra njerëz të kombësive të ndryshme në rrugën e Krishtit Zot e Shpëtimtar. Shën Françesku i Asizit i cili, duke i përngjarë Krishtit, hoqi dorë nga pasuritë tokësore, na mësoi, kështu, se duhet të jemi të thjeshtë, të përvujtë e të pastër, që kur ta lemë këtë botë, ta marrim shpërblimin për dashuri. Të mësojmë nga Shën Françesku për ta jetuar fjalë për fjalë Ungjillin.

Lutja e shën Françeskut

O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:

ku ka urrejtje – unë ta sjell dashurinë,

ku ka fyerje – unë ta sjell faljen,

ku ka mospajtim – unë ta sjell bashkimin,

ku ka mashtrim – unë ta sjell besimin,

ku ka dëshpërim – unë ta sjell shpresën,

ku ka terr – unë ta sjell dritën,

ku ka pikëllim – unë ta sjell gëzimin.

O Zot, bëj që mos të kujdesohem aq

që të jem ngushëlluar – sa të ngushëlloj,

që të më kuptojnë – sa t’i kuptoj unë të tjerët,

që të më duan – sa të dua.

Sepse: kush dhuron vetveten – e fiton vetveten;

kush harron vetveten – e gjen vetveten;

kush fal – do t’i falet;

kush i vdes vetvetes – lind për jetën e amshuar.

KËNGA E KRIJESAVE

I Tejetlarti, i Gjithpushtetshmi,

o Zoti ynë i mirë!

E jotja është lavdia, lumturia,

nderi dhe çdo bekim.

Këto Të takojnë vetëm Ty,

ndërsa asnjë njeri nuk është i denjë

as emrin e shenjtë që Ta përmendë.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,

me të gjitha krijesat e Tua –

posaçërisht me vëllain,

zotërinë Diellin.

Prej tij na vjen dita

dhe ai na ngroh me rreze të veta.

Ai është i bukur

dhe plot me dritë shkëlqyese,

i përngjan, o i Larti,

dritës Sate të hyjnueshme.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,

përmes motrës sonë Hënës

dhe vëllezërve yje!

Ata të shkëlqyeshëm,

të dashur dhe të bukur

i ke shpërndarë nëpër qiellin Tënd.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,

përmes motrës sonë Erës,

përmes Ajrit dhe Reve

dhe Kthjelltësisë së shkëlqyer,

dhe përmes të gjitha

moteve të Tua,

me të cilat i mban krijesat e Tua.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,

përmes vëllait tonë Ujit.

Ai është shumë i dobishëm,

i përvujtë, i çmueshëm dhe i pastër.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,

përmes vëllait tonë Zjarrit,

i cili natën e errët na e shndrit.

Ai është i bukur dhe i këndshëm,

i fortë dhe përvëlues.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,

përmes motrës sonë Tokës.

Ajo na ushqen dhe na mban,

na jep fryte të ëmbla, lule të larme dhe gjelbërim.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,

përmes atyre që falin

për dashuri tënde,

dhe i pësojnë me gëzim

vuajtjet jetësore.

Të lumët ata që çdo gjë e bëjnë me paqe,

sepse do t’i kurorëzosh

me kurorë të amshuar.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,

përmes motrës sonë

vdekjes së trupit,

cilës asnjë i vdekshmi

nuk do t’i ikë.

Të mjerët ata, që vdesin

me mëkat të rëndë!

Kurse të lumët ata, të cilët Ti i gjen

sipas dëshirës Sate të shenjtë,

sepse vdekja tjetër

nuk do t’i humbasë!

Lavdëronie dhe bekonie Zotin tim,

falënderonie Atë,

shërbeni Atij të gjithë

me përvujtni të madhe!

R.SH. – Vatikan

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com